Tuesday, December 28, 2010

Majtas ose Djathtas! Qendra nuk ekziston!

Shkruan:
Artur Zheji 

Tanimë është një realitet, në politikën shqiptare kemi një diktaturë “de facto” pozicionale. Asnjë subjekt politik, askush dhe cilido nga të shumtët që e kanë eksperimentuar, nuk ia kanë dalë dot. Sepse është bërë më shumë se njëherë e qartë, nuk ka më shumë se dy mundësi për të mbijetuar politikisht në Shqipërinë politike: Ose Majtas, te “Kulla” e PS-së; ose Djathtas, te “Kulla” e PD-së. Qendra nuk ekziston.
Qendra nuk është bërë dot një shtrat politik i qëndrueshëm dhe i suksesshëm për askënd.
Eksperimentin e parë e bëri vite më parë Skënder Gjinushi, në koalicionin socialdemokrat të partisë së tij, PSD, me Partinë Demokratike, në fillimet e viteve ‘90. PSD u shkëput nga koalicioni pak vite më vonë, porse vit mbas viti, në vend që të rritej u zvogëlua.
Partia Republikane, e zotit Godo, nuk pati fat më të mirë. Mbeti e vogël, ndonëse në periudha të caktuara përcaktoi disa ekuilibra delikatë. Në fakt, nga politikanët shqiptarë, vetëm Sabri Godo kishte stofin e një politikani centrist, i moderuar dhe moderues. Porse, ose ai nuk ishte i ndërgjegjshëm për këtë rol që duhet të luante, ose presioni që vinte nga partitë e mëdha ishte tejet ndrydhës.
Më pas lindi një parti tjetër me prirje centriste, Aleanca Demokratike, e udhëhequr nga Neritan Ceka dhe Arben Imami. Një “brinjë” intelektualiste e pakënaqur e PD-së së Berishës. Megjithë përqendrimin e jo pak intelektualëve dhe e shumë aspiratave interesante në këtë parti, diagrama e saj u ngul në fare pak vite me kokë poshtë. Deri në një shuarje të plotë dhe të palavdishme.
Më pas akoma, ose paralelisht, lindi edhe një formacion tjetër i Djathtë, Partia Demokratike e Djathtë e zotit Petrit Kalakulla. Në ndërkohë, ndizeshin dhe shuheshin, lindnin dhe vdisnin si fluturat e natës, disa parti të tjera me stampa të vjetra dhe të reja, të Ballit Kombëtar apo Legalitetit, edhe ato me plot fraksione dhe nënfraksione. Mirëpo qëndrueshmëria e këtyre formacioneve përcaktohej dhe ishte në trysninë shkatërruese të Partisë Demokratike nga njëra anë dhe të tundimit të Partisë Socialiste nga ana tjetër.
Dukej sikur PS dhe PD ushtronin një koordinim të fshehtë, për të mos lejuar krijimin
e forcave të reja politike konkurrenciale, qofshin këto të Qendrës apo të ekstremeve.
Mbas vitit ‘97, kur paramendohej gabimisht se Sali Berisha kishte perënduar politikisht përgjithmonë, lindi edhe PDR e Genc Pollos, ndërsa Aleanca Demokratike u copëzua, po ashtu edhe Partia Social Demokrate, ndërsa stampat e vjetra të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit shfaqeshin me dy ose më shumë koka në konflikt me njëra-tjetrën. Edhe partia e pakicës greke, ajo që sot është PBDNJ, pësonte si të tjerat, përçarje centrifugale dhe shkërmoqje sa djathtas edhe majtas.
Kush shkëputej nga PD-ja apo PS-ja ngelej si një ashkël në mes të detit, nuk zhvillohej, mbetej e parritur, mbetej, pra, një parti xhuxhe dhe, më e keqja e të këqijave, partitë xhuxhe ndaheshin akoma më tej, në bijëza dhe kushërira. Akoma edhe më xhuxhe. Për të mos folur për dhjetërat e dhjetërat e siglave partiake, të cilat mbetën vetëm sigla me një kryetar dhe me një grusht zgjedhësish familjarë, të papërfillur nga elektorati shqiptar, i cili ishte përqendruar ose në logon e PD-së ose në logon e PS-së.
E vetmja parti që theu rregullin e vetëvendosur në këto 20 vite, ishte partia e Ilir Metës, LSI, një brinjë e rebeluar dhe alternative e Partisë Socialiste, që mbijetoi dhe vijon të mbijetojë falë karizmës së themeluesit dhe liderit të saj, disa herë kryeministër.
Por sidoqoftë, LSI-ja ngelet një përjashtim që përforcon rregullin, Qendra, ose Poli i Qendrës, në Shqipëri ngelet një Zgjidhje, për fat të keq, akoma pa të ardhme dhe të shpërfillur nga elektorati shqiptar, i cili, me sa duket, parapëlqen vetëm zgjidhje të thjeshta, madje sa më të thjeshta.
Mbas vitit 2005 kemi bashkëqeverisjen xhuveliane, që edhe e ndëshkoi këtë parti të dyshimtë ambientaliste, me shuarje të palavdishme. Në vitin 2009, në prag të zgjedhjeve, lindi elektoralisht dhe vdiq shumë shpejt, po elektoralisht, një sigël e re, G-99. Kjo parti, që mbeti vetëm sigël, u thith mbas dështimit nga barku i PS-së, si një anije letre nga një vorbull e vërtetë.
Mbas këtij “ekskursioni” të shkurtër dhe ndoshta jo krejt të saktë historik, i bëhet një shtrat i natyrshëm pyetjes: “Është mirë apo keq, një strukturë politike kombëtare, pa ‘shtratin’ e një Poli të Qendrës?”
Së pari, modeli strukturor politik që ka përqafuar Shqipëria, Republikë Parlamentare, është i tillë që asnjë post tjetër përveç deputetit nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Parlamenti, pra, është kësisoj i mandatuari i madh, që zgjedh dhe voton çdo post, nga Kryeministri, Kreu i Shtetit, Kryeprokurori, ministrat etj. Numri i votave në Kuvend, përcakton drejtpërsëdrejti fuqinë e një Partie, pjesën e pushtetit real që ajo ka dhe ushtron në rang kombëtar. Duke përjashtuar këtu zgjedhjet lokale, shesh-lufta më e madhe janë zgjedhjet e përgjithshme politike, ku ndahet realisht torta e pushtetit, qoftë kjo e pushtetit ekzekutiv apo pushtetit të opozitës. Në këtë proces, shpesh të përfolur, mbijetesa e partive të treta asfiksohet nga dy elefantët PD&PS, të cilët thithin në krah të tyre pjesën më dërmuese të influencave dhe votave.
Së dyti, zgjedhjet politike, gjithmonë e më të shtrenjta dhe gjithmonë e më të ashpra, krijojnë spontanisht një “aleancë” të pashprehur, ndoshta të pa vullnetshme, të dy të mëdhenjve, të të dy elefantëve politikë, pra, të cilët dominojnë mediat, kanë struktura dërrmuese dhe “ushtri” militantësh. E pra, cila nuk ka nga këto, ushtri dhe mjete financiare, “vritet” politikisht dhe mbetet i vetmuar dhe mposhtet në fushëbetejën politike.
Së treti, kulturalisht mund të themi se shqiptarët e sotshëm, të çliruar prej pak kohësh nga diktatura dhe monopartitizmi, nuk e kanë integruar akoma kulturalisht Qendrën, atë Pol Politik që grupon kryesisht intelektualë dhe grupe interesi, që nuk e shohin partinë si një kishë apo një xhami, e pra nuk shtrojnë ekuacionin primitiv Parti = objekt kulti, por janë filtri dhe guri i peshores që anon pa komplekse nga ajo forcë politike që ka opsionin politik më të shëndetshëm të momentit. Një shoqëri me këtë strukturë politike të tipit të Republikës Parlamentare, pa një Pol të Qendrës është padyshim e kapur peng. Kjo pengmarrje buron sepse mungon Forca Politike moderatore, Poli i Qendrës pra, që krijon dhe imponon kompromiset politike, që ka instrumentin e forcës së mandateve për ta ushtruar këtë.
Kur shohim sot ish-kontestatorët më radikalë të Berishës, në Qeverinë Berisha; apo antikomunistët më të vendosur radikalë, në tryezën e Ramës; kuptojmë përse këta burra janë ndëshkuar kulturalisht të rrinë pranë “Vrasësit” të tyre politik dhe t’i shërbejnë atij.
Në këtë kontekst, politika shqiptare priret të shfaqet vetëm me dy koka, ndërsa në mes të tyre hapësira është e populluar me njerëz të mençur, por pa forcën autonome që do të materializonte idetë e tyre.
Ja përse, konfliktet politike në Shqipëri janë të ashpra, janë të drejtpërdrejta dhe janë të kyçura në vullnetin dhe në mosvullnetin e vetëm dy personave dhe vetëm dy subjekteve.
Të gjithë të tjerët kanë vetëm dy shanse: a- nëse duan të bëjnë politikë, duhet domosdoshmërish të rreshtohen apo grupohen pas njërit prej elefantëve, b- nëse kjo mënyrë e të bërit politikë nuk u pëlqen, duhet të ulen në poltronën e spektatorit kritik.
C- Rrugë të Mesme nuk ka!

No comments: