Nga Kastriot MYFTARAJ Kur
ambasadori i vendit aleat më të rëndësishëm të Shqipërisë, SHBA-ve, del
në mbrëmje në televizion në prime time, në një intervistë të gjatë,
Presidenti i Republikës, pra kryetari i shtetit pranë të cilit ky
ambasador është akredituar, nuk mund të dalë në të njëjtën orë, për një
intervistë po aq të gjatë, në një televizion tjetër. Kjo nuk është gjë
tjetër veçse një sfidë krejt e pavend. A thua u mbaruan ditët kur mund
të dilte Presidenti në televizor? Presidenti Topi i bëri një sfidë të
tillë ambasadorit amerikan Arvizu, duke dalë në emisionin e Sokol
Ballës, “Top Story”,
të enjte në mbrëmje në të njëjtën orë që
ambasadori Arvizu gjendej në emisionin “Opinion”, në Tv Klan. Nuk ishte
koincidencë, se dalja e ambasadorit amerikan qe paralajmëruar prej disa
ditësh. Ishte pra një sfidë e qëllimshme. Dhe kjo ndodhi vetëm pak ditë
pasiqë ambasadori Arvizu foli për një celulë të organizuar
antiamerikane që vepron në Tiranë, me mbështetje të huaj. Presidentit
Topi nuk do t’ i shkonte kurrë në mendje që t’ ia bënte këtë sfidë
ambasadorit amerikan, nëse nuk do t’ ia kërkonte dikush që ka shumë
pushtet mbi të. Pyetja është se cili ka aq pushtet mbi Presidentin Topi
saqë ta përdorë si një puppet on a string për të bërë një veprim të
tillë, aq më tepër në kohën që ambasadori amerikan kishte folur për një
celulë të organizuar antiamerikane në Shqipëri. Merret vesh, Celula
antiamerikane qenka aq e fortë sa e sfidoi ambasadorin me anë të
kryetarit të shtetit. Edhe për arsyen se ambasadori Arvizu ishte i pari
ambasador amerikan që, pak ditë më parë në Ora News, kishte folur
gjerësisht për antiamerikanizmin dhe për ekzistencën e një qendre të
organizuar të tij në Tiranë, intervista tjetër e ambasadorit, ajo në Tv
Klan, pritej me shumë interes. Në kohën që të gjithë shqiptarët, të
majtë apo të djathtë, brenda apo jashtë vendit, qenë të interesuar që të
dëgjonin se çka do të thoshte ambasadori të re, për celulën- dhe ai tha
shumë për ata që dinë të kuptojnë- Presidenti Topi doli t’ u thoshte
shqiptarëve: “Më shikoni e më dëgjoni mua, dhe jo ambasadorin”. A thua
nuk kishte ditë tjetër Topi për t’ ju përgjigjur Berishës pas nëntë
muajsh, për fjalët e bulevardit? Topi priti nëntë muaj, mund të priste
edhe një javë për t’ u thënë shqiptarëve se është një zotëri bulevardi.
Meqënëse jemi këtu, një njeri me dinjitet nuk thotë për veten se unë jam
zotëri bulevardi, por ua le të tjerëve ta thonë këtë për të.Presidenti
Topi të enjten në mbrëmje bëri lojë të dyfishtë, sipas traditës politike
nga vjen, asaj të Esat Pashë Toptanit. Topi, nga njëra anë iu bind
urdhërit të Celulës dhe e sfidoi ambasadorin me praninë e tij televizive
njëkohësisht me të, në anën tjetër deshi të shfajsohet për sjelljen e
tij, kompatibile me Celulën. Presidenti Topi duket se qe prekur shumë
nga fjalët e ambasadorit për celulën e organizuar antiamerikane në
Tiranë dhe doli shpejt që t’ u japë përgjigje fjalëve të Berishës të
nëntë muajve më parë. Me këtë Topi duket se donte që të shfajësohej për
disa veprime të tij, të cilat i di ai, dhe që e implikojnë me celulën
antiamerikane për të cilën foli ambasadori. Pra, Topi, deshi që t’ u
thotë amerikanëve se disa veprime të tij, duhet që t’ i shohin si të
ardhura nga zemërimi që i shkaktoi thënia e Berishës. Por këtu lind
pyetja se për çfarë është fyer Presidenti Topi. Sokol Balla, në
intervistën e së enjtes shfaqi një pamje televizive ku kryeministri
Berisha thoshte: “Ata që flasin për ngjarje në bulevard, nuk janë gjë
tjetër veçse horra dhe lavire bulevardi”. Çfarë lidhje ka këtu
Presidenti Topi? Berisha e ka fyer në këtë rast Topin vetëm nëse ky i
fundit e ka quajtur atë që ndodhi në 21 janar tek kryeministria “ngjarje
në bulevard”. Dhe meqënëse të gjithë e dinë se Presidenti Topi e ka
thënë këtë, atëherë del se Berisha e ka quajtur Topin horr bulevardi.
Kjo është arsyeja që Topi heshti atëherë kur foli Berisha, jo se ia
kurseu Berishës fjalët që kishte ndërmend.Por, në rast se në 21 janar na
paska ndodhur një ngjarje në bulevard, atëherë pse dreqin bëhet gjithë
kjo zhurmë për 21 janarin? Se ka katër të vrarë? E jo, sipas logjikës
“ngjarje në bulevard”, në 21 janar ka pasur vetëm katër qytetarë të
rrëzuar në bulevard. A ia vlen gjithë kjo zhurmë për katër qytetarë të
rrëzuar në bulevard? 21 janari, ose është një ngjarje në bulevard dhe
nuk ia vlen të merremi me të, në krejt çka ndodhi atë ditë, ose është
diçka tjetër dhe kjo logjikë vlen për të gjitha momentet e asaj që
ndodhi në atë ditë. 21 janari, qartësisht nuk ishte një ngjarje në
bulevard. Ambasadori Arvizu, në daljen e tij të para disa ditëve në Ora
News, e analizoi dhe një herë thellësisht 21 janarin në të gjithë
përbërësit e tij, duke përfshirë vrasjet dhe sulmin ndaj ndërtesës së
kryeministrisë. Presidentit Topi është lënduar shumë nga aludimet që
bëri ambasadori se pas asaj që ndodhi në 21 janar qëndronte një celulë
antiamerikane, e cila donte që më së pari të largonte nga Shqipëria, atë
ambasadorin Arvizu. Prandaj, Presidenti Topi për t’ u shfajësuar
komentoi fjalët e bulevardit, kinse ato e kishin errësuar gjykimin e
tij. Ndoshta tani Presidenti Topi do të na thotë edhe se fjalët e
Berishës për horrat dhe laviret e bulevardit janë thënë para 21
janarit!Gjithsesi këtu lind pyetja se çfarë janë ata titullarë
institucionesh që e quajtën atë që ndodhi në 21 janar “ngjarje
bulevardi”, nëse nuk janë “horra dhe lavire bulevardi”? Se një përcaktim
u duhet bërë atyre. Pas atyre që ka thënë ambasadori për celulën
antiamerikane, atyre që u ndien të fyer, u del shumë më mirë llogaria
sikur të pranojnë fjalët “horra dhe lavire bulevardi”, në vend të
përcaktimit tjetër që u shkon. Se bashkëpunimi për të larguar,
praktikisht dhunshëm nga Shqipëria ambasadorin amerikan, duke
shfrytëzuar postin e lartë zyrtar, është një veprim shumë i rëndë. Në
kohën që ambasadori amerikan foli për një celulë antiamerikane në
Shqipëri, çka është një çështje me rëndësi supreme për sigurinë
kombëtare, Zotëria i Bulevardit, Presidenti Topi, nuk ka prej mëse dy
vjetësh një këshilltar të sigurisë kombëtare në stafin e tij, duke qenë
me siguri i vetmi kryetar shteti, jo më i vendeve të NATO-s, por të
botës, që nuk ka një të tillë. Para disa javësh, u gjenda në një debat
televiziv me ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare të Topit, dhe me
humor i thashë se Presidenti e zëvendësoi me një ish-komandant poste
kufiri. Ish-këshilltari bëri sikur nuk e kuptoi shakanë dhe më tha se
Presidenti nuk ka një këshilltar sigurie kombëtare, çka në letër është e
vërtetë. Unë aludoja për një shokun e bilardos së Presidentit, i cili
ndoshta i jep këshilla në këtë fushë, emri i të cili u shfaq një herë në
website të Presidentit, për t’ u zhdukur përsëri shpejt.A mos ndoshta
mungesa e këshilltarit të sigurisë kombëtare është një alibi për të
thënë nesër Topi se ai nuk dinte se ç’ po bëhej, se ja, as këshilltar të
sigurisë kombëtare nuk ka pasur! Po pse nuk e ka një të tillë?
Presidenti Topi ka në stafin e vet dy këshilltarë për çështjet ligjore,
dhe asnjë për sigurinë kombëtare. Rrogën e këshilltarit për sigurinë
kombëtare ia jep një mikut të tij që e ka marrë specialist për
informacionin e klasifikuar, a thua se ka nevojë Presidenti për një
specialist të tillë, kur ky lloj informacioni i vjen, për aq sa i vjen, i
gatshëm për t’ u përdorur. Aq më tepër që specialisti që ka marrë ka
studiuar për matematikë. Presidenti Topi e rihapi historinë e fjalëve të
bulevardit, për të cilat kishte heshtur deri më tash, se e ndjeu që
celula antiamerikane për të cilën foli ambasadori, kishte kompatibilitet
(për të përdorur një nga fjalët e Topit) me Celulën e Bulevardit.
Presidenti Topi i lexoi saktë nënkuptimet e fjalëve të ambasadorit, se
21 janari ishte mbi të gjitha një puç kundër ambasadorit amerikan, për
largimin e tij nga Shqipëria, në mënyrë që të vinte një tjetër, më i
pëlqyeshëm, tip Withers. Prandaj Topi u alarmua, se ai e di se çfarë ka
bërë. Topi tani kërkon që të distancohet nga Celula e Bulevardit, për të
cilën e shikon se u zbulua. Topi e di se Ina Rama refuzoi të përgjigjej
në komisionin parlamentar për 21 janarin, jo se nuk ishte në gjendje që
ta mbante gjithë natën komisionin me fjalë, e ta çonte në “shtatë
çezma” juridike e të mos u jepte ujë, por se duhej t’ i përgjigjej
pyetjes se ku kishte qenë ajo gjatë ditës së 21 janarit, e cila ishte
dite pune. E njëjta pyetje vlente dhe për Bahri Shaqirin. Të dy ata
kishin shkuar në shtëpinë e Presidentit Topi atë ditë dhe atje prisnin
lajmin për rënien e qeverisë. Edi Rama vetë, në 21 janar, udhëhoqi
kolonën e demonstruesve që u nis nga thellësia e Rrugës së Elbasanit,
kaloi para Ambasadës Amerikane, një sfidë e qartë për ambasadorin Arvizu
dhe shkoi tek kryeministria. Praktikisht, me këtë në Shqipëri u bë e
para protestë para ambasadës amerikane. Më qartë se kaq nuk kishte si ta
zbulonte veten celula për të cilën foli ambasadori. Topi priste që Edi
Rama me miqtë e tij në Washington dhe New York të arrinte që ta largonte
ambasadorin Arvizu. Tani që kjo nuk ndodhi, Topi bën të penduarin dhe
thotë se i ka bërë ato që di ai, dhe që e di se i dinë edhe të tjerë,
thjesht se u fye nga Berisha. Por celula duket se e kontrollon ende
fort, se e urdhëroi të dalë e të sfidojë ambasadorin amerikan të enjten,
me praninë e tij televizive njëkohësisht me të.
kastriotmyftaraj@sot.com.al
No comments:
Post a Comment