Tuesday, November 16, 2010

Rrëfimi i tre vajzave të mbuluara


Magdalena Alla

Ornela Bita, Monda Maksutaj dhe Majlinda Shala, studente të diplomuara shkëlqyeshëm për arte dhe letërsi. Që më pas ndoqën "rrugën e Zotit". U martuan me besimtarë muslimanë, u mbuluan dhe bëjnë jetën e nënave, bashkëshorteve dhe artisteve. Duke patur mbi shpinë refuzimin për një vend pune, paragjykimet për veshjen dhe rrugën që kanë zgjedhur. Tre dëshmi grash për besimin, dashurinë dhe artin


"Vajza, njëra që e tradhtonte bashkëshorti po më thoshte: 'Lum ti që je myslimane!". -Eh, më lër rehat, i thashë, ishallah nuk e kemi risk edhe ne. Gjynahet për njerëzit janë, por ishallah për ne janë më pak. -Eh, mirë, ke fantazi ti! Më pëlqen, më pëlqen kur bën shaka."
Hedhin e presin me njëra-tjetrën ashtu si çdo vajzë çapkëne moderne, pa mbulesë. Janë të treja besimtare myslimane, por dhe artiste në profesion. Që neve na duken kaq të ndryshme nga jashtë, vetëm nga ajo mbulesë mbi krye. Dhe iu mbulojmë edhe shpirtin. Ashtu thjesht duke i parë të mbuluara kohë e këmbë i hedhim një tis edhe gjithë vështrimit tonë që përthyhet aty, pa depërtuar poshtë asaj mbulese. I paragjykojmë cektësisht dhe i nënçmojmë përnjimend sa herë. Dhe bëjmë si ata që kemi nënçmuar deri përpara dy dekadash; kur na detyronin të vishnim çfarë ata pëlqenin dhe jo çfarë ne pëlqenim. Tani në mos i detyrojmë, i sulmojmë me vështrime. Na vrasin apo nuk na vrasin sytë, a mund të kemi të drejtë ta bëjmë këtë, qoftë dhe për vetëmbrojtje? Apo më mirë t'i njohim mirë e mirë dhe pranojmë me kënaqësi pikërisht nga rinjohja e bukur?


Duke lexuar Kur'anin
Aty e ka pasur zanafillën besimi dhe mbulesa e tyre. Mjaftoi që morën "dozën e parë" të shenjtërisë së fjalëve të përjetshme dhe tani e tutje kjo do të bëhej kthesa dhe udhërrëfyesja e tyre e re. "Lexova Biblën dhe Kuranin, por më vetvetja u ndjeva tek Kurani. Ai më plotësoi logjikisht shpirtin tim", thotë besimtarja piktore Monda Maksutaj, e cila vjen nga një familje besimtare bektashinjsh. "Shndërrimi im në besimtare praktikante myslimane erdhi natyrshëm, në mënyrë graduale. Fillimisht duke lexuar Kuranin, më pas vura mbulesën dhe fillova të shkoj rregullisht në xhami",- përforcon rrugëtimin e përbashkët artistja tjetër besimtare Majlinda Shala.
Ornela Bita, sot grafiste në profesion, agjëronte që 10 vjeç. Ashtu sikur gjyshja e saj dhe pa pasur ndonjë praktikant tjetër në familje. Pak nga pak nisi ta ushqejë në kohë, duke iu përkushtuar edhe ajo besimit. Fillimisht, duke bërë me kokën e saj u regjistrua në një kurs 6-mujor fetar. Dhe sa herë shkonte për në shkollë, i binte rruga afër xhamisë, duke u kthyer sa herë aty. Falej dhe merrte gjithmonë librat e Allahut, të cilët i përpinte. "Çdo gjë më ka hyrë në shpirt nga librat. Edhe ritet i kam mësuar nga ato, pa pyetur si bëhet kjo apo ajo.", tregon Ornela. Jo vetëm nga Kur'ani, por nga gjithë librat e shenjtë është mbushur me besim edhe Majlinda me Mondën. "Gjithmonë kam qenë kureshtare dhe pyesja për Zotin. Që në vogëli, doja të afrohesha me të dhe i vetmi burim ishin librat e shenjta. Ata të thërrasin logjikën dhe sjellin argumente për ata që logjikojnë",- shton Monda. Dhe grumbullimi i vazhdueshëm i kësaj dijeje do të shpërthente edhe me çastin e vënies së mbulesës, i cili mbërriti ashtu natyrshëm, vetiu. "Ishte plotësimi i brendshëm, si hallka e fundit e një zinxhiri. Ishte përmbushja, fjala e fundit që duhet të ndiqja.",- thotë Majlinda. Duke qenë shoqe të një dhome në konviktin e 'Arteve', të tjerat i akuzonin herë që ishte Majlinda ajo që kishte bërë për vete Mondën e herë ishte Monda që kishte bërë për vete Majlindën, në shfaqjen e tyre të habitshme dhe të papritur me shami. "Ne thjesht gjetëm natyrshëm veten dhe njëra-tjetrën",- pohojnë ato të dyja.


Atëherë kur sapo u mbuluan...
"Nuk kam guxuar t'iu them prindërve të mi se doja të vija mbulesën. Fill pas martesës me një djalë besimtar, munda ta vë atë menjëherë. Im atë në atë çast tha se, meqë unë kisha një burrë, përgjigjej ai për mua dhe unë mund të bëja çfarë të doja, nëse ai donte", tregon Ornela, tiranse në origjinë dhe tradita. Edhe Monda rrëfen vuajtjet e prindërve të saj nga opinioni vrasës në qytezën ku ajo jetonte, Vorë. Por që më pas ata do të bëheshin mbrojtësit e saj ndaj kujtdo që i hidhte fjalë të pakëndshme. Majlinda, thotë se e ndjeu mbulesën domosdoshmëri dhe iu bind këtij urdhri me gëzim, i cili nuk është zbehur aspak as sot. Por afërmendsh që gëzimi i tyre dhe pohimi i vetvetes nuk do të ishte edhe i të tjerëve. Ata nuk do t'i kuptonin. Kjo nuk do të kishte asgjë të keqe, sikur mos të ndërhynin arbitrarisht tek zgjedhja e tyre, deri në atë masë, sa t'i bënin të vuanin. 'Kam vuajtur aq shumë në fillim, saqë ato kohë nuk dua t'i kujtoj më.", thotë Majlinda. Si artiste origjinale dhe rebele, rebelizmin e shfaqën edhe tek përqafimi i mbulesës. Opinionin në fund të fundit do ta sfidonin. Ai nuk do të mund të ishte më i fortë se Zoti i tyre. 'Ka shumë gjëra që mund të mos më pëlqejnë, por unë nuk kam të drejtë të cënoj askënd. Qëndroj gjithmonë larg, duke respektuar zgjedhjet e gjithësecilit',- thotë Majlinda Shala. Por edhe atyre që nuk e bënin këtë, por e mërzisnin, përpiqej t'i bindte me buzëqeshje, durim, mirësi. E jo vetëm prej besimit, por mbulesën ato e ndiejnë dhe e duan edhe si një veshje shumë femërore.


"Mbulesa, veshje shumë femërore"
Përpara se ta vinte, në përkundjen e përfytyrimeve që rrekeshin të bëheshin të prekshme Majlinda femërzohej, plotësohej me atë ndjesi të munguar në fëmijërinë e kaluar mes 4 vëllezërve dhe të ndikuar prej tyre. Por që një ditë do t'iu largohej dhe do të rikthehej më fuqishëm në thelbin e mohuar. 'Tek unë mbizotëronte natyra mashkullore. Kam qenë si çun harrakat. Nuk vishja kurrë fustane, vetëm në ndonjë mbrëmje festive. Jam rritur mes vëllezërish dhe mbulesa ndieja që do të më plotësonte një ekstrem femërizimi',- analizon Majlinda. Trokitja e pjekurisë seksuale, thirrja e brendshme dhe kthesa e madhe drejt identitetit që i kishte munguar dhe duhej provuar, u poqën të dyja bashkë dhe kërkimi i femërizimit iu bë një urgjencë. Po pse pikërisht oriental, në ekstrem, kaq fetar? "Unë aty gjej rimishërimin e femërizimit antik. Mbulesa nuk më duket ekstremitet, por një shije drejt identitetit femëror.", kështu parapëlqen ta vlerësojë mbulesën e saj Majlinda. Edhe ajo rreket të sajojë tek ajo gjetje nga më në modë, estetikisht më të goditura. Kombinon ngjyrat, copat, format. Herë vjollcë me blu, herë kafe me blu, herë me shkëlqim apo mat, herë me dantella apo qëndisje. Duket sikur artin e saj e mishëron më së miri edhe tek të ashtuquajturat ndryshe 'burdat' që ajo vesh. Me aq hijeshi, sa përnjimend harron se janë pikërisht veshjet standarde myslimane, që rëndom sikur 'të fusin në thes'. 'I blej rrobat në dyqane të posaçme për veshje myslimane, ku sjellin përherë tendenca të reja', shpjegon ajo. Ndërsa piktorja Monda i dizenjon dhe qep fare bukur vetë. Në takimin e programuar për 'Shekulli'-n ajo vjen me një burdë të bardhë, e tëra në tantellën mjaft në modë për 2010-2011. 'Femrat sot duke veshur pantallona janë bërë më mashkullore. Këtë e reflektojnë në ecje, qëndrim, mënyrën e të folurit. Për mua, fundi me pantallonën nuk ka të krahasuar. Dhe mbulesa të bën të ndihesh shumë femër dhe jo provokuese. Por këtë e kupton kur e vesh dhe jo më parë", analizon Monda
Por sado bukur të vishen, ato nuk mund t'i shpërfaqin veshjet si një modele apo vajzë e zakonshme me liri më të madhe. Tek ato janë të përjashtuara ecjet provokuese, sensuale, shikime apo buzëqeshje të tilla, pjesë feminiliteti edhe këto, të cilat nuk mund t'i fshehë dot burda mbuluese.
Por veçse estetike, a e ndiejnë atë funksionale, praktike? 'Mbase është psikologjike, por vërtet edhe në verë unë nuk ndiej vapë më shumë se të tjerët dhe trupi tanimë më është mësuar', reagon Majlinda. E mbështetur edhe nga të tjerat. Madje Majlinda arrin te dëshira edhe e perçes përpara fytyrës. 'Por në Shqipëri mezi pranohet shamia e jo më tepër se kaq', ia pret hovin vetes. Megjithatë, i shërben edhe si mburojë ndaj ngacmimit të meshkujve. "Me mbulesë ndihem shumë rehat".
Dhe i duruari i fituari. Fillimi më i vështirë tanimë kaloi dhe çdo vështirësi të re ato dinë si ta përballojnë. Por a e çojnë ndonjëherë nëpër mend heqjen e mbulesës? 'Familja ime pas shumë vuajtjesh më pranoi kështu si jam, edhe pse ende besojnë se një ditë unë mund ta heq mbulesën, por jam kaq e dashuruar me të, saqë them se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë",- rrëfen Majlinda. "Me këtë mendje që kemi sot, se njeriu dihet që është në ndryshueshmëri të vazhdueshme, unë nuk dua ta heq kurrë.", pohon Monda Maksutaj.


Arti dhe feja
Edhe artiste, edhe besimtare myslimane. Nga ato që guxojnë të mbulohen me shami, edhe pse bota i mbulon një mijë e një netë e ditë me shikime të shtrembëra. Por përgjigjen me pamjen që s'ndërron faqe, heshtjen ngulmuese dhe shpërthejnë vetëm atje ku liria është e vërtetë. Në art, në atë të pikturës, qeramikës apo dizajnit, me fantazi nga më origjinalet dhe sfidueset, si rrallëkush prej laikeve. 'Frymëzimin dhe guximin për të fshehur hiret femërore një herë e përgjithmonë nën mbulesë e kam marrë pikërisht nga skulpturat. Një ndjesi e brendshme, e fshehtë rreth siluetës antike femërore, të veshur me të gjata, me rudha dhe pala, dmth mjaft e mbuluar në shtat, më është ngjizur kohë më parë",- shprehet njëkohësisht artistja e qeramikës Majlinda Shala. Janë të treja me një universitet laik. Majlinda dhe Monda kanë mbaruar njkohësisht në 2004-ën Akademinë e Arteve për pikturë, ndërsa Ornela për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, si edhe një shkollë për grafiste. "Im shoq ka qenë ai që më ka stimuluar të vazhdoj shkollën e lartë, të cilën e kam nisur kur kisha dy fëmijë. Madje ende është ai që më nxit të bëj një tjetër shkollë", thotë Ornela. "Është besimi ai që tek unë ka zgjeruar kuptimin për artin. Prej kohësh jo vetëm hëna e yjet më flasin, por dhe një pikë ujë që bie apo një gjethe që shkujdesur shkel, flet për një Krijues mbi krijuesit dhe them: "O Allah! Sa i madh je!". Duke parë bukurinë e besimit, kam hapur prespektivën ndaj artit. Duke njohur të vërteta më të thella është zgjeruar botëkuptimi im.", shpërfaq copëra nga filozofia dhe bota e saj Monda. Po një nudo? Jo. Atë nuk e koncepton kurrsesi dot një artiste e mbuluar, qoftë dhe piktore. Gjë që ato e argumentojnë kështu: "Nuk e marrim përsipër si punë një nudo. Nuk na interesojnë format reale dhe imitimi i tyre, që është një nga budallallëqet më të mëdha. Kemi gjetur tjetër gjuhë..."



Andrallat per nje vend pune

'Ngado që shkoj kam një kartëvizitë më shumë. Dinë për mua pa folur fare që adhuroj Zotin dhe parimet e tij. Për çfarë mbetet e ndiej veten normale, të barabartë me të gjithë, pavarësisht shamisë që mbaj mbi kokë", -reagon Monda. "Por, mbulesa është edhe një përgjegjësi më shumë. Në Shqipëri sidomos, nëse një besimtar bën një gabim, atëherë bëhet shembull, përgjithësohet për të gjithë. Përpiqem të jem shumë e kujdesshme kur dal në rrugë, në mjedise publike, në çdo gjë që bëj",- thotë Ornela. "Por sa më shumë beson, aq më shumë kupton se mëkate bën sa të duash. Edhe ne gabojmë. E rëndësishme është që pendohemi, e mendojmë gabimin se si duket para Zotit dhe përpiqemi të mos e përsërisim",- shton Majlinda.
Por edhe pse ato ndihen gati njësoj me gjithë të tjerët, mbulesa iu sjell drejtpërdrejt probleme jetike. Në punësimin e tyre. 'Andralla kemi pasur dhe kemi sa të duash për të gjetur punë, sidomos një vend në shtet. As që imagjinohet të punojmë në administratën shtetërore të mbuluara.", thotë Monda. Ornela si grafiste kujton që kërkonte punë me CV në një studio grafike me emër, duke menduar që ata do ta kishin më të lehtë, pasi e kanë të ngritur klientelën. Por i kërkuan që gjatë orarit të punës ta hiqte shaminë, gjë që ajo nuk mund ta bënte dot. Pas kërkimesh, më në fund gjeti në një shtëpi botuese, pronari i së cilës ishte katolik, por mendjehapur. Edhe pse ndonjë klient si me gjysmë shaka i thoshte: e paske bërë xhami këtu!, ai ua kthente me shaka: "vajza është pa flokë, ndaj është mbuluar". Në fillim nuk kishin besim t'i jepnin një punë asaj, besimtares me shami. Po pse me ty do të punoj unë?", i thoshnin. Ndërkohë që bashkë me të në studio punonin edhe 5 vajza të tjera laike. Por kur shihnin sa mirë ajo punonte, atëherë rritej besimi. Ndërkohë që përpiqej të ishte shumë e kujdesshme, që në asnjë moment mos ngatërronte punën me besimin apo të bënte propagandë fetare me ndonjë. "Kam shumë respekt për punëdhënësin tim të parë, që më përkrahu pavarësisht presioneve",- kujton Ornela, e cila tanimë ka çelur me ortakëri një studio të sajën grafike. I pëlqen shumë të punojë dhe thotë se kalon shumë orë në punë, ashtu si edhe gratë laike dhe moderne në karrierë, të cilat për të ecur përpara ndihmohen nga bashkëshorti dhe fëmijët.
"Besimtarët myslimanë në përgjithësi janë shumë mirë në arsimim, por vuajnë për të gjetur punë nga paragjykimet. Unë doja të filloja punë në bashkinë e Vorës, por nuk më morën edhe pse isha me të gjitha dhjeta. Punësuan një që mezi kishte marrë klasën",- tregon Monda. Majlinda gjithashtu në minibotën e saj ndihet mëse normale. Punon me cilësitë që lipsen, kryen rolin e duhur si nënë dhe sfidon me artin e saj në qeramikë si rrallëkush. Por jo menjëherë por pak nga pak, ata që e njohin, edhe jobesimtarë, e kanë pranuar plotësisht. Ndihet akoma më e pranuar, kuptuar, kur gjendet jashtë Shqipërisë, qoftë edhe në Italinë katolike. 'Gjen më shumë respekt për kultura të ndryshme atje, se sa tek ne', thotë. Kur dikush e punësoi edhe me mbulesë, sepse në fakt veshja e besimtares nënkupton shpesh edhe mungesën e veseve, dhe duke i parë aftësitë i tha: 'Mos shiko gunën, por punën'. Por pikërisht guna është burimi i sa e sa vështrimeve të shtrembëra dhe me pasoja për to.
Monda punon në shtëpi, e kënaqur që nga shitjet e pikturave nxjerr më shumë se sa po të punonte tek të tjerët, që në fakt nuk duan ta punësojnë. Por ajo kujton një shprehje të Konfucit: "Mos u shqetëso pse të tjerët nuk të njohin ty, por me dinjitet puno për njohjen". Në të ardhmen, kur fëmijët të rriten, edhe ajo dëshiron t'i rrisë dhe shpërfaqë ambicjet e saj profesionale. Dhe ka qenë një studente me dhjeta në Akademinë e Arteve. Por edhe Majlinda me Mondën zgjidhjen e kanë gjetur tek pikturimi në shtëpi apo hapja e studios së qeramikës. Kërkimi derë më derë rezultoi zhgënjyes dhe shkurajues psikologjikisht, por edhe ekonomikisht.


Dashuria e besimtareve myslimane

Brenda mureve, jemi si ato vajzat që shihni rrugëve

Zakonisht ose i prezantojnë, ose i njohin ata vetë në xhami. Dhe ato nuk dëshirojnë më shumë se sa kaq. Janë besimtare të devotshme dhe si të tilla mund të kuptohen vetëm me të ngjashmit e tyre, djem besimtarë.
Dhe pas puqjes së parë të garantuar nis faza e njohjes. Takimet nuk janë të shpeshta, zakonisht një herë në javë dhe janë ose dalje për kafe, ose shëtitje, të shoqëruara me biseda. Rituale që mund të zgjasin edhe muaj pa shtuar asgjë më shumë sesa kaq. Nuk munden dhe nuk iu lejohen absolutisht marrëdhënie seksuale. E jo vetëm kjo, por as edhe puthje apo prekje duarsh mes të dashuruarve. E megjithtë ato njëzëri nuk shfaqin as ankesën më të vogël. "Ne kryejmë njohjen më të rëndësishme. Nëse kuptohesh dhe lidhesh në shpirt të tjerat rregullohen, zgjidhen me mirëkuptim", thotë Ornela. "Kur e ke hequr nga mendja se as nuk do ta puthësh dhe as do bësh dashuri me të, përqendrohesh tek njohja shpirtërore, që është realja, e vërteta. Intimiteti fizik, ndjenjat e theksuara i ngatërrojnë mendimet. Ne kënaqësitë e tjera i provojmë të gjitha pas martesës. Mua më duket frikë për gjithë ata vajza që lidhen shpirtërisht dhe me trup dhe pastaj them: a do t'i marrin ata djem apo jo",- shton Monda. Por a ndihen të zhgënjyera më pas nga ajo që provojnë? "Unë vetë ndihem shumë e lumtur. Më qeshin sytë dhe po pashë tim shoq më bëhet vendi dritë.", tregon Ornela, e cila ka dëshirë të flasë sa më shumë për dashurinë e saj. Dhe pas martese tregojnë se kryejnë të gjitha detyrat e tyre si gra, të këshilluara nga Kurani. 'Duhet t'i kënaqim burrat tanë në mënyrën më të mirë të mundshme. Të zbukurohemi për ta, së pari t'u kënaqim syrin. Të veshim pikërisht në shtëpi rroba edhe më të bukura se sa kur dalim",- thotë Monda. Ajo vëren se ka femra që jashtë bëhen më të bukura se sa në shtëpi, ndërsa besimtaret myslimane bëjnë të kundërtën. Përqendrohen sidomos tek burri që dashurojnë. Në shtëpi ato shndërrohen sakaq në vajza si gjithë të tjerat përtej mureve të gurta..Vishen njësoj moderne, bëjnë shumë tualet, vënë bizhuteri dhe marrin vështrime dhe përgëzime të plota vetëm nga bashkëshortët. Çdo gjë e mbuluar për të tjerët, aty shpërfaqet dhe i përket vetëm burrave të tyre. Fjala e Zotit pohojnë se iu ndikon në shumë gjëra, edhe tek kujdesi i tyre për higjienën vetjake. Dhe në këtë imazh të dyzuar, ato së brendshmi ndihen unike. Por edhe nëse burrave të tyre ndodh që iu pëlqen një femër tjetër në rrugë, në vesh dëgjojnë profetin që iu thotë: "kthehuni te gruaja juaj, se aty unë do t'ju fal më shumë kënaqësi."
"E mirë art, por ne po bëjmë dhe fëmijë me tepri.", bën shaka Monda. Janë të treja nëna me nga dy fëmijë, edhe pse nuk i kanë mbushur ende të 30-at. Të treja janë martuar me besimtarë myslimanë. Por pohojnë se nuk ishin bashkëshortët ata që i frymëzuan në rrugën e Allahut. Lidhjet me Zotin ato tregojnë se i kishin ngjizur përpara se ata të hynin në jetët e tyre. 'Gjërat që dua i zgjedh me vështirësi, por luftoj për to dhe nuk i braktis kurrë. Qoftë për familjen që kam apo dhe besimin tim dhe mbulesën', i vë kapakun Majlinda.


No comments: