Shkruar nga KosPress | |
Gjuha e epirotëve të vjetër, hulumtimi i Arsim Spahiut, për një terren që shpesh është mbjellë me nacionalizëm dhe diletantizëm, mbron tezën delikate dhe komplekse: karakterin etnik ilir të epirotëve.
"Gjuha e epirotëve të vjetër" i Arsim Spahiut merret me një problem të vështirë e të ndërlikuar që megjithëse i rrahur në literaturën historike gjuhësore shkencore, në dy dekadat e fundit ka qenë një terren që shpesh është mbjellë me nacionalizëm dhe diletantizëm nga botime jo shkencore. Vepra e këtij doktori të shkencave në histori të lashtë i Universitetit të Franshë-Komtesë (Franche- Comté) në Francë, është e treta e ciklit të hulumtimeve mbi karakterin etnik ilir të epirotëve: Orakulli i Dodonës dhe epirotët, I, Tiranë, 2008; Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe të Epirit, II, Tiranë, 2009; Gjuha e epirotëve të vjetër, Tiranë, 2010. Prezantimi iu bë dje në Akademinë e Shkencave, në prani të autorit i ardhur nga Parisi, vendi ku jeton pas një jetës së vështirë në internim në Shqipëri, po edhe për arsye të punës kërkimore shkencore në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, burimi i tij për lëndën dokumentare. Prof. Seit Mansaku, tha për "Shekullin" se autori është përpjekur të mbështetet në të dhënat më të pranueshme, në tezat më të qëndrueshme, i ka sistemuar dhe paraqitur ato në një trajtë që i japin librit vërtet një karakter jo diletantesk siç ndodh nganjëherë në këtë fushë por një libër shkencor. Prandaj "është vërtet meritë e këtij autori që për një problem kaq të vështirë dhe ku janë shprehur shumë hipoteza ka ditur të përzgjedhë ato që janë më afër të vërtetës shkencore". Po kur ka qenë hera e fundit në këtë akademi që është diskutuar për këtë gjë? Një kuvend i studimeve ilire është bërë më 1972 pastaj një tjetër konferencë e madhe albanologjike është bërë më 1982 për etnogjenezën e shqiptarëve për formimin e gjuhës dhe të kulturës të popullit shqiptar. Dhe të gjitha këto materiale të kongreseve dhe të kësaj konference janë botuar. Nga këto ka kaluar vërtet një kohë e gjatë, pavarësisht se "për të pasur rezultate të reja në këto fusha kaq të vështira nuk mund të bëhet ndryshe". Dhe si shton me të drejt, prof. Mansaku, kanë dalë edhe probleme të tjera, siç është rishikimi i standardit, çështje për të cilën Qendra e Studimeve Albanologjike përgatitet të organizojë në dhjetor një konferencë të shumëpritur. Zoti Spahiu ju po prezantoni një vepër mbi çështje të etnogjenezës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, derë që s'hapet lehtë për këto çështje. Po për ju ka domethënie kjo? Në Shqipëri botohen shumë libra mbi pellazgët dhe ilirët edhe nga njerëz të cilët nuk mbështeten në referenca, në autorë, gjuhëtarë ose historianë të cilët janë të njohur. Kaq sa për të vënë në dukje një ndryshim midis librit tim dhe librave që botohen nga njerëz që janë dashamirës të çështjes kombëtare, atdhetarë, intelektualë. Për ata do të ishte kjo fushë si për mua, ta zëmë, inxhinieria ose mjekësia. Atëherë në këtë keqkuptim të rolit të patriotëve për të dëshmuar etnogjenezën, lashtësinë, ky libër çfarë teze merr dhe mbron? Argumente të shumtë gjuhësor mbi karakterin ilir të epirotëve të vjetër. Teza bazë është: epirotët e vjetër janë ilirët. Po përdor kohën e tanishme, pra, janë e jo kanë qenë: Epirotët e vjetër janë ilirët. Mirëpo këtu ka diçka tjetër. Dhe kjo është hipoteza ime. Shumë autorë i quajnë epirotët pellazgë, autorë të tjerë i quajnë ilirë. Asnjë nuk thotë pellazgët dhe ilirët e Epirit ose ilirët dhe pellazgët e Epirit, por vetëm njërën fjalë ose fjalën tjetër. Për mendimin tim, përderisa bëhet fjalë për të njëjtën kohë, atëherë duhet të jenë pellazgët ilirë ose ilirët pellazgë siç është thënë deri në fund të shekullit të kaluar, njëkohësisht për dhe arbër dhe shqiptarë. Kur thoni gjuha e epirotëve të vjetër, çfarë dëshmish sillni ju për një nga elementet që ka qenë gjithnjë problem për t'u dëshmuar në fushën e studimeve ilirike. Për arsye se nuk është punuar sa duhet, prandaj. E kam hapur prapë këtij kapitull. Duhet të punohet në këtë drejtim. Kjo siguria juaj nga çfarë lloj burimesh vjen dhe çfarë kërkimesh keni bërë? Te autorët me të njohur të Greqisë së vjetër edhe te autorët e tri shekujve të fundit. Janë pothuajse të gjithë, ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi thonë se epirotët janë pellazgë. Ndërsa nga autorët modernë të tri shekujve të fundit disa thonë janë pellazgë dhe të tjerë që janë ilirë. Ata që thonë ilirë nuk thonë asnjëherë pellazgë dhe e anasjellta. Pastaj ka një dëshmi gjuhësore që provojnë se pellazgët janë ilirë. Mund të na e ilustroni? Kalimi nga dh në d, nga o në a, janë tipare të pellazgjishtes dhe ilirishtes. Ka dhe të dhëna të tjera që i kam renditur në libër. S-ja në fillim të gjithë emrave që fillojnë me s, është e aspiruar, kurse në ilirisht dhe në gjuhë të tjera indoevropiane nuk është e atillë, as pellazgjisht nuk është kështu, as shqip. Pak dimë kush është Arsim Spahiu, dimë që keni vuajtur shumë. Në moshën 20-vjeçare më kanë internuar. Isha në vitin e dytë në Universitetin e Tiranës në Degën e Fizikës. Për çfarë arsyesh ju internuan? Arsyen e internimit e dinte vetëm Partia. Na ngritën nga Tirana drejt e në vendin ku qëndruam të internuar për 29 vjet, në kushtet më të vështira. Ishim familjarisht, dy prindërit, dy vëllezërit dhe tri motra të vogla. Në Lushnje? Në Gradisht, në qendrën e internimit. Kemi punuar në bujqësi ose në ndërtim. Nga ana tjetër me studimet? Unë fle pesë orë. E përballoj, pastaj paska miliona njerëz që flekan pesë orë dhe s'kanë nevojë për më tepër gjumë... Kam shkruar dy romane, shkrime, pamflete dhe dy herë i kam djegur, njëherë unë e njëherë babai. Babai im, Enver Spahiu në vitet dyzetë nuk kishte kurrfarë perspektive në Shqipëri, prandaj u dërgua në Kosovë, si mësues, falë marrëveshjes midis dy qeverive. Mirëpo në vitin 1947 kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, tim atë e internuan. Çfarë rruge ndjek më tej hulumtimi juaj mbi etnogjenezën? Tani një mendje më thotë të merrem me arkeologji, sepse nuk binden që pellazgët kanë arkeologji, pikërisht ata akademikët. Megjithëse komplimentet për librin nuk jua kursyen sot. Ato që i thanë detyrohen t'i thonë. Sigurisht që ka pasur arkeologji të pellazgëve. Mirëpo kjo është e periudhës para greke. Grekët mendohet që kanë ardhur në Ballkan në shek. 18-19 para epokës së re. Por këtu nuk janë botuar librat, nuk ka literaturë. Desha të provoja karakterin ilir etnik të epirotëve. Për këtë kam punuar. Prof. Seit Mansaku: Përpjekje për të pranuar lidhjen e shqipes me ilirishten "Është gjë e njohur tashmë që në greqishte ka disa elemente të hershme të cilat nuk shpjegohen dot me gjuhën greke vetë, domethënë që i përkasin një substrati tjetër gjuhësor, që nuk janë në atë linjën e zhvillimit të pandërprerë nga indoevropianishtja në greqishte. Këto elemente duket se i përkasin një substrati të hershëm të lashtë të cilin disa e kanë quajtur pellazgjik, disa e kanë quajtur mesdhetar, disa protoindoevropian. Autori ka mbrojtur tezën e formuluar edhe nga të tjerë më përpara që pellazgjishtja ka qenë një gjuhë indoevropiane dhe këto elemente në greqishte që nuk shpjegohen dot me greqishten, duhen mbledhur, duhet parë shtrirja e tyre gjeografike ku mbizotërojnë. Për shembull emrat e tipit Korinthos me grupin nth ose emrat e tipit Larisa që nuk gjejnë shpjegim në greqishte. Autori përpiqet të shpjegojë që këto kanë një përhapje në zonën trako-ilire, prandaj që pellazgjishtja duhet të ketë pasur lidhje me ilirishten, të tjerë kanë thënë me trakishten. Por iliro-trakishtja është përsëri një binom jo pa lidhje njëra me tjetrën, sepse dhe për shqipen, disa mbrojnë tezën nga ilirishtja, disa mbrojnë tezën nga trakishtja. E rëndësishme është kjo që nga pikëpamja metodologjike autori Arsim Spahiu nuk përpiqet të shpjegojë pellazgjishten nëpërmjet shqipes, duke mënjanuar ilirishten që është patjetër një fazë e ndërmjetme dhe e gjatë. Dihet nga burimet historike të autorëve grekë edhe latinë që në antikitet këtu kanë qenë ilirët dhe pas ilirëve janë shqiptarët. Nuk mund të bëhet lidhja nga shqiptarët te pellazgët duke kapërcyer ilirët siç kanë bërë disa autorë. Kurse Spahiu përpiqet ta pranojë lidhjen e shqipes me ilirishten dhe pastaj të ilirishtes me pellazgjishten dhe kjo është një gjë pozitive. Problemi pellazgjik nganjëherë është marrë si një problem romantik, nacionalist, diletantesk, por kur trajtohet me metoda shkencore me seriozitet shkencor, me ato argumente sado të pakta dhe nuk teprohet me etimologjizime të kota, mund të kthehet vërtet në një problem shkencor ashtu siç është". /Shekulli/ |
Saturday, November 20, 2010
Epirotët e vjetër janë... ilirët
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment