Në vitin 1992 ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jacques Poos, deklaroi se “kishte ardhur ora e Europës”. Ministri e shpalli këtë të pavërtetë duke iu referuar katastrofës në Bosnjë dhe siguroi se ndërhyrja e Luksemburgut dhe fqinjëve europianë së shpejti do t’i jepte fund masakrës. Ora e Europës u stërzgjat përmbi tre vite torturuese dhe kulmoi me spektaklin e trupave holandeze të lidhura pas shtyllave elektrike dhe mori fund kur një kolonë tankesh 70-tonëshe amerikane nga Divizioni i Parë kaloi Danubin.
Për të ardhur te viti 2011. Lajmet për orën e Europës janë shpërndarë edhe njëherë, kësaj radhe në Libi. Këtë nuk e kanë deklaruar europianët, por vetë presidenti Obama. Duke ia kaluar dhe presidentit Clinton që premtoi, me pasoja të tmerrshme, se nuk do të ishin trupat amerikane që do të futeshin në Kosovë, presidneti Obama-pas një plebishiti de facto mbi atë se është e këshillueshme ndërhyrja në Libi-premtoi se “nuk do të jenë avionët tanë që do kontrollojnë zonën e ndalim-fluturimit”. Amerika do t’ia dorëzonte komandën NATO-s, një organizatë fantazmë që, me sa u mor vesh shumë shpejt, e komandojmë po ne. Kështu që administrata amerikane u bë pjesë e një fushate “të imët” disaditëshe me nja njëqind avionë. Ky aksion i koduar nga Pentagoni si Operation Odyssey Dawn do të, më e shumta, zvogëlonte kapacitetet ushtarake të Libisë. Detyra e rrëzimit të Muamar Gadafit do t’i lihej aleatëve tanë europianë. Apo, siç Antony Blinken, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i zv/presidentit Biden, i tha New York Times “ne i primë operacionit-ne u hapëm rrugën aleatëve”.
Por ka një gjë: aleatët nuk kanë pjesë këmbimi.
Ky është një problem për mekanikë. Presidenti, sidoqoftë, ka inauguruar një erë të re të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ka thënë se më e mira për Amerikën do të jetë “të veprojë multilateralisht dhe jo unilaterlisht”. Kjo paradigmë u përgjigjet nevoja të shumëfishta që nuk kanë lidhje me interesat kombëtare si të tilla. Është dëshmi e virtytit dhe qëllimeve të mira të arkitektëve të saj. Ofron garanci se fuqia ushtarake amerikane nuk u shërben vetëm interesave kombëtare, por interesave të të gjithë njerëzimit. Askush nuk i është bashkëngjitur kësaj pikëpamjeje më me forcë se sa Hillary Clinton. “Ne e dimë se siguria jonë, vlerat dhe interesat tona, nuk mund të mbrohen dhe të bëjnë përpara vetëm me anë të forcës dhe as, në fakt, vetëm nga Amerika”. Për fat të keq, dhe sado që respekton kolonat e liberalizmit të iluminuar, kjo nuk jep përgjigje adekuate për një dilemë që ka të bëjë me strukturën dhe jo ideologjinë: Libia ka ekspozuar se deri ku shkon ajo së cilës ekspertët e mbrojtjes i referohen si “hendeku i aftësive” ndërmjet forcave ushtarake të Europës dhe Amerikës.
Një fushatë e hartuar për të ekspozuar benefitet e aksionit shumëpalësh ka bërë ekzaktësisht të kundërtën. Fjalët e konsumit mbi fuqinë në zbehje, multipolaritetin dhe bashkëpunimin çojnë te një pyetje shumë e thjeshtë: saktësisht, bashkëpunimin e kujt po përpiqemi të kemi? Këtu edhe përgjigjja duket se është e thjeshtë: të europianëve, kujt tjetër. Duke lënë mënjanë çështjen e vullnetit - që do të thotë a dëshirojnë europianët të bashkëpunojnë në mbrojtjen e rajoneve më të largëta të asaj që (dikur ishte) zonë e influencës amerikane - është e nevojshme të theksosh se, duke marrë parasysh supozimin se fuqia europiane do të mjaftonte për të bindur Gadafin që të largohej, dikush në ekipin e Obama-s duhet të ishte interesuar për mundësitë e evropianëve - që do të thotë, a munden europianët ta bëjnë këtë, apo për të qenë më të drejtpërdrejtë, a munden ata të bëjnë qoftë edhe një gjë të vetme? Sepse për 10 vjet - ose 20 a 60 - në varësi të leximit që mund t’i bëhet skenës ndërkombëtare - ka qenë deri diku e qartë, madje e dukshme se europianët ia kanë lënë rolin e tyre historik… historisë.
Përgjatë viteve të fundit ata kanë shkuar edhe më tej dhe me vendosmëri e kanë refuzuar këtë rol. Sa për fillim, kemi valën masive dhe të vazhdueshme të kufizimeve të shpenzimeve për mbrojtjen që kanë përfshirë kontinentin. Dhjetë vjet më parë Amerika kontribuonte përafërsisht gjysmën e buxhetit të mbrojtjes së NATO-s; sot tre të katërtat e këtij buxheti. Gjatë së njëjtës periudhë numri i personelit ushtarak aktiv në Europë u ul me një të tretën. Në dhjetëvjetëshin e fundit është bërë e qartë se, siç tha edhe sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, NATO “po kthehet në një aleancë dypalëshe, në të cilën disa prej aleatëve janë gati të luftojnë dhe vdesin për të mbrojtur sigurinë e njerëzve, ndërsa të tjerët jo”. Ajo që tha Gates ndodhi në Kosovë, ku 83 për qind e bombave të hedhura nga NATO dolën nga avionët amerikanë; në Afganistan, ku trupat amerikane përbëjnë dy të tretat e pranisë së NATO-s dhe tani në Libi, ku të paktën përpara se të largohej nga fushëbeteja avionët amerikanë përbënin më shumë se gjysmën.
Nëse vlen për diçka, lufta në Libi dëshmon se paraardhësit e Obama-s nuk i mbështesin predispozitat për ndërhyrje njëpalëshe në fiksimet e tyre. “Kriza libiane ka ekspozuar me të madhe mungesën e strategjisë mbrojtëse europiane: pazotësinë për të mundësuar një vizion politik të përbashkët dhe mungesën e aftësive për të marrë përsipër një operacion të këtij lloji”, tha analisti francez i mbrojtjes Bruno Tertraris; ndërsa një diplomat europian parashikoi për Deutsche Press Agentur se një politikë e përbashkët mbrojtjeje europiane “vdiq në Libi - ne na duhet vetëm të zgjedhim një dunë nën të cilën ta varrosim”. Në fakt, gjermanët ndenjën këmbëngulshëm neutralë përgjatë konfliktit, në vend që të kritikonin francezët dhe britanikët, ndërsa këtyre të fundit, sipas The Washington Post, pothuajse u janë mbaruar bombat.
Në vend të skërmitjeve rreth hiperfuqisë amerikane, europianët ia kanë lëshuar veten lutjeve për një përshkallëzim të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara. Ndaj së cilës reagimi amerikan ka qenë i shpejtë, i pamëdyshje dhe krejtësisht jashtë targeti: “Aksioni unilateral ushtarak për të mundësuar ndryshimin e regjimit nuk është një strategji e mirë dhe nuk do ta përmirësonte besueshmërinë amerikane”. Megjithëse ajo që kërkohej ishte aksion i kufizuar multilateral me qëllime humanitare. Ndoshta duke ndjerë se nëse Amerika është gati për përfundimet ajo duhet të jetë gati edhe për mjetet, Pentagoni ka dërguar Predatorë në qiejt e Libisë.
No comments:
Post a Comment