Tuesday, December 14, 2010

Ju rrëfej natën e tmerrit kur pashë dhunën mes Rezartës dhe Rozanës


Ngjarja e fillimjavës ku Rezarta Shkurta dhe Rozana Radi përfunduan në dhunë fizike, tërhoqi jo pak vëmendjen e publikut. Nuk është diçka e zakontë që vajza të spektaklit të rrihen me njëra-tjetrën, ndërkohë që dihet mirë se xhelozia mes tyre në përgjithësi nuk mungon kurrë. Tashmë, gjithë kjo histori është marrë në duar të drejtësisë ku të dyja vajzat në kallëzimin e tyre pretendojnë se janë dhunuar prej tjetrës. Por ka qenë edhe një person i katërt i përfshirë disi në këtë ngjarje, paçka se në ato momente nuk ishte e pranishme. Ajo është këngëtarja e njohur kosovare Fjolla Morina.

Natën e ngjarjes, ajo ishte mysafire në shtëpinë e Rozanës pasi kjo e fundit po i përgatiste një tekst kënge. Fjolla ka qenë e para që ka parë shenjat e dhunës në fytyrën e koleges e mikes së saj dhe në këtë intervistë ajo tregon për atë natë tmerri siç e quan ajo, pasi në atë takim mes dy kolegesh, paçka se dihej se ato e urrenin njëra-tjetrën, ajo mund të kishte pritur gjithçka por jo atë pamje të tmerrshme në fytyrën e Rozanës.

Fjolla, sa kohë keni që njiheni me Rozanën dhe a jeni mike e mirë e saj?

Të them të drejtën ka kohë që njihemi, megjithatë distanca e ka bërë të vetën dhe ne nuk mund të takohemi shpesh. Ka rastisur që unë këto ditë po qëndroj në Shqipëri në përgatitje të një kënge, tekstin e së cilës po e bën Rozi dhe kemi pasur kohë të shoqërohemi dhe të njihemi më mirë me njëra-tjetrën…
Ka pak ditë që ndodhi një incident mes saj dhe Rezarta Shkurtës. Me sa ju ka treguar Rozi, kur kanë nisur të prishen marrëdhëniet midis saj dhe Rezit?

Unë nuk mund të them me saktësi, megjithatë mendoj se ka qenë në “Vip shpija”, ngjarje të cilën e ka parë opinioni i gjerë..

Rozana ka deklaruar në “Zonë e Lirë” se nuk e njihte Rezarta Shkurtën. A ishte ky momenti kur filloi të tensionohej situata?

Unë së bashku me Rozanën kemi qenë të ftuara te “Zonë e Lirë” dhe ajo nuk e kishte në kuptimin që nuk e njeh, por që nuk e njeh mirë sepse dihet që marrëdhëniet e tyre kanë qenë të tensionuara dhe nuk kanë pasur rastin ta njohin mirë njëra-tjetrën as Rozi, as Rezarta.

Kush po kërcënonte kë?

Pas emisionit filluan telefonatat dhe mesazhet kërcënuese nga ana e Rezartës, e cila po i kërkonte llogari, po e ofendonte duke përdorur fjalorin më banal të mundshëm që vetëm një femër pa karakter di t’i përdorë. Sigurisht që Rozi në fillim nuk po e merrte me seriozitet, pasi i ngjante shumë absurde një situatë e tillë. Gjatë gjithë kohës sa kemi qenë bashkë, unë në asnjë moment nuk e kam parë apo dëgjuar ta ketë ofenduar Rozi Rezartën. Pastaj filloi t’i dërgonte mesazhe dhe në Facebook dhe po shkruante statuse, me të vetmin qëllim që ta provokonte Rozanën. Ishte pikërisht Rezarta që po i hidhte zjarrit benzinë.

Konkretisht na thoni çfarë?

Po i thoshte ti je vetëm një k...., nuk ke askënd në mbrojtje, pasi dihet që prindërit e Rozit nuk jetojnë dhe ajo po e shfrytëzonte fatkeqësinë e saj…Pastaj në një status që e kishte të shkruar në profilin e saj zyrtar në Facebook, e quante Rozin një pseudo-artiste dhe shprehte “kënaqësinë” që asnjëherë nuk kishte qenë mysafire e Çanit te “Zonë e Lirë”, status të cilin për çudi u kujdes ta fshinte menjëherë pas ngjarjes dhe lloj lloj fjalësh të tjera të ndyra, të cilat nuk do të çuditesha po të vinin nga goja e një femre pa moral ose pa karakter, por jo nga Rezarta. Të paktën ajo pretendon se është një vajzë e kulturuar dhe me “klas”. Më vjen keq, por nuk mund të përmend më tepër..

Pak para ngjarjes ti ishe në shtëpi me Rozin. Si u planifikua takimi, kush ftoi kë?

Rezarta, sigurisht. Ajo e ftoi me pretekstin se vetëm do të sqaroheshin me fjalë. Unë sigurisht që iu luta Rozit ta shoqëroja, sepse ishte natë dhe gjendja ishte rënduar tashmë por ajo nuk pranoi. E para sepse nuk donte që unë të implikohesha në këtë ngjarje dhe e dyta, sepse e kishin lënë të takoheshin vetëm. Por Rezarta kishte me vete edhe bashkëshortin e saj Ermalin, i cili po ashtu dha kontributin e tij në këtë ngjarje.

Cila nga këngëtaret sulmoi e para?

Rozana ishte në timon dhe me ta hapur derën, Rezarta filloi ta sulmonte Rozin, e cila e kishte të pamundur t’i kundërpërgjigjej për shkak të pozicionit së saj dhe opsioni i vetëm ishte vetëm mbrojtja… Edhe po të kishte mundësinë ta qëllonte Rezartën, do ta kishte të pamundur sepse ajo kishte sjellë me vete edhe bashkëshortin, i cili në këtë rast ishte “bodyguardi” i Rezit.

Sa janë të dukshme shenjat e Rozanës?

Janë shumë evidente. Rozana e ka syrin të lënduar dhe perden e syrit po ashtu, gjë që i ka dëmtuar edhe shikimin. Unë u tmerrova kur e pashë teksa u kthye në atë gjendje.

Si po e përballon ajo këtë moment?

Sigurisht që nuk është e lehtë, por Rozana është një femër e pjekur dhe e kulturuar, e cila nuk bie në nivele të tilla dhe këtë ngjarje të shëmtuar e ka lënë në duar të organeve kompetente që merren me këto punë.

Rozana anulon koncertet në Shqipëri dhe diasporë

Për shkak të gjendjes së rënduar fizike dhe psikologjike, Rozana Radi është e detyruar të anulojë koncertet e saj, të cilat më së shumti janë në diasporë por edhe në Shqipëri. Gjithashtu, Rozana kishte të planifikuar disa koncerte edhe në Amerikë në prag të festave të fundvitit, por me shumë gjasa edhe aty do të mungojë. Dihet që në këto raste menaxheri i koncerteve vendos gjobë për këngëtaren e cila nuk arrin të jetë e pranishme, pasi janë prenotuar sallat dhe mund të kenë dalë ndërkohë në shitje edhe biletat. Nëse vertetohet që Rozana ka qenë e dhunuara, pra, që është viktima e ngjarjes, me shumë gjasa ky shpenzim mund t’i kalojë Rezarta Shkurtës, e cila shkaktoi dhunën fizike dhe për pasojë edhe mospjesmarrjen e saj në koncerte. Gjithashtu anulimet e koncerteve janë ca para më pak për këngëtaren Radi, edhe kjo një shumë që duhet ta paguajë fajtori të cilin do ta shpallë gjykata.



FJOLLA SINANI

No comments: