Të mos na mjaftonte e premtja, që për 4 orë na mban peng para ekranit, tani ai ka filluar të shfaqet përditë. Dhe kur shfaqet ai, hajde guxo e ndërro kanal…
Arian Çani, gazetari dhe moderatori i suksesshëm i emisionit “Zonë e lirë”, qysh prej 2 javësh shfaqet në ekranin e televizionit UTV, në një format të ri për ekranet shqiptare. Së bashku me dy analistët/polemistë, Artur Zheji dhe Andi Bushati, Çani sjell problematikën e ditës në emisionin “Majtas Jo Djathas”! Në këtë intervistë për gazetën “Mapo”, Çani rrëfen arsyet përse nisi ky emision i ri, e gjithashtu mjaft kuriozitete që rrethojnë atë dhe Zonën e tij të Lirë….
Zoti Çani, keni nisur një emision të ri me emrin 'Majtas Jo Djathtas' që mbështetet tek aktualiteti i ditës. Duke qenë se prej vitesh dominoni në televizion me emisionin “Zonë e lirë”, përse ju duhej edhe një tjetër emision, dhe për më tepër i përditshëm? Nuk keni frikë nga konsumimi?
Nuk kam fare frikë nga konsumimi... E para, sepse ky është zanati im, e dyta, sepse unë e di sekretin e moskonsumimit. E treta, sepse kam gjëra dhe ide për të thënë në mënyrën time dhe nuk më mjafton vetëm e premtja në ‘Vizion Plus’! Kisha kohë që e kërkoja dhe e gjeta. Quhet shkurt MJD!
Ndërsa dy polemistët, Zheji dhe Bushati, debatojnë fort në studion tuaj, si jua gjetët gjuhën për t’i bërë bashkë?
Tregut i mungonte prej kohësh një format i tillë, unik në llojin e tij. MJD i shkon shumë Bushatit dhe Zhejit sepse është i vetmi forum ku politika përthyhet thjesht dhe qartë në 45 minuta, duke trajtuar ngjarjet që i interesojnë vërtet publikut të gjerë. Bushati dhe Zheji janë gazetarë të vërtetë në profesion. Ma gjej një të ngjashëm rreth e rrotull. E bën dot? ...
(E gjej po nuk po ta them!) Ç’kuptim ka për ju “Majtas Jo Djathtas”?
Kujdes Ilda... Po ta vësh re, nuk ka asnjë shenjë apo presje mes fjalëve “Majtas Jo Djathtas”. Dhe jo më kot. Më frymëzoi titulli i një libri të famshëm të Tan Fugës... “Majtas Jo Djathtas”, pra mund të lexohet në dy mënyra. Njëherë ndalon më shume para JO, njëherë ndalon më shumë pas Jo...Është e qartë?
Për mua po, besoj tani për të gjithë. Ju vetë jeni i majtë apo i djathtë?
Ec e merre vesh se çfarë dreqin jam unë. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë nuk e di...
Po në jetë, cilin kah mbani zakonisht, të majtin a të djathtin?
Në fakt shoh vetëm përpara...
“Majtas Jo Djathtas”, si e mban balancën me “Zonë e Lirë”? Kush po dominon më shumë në përditshmërinë tuaj?
Është një shkrirje e lezetçme në fakt, që e kam të vështirë t'jua sqaroj pasi kjo tashmë ka të bëjë me disa instikte të miat profesionale. ZL është një orgazmë e madhe, e madhe shumë...Ndërsa MJD është ajo e vogla dhe e përditshmja që të mban në formë...
Përsa i përket ZL, dy javë më parë, ky emision i famshëm tashmë, i dha spunto një zënke, që përfundoi në një sherr mes dy këngëtaresh. Ndiheni ndopak përgjegjës?
Jo, nuk ndihem përgjegjës pasi mendoj që fjalët janë i vetmi mjet me të cilat mund të hakmerremi. Më vjen keq për Rozanën, pasi atë vajzën tjetër nuk e njoh ose të paktën nuk bëj dot lidhjen e emrit me fytyrën...
Sa personazhe keni intervistuar deri më tani në “Zonë e lirë”? I keni numëruar ndonjëherë?
Jo... Ende nuk kam dalë në pension që të merrem me bilancet...
Kush është personazhi që ka ardhur më shumë?
Nuk e di... Janë disa që vijnë shpesh sepse tërheqin një audiencë të paparë...
Kush është personazhi që ju ka refuzuar dhe është betuar që nuk do të vijë tek ju?
Askush... Disa të pakënaqur ka pasur në këto tetë vite, por janë rikthyer një ditë, pasi kanë kuptuar se ZL vetëm të përmirëson imazhin dhe jo anasjelltas...
Kush është personazhi të cilit i jeni lutur kohëve të fundit dhe ende nuk ua ka pranuar ftesën?
Nuk i jam lutur askujt... Nuk është në stilin tim dhe aq më pak në stilin e ZL...
Kush është personazhi që ju ka lënë një shije të keqe?
Një tip që nuk kishte fare ndonjë lidhje të fortë me punën që bënte, por që ishte tmerrësisht atipik dhe ngjiti mirë në ekran. Një farë Xhevahir, Xhevahir Ngjeqari quhet. Ka më shumë se një vit që nuk dihet më ku është zhdukur ky personazh atipik dhe i pazakontë. Pasi e promovova për tre vjet me radhë dhe çdo të premte në ZL, pasi arriti që nëpërmjet ZL-së, t'i “rrëmbente” Berishës një superkonçesion për një rrugë, siç e quante ai vetë, Rruga Tiranë-Elbasan fushore pa tunele panoramike, u zhduk me shpresën që mbaroi punë me ekranin sa mori rrugën. I shkreti Xhev... Iu luta duke i thënë 'mooos Xhev mooos'... nuk duhet të ikësh pikërisht tani që e fitove projektin se pikërisht tani do të ta fusin dhe do ta heqin prapë... Nuk më besoi ditëziu... Dhe e hëngri. Siç ia dhanë, pas një lufte tre vjeçare në studion time, ashtu ia hoqën për një ditë sepse mungoi në studion time... Ditëziu Xhev... Sa shumë më zhgënjeu... Kishim luftuar aq shumë për atë rrugë fushore pa tunele dhe, për më tepër, panoramike...
Po, Ermiona Lekbello është një prej tyre?
Absolutisht jo, Ermiona është një vajzë e mirë dhe me shumë halle. Le ta lëmë në hallin e saj. Zoti e bekoftë Lekbellon...
No comments:
Post a Comment