Friday, December 17, 2010

Raporti i Marty: Skema e trafikut të organeve. “Transplantet bëheshin në Fushë-Krujë”


Elementet e provave të siguruara në Rripe, Shqipëri, janë shkatërruar dhe nuk mund të sigurohen për analiza më të detajuara. Organizata ndërkombëtare të vendosura në Kosovë favorizuan një përpjekje pragmatike politike, për të promovuar stabilitetin në afat të shkurtër me çdo çmim, edhe me sakrifikimin e disa principeve të rëndësishme të drejtësisë. Për një kohë të gjatë asgjë nuk është bërë për të ndjekur provat, që implikonin ish-anëtarët e UÇK-së në veprat kundër popullit serb dhe disa shqiptarëve. EULEX, që pasoi struktura e UNMIK-ut, pati mungesa në regjistrimet e luftës kundër krimit: regjistrime të papërfunduara, dokumente të humbura, dëshmi të pambledhura. Si pasojë, një numër i madh krimesh vazhdon të jetë i pandëshkuar.
Ngjarjet kanë ndodhur në territorin e Shqipërisë, ku forcat serbe nuk kanë hyrë kurrë. Eshtë vlerësuar mirë se armët dhe municionet janë trafikuar në pjesë të Kosovës, shpesh me kuaj, në mënyrë klandestine, nga rrugët malore prej veriut të Shqipërisë.
Shumë nga rekrutët për këtë "atdheun e UÇK-së", në mënyrë efektive një ushtri fshatare, ndërmori luftë guerile duke u trajnuar në kampet në veri të Shqipërisë dhe duke kontrabanduar armë në Kosovë, me të cilat do të ndërmerreshin akte të dhunshme të rezistencës....
Grupi i Drenicës
Në zbuluam se një grup i vogël, por i fuqishëm i personaliteteve të UÇK-së, ka marrë kontrollin e sipërmarrjes më të madhe të paligjshme kriminale, në të cilin shqiptarët e Kosovës ishin të përfshirë në Republikën e Shqipërisë, duke filluar në vitin 1998.
Përgjegjës njihet "Grupi i Drenicës", i cili ka si shef ose me terminologjinë e rrjeteve të krimit të organizuar, bos, operatorin politik dhe personalitetin më të njohur të UÇK-së nga ndërkombëtarët, Hashim Thaçin. Thaçi, pa dyshim përdori ngritjen e tij personale, që e siguroi me mbështetjen politike dhe diplomatike nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera perëndimore, si partneri i preferuar brenda vendit në projektin e tyre për politikën e jashtme në Kosovë. Kjo lloj mbështetje politike që iu dhurua Thaçit, i dha atij një sens, se ishte "i paprekshëm". Sipas raporteve të shërbimeve sekrete, ne kemi ekzaminuar edhe nëpërmjet intervistave në hetimin tonë, se "Grupi i Drenicës" së Thaçit kishte ndërtuar një bazë fuqie të madhe në sipërmarrjet e krimit të organizuar, që po lulëzonin në Kosovë dhe Shqipërinë atë kohë. Ne kemi dëshminë e një njeriu të quajtur Nazim Bllaca, se ata përdornin tortura. Zbulimet tona korrespondojnë me ato të përfaqësuesve ndërkombëtarë si KFOR, OSCE, CIA në raportet e publikuara gjatë 15 viteve të fundit.
Trafiku
Thaçi ka vepruar me mbështetjen dhe bashkëpunimin jo vetëm nga strukturat e qeverisjes zyrtare në Shqipëri, përfshirë qeverinë socialiste në fuqi në atë kohë, por edhe shërbimet sekrete shqiptare dhe mafia e frikshme shqiptare.
Në njohje të heshtur të limanit të sigurt, të ofruar për ta nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe pse ishte më praktike dhe më e përshtatshme për ta për të vazhduar të vepronin në terrenin me të cilën ishin njohur, disa prej komandantëve kryesorë të UÇK-së krijuan zona të mbrojtura në ato vende, ku paraardhësit e klanit të tyre ishin në Shqipëri ose ku do të mund të gjenin kauzë të përbashkët me kriminelët e organizuar të përfshirë në veprimtari të tilla, si trafikimi i qenieve njerëzore, shitja e automjeteve motorike të vjedhura dhe tregtia e seksit. Dukshëm, në raportet konfidenciale që përfshijnë më shumë se një dekadë, agjencitë e përkushtuara për luftimin e kontrabandës së drogës në të paktën pesë vende, e kanë quajtur Hashim Thaçin dhe anëtarë të tjerë të "Grupit të Drenicës", se kanë ushtruar kontroll të dhunshëm mbi tregtinë e heroinës dhe narkotikëve të tjerë.( Për shembull, administrata amerikane e luftës kundër drogës tha në një raport në pranverën e 1999-ës se organizata të trafikut të drogës, të përbëra nga kosovarë me etni shqiptare, konsideroheshin "të dytat pas gangove turq si dominues të trafikut të heroinës nëpërmjet rrugëve ballkanike". Raportet përfshijnë shërbimet e inteligjencës gjermane-BND, italiane-Sismi, britanike-MI6 dhe greke-EYP). Në mënyrë të ngjashme, analistët e zbulimit që punuan për NATO-n, si dhe ato në shërbim të të paktën katër qeverive të pavarura të huaja, bënë konstatime bindëse përmes mbledhjes së tyre të zbulimit në lidhje me pasojat e konfliktit të vitit 1999. Thaçi ishte identifikuar zakonisht dhe cituar në raportet e fshehta të inteligjencës, si më i rrezikshmi i "bosëve kriminalë" të UÇK-së....Disa anëtarë të tjerë të njohur të "Grupit të Drenicës" janë treguar në rrjedhën e hetimit tonë, se kanë luajtur rol jetik si bashkë-komplotistët në kategori të ndryshme të veprimtarisë kriminale. Ato përfshijnë Xhavit Halitin, Kadri Veselin, Azem Sylan dhe Fatmir Limaj. Të gjithë këta burra janë hetuar në mënyrë të përsëritur në dekadën e fundit, si të dyshuar në krime të luftës ose në krimin e organizuar. Sot, të gjithë ata i kanë shpëtuar drejtësisë.
Akuza perëndimit
Ajo që është turbulluese është se SHBA dhe fuqi të tjera perëndimore, përfshirë dhe autoritete të drejtësisë europiane, kanë pasur në dorë të njëjtat dokumente të pamohueshme, për krimet e "Grupit të Drenicës" dhe nuk kanë reaguar. Ka prova të dukshme dokumentare që tregojnë përfshirjen e këtij grupi dhe sponsorëve të tij financiarë në pastrim parash, tregti droge dhe cigaresh, trafikim të qenieve njerëzore, prostitucion dhe monopolizim të dhunshëm të sektorëve më të mëdhenj ekonomikë në Kosovë, përfshirë karburantet dhe ndërtimin. Burime të dorës së parë na kanë treguar se Haliti, Veseli, Syla Limaj dhe Thaçi bashkë me anëtarë të tjerë të rrethit të tij, kanë urdhëruar dhe në disa raste kanë vepruar edhe vetë në vrasje, burgosje, rrahje në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe me interes të veçantë për punën tonë, në territorin e Shqipërisë mes viteve 1998 dhe 2000.
Përfshihet Muja
Një nga personalitetet e UÇK-së që ka ndikuar në këto krime, është Shaip MUJA. Ai ka të njëjtën biografi me Thaçin, përveçse ka studiuar në Tiranë për kardiologji. Ai quhej koordinatori i stafit të UÇK-së dhe ka përdorur Spitalin Ushtarak në Tiranë për pajisjet dhe furnizimet të siguruara me donacionet e UÇK-së. Gjatë 1998-99, si përfaqësues i UÇK-së, i mbështetur nga ushtria shqiptare dhe shërbimet sekrete shqiptare, Muja ka administruar mjete të tjera si: të paktën një helikopter; projekte fitimprurëse ndërtimi, shtëpi private dhe apartamente për komandantët e UÇK-së dhe rekrutët, që udhëtonin në Shqipëri përmes detit dhe nga Kosova. Muja shërben në administratën e Hashim Thaçit si këshilltar politik. Ne kemi zbuluar të dhëna të shumta konvergjente të rolit qendror të Mujas, për më shumë se një dekadë në rrjetet pak "për t'u lëvduar" ndërkombëtare, i përbërë nga trafikuesit e qenieve njerëzore, agjentët e procedurave të paligjshme kirurgjikale dhe autorë të tjerë të krimit të organizuar. Në 1999, Muja ka qëndruar në Tiranë për të mbajtur bazën e UÇK-së aty.
Hakmarrja
Banorët serbë në komunitete me shumicë shqiptare, pas luftës u bënë shënjestër për hakmarrje. Shënjestra të tjera ishin nga komuniteti rom dhe shqiptar, mbi dyshimet se kishin bashkëpunuar me serbët. UÇK urdhëroi mbledhjen e emrave të atyre që kanë bashkëpunuar me autoritetet serbe. Muja dhe Veseli ishin projektues të strukturave të inteligjencës dhe mekanizmave strategjikë brenda PDK-së. Palë të tjera të jashtme që raportohet se janë angazhuar ishin anëtarë të shërbimeve sekrete shqiptare, ushtri private amerikane e kompani sigurimi, si dhe ekspertë të shërbimeve të inteligjencës izraelite.
Vendet e krimit
Gjatë hetimit tonë, ne kemi identifikuar të paktën gjashtë qendra të ndara në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga Cahani në Malin Pashtrik, që nga veriu i vendit deri në rrugën bregdetare të Durrësit, në brigjet perëndimore të Shqipërisë. Në veçanti, boshllëku në zbatimin e ligjit është një reflektim mbi dështimin e policisë shqiptare dhe të shërbimeve të zbulimit për të frenuar mafien si dhe pandëshkueshmërinë e njësive të caktuara të UÇK-së, që kishin vendosur veten në Shqipërinë veriore dhe qendrore rreth periudhës së konfliktit. Komandantët e UÇK-së në zonat e tyre respektive të kontrollit ishin ligji vetë. Ne i vizituam dy nga vendet e mbajtjes së robërve në Shqipëri, por nuk hyjmë vetë brenda. Ne kemi dëshmi të dorës së parë nga persona që kanë mundur të shpëtojnë (rreth 40), se ato vende ishin përdorur nga UÇK-ja. Ne u tha se kjo politikë ishte përkrahur në mënyrë aktive në territorin e Shqipërisë nga elementë të fuqishëm brenda aparatit të inteligjencës shqiptare kombëtare, duke përfshirë SHIK-un (tani SHISH) dhe zbulimin ushtarak, disa nga anëtarët e të cilave edhe morën pjesë në marrjen në pyetje të të burgosurve në kampet e burgimit të UÇK-së. Megjithatë, forca lëvizëse prapa politikës ishte Kadri Veseli (alias Luli), nga Grupi i Drenicës....
Si bazë e UÇK-së diskutohet edhe një fabrikë çimentoje në të dalë të qytetit të Kukësit. Ne kemi marrë të dhëna nga varreza lokale në Kukës, të cilat duket se kryejnë një konfirmim të rëndësishëm: trupat e personave nga Kosova kishin qenë varrosur në veri të Shqipërisë. Dokumenti më i rëndësishëm ishte një pesë-faqësh, "Lista e emigrantëve të vdekur nga Kosova, 28 mars 1999-1917 1999 ", e cila ishte përgatitur nga mbikëqyrësi i Shërbimeve Publike në Bashkinë e Kukësit, Shqipërinë e veriut....
Komandantët e UÇK-së në këto qendra përfshinin Sabit GEQI, Riza ALIJA (alias "komandant Hoxhaj") dhe Xhemshit KRASNIQI.
Kemi dijeni nga të mbijetuarit se janë mbajtur në:
Cahan - kamp afër kufirit të Kosovës, që shërbente si stacion hedhës;
Kukës - ish-fabrika e metalit, e kthyer në qendër për UÇK-në, përfshirë dhe dy blloqe që mbanin robërit;
Durrës - vendi ku ata merreshin në pyetje prapa hotel "Drenica", qendrat e rekrutimit të UÇK-së.
Robërit lëviznin në disa stacione transiti dhe shpërndaheshin në klinikë për t'u operuar në:
Bicaj - shtëpi private në afërsi të fshatit, jo larg Peshkopisë;
Burrel - dy struktura individuale ku robërit mbylleshin;
Rripe - shtëpi dy katëshe, e referuar si shtëpia K apo "Shtëpia e Verdhë"; dhe
Fushë-Krujë - shtëpi dykatëshe e izoluar ko vetëm për UÇK-në, por edhe organizata krimi në trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore.
Atyre iu merrej gjaku me shiringë dhe bëheshin analiza në Rripe dhe Fushë-Krujë.
Robërit qëlloheshin me plumb në kokë dhe më pas iu merreshin organet.
Fushë-Kruja u zgjodh sepse ishte afër aeroportit, ku mund të vinin vizitorët ndërkombëtarë.
Çështja e lidhur ngushtë me klinikën "Medicus". Për respekt të hetimit që vazhdon nga EULEX, ne nuk do t'i publikojmë për momentin të dhënat në lidhje me të.


Raporti Marty,i pabazuar

Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si të njëanshëm dhe të pabazuar në fakte raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dick Marty. Këtë qëndrim kreu i qeverisë e ka mbajtur gjatë takimit me drejtorin e Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në Këshillin e Europës, Jean Louis Laurens. "Kryeministri Berisha i shprehu drejtorit Laurens që raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty, është një raport totalisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, në takim u diskutua për situatën e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shumta. Gjithashtu u vlerësua lart fakti se nuk ka pasur asnjë viktimë dhe se qeveria iu gjet pranë me shërbim mjekësor dhe shërbime të tjera qytetarëve të prekur nga kjo situatë. Pjesë e bisedës ishte edhe situata politike dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.


“Ekspertizë mjeko-ligjore për Marty”

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, tha dje në një takim me drejtorin politik të Këshillit të Europës, Laurens, se raporti i deputetit zviceran, anëtar i PACE-s, është një raport i pabazuar në asnjë fakt, dëshmon shpërdorim të paprecedent të detyrës nga ish-prokurori Dick Marty. "Nëse deputeti nuk paraqet fakte për ato që ka shkruar dhe nuk i paraqet këto në gjykata, do të ishte në nderin e Këshillit të Evropës të kërkojë një ekspertizë mjeko-ligjore për raporterin zviceran, si dhe një hetim tërësor rreth rrethanave që kanë shtyrë Dick Marty të prodhojë një raport të tillë ", tha Topalli. Në këtë takim, kryetarja e Kuvendit theksoi se heqja e vizave për Shqipërinë përkon edhe me 20-vjetorin e pluralizmit në vend. Ndërsa drejtori i përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në KE u shpreh se: "Ne e dimë se çdo të thotë për shqiptarët lëvizja e lirë. Për këtë popull që ka vuajtur për vite me radhë izolimin e regjimit komunist hapen kufijtë e lirisë". Gjatë takimit, dy personalitetet diskutuan mbi ndryshimet rrënjësore që ka arritur Shqipëria vitet e fundit.


BE, Eshton: Duam të dëgjojmë prova

Brukseli ka reaguar ndaj pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, sipas të cilave, kryeministri Hashim Thaçi identifikohet si 'bosi' i mafies në Kosovë. "Ne i marrim akuzat seriozisht, por e ftojmë zotin Marty që të dalë me prova", tha dje Maja Kocijançiq, zëdhënëse e kryediplomates së Bashkimit Europian, Katrin Ashton. Ndërkohë, edhe misioni europian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë se do ta shqyrtojë raportin me kujdes. "Nëse ka përmbajtje të këtij lloji, do të donim ta dëgjojmë prej tyre më formalisht", ka thënë zëvendësshefi i EULEX-it, Endrju Sparks, për agjencinë "Reuters".
Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, pas takimit me homologun rus, Sergei Lavrov në Moskë, tha se "Ky raport është sinjal se ka ardhur koha që tërë bota e qytetëruar të pushojë së mbylluri sytë para realiteteve të tmerrshme në Kosovë. Ky raport tregon se si është Kosova sot dhe kush janë liderët e saj. Ne të gjithë duhet të bëhemi bashkë, që të kërkojmë zgjidhje për çështjen e Kosovës", ka thënë Jeremiq. Lavrov tha se informatat për trafikimin e organeve kanë dalë në sipërfaqe shumë kohë më parë dhe se Moska është "shumë e alarmuar" nga raporti i ri.
Ndërkohë ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Haliti tha se "këto raporte i kam lexuar në dokumentet që janë përpunuar nga qarqe, jo anti-shqiptare, por anti-UÇK".


Krasniqi: Raport me deklarata raciste

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur indinjatën e thellë për raportin e raportuesit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dik Marty, duke e cilësuar si një "projekt-raport absurd, të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare". "Ky projekt-raport nuk është gjë tjetër, por vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të librit të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, zonjës Karla del Ponte. Këto shpifje janë hedhur poshtë nga zëdhënësja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, sipas së cilës hetuesit nuk kanë gjetur prova të bazuara për t'i vërtetuar këto akuza, si dhe nga ish-zëdhënësja e kryeprokurores del Ponte, e cila i quan deklaratat e saj të papërgjegjshme, si një inkurajim të ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për t'i revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë", thuhet në komunikatën e zotit Krasniqi. Ai e cilësoi raportin "qartësisht të njëanshëm dhe që përmban edhe deklarata raciste, kur flet për 'strukturën klanore'
të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe për
'mungesën e një shoqërie civile të vërtetë'".

No comments: