Shteti, qytetari dhe jeta e lirë seksuale...
Në shoqërinë tonë tashmë ka një kaos konceptual dhe moral të qëndrimit ndaj seksualitetit si pjesë integrale e jetës private por dhe si pjesë e diktuar nga normat sociale dhe parimet morale të shoqërisë. Duket se kjo është arsyeja që të gjithë strukturat sociale të jetës shoqërore kanë filluar t’i bëjnë bisht dhe kanë frikë ta marrin në dorë “pataten e nxehtë” të seksualitetit, duke e lënë atë të bëjë i lirë “xhiron e modernitetit” në shoqërinë tonë. Në këtë situatë nuk është e lehtë madje është bërë e vështirë që të dallosh në se tek ka më mundësi për politika inteligjente dhe moderne për orientimin, zhvillimin apo disiplinimin moral dhe ligjor të çështjeve të seksualitetit dhe kaotizmit të “botës seksuale”. Kaosi i jetës morale, mungesa e rregullave konsensualë, thyerja sociale para duhmave të seksualitetit të shfrenuar dhe prirja e fortë për shthuren e gjërë të rregullave në marrëdhëniet seksuale në shoqërinë tonë kohët e fundit është në nivel shumë të lartë she shqetësues.
Ndërkaq përballë këtij realiteti të “dukshëm” por dhe “opak” duket se në shoqërinë tonë ka një stepje të strukturave të jetës sociale, të familjes, shkollës, komuniteteve fetare, për t’u përzierë seriozisht më këtë problem, për t’u përballuar me deformimet dhe dukuritë e shfrenuara të seksualitetit rinor, martesor, jashtëmartesor, etj, të cilat po rrjedhin jashtë çdo parametri social dhe moral, duke vënë seksualitetin në një gjendje kaosi. Edhe shteti në emër të liberalizimit, respektimit të të drejtave të njeriut, të privacisë së trupit dhe diversitetit të jetës morale dhe seksuale, duket se e ka gjetur rrugën e tij. Ai pothuaj ka hequr dorë dhe nuk intervenon as direkt as në mënyrë të tërthorë në çështjet e seksualitetit social, duke qëndruar disi anash detyrimeve që ka për të ndikuar ndryshe në stabilizimin e problemeve të jetës seksuale.Unë besoj se sot në shoqërinë tonë në se ka një gjë që është ngatërruar keq konceptualisht dhe empirikisht dhe që për fat të keq ende nuk është e qartë deri në fund për të gjithë janë qëndrimet evasive, supertolerante dhe të paqarta ndaj seksualitetit. Besoj se nga që nuk thuhen të vërtetat, nga nuk flitet hapur dhe nuk ligjërohet në mënyrë analoge me realitetin e vërtetë të zhvillimeve brovniane të sferës së seksualitetit, duket se neglizhohen situatat dhe problemet që kanë të bëjnë me çështjet e lirisë seksuale, veçanërisht raportet dhe marrëdhëniet e shtetit me problemet dhe shqetësimet e seksualitetit të shoqërisë. Është duke u kristalizuar një qëndrim timid i strukturave sociale dhe një pozicion i paqartë i shtetit ndaj seksualitetit të shoqërisë. Kjo situatë është e shoqëruar nga një konceptim liberal, herë normal dhe herë eksentrik i lirisë seksuale dhe zgjerimit jo normal të përmasave të nje epidemie të “pansekualizmit social” të pajustifikuar në shoqërinë tonë. Ka njerëz që të mbërthyer totalisht nga ndjenja e individualizmit ekstrem, nga dëshira për të qënë përtej “kufijve të kontrollit” social, janë kundër çdo lloj detyrimi dhe përgjegjësie të shtetit për format, mënyrat dhe standardet e realizimit të seksualitetit në shoqërinë tonë. Ka të tjerë grupe sociale që përkundër këtij qëndrimi janë të shqetësuar nga “indiferentizmi” që tregon shteti ndaj seksualitetit. Ata të nisur nga e kaluara e shtetit totalitar dhe prerogativat e ekzagjeruara dhe determinante të kontrollit të shtetit mbi seksualitetin e shoqërisë, kanë akoma në mendje paradigmën e vjetër të raporteve të shtetit me format e seksualitteit që vjen si model dhe si recidiv nga e kaluara jonë. Në të vërtetë tek brezi i të moshuarve, por jo vetëm tek ata, rëndon ende fuqishëm ideja sempliste dhe shikimi i kufizuar i problemit të raportit të përgjegjësisë së shtetit për “derdhjen kaotike” të seksualitetit në shoqërinë e ditëve tona.Padyshim koha moderne e ka ndryshuar pozicionin dhe rolin e shtetit në raport me seksualitetin e shoqërisë dhe të drejtën e njeriut për të qënë i lirë mbi trupin e vet dhe sovran mbi seksualitetin e tij. Padyshim shteti modern ka ca përgjegjësi në fushën e seksulitetit të shoqërisë, sidomos kur është fjala për ato politika shtetërore të e seksualitetit janë të përthyera në kujdesin dhe obligimin e shtetit për martesën, natalitetin, riprodhimin e popullsisë, shëndetin seksual, etj. Padyshim që këto janë pjesë e politikave të çdo shteti. Por tashmë seksualiteti është bërë më i ndërlikuar dhe raportet e shtetit më të shfaqen më të komplikuara. Ne fare afër kemi qenë një shoqëri në të cilën marrëdhëniet dhe prerogativat e shtetit me të drejtën e individit dhe seksualitetin e shoqërisë kanë qënë paradoksalisht shumë të ndërlikuara dhe të deformuara. Shteti ka qenë në çdo rast dhe krejt padrejtësisht në rolin e “gardianit të seksualitetit” të shoqërisë. Prania e natyrës totalitare deri tek intimiteti i njeriut tregon qartë deformimin e përmasave të natyrës së shtetit. Sepse e gjithë politika shtetërore në raport me seksualitetin e njerëzve ka qenë përgjithësisht ose negative, refuzuese ose penalizuese.Epoka e kaluar në shoqërinë tonë ka qenë e tërë e organizuar në mënyrën më vulgare sipas parimeve “viktoriane”, në kuptimin që asnjë marrëdhënie seksuale para martesore nuk ka qenë e lejuar, që asnjë marrëdhënie seksuale jashtëmartesore nuk ka qenë e pranuar. Madje ato kanë qenë të dënuara dhe konsideruara të turpshme nga shteti, ligji dhe morali. Divorci ka qenë një akt civil i vështirë, i moralizuar në përmasa ekstreme, dhe pse jo edhe i politizuar në mënyrë të tejskajshme. Duke e parë realitetin aktual, duket se në shoqërinë tonë më në fund roli i shtetit në fushën e seksualitetit është “zbutur”. Madje sic po duket shteti nuk përzihet aq me kaotizmin dhe anarkinë e seksualitetit. Në pamje të parë duket sikur kjo indiferencë e shtetit ka efekte qendrore dhe anësore mbi seksualitetin e shoqërisë dhe duket sikur favorizon dhe mbron lirinë seksuale, e cila duket si një politikë që është në kundërsens me nevojën e mbështetjes së martesës.Ende ka njerëz që nga që kanë koncept të kufizuar për lirinë seksuale, që kanë frikë dhe që mendojnë se në se shteti nuk merret me këto fenomene, ky qëndrim mund të bëhet padashur nxitës dhe mbështetës i politikave që favorizojnë sjellje seksuale imorale. Padyshim kohët kanë ndryshuar dhe roli dhe përgjegjësitë e shtetit në fushën e seksualitetit duket se nga njëra anë janë zvogëluar, për shkak të zgjerimit të lirisë seksuale të individit dhe liberalizimit të sekualitetit social. Por në se problemin do ta shikojmë më thellë sipas mendimit tim duket se në të njëjtën kohë është rritur përgjegjësia sociale e shtetit, jo aq për të vëzhguar, monitoruar dhe kontrolluar deri në detaje seksualitetin e shoqërisë, por në kuptimin për të marrë masa prevenuese për të “disiplinuar” dhe garantuar format e shëndetshme të seksualitetit në të gjithë format dhe mënyrat e shfaqjes dhe realizimit të tij. Politikat e seksualitetit të shtetit tashmë kanë shumë aspekte shëndetësore, që kanë të bëjnë me sigurimin e kontraceptivëve dhe mjeteve të tjera mbrojtëse që ndihmojnë individin të mbrohet nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme apo shtatzanitë e padëshiruara, masa të tjera që kanë të bëjnë me mbështetjen për gratë e divorcuara, politikat sociale për fëmijët jetimë biologjikë e socialë.Politikat e seksualitetit dhe roli i shtetit në këtë fushë edhe në vendin tonë është zgjeruar, është ndërlikuar dhe është bërë më delikat, për shkak të prirjes sociale të zgjerimit dhe kaotizmit të seksualitetit, të uljes së moshës së fillimit të aktivitetit seksual, të zgjerimit të aktivitetit seksual para apo jashtëmartesor. Duam apo nuk duam, janë apo nuk janë dakord politikanët, sidomos ata që duan të hiqen “moralistë”, apo që e mendojnë seksualiteti në shoqërinë tonë po e bën atë shoqëri “pa cipë” morale dhe seksuale, shoqëria jonë po përballet me të gjitha dukuritë e seksualitetit të liberalizuar dhe të shoqëruar me të gjithë dukuritë më të fundit të tipologjisë së seksualitetit dhe të homoseksualizmit.Shteti në ndërtimin e politikave dhe ndërhyrjeve mbështetëse është i detyruar të llogarisë faktin që jetojmë në një shoqëri moderne që pavarësisht traditës në kohën tone, është përfshirë nga valët e “revolucionit seksual” që edhe pse i vonuar synon dhe tenton hapur që të “fshijë diferencat” midis sekseve”. Duhet kuptuar e vërteta që tashmë jemi në një etapë kur shoqëria ka një seksualitet të shpërfaqur dhe shoqëria janë ka marrë formatin e “shoqërisë së qejfit”, pjesë me rëndësi e së cilës është bërë aktiviteti seksual. Kjo do të thotë se raportet e shtetit me seksualitetin duhen parë ndryshe, nga që në shoqërinë tonë terreni seksual është bërë i rrëshqitshëm, i padisiplinuar.Në këto kushte beteja për rikthimin e normave të seksualitetit nuk është më detyrë ekskluzive vetëm e shtetit. Ky rol i kërkuar nga moralistët është një barrë e pamundur për shtetin, një rol të cilin ai i vetëm e ka të pamundur ta realizojë në kushtet e sotme, kur janë bërë fakt i kryer i jetës moderne që nënkupton edhe lirinë e seksualitetit, privacinë e jetës dhe sovranitetin e njeriut mbi trupin e vet. Padyshim ka një përpjekje që duhet mbështetur nga familja, shkolla, media, institucionet fetare dhe veçanërisht nga shoqëria civile për të krijuar “kulturën e rregullit” në sferën e jetës seksuale në shoqërinë tonë. Por kjo “betejë” është e vështirë dhe prandaj janë të shqetësuar por edhe njëherësh të angazhuar edhe shteti, por edhe familja, prindërit e tronditur nga dekadenca e seksualitetit të fëmijëve dhe trendi i frikshëm i fillimit të marrëdhënieve seksuale që në moshë shumë të re. Në kohën tonë është e pamundur që shteti të luajë atë rol që pretendojnë moralistët dhe partizanët e idesë së shtetit totalitar apo paternalist që ai duhet të të survejojë, të kontrollojë, të intervenojë, të ndalojë dhe të dënojë seksualitetin e liberalizuar.Këtë rol të shtetit me të drejtë Presidenti Barak Obama e quan “gardian i moralitetit seksual” dhe që në kohën tonë është pothuaj e kapërcyer, madje pa frikë mund të themi se është krejtësisht i pamundur. Të kërkosh nga shteti që të luajë këtë rol do të thotë të mos e kesh kuptuar fare kohën dhe imperativat e saj. Njerëzit tanë duhet më në fund të kuptojnë, se prerogativat e shtetit dhe të drejtat e njeriut përfshirë edhe atë të seksualitetit personal janë sfera të ndara, të cilat liria nuk i lejon të përzihen. Përfundimisht seksi, martesa, divorci, lindja e fëmijëve janë çështje tejet personale, ngushtësisht shprehje e dimensionit të jetës intime. Në këtë kontekst edhe shteti ka sferën e tij të ndërhyrjes dhe të ndalimit vetëm për format e deformuara dhe të rrezikshme të seksualitetit shoqëror dhe për çdo gjë tjetër që sjell pasoja sociale në jetën dhe shëndetin e shoqërisë. Sepse është e pamundur që liri shteti të bëhet “guardian i seskualitetit” Ai nuk ka mundësi, mund dhe nuk duhet të ndërhyjë, as mund të vërë rregull në “dhomat e gjumit”, të ndërhyjë në çështjet e “qejfit” dhe të jetë pjesëmarrës në vendet ku zhvillohet intimiteti i shqiptarëve.
No comments:
Post a Comment