Tuesday, April 5, 2011

Guximi ligjor, për të thyer tabutë ritualë në qytetin tradicional të Shkodrës.

Nga Besi BEKTESHI

(Rregullorja për qytetin e Shkodrës e viteve ’30-të).

Një nga problemet e mëdha me të cilat është përplasur administrata, por edhe shoqëria shkodrane në fillim vitet ‘30-të të shekullit të kaluar, është riti, zakonet dhe ndjekja e erzeve. Në një farë mënyre, shoqëria e asaj kohe në qytetin

e madh, ishte “tepër e zënë” dhe e “përkushtuar” me mbajtje erzesh dhe sisteme të tilla të zakoneve, sa nuk ju dilnin shtatë ditë në javë. Stërmundimi i familjeve për të ndjekur harxhimet si në dasma, fejesa dhe synetllëqe, apo edhe në ritualet e morteve, tashmë kishte rënë në sy, por edhe në veshët dhe arsyetimin e lartësive të administratës si vendore dhe qendrore. Kishte shumë pak kohë në krijimin e “Mbretërisë Shqiptare” dhe ishte vetëm viti 1930-të, kur një urdhëresë e kthyer në ligj nga Bashkia e Shkodrës, detyron qytetarët e saj, që të zbatojnë rregullat e reja në bazë të “Urdhnit të N. M.T. Mbretit të Shqiptarëve dhe sipas Ligjit Relativ”. Një nga pengesat e mëdha në atë kohë, ishte se edhe administrata, por edhe shoqëria, ishte kaq e molepsur dhe kaq e dhënë mbas zakoneve, sa harronte të dilte edhe në punë, të hapte dyqanet, dhe të zbatonte oraret e duhura të shtetit, të sapo forcuar shqiptar. Shkodra në fakt, po ekzagjerohej me të tilla harxhime e vonesa, dhe po tregohej jo kaq shumë moderne, për të larguar vetë një dorë ritesh, që e distanconin nga koha moderne. Tashmë ishte Bashkia e Shkodrës, dhe normalisht dhe ai këshill në këtë Bashki, që po detyronte me ligj, zbatim rregullash, dhe ndalonte po me ligj, ndjekjen e atyre zakoneve që nganjëherë binin ndesh edhe me parime të botës së qytetëruar dhe perëndimore.
Për këtë gjë, me datën 15 dhjetor të vitit 1930, Kryetari i Bashkisë Zejnel Prodani, me anëtarë Ndoc Çoba dhe Maliq Tahiri, kanë firmosur dokumentin e titulluar “Rregullore për Qytetarët Shkodranë” e cila pastaj ka hyrë menjëherë në lojë. Gjithsesi ka qenë i gjithë këshilli me pjesëmarrës si anëtarët myslimanë dhe kristianë, që e kanë shqyrtuar këtë rregullore, dhe emrat janë rregullisht në qarkore. Kaq shumë e ekzagjeruar ishte kremtimi i dasmave, synetllëkut, përgjimet dhe të tjera si këto, sa që Bashkia ndalonte me ligj të përdoreshin më shumë se 6 sahana gjellësh ose lloje gjellësh, dhe ndalonte me ligj, që kremtimi të zgjaste më shumë se 24 orë. Normalisht ligji edhe në morte ndalonte sofrat e mëdha dhe kafet, apo duhanin, si për gratë dhe burrat. Ndalonte dhe vizitat, ato ndaloheshin të stërzgjateshin mbi tre ditë. Kuptohet qartë se çfarë ndodhte në Shkodër, ku morti vazhdonte mbi një javë, dhe vizitat vazhdonin akoma më shumë, dhe paralizohej krejtësisht lagja dhe qyteti për një shumicë njerëzish, kurse jeta sociale dhe ekonomike tjetërsohej. Kaq shumë stërmundoheshin njerëzit, dhe kaq shumë turp ishte të mos ndiqej zakoni, sa që gjysma e vitit shkonte për “morte dhe dasma”. Rregullorja, merret edhe me kufizimet në “dhunti dhe paja”. Në rregullore jepen deri detajet sa “lejohet të çosh si stoli, çarçafë, kundra-këpucë, sheqer, sapun” etj., etj. Normalisht që në Shkodër kishte “plasur gara e pajës dhe dhuntisë maksimale” dhe normalisht që edhe ato që nuk kishin shumë të ardhura, përbënin pjesën e garës, duke u zhytur në borxhe. Vetëm në listat e shitësva dhe grosistëve të qytetit të Shkodrës, borxhet për pajat dhe dhuntitë, përbënin “lajmin e ditës” dhe patjetër që midis “garës dhe borxheve”, qyteti lundronte në një pesimizëm dhe lajtmotiv histerie pajash dhe dhuntish të marra, ose të çmendura për nga madhësia dhe mendjemadhësia kryesisht. Imagjinohet se çfarë marrie kolektive ka pasur, sa ligji vinte tavan të përdorimit të “takëmeve” dhe numrat relativë të takëmit, si për nusen dhe dhëndrin. Nuk lejohesh më, që “dhëndri t’i falë nuses më shumë se 10 dupa” ose monedhë ari e madhe, por edhe nusja nuk mund të binte më shumë se dy bahçalleqe te burri. Pastaj ligji ndalonte deklamimet e shumta si bie fjala “ndalohet të vjerrunit e teshave të nuses ndër oda si nga djali dhe vajza”, biles ligji ndalonte edhe tevdileshat krejtësisht. Ligji ka shikuar edhe diçka për lindjen, dhe ka ndaluar në përgjithësi harxhimet, përveç diçkaje normale për tu gostitur. Kurse vizitat në përgjithësi, lejohen në rastin e lindjes vetëm një javë, dhe jo më tepër. Kaq shumë ishte problem harxhimi, sa ligji shikonte në dasma ose më mirë në ligj quhet “martesa” sa “dhandri mund të merrte vetëm tre karroca ose automobila dhe nusja vetëm një”. Ligji ndalonte peshqeshet nga miqtë e ftuar-grishun, dhe me ligj lejoheshin të bënin peshqesh, vetëm nga familja e babës, vëllait, motrës, axhës, hallës, dajës e tezes. Kur vihesh emri i fëmijës, ligji ndalonte peshqeshin, dhe vizitat mund të vazhdonin vetëm dy ditë, mbas pikërisht kësaj dite. Në zakonin tashmë të vjetruar të asaj kohe shpesh herë, trupi i të vdekurit, përcillej me daulle. Ligji tashmë e ndalon këtë, dhe shpjegon se “në rasë se vdekjes së një personaliteti me randësi, ka për tu përkujdesë Bashkija me e përcjellë trupin e tij ke vorri me daull”.
Në përgjithësi, “Rregullorja për qytetarët shkodranë”, ishte një hap i madh përpara. Në atë kohë kjo rregullore, është pritur mirë nga një pjesë e shoqërisë me tendenca perëndimore, por është pritur disi keq, nga një shumica e konsiderueshme e shoqërisë tepër zakonore dhe tradicionale, me drejtim të ruajtjes së zakoneve të qytetit që si ligj ka pikërisht vetëm ritin, apo zakonin. Kjo është edhe e reja e “Rregullores për Qytetarët e Shkodrës”, e cila po fillonte të tregonte se ligji është shumë herë në konflikt me zakonet, dhe ato janë shumë në konflikt me ecjen përpara në qytetërim, ekonomi e kulturë. Shkodra edhe një herë tregonte guximin qytetar dhe moral të saj që kapërcente edhe mbi zakonet tepër të ngulitura në qytetin e madh tradicional të veriut të Shqipërisë.

Ismail Kadare: Shqipëria dhe Greqia nuk kanë qenë kurrë fqinj të mirë


Nga Mirash Martinoviç

Është e vështirë t’i shtrosh pyetje një shkrimtari grandioz, çfarë jeni Ju e që ai i cili i shtron pyetjet të mos frikësohet dhe ta qortojë veten për guximin. Është privilegj i madh të marrësh përgjigjet nga Ju, por edhe përgjegjësi për të shtruar pyetje. Arsye dhe motive ka gjithmonë, por në këtë rast janë edhe dy konkrete: është paralajmëruar vizita Juaj në Mal të Zi, ku edhe do të botohet romani Juaj “Darka e gabuar”.

Propozoj të fillojmë nga mërgimi-dëbimi, që i ka përcjellë shumë shkrimtarë gjatë historisë, që nga lashtësia deri në ditët e sotme:

1. Dëbimi i Eskilit ka ndodhur në kohën kur në Athinë, demokracia ishte fjala më e shpeshtë, më e përfolur, kurse koha quhej Kohë e Artë e Perikliut. Ja, në kohë të tillë, e dëbojnë poetin më të madh Eskilin, që do të thotë se nuk ka pasur demokraci, pos në fjalë, kurse koha e artë, kur ka mundur të dëbohet poeti i madh, padyshim ka qenë e errët dhe do të mbetet në kujtesë dhe histori me këtë njollë të zezë.

2. Bulgakovi i ka shkruar letër Stalinit, duke i kërkuar që ta lejojë të largohet nga Rusia, së paku madje edhe për një kohë të shkurtër, që nga jashtë ta vështrojë vendin e vet, madhështinë dhe bukurinë e tij dhe kështu ka gjetur inspirim për veprat e tij të ardhshme.

Stalini e këshilloi se më mirë është që ai (Bulgakovi) të mbetej në atdhe. Çfarë është më e mirë për shkrimtarin, gjatë diktaturës, që të jetë në atdhe, apo jashtë tij? Çfarë mund të thoni në bazë të përvojës Suaj?

3. Megjithatë, sikur të mos kishit mbetur në Atdhe, ku nuk kishte liri, shtrohet pyetja se a do të ishin shkruar “Pallati i Ëndrrave”, dhe veprat e tjera Tuaja. Ai që e ëndërron lirinë, më së miri këndon për të.

4. Si e ndjen veten shkrimtari, i cili e ka shpatën mbi kokë. Si është të shkruash në gjendje të tillë dhe me ndjenjë të tillë?

5. Kur Ernesto Sabato mori në Shqipëri, Çmimin me emrin Tuaj, përjetoi një shqetësim të veçantë, që e përshkruan kështu në librin Para fundit:

“Në Tiranë, kam pasur një nga nderimet më prekëse gjatë jetës. Ai popull, që e ka përjetuar tiraninë dhe tek i cili edhe më tej vërehen mbeturinat e diktaturës, fytyrat e plasaritura nga vuajtja dhe bunkerët e errët, që tirani kishte urdhëruar të ndërtohen, më ka pranuar si një mirëbërës, si një mbret, si djalin e dashur. Kishte valle e këngë me rastin e paharruar të ndarjes së shpërblimit. Një poet ma ka dhuruar urnën me dhe që e ka sjellë nga vendlindja e nënës sime. Kurse, një shkrimtar i madh, ma ka treguar notesin që e ka ruajtur të fshehur në burg, ku me shkronja të imta e kishte përshkruar një tekst të Kamysë dhe një timin “Të dashur djelmosha të largët” nga Abadona. Duke qarë, më ka thënë se për shumë vite që i ka kaluar si i burgosur politik në errësirën e birucës së burgut, çdo ditë i ka lexuar këto faqe, fshehurazi, që të mund të qëndronte. Kam mbetur të dridhem, sepse fjalët e mia i paskëshin ndihmuar atij trimi, njërit nga të shumtët që e banojnë këtë vend”. Nuk e di pse, spontanisht, gjithsesi kam dëshirë që në këtë bisedë ta përkujtoj këtë dëshmi rrëqethëse të Sabatos dhe njëkohësisht t’ju pyes: çfarë mendoni për këtë shkrimtar? Por edhe t’ju lus t’i përmendni shkrimtarët që i lexoni më me dëshirë, më të afërt, më të dashur e më të rëndësishëm për Ju, nga ata botërorë, por edhe nga Ballkani?

6. Jeni pagëzuar me një epitet të veçantë, ju quajnë Homeri ballkanik.

Epiteti më i lartë që mund ta fitojë një shkrimtar. Ju, padyshim se e keni fituar me meritë dhe ky cilësim u shkon natyrshëm Ju dhe veprës Suaj monumentale.

7. Temat për veprat Tuaja i nxirrni nga historia shqiptare, nga mitologjia, folklori, por madje edhe nga viset, siç është Egjipti, por me referenca edhe ndaj aktualitetit. Ishin inspiruese piramidat dhe ndërtimi i tyre, historia greke dhe mitologjia. Keni shkruar librin ese për Eskilin. Pse Eskili?

8. Në Mal të Zi do të botohen i përkthyer në gjuhën malazeze romani Juaj “Darka e gabuar”, nga Shtëpia Botuese CID. Ka qenë ideja ime t’ju pyes se me cilin libër keni dëshirë t’i prezantoheni lexuesit në Mal të Zi. Keni vendosur të botohet “Darka e gabuar”. Pse jeni përcaktuar për këtë libër?

9. Është paralajmëruar vizita Juaj në Mal të Zi në gjysmën e dytë të këtij viti. Me sa di, kjo është vizita Juaj e dytë. Keni qenë në këtë shtet edhe disa vite më parë. Si e përjetoni Malin e Zi, popullin malazez, historinë malazeze. Meqë jemi komshi të parë, e ndajmë dhe e kemi ndarë fatin e njëjtë nëpër shekuj. Malazezët dhe shqiptarët kryesisht kanë jetuar në marrëdhënie të mira fqinjësore, me mirëkuptim dhe respektim të plotë.

10. Autori i librit “Shembujt e burrërisë dhe të trimërisë”, të këtij kodeksi unik moral, Mark Milani, njësoj i ka marrë shembujt e burrërisë, të moralit e të trimërisë dhe i ka përfaqësuar në atë libër, kur janë në pyetje shqiptarët dhe malazezët, pra nga populli malazez dhe shqiptar. Kjo është shenjë se shumë veçanti na bëjnë të ngjashëm, kurse fijet dhe lidhjet na bëjnë të afërt.

11. Me çfarë dëshirash do të vini në Mal të Zi?

12. Shkrimtarët e mëdhenj gjithnjë janë edhe vetëdija e kombit vetanak. Është e natyrshme që Ju, si shkrimtarin më të madh shqiptar, t’ju pyesim dhe të marrim përgjigjen, komentin rreth zhvillimeve më të reja në Shqipëri.

13. Cili është mesazhi Juaj për kombin shqiptar në këtë çast dhe kohë kritike për të?

Përgjigje 1. E nisëm bisedën me një temë, për të cilën më është bërë vërejtje se e përmend shpesh: antikitetin grek. Por, në këtë rast, besoj se e pranoni që fajtori s’jam unë. Natyrisht që demokracia greke, si shumë kujtime të largëta, është sublimuar në përfytyrimin tonë. Megjithatë, e krahasuar me gjithë të tjerat, mbetet më e bukura. Sidomos për ne shkrimtarët.

Është e vërtetë që Eskili ka ikur prej Athinës, madje tepër i zemëruar, por ikja e tij, ashtu si zemërimi i tij, s’kanë asnjë ngjashmëri me tmerret që iu ndodhën më pas shkrimtarëve, sidomos në shekullin që porsa kaloi.

Më ka qëlluar disa vite më parë të bëj rrugën e internimit të Ovidit, mes përmes Rumanisë, gjer në brigjet e Detit të Zi. Eskili iku vetë, Ovidin e dëbuan nga Roma, pa e lënë të zemërohej, madje pa ia thënë arsyen. Dëbimet e shkrimtarëve, në vend të zbuteshin, sa vinte bëheshin më të pikëlluara. Kur kam qenë në Institutin Gorki në Moskë, kam përjetuar ditë të tëra fushatën kundër Pasternakut. Regjimi sovjetik quhej në atë kohë i zbutur, pas vdekjes së Stalinit. Megjithatë, fushata ishte po aq e egër sa dikur. Policia e fshehtë e kishte marrë vesh nga spiunët se dëbimi ishte lemeria më e madhe për Pasternakun. Dhe e torturuan me atë kërcënim. Ishte aq tmerrues, saqë edhe kur stuhia kaloi, nuk i duroi dot pasojat dhe pas disa muajsh vdiq.

Ka gjasë që Eskili, më shumë se me demokracinë greke, të jetë zemëruar me teatrin antik. Ishte një nga themeluesit dhe, si at i skenës, kishte të drejtë më shumë se çdokush të zemërohej. Por, të zemëroheshe me teatrin në atë kohë ishte sikur të zemëroheshe me gjithë botën. Sepse teatri ishte një botë gati paralele. Ne ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se kanë qenë rreth njëmijë tragjedi. Po t’i përmbahemi thënies se Nitzsche-s, se tragjedia greke bëri vetëvrasje në rininë e saj, pra në shekullin e saj të parë dhe të fundit, i bie që çdo vit, në stinën teatrale, që vazhdonte disa javë, të shfaqeshin dhjetë premiera tragjedish të reja. Është njëlloj sikur një të shtunë të shfaqej një “Promethe i lidhur” e të shtunën tjetër një “Edip mbret”, e kështu me radhë.

Përgjigje 2. Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Raportet midis një tirani dhe një shkrimtari të njohur janë më të ndërlikuara se ç’mund të duket. Varen nga disa rrethana, nga natyra e diktaturës, natyrisht, nga natyra e shkrimtarit, nga ajo e tiranit gjithashtu. Sa më i kompleksuar të jetë diktatori, sa më i trembur, aq më i rrezikshëm mund të bëhet.

Në Shqipëri, për shembull, do të ishte e pamundur që të bëhej një kërkesë si ajo e Bulgakovit. Diktatura e Stalinit ishte tepër e egër, por deliri i tij i madhështisë kishte raste që qëllonte më i fortë. E dinte se fama e gjestit të tij do të shpërndahej gjithkund. Madje edhe në botën perëndimore. Këto lloj “shpirtmadhësira” i kanë bërë në ndonjë rast tiranët. Por rastet e egërsisë kanë qenë më të shpeshta.

Në raportet diktator-shkrimtar mund të luajnë rol rrethana fare të rastit. Unë, për shembull, kam qenë nga i njëjti qytet me Enver Hoxhën, madje nga e njëjta lagje. Për shumë njerëz, sidomos të huaj, kjo merrej si një rrethanë favorizuese. Por kjo mund të kthehej në të kundërtën. Në një rast, pyetjes së një gazetari, se a ishte e vërtetë se shtëpia ime në Gjirokastër ndodhej pranë së njëjtës rrugicë me shtëpinë e Enver Hoxhës, iu përgjigja me një “po”. Pastaj nuk e di ç’dreqin më shtyu të shtoja diçka, që e kisha përmendur një herë, se kjo rrugicë quhej “Sokaku i të marrëve”. Kaq mjaftoi që gazetari suedez të shkonte e ta fotografonte rrugicën dhe, në botim t’i vinte diçiturën, që pak a shumë thoshte se në këtë rrugicë që mbante emrin “Sokaku i të marrëve” kanë pasur shtëpitë e tyre dy njerëzit më të shquar të Shqipërisë…

Përgjigje 3. Kam dashur disa herë ta lë vendin, por, në çastin e fundit, diçka më ka penguar. Nuk është i lehtë një akt i tillë. Në fillim të viteve ‘60 kemi pasur në Institutin Gorki një shok, shkrimtar i njohur rus, Anatoli Kuznjecov. Rrinte shumicën e kohës i ngrysur. Një letonez më tha një ditë: e sheh Koznjecovin si rri? Me siguri mendon t’ia mbathë. Pas ca kohësh, mora vesh se Kuznjecovi ishte arratisur në Angli. Gjithë Bashkimi Sovjetik u trondit, ngaqë ishte i njohur dhe i talentuar. Pas arratisjes së tij, të gjithë prisnin veprën e tij të parë, të bujshme, antisovjetike. Por nëntë muaj më vonë shtypi britanik botoi lajmin e vdekjes së Kuznjecovit. Nuk e kishte duruar dot vetminë, kishte rënë në depresion, dhe ashtu ishte shuar. Më është kujtuar gjithmonë kur më shkonte mendja për të ikur.

Ka një mendim që ngulmon se shkrimtari është mirë ta njohë ferrin, “duke e shkelur pash më pash”, siç thoshte një poet i yni i viteve ‘30, për të shkruar më mirë. Një tjetër mendim është për të kundërtën: s’ka nevojë t’i krijojmë ndonjë burg ose fatkeqësi shkrimtarit që të na bëjë vepra interesante.

Mendoj se nuk ka model për këtë. Një herë kam shprehur mendimin se as fatkeqësia e as lumturia e tepërt nuk janë të mira për letërsinë. Ndoshta është kështu.

Përgjigje 4. Shkrimtari që e ndien se e ka shpatën mbi kokë, është më mirë të heqë dorë nga të shkruarit. Kushti i parë që të jesh shkrimtar në një vend të vështirë, është pikërisht që të mos e mendosh atë shpatë. Përndryshe nuk mund të shkruash as katër faqe normale, pa le pastaj katërqind ose katër mijë.

Mendoj se besimi te letërsia më ka ndihmuar për këtë. Ky besim është i ngjashëm me besimin te hyjnia. Ai është më tepër se shëlbyes. Ai të jep drejtpeshim, atje ku s’ka të tillë. Të jep liri, atje ku ajo mungon.

Diskutohet shpesh për kurajën e shkrimtarit. Ka shumë rrahagjoksa që flasin për të. Zakonisht japin leksione për të ata që s’kanë pasur kurrë kurajë. Dëshmia e vetme, e pagabueshme, plotësisht e vërtetueshme për kurajën e shkrimtarit në diktaturë, është vepra e tij.

Një rrethanë tjetër ndoshta ka qenë afërsia e Europës. Shqipëria, ashtu si Mali i Zi, janë vërtet në Ballkan, por janë ndërkaq në anën perëndimore të gadishullit. Prania europiane, frymimi i saj, pavarësisht nga pengesat, rojet, përgjimet, ndihej fort. Në rastin tim, u shtua edhe një faktor që mund të quhet si ndihmë e fatit: Më 1970 u botova në botën perëndimore. Europa, si të thuash, më integroi si shkrimtar të saj. Kjo ngjante e pabesueshme për një vend, programi themelor i të cilit ishte armiqësimi i pafund e i palodhshëm me Perëndimin europian. Gjendja ime e dyzuar: shkrimtar i njohur në Shqipëri, por edhe i çmuar në Europë, ishte tejet paradoksale. Por letërsisë i shkojnë të tillat. Ka qenë një nga ato gjendjet që i ngjajnë një mrekullie, por një mrekullie të rrezikshme që, letërsinë e vendit tënd stalinist, të arrish jo vetëm ta nxjerrësh nga izolimi, por ta zhvendosësh, ta fusësh m’u në mes të klubit të letërsive të lira europiane.

Përgjigje 5. Kam mendimin më të mirë për Ernesto Sabaton. Në radhë të parë si shkrimtar, por edhe për faktin që pranoi të merrte çmimin. Ky çmim e simbolizonte atë dyzim që përmenda më lart: mbante emrin e një shkrimtari të çmuar në Europë e në Shqipëri, por jepej në një vend ish-diktatorial. Me pranimin e çmimit, si Ernesto Sabato, si Milan Kundera, që e mori pas tij, treguan solidaritetin e tyre të dyfishtë: me kolegun shqiptar nga njëra anë, me Shqipërinë e shpërfillur, nga tjetra.

Përgjigje 6. Nuk mendoj se jam megaloman, por po aq nuk besoj se jam modest. Megjithatë ky epitet nuk krijon ndonjë ndjesi të mirë.

Mendoj se asnjë shkrimtar nuk mund të krahasohet me Homerin. Madje, më saktë, nuk duhet t’i shkojë mendja askujt për diçka të tillë. I ngjan një mëkati, prej të cilit mund të vijë ndonjë ndëshkim, nga ato që përfytyrohen si hyjnorë, e që aq shumë i shmangeshin të vjetërit.

Përgjigje 7. Letërsia, në mënyrë të natyrshme, intriseke lind si pasuri universale. Më lejoni të përsëris mendimin se ajo qysh në çastin kur lind, është njëherësh pasuria e popullit dhe gjuhës që e lindi, dhe po aq e gjithë popujve dhe gjuhëve të tjera. Unë si shkrimtar s’kam bërë gjë tjetër, veç i jam bindur këtij kodi të saj.

Kjo është e thjeshtë. Tek ju, siç më thatë, do të botohet romani im “Darka e gabuar”. Ky është rrëfimi për një darkë, le ta quajmë “problematike”. Pas jetës së tij shqiptare, me përkthimin në frëngjisht ky rrëfim ka pasur një jetë franceze, pastaj me radhë një jetë spanjolle, gjermane, holandeze etj., dhe së shpejti do të ketë jetën e tij malazeze.

Ju më pyesni: Përse Eskili?

Ideja për të shkruar diçka për Eskilin, ka ardhur fare thjesht: me rastin e botimit të veprës së tij komplete në shqip më 1985, pranoj të bëj parathënien. Pastaj truri vihet në lëvizje dhe gjithçka merr rrugë. Ky është ati i tragjedisë, pra një themelues i madh. Ky është autor i “Prometheut”, sfidantit të tiranisë. Përshkues i komploteve dhe vrasjeve në pallat. I përshtatshëm si rrallëkush për botën tonë komuniste, e sidomos për Shqipërinë tonë. E, veç kësaj, siç e thashë më lart, ky është zemëruar me shtetin, me teatrin, me spektatorët, shkurt, me gjysmën e popullit, një gjendje e njohur për shumë shkrimtarë të ish-Lindjes.

Një tjetër motiv që erdhi e u shtua më pas ishte njëfarë prove në të cilën desha të vë ndërgjegjen time prej shkrimtari: a do të isha në gjendje të shprehja adhurimin tim të thellë për një autor grek, pra për një ballkanas, për një fqinj? Juve mund t’ju duket e çuditshme disi kjo pyetje, sepse ju nuk jeni fqinjë me Greqinë. Kurse ne, jo vetëm jemi fqinjë, por s’jemi aspak fqinjë të mirë. Shkurt, që të flas pa doreza, Shqipëria me Greqinë fatkeqësisht nuk shkojnë aq mirë sa ç’do të duhej. E sidomos për dy fqinjë që janë nga dymijë vjet të tillë. Dhe kjo ka vite, madje shekuj. Kemi qenë nën një fatkeqësi të përbashkët osmane, dhe prapë shkonim jo mirë. U bëmë shtete të lira, gjithmonë vazhdon e njëjta gjë. Tani jemi të dy në NATO, gjithmonë ashtu. Janë bërë qindra studime, doktorata, deklarata se kemi marrëdhënie të mira, se popujt janë të mirë, se na bashkon kjo e na bashkon ajo, e unë prapë po ju them se s’ka ndryshuar gjë. Ju mund të pyesni pse? E unë po ju them s’e di. Madje jam i bindur se në thelb, askush nuk e di, as grekët, as shqiptarët s’e dinë. Herë pas here ka periudha qetësie, të gjithë mendojnë, e po, lavdi Zotit, kaloi më në fund nervozizmi, keqkuptimi për X çështje apo Y incident. Por s’është ashtu. Për acarimin më të parë kthehen prapë të gjitha: fyerjet e kota, nervat, xhelozia e ndërsjellë. U bënë shqiptarët të na mësojnë ne, grekëve. U bënë grekët të na shesin mend ne, shqiptarëve.

E shkrova pra sprovën për Eskilin dhe mendoja se, me siguri, grekët do thoshin: doli shkrimtari shqiptar të na zbërthejë neve Eskilin! Kurse shqiptarët mund të thoshin: po ky, i yni, ç’pati që lajthiti e u mahnit pas teatrit grek?

Për habinë time të madhe, ndodhi e kundërta. Libri im u botua e u ribotua në Greqi dhe shtypi e priti shumë mirë. Akoma më i gëzueshëm ishte për mua fakti që askush në Shqipëri nuk prishi buzët për këtë adhurim ndaj kulturës greke. Pra gjërat nuk janë aq pa shpresë sa ç’mund të duken në këtë gadishullin tonë.

Përgjigje 8. Të them të drejtën, e kam dhënë këtë parapëlqim pa bërë ndonjë reflektim kushedi çfarë. Thjesht ashtu më është dukur: lexuesi shqiptar e ka pëlqyer veçanërisht këtë libër, pra edhe ai malazez do ta pëlqejë.

Të them këtu ca fjalë që ngjajnë si të dëgjuara: afërsia e dy popujve, letërsia që e shton afërsinë etj., etj., besoj se s’është nevoja. Ndërkaq, kur m’u bë pyetja për të bërë një zgjedhje për Malin e Zi, sinqerisht desha që të bëja zgjedhjen më të mirë, ashtu siç bëhet për lexuesin që e çmon, që e ndien veçanërisht të afërt. Dhe e bëra pa asnjë mëdyshje.

Përgjigje 9. Vitet e fundit nuk udhëtoj shpesh, por në Mal të Zi do të vij me shumë dëshirë. Përsëri do të doja t’u shmangesha fjalëve etikisht korrekte dhe besoj se do t’ju bind. E kaloj një pjesë të kohës në Paris, ku, si kudo në Europë, bie fjala shpesh për Ballkanin, shtëpinë tonë të madhe problematike. Hallet e kësaj shtëpie, neve që ndodhemi larg na duken shpesh më dramatike se ç’janë. Dhe fare natyrshëm, si ata që ndiejnë mungesën e diellit, ne ndiejmë nevojë për lajme të mira. Por, fatkeqësisht, lajmet e mira nuk vijnë kur i duam. Madje qëllon që kur ti i pret ato, si për inat, vijnë të kundërta. Atëherë ti në veten tënde përpiqesh të prodhosh pozitivitetin. Pra, kur qëllon të ndihem i pikëlluar dhe dua t’i jap vetes shpresë, si një ndjesi e mirë në fillim, e pastaj si ide, më vjen ndër mend se ja, edhe atje në gadishullin e ashpër, nuk ka veç shtete që grinden, por ndodh edhe diçka e mirë. E një nga gjërat e mira është ajo që ndodh atje, në Veriun e Shqipërisë, pikërisht midis saj dhe Malit të Zi.

Dhe kjo që them nuk është aspak një ndjesi poetike-sentimentale. Marrëdhëniet e mira, për të cilat folët ju, midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë një lajm i mirë, për dy shtetet tanë, për dy popujt, për krejt gadishullin dhe, pse jo, për Europën. Nuk është diçka e rastit, por e vijueshme, me rrënjë historike, siç thatë ju. Në gadishullin plot keqkuptime dhe psikoza të zymta, raportet Mal i Zi – Shqipëri janë një model i kundërt. Model i së ardhmes së qytetëruar, që Europa e Bashkuar duhet të dijë ta çmojë.

Do të doja të theksoja këtu se ky proces i mbarë po ndodh midis dy popujve fqinjë, që s’janë aspak të dalluar për ndonjë urtësi shembullore, përkundrazi, janë popuj që dinë të bëjnë gabime, që janë mjeshtër për një gjë të tillë, madje që mund të nxjerrin dhe armët, ashtu siç i kanë nxjerrë kundër njeri-tjetrit. (Kjo mund t’ju duket disi e tepruar për njerëzit tuaj, por unë s’kam droje ta them për të mijtë). Kjo tablo, që dikujt mund t’i duket jo fort e lakmueshme, duhet të na bëjë ta çmojmë edhe më shumë këtë normalitet. Sepse pajtimi i ardhur përmes vështirësish, është më i qëndrueshmi se të gjithë.

Përgjigje 10. Më vjen mirë që i dëgjoj këto fjalë prej jush. E kam lexuar një libër të Mark Milanit kohë përpara. Ndoshta është ky, libri ku linte porositë e tij për raportet me shqiptarët. Jam prekur nga këto porosi, sepse janë tepër të fisme dhe, si të tilla, e nderojnë personazhin e madh. Nga ana tjetër, ato nderojnë popullin malazez që, duke e çmuar personazhin, kanë treguar se e çmojnë mesazhin e tij.

Nuk është kaq e lehtë kjo gjë në Ballkan. Më 1984, gjatë një forumi shkrimtarësh në Athinë, kam pasur fatin të njihem e të bisedoj gjatë me Danilo Kishin. Një nga gjërat që më tregoi ishte se kishte pasur nënën malazeze. Dhe fill pas kësaj shtoi se nëna i kishte thënë diçka të mirë për shqiptarët, por ai kishte qenë i vogël dhe nuk e kishte kuptuar dot se përse m’u midis kohës kur acarimi jugosllavo-shqiptar ishte në kulm, nëna mendonte ashtu. Diçka të ngjashme për afërsinë midis dy popujve më ka treguar trashëgimtari i derës suaj mbretërore, që e kam takuar disa herë në Paris, në darka të miqve tanë të përbashkët. (Vepra “Kurora e maleve” e gjyshit të tij, në mos gaboj, ka qenë e njohur në Shqipëri në kohën e mbretërisë). Kam mësuar nga goja e tij gjëra interesante, që lidheshin me doket e përbashkëta, p.sh. si pritej një mysafir malazez në një shtëpi shqiptare e si pritej mysafiri shqiptar në shtëpinë malazeze. E merrni me mend se sa e këndshme është që, në një darkë pariziane, të bisedosh për darka të vjetra, miqësore në Ballkan.

Pavarësisht dramave që kanë ndodhur, unë besoj në pajtimin ndërballkanik. Ballkanasit kanë përjetuar ndërlikime të mëdha. Ata do të jenë të aftë për të përballuar misionin më të madh, që ndoshta historia po iu vë përpara: paqen mes tyre. Por misionet serioze nuk janë si punë vodëvilësh. Ato kërkojnë seriozitet. Dhe serioziteti në këtë rast ka të bëjë me të vërteta të mëdha, prej të cilave s’duhet të kemi frikë. Ne jemi njerëz të artit. Më mirë se të tjerët ne e dimë se historinë e madhe të botës nuk e përbëjnë egërsia dhe krimet, por lamtumira me to. E lamtumirë do të thotë shpërndarja e mjegullës, dalja e së vërtetës e, nëpërmjet saj, lehtësimi i ndërgjegjes nëpërmjet pendimit, kërkimit të ndjesës, dhe së fundi, paqtimi.

Ju jeni një popull që i përkisni familjes sllave, ne jemi, përkundrazi, një popull i vetmuar. Familja zakonisht i pasuron popujt, por edhe vetmia, në mënyrë të ndryshme bën të njëjtën gjë. Ndaj është diçka dyfish e bukur kur popujt e ndryshëm janë fqinjë të mirë.

Përgjigje 11. Jam i ftuar si shkrimtar, e natyrisht do të vij si i tillë, për një libër që flet për një darkë të gabuar. Natyrisht që jam duke bërë shaka, kur po e lidh bujtjen time me atë që tregohet në këtë libër. Është krejtësisht e kundërta, është një bujtje veçanërisht e gëzueshme për mua. Jam kurioz të marr kontakt me lexuesin malazez. Dhe jam kurioz, veç të tjerash, se a ngjan ende ndopak rituali i pritjes së mysafirit shqiptar, ashtu siç ma ka treguar princi juaj.

Leka, mbreti i shqiptarëve, si e donte qeveria e Hoxhës

Anna Pukas

Ai është trashëgimtar i ligjshëm i Libisë në fron, i cili është "gati të drejtojë", por për 23 vjet Princi Mohammed el-Senussi ka qenë në ekzil në Londër. Dhe nuk është i vetmi mbretëror i rrëzuar që jeton atje...
Nëse kolonel Gadafi lëviz nga pushteti, kush do të plotësojë vakuumin e pushtetit në Libi? Një hap përpara, Mohammed el-Senussi, 48 vjeç, nipi dhe trashëgimtari i mbretit Idriz, mbretit të fundit në Libi. Mohammed ishte 6 vjeç në 1969-ën kur Gadafi mori pushtetin dhe e vendosi familjen mbretërore në arrest shtëpie. Në 1982-in, familja u detyrua forcërisht të jetonte në një kasolle plazhi pasi shtëpia e tyre dhe gjithë ato që u përkisnin u shkatërruan. Ata më në fund u lejuan që të largohen nga Libia drejt Britanisë në 1988-ën. Mohammed u bë princi i fronit pas vdekjes së të atit në 1992-in. Tani, kryengritjet kanë rikthyer memorien libiane të asaj kohe para Gadafit, pikërisht kur një mbret drejtonte Libinë. "Cilatdo të jenë limitimet e qeverisë që zgjatën nga 1951 në 1969-ën, nuk ishte kleptokracia që u vendos nën regjimin e Gadafit", thotë Mohammed. Ai gjithashtu deklaroi që kërkon të kthehet në Libi. "Familja Senussi e konsideron veten në shërbim të njerëzve në Libi. Nëse ata zgjedhin monarkinë, ne jemi gati të qeverisim. Nëse do të zgjedhin republikën, ne po ashtu do ta respektojmë vendimin. Është e rëndë të jetosh në ekzil. Në fund, çdokush ka nevojë të kthehet në shtëpinë e tij".
Mbreti Constantine II i Greqisë
Ai është ndër më të njohurit e monarkëve që jetojnë në ekzil në Britani, për shkak të marrëdhënieve të ngushta me familjen mbretërore në Britani, që e quan atë Tino. Ai është kushëriri i dytë i princit Charles që e zgjodhi të ishte nuni i princit William. Constantine ishte 24 vjeç kur pati suksesin e të atit Paul në 1964 si i gjashti, dhe sikurse doli, ishte mbreti i fundit i Greqisë. Tri vite më pas ai u rrëzua nga një grusht shteti militar, sipas të cilit, disa thonë se ndihmoi të legjitimonte duke qenë dakord të betohej në qeverinë e re.
Ai asnjëherë nuk abdikoi nga froni dhe mbeti zyrtarisht mbret për 7 vite, derisa Greqia hoqi dorë nga Monarkia në 1974-ën pas një referendumi. Ai dhe bashkëshortja, ish-princesha e Danimarkës, Anne-Marie, u vendosën në Hamstead, pjesën veriore të Londrës. Qeveria republikane nuk i konfiskoi pronat e Constantine në Greqi, por kundërshtoi me forcë atë të vizitonte vendin. Ai nuk u kthye deri në 1981 dhe në atë kohë, ishte veç për disa orë për të ndjekur funeralin e së ëmës. Kishte protesta gjatë një vizite tjetër në 1993-in dhe qeveria i kërkoi të largohej. Përmes udhëtimeve të lira brenda dhe jashtë Greqisë, atij iu mohua një pasaportë greke sepse refuzoi të adaptonte mbiemrin, duke insistuar që si Mbreti Constantine nuk kishte një të tillë.
Princi i kurorës,
Aleksandri i Jugosllavisë
Djali i vetëm i Peter II, mbreti i fundit i Jugosllavisë, Aleksandër, u lind në korrik 1945 në suitën 212, në hotelin 'Claridges' në Londër, i cili për një kohë të shkurtër u deklarua se ishte pjesë e Jugosllavisë, duke bërë të mundur që princi i vogël të deklarohej se kishte lindur në një territor jugosllav. Gjyshërit e tij ishin mbreti George VI dhe vajza e tij, princesha (më pas mbretëreshë) Elizabeth. Jugosllavia u deklarua republikë kur Aleksandri ishte vetëm katër muajsh. Në 1947-ën, familjes së tij iu hoq shtetësia jugosllave dhe iu hoqën të gjitha pronat. Aleksandri u edukua më së shumti në Britani, në shkollat publike Gordonstoun dhe Millfield dhe në shkollën e oficerëve në Aldershot. Luftërat në Ballkan gjatë viteve '90 e panë mbretërinë të tkurret në treçerekun e vet. Tani ka mbetur vetëm Serbia, që ai e vizitoi për herë të parë në vitin 1991. Ai ka shkuar shpesh pas rënies së Millosheviçit në 2000. Vitet që pasuan qeveria e Serbisë i ktheu nënshtetësinë dhe e lejoi që të përdorte pallatet mbretërore të konfiskuara. Ai përkrah rivendosjen e një monarkie konstitucionale në Serbi, por qëndron jashtë politikës aktive. Aleksandri e humbi vendin e tij në radhën e linjës britanike (që e kishte mbajtur si një pasaardhës i mbretëreshës Victoria), kur ai u martua me princeshën katolike Maria e Orleans-Braganza, por tre djemtë e tij, princi Peter dhe binjakët Philip dhe Aleksandër janë në radhën e 94, 95, 96 të fronit britanik.
Khani i Kalatit, Pakistan
I arritur së fundmi në ekzilin mbretëror, Mir Suleman Dawood Khan (mbretëruesi) i Kalatit, një ish-shtet në Baluchistan dhe tani pjesë e Pakistanit, kërkoi strehim në 2006-ën për shkak të dhunës në mbretërinë e tij. Atij iu dha azili dhe tashmë jeton në tri dhoma në Cardiff, duke menduar rikthimin në tokën e vet për të bërë fushatë për një demokraci më të madhe.
Shwebomin,
princi i fronit të Burmës

Burma nuk ka pasur monarki që nga 1885, por si pretendues i fronit Shwebomin ka deklaruar: "Qëllimi im është të sjell demokracinë në Burma, me mua si mbret". I lindur në 1942-in, ai ishte 13 vjeç kur vendin e mbretërisë e zuri Junta. Ai u dërgua në Britani për edukim dhe siguri. Ai studioi për inxhinieri mekanike e termodinamike dhe mori një master në administrim biznesi nga Instituti prestigjioz Cranfield (tashmë universitet) dhe studioi marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Kentit. Ai është profesor në East London College në Leytonstone, dhe në 1982-in krijoi shoqërinë mbretërore të Burmës që ndihmon refugjatët dhe jetimët në Rangoon.
Froni i Princ
Lekës së Shqipërisë

Prindërit e tij, mbreti Zog I dhe mbretëresha Geraldine e lanë Shqipërinë kur Italia pushtoi vendin, vetëm dy ditë pas lindjes së Lekës në prill 1939. Ministri i Jashtëm italian personalisht kërkoi pallatin mbretëror në Tiranë dhe kur gjeti njolla gjaku në shtratin e mbretëreshës, kalonte mes për mes saj duke bërtitur: "Këlyshi është arratisur!". Ky fillim dramatik ishte vetëm fillimi i asaj që do të konsiderohej një jetë e prishur. Familja mbretërore jetoi për pak kohë në hotelin 'Ritz' në Londër, përpara se të lëviznin në 1941-in drejt Sunnunghill, Berkshire dhe më pas në Parmoor, afër Frieth në Buckinghamshire. Pas Luftës së Dytë Botërore prindërit e Lekës shkuan në Egjipt, por e lanë Lekën në Britani për edukimin e tij. Pasi përfundoi Akademinë Mbretërore Militare në Sandhurst, ai u bashkua me ushtrinë britanike. Më pas u bë një tregtar i suksesshëm i artikujve të përdorimit të gjerë. Pas vdekjes së të atit në vitin 1961, 22- vjeçari Leka e shpalli veten Mbret të Shqipërisë në qeverisjen në ekzil. Ai u vendos në Spanjë me gruan e tij Susan, një australiane, por ishte rrugës për të nisur një jetë të re në Rhodesia, kur avioni i tij u rrethua nga trupa gjatë mbushjes me karburant në Gabon. Leka u shfaq me një bazoka duke trembur ushtarët. Doli se qeveria shqiptare kishte paguar afrikanët që ta rrëmbenin. Kur në pushtet në Rhodesia erdhi Robert Mugabe, Leka dhe Susan lëvizën në Afrikën e Jugut, ku iu dha edhe statusi diplomatik. 72 vjeç, Leka u kthye në Shqipëri dhe tani jeton në Tiranë. Suzana vdiq në vitin 2004.
Mbreti i Skocisë
Që kur lindi në Bruksel në 1958, Michel Roger Lafosse shpalli se ishte një pasardhës i Princit Charlie të Bonnie dhe trashëgimtar i fronit në Skoci. Që nga viti 1979 e konsideroi veten HRH Princi Michael James Alexander Stewart, konti i 7-të i Albany. Pranohet gjerësisht se linja mashkullore e Shtëpisë mbretërore Stuart vdiq në 1807 me Henry Benedict Stuart, vëllai më i ri i Princit Bonnie, Charles Edward Stuart. "Nuk ka ndodhur kështu", thotë Lafosse. Ai deklaron se Charles Edward Stewart anuloi martesën e parë dhe në mënyrë të fshehtë u martua me Marguerite O'Dea d'Audibert e Lussanës, Konteshë e Massilan. Në 1786-ën ata patën një djalë, Edward James Stuart, konti i Albany - dhe stërgjysh i Lafosse/Stuart. Ai u bë një qytetar britanik gjatë viteve '90, u vendos me shtëpi në Edinburg dhe shkroi një libër "Monarkia e harruar e Skocisë", i publikuar në 1998. Megjithatë në 2002-in, autoritetet në Bruksel zbuluan se ai kishte falsifikuar certifikatën e lindjes që i quante prindërit e tij si Gustave Lafosse de Chatry, Baroni i pestë i Chatry dhe Princesha Renee Julienne Stewart dhe ai ishte në fakt djali i Gustave Lafosse, tregtar dhe Renee Julienne Dee, e punësuar në biznes. Ky zbulim komprometoi vlefshmërinë e shtetësisë britanike dhe thuhet se ai do të duhet të kthehet në Belgjikë.
Princi i fronit të Etiopisë
Nipi 57-vjeçar i Perandorit Haile Selassie shkoi në Eton dhe ishte në Oxford kur kolapsoi monarkia etiopiane. Ai qëndroi në Britani duke përfunduar studimet në Cambridge. Pas një kufizimi në fushën e bankave në SHBA, ai u kthye në Britani për të qenë afër prindërve dhe jetoi një kohë në Mançester. Ai është i divorcuar me një vajzë dhe që nga vdekja e të atit ka qenë zyrtari mbretëror i Etiopisë dhe jeton një pjesë të vitit në Addis Ababa.
Sulltani i Zanzibarit
Në 1963, një grup ishujsh përrallorë të bregdetit të Tanzanisë morën pavarësinë nga Britania si një monarki konstitucionale nën Sulltanin Jamshid bin Abdullah, që ishte në fron për tre vjet. Ai u rrëzua vetëm një muaj më vonë dhe iku në ekzil në Britani, ku qëndron edhe ditët e sotme në moshën 82-vjeçare. Jeton në Portsmouth me gruan dhe gjashtë fëmijët e tyre.

Eqerem Gaxholli, Njeriu që di sekretet e vizitës së Ramiz Alisë në Nju Jork

Ylli Polovina

Për lexuesin e rregullt të librave historikë, por edhe të shtypit të përditshëm, nuk ka asgjë të fshehtë, e jo më të paditur për të vetmen vizitë që ka kryer në Nju Jork Ramiz Alia. Kjo ka ndodhur në fund të shtatorit 1990. Ai qe njëkohësisht sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, çfarë do të thoshte një post i ngjashëm me atë të presidentit të vendit. Në SHBA, Alia shkoi jo sepse qe i ftuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pra nga qeveria e vendit, por nga që do të merrte pjesë në sesionin e radhës të Kombeve të Bashkuara. Doemos që të dy nivelet e vizitës nuk janë të barasvlershme. Në Pallatin e Qelqtë të vendosur në qytetin e Nju Jorkut, mund të vijë edhe kryetari i një delegacioni, shteti i të cilit nuk ka marrëdhënie diplomatike me Uashingtonin. OKB bashkon të gjitha vendet e botës dhe në këtë përzgjedhje të saj nuk ka asnjë kriter politik.
E kryer në rrethana, kur, pas shembjes gjatë vitit 1989, të të gjitha shteteve komuniste të Evropës Lindore, pritej ndryshimi edhe në Shqipëri, ajo vizitë ka qenë përherë e interpretuar, e shumëdiskutuar, e përfolur, e akuzuar nga disa dhe e mburrur prej të tjerëve. Duke mos qenë realisht shumë “lëmsh”, por e bërë e tillë, kjo vëmendje për të do të vijojë edhe në të ardhmen, veçanërisht, për një çudi të logjikës, e shtyrë prej ndërlikuesve të saj. Në depërtimin tonë me këtë shkrim, i veçantë është (mbase) “fija” që kemi kapur. E ka emrin Eqerem Gaxholli. Atë kohë qe sekretar i parë në Misionin e Përhershëm Shqiptar pranë OKB-së. Kjo do të thotë se formalisht kryente detyra diplomatike. Megjithatë duhet të saktësojmë: 45-vjeçari që vinte aty prej përvojave në dy kryeqytete të tjera, Bupapesti dhe Parisi, ishte i kamufluar në këtë rol. Realisht qe zbulues, pra i shërbimit të fshehtë, “inteligjent” siç thuhet në vendet e kohët tona moderne. Madje ishte shef i këtij sektori. I themi këto për t’ju dhënë besimin se ato që ai dëshmon i ka parë nga këndi i vet, prej andej ku gjërat për të cilat ka fshehuri e të vërteta të pabëra publike, kur hapen për opinionin zhvishen nga misteri. Kështu bëhen të thjeshta, por edhe interesante.
Por para se të nisim rrëfimin mbi ditët njujorkeze të Ramiz Alisë do të qëndrojmë disa çaste mbi vetë Eqerem Gaxhollin. Ai, një muaj më parë, publikoi të përkthyer nga frëngjishtja librin “Kujtime” të Joakim Von Ribentrop, ministrit të Jashtëm të fashizmit gjerman. Titulli origjinal nga shtëpia botuese parisiane e ka pasur “Nga Londra në Moskë”, kurse simotra e saj modeste në Tiranë i ka vënë togun e fjalëve “Planet e Hitlerit për Ballkanin”. Ndërkohë ky kënd vetrrëfimi dhe analize i Ribentropit, zë në libër një vend modest. Ndoshta më mirë kështu për ta kuptuar më qartë nazizmin si fenomen global, me pasoja jo në një rajon si gadishulli ynë, por brenda gjithë kontinentit tonë e përtej tij. Për një ende nevojë, por edhe paragjykim politik, tek ne botohen shumë libra për diktaturat komuniste (të “majta”) dhe fare pak ose aspak për ato fashiste (të “djathta”). Kjo ka krijuar një boshllëk të madh në dijet e shoqërisë shqiptare në tranzicion, si edhe mjaft hapësirë për paqartësi. Një letërsi njohëse edhe për fashizmin do të ndihmonte për të kuptuar një gjë, të cilën duhet ta ngulitim mirë në mendje: komunizmi dhe fashizmi qenë pjellë të njëra-tjetrës, dy faqe të së njëjtës “medalje”, tiranisë së egër mbi njeriun.
Joachim Von
Ribentrop
Ndërsa po bën gati zgjedhjen të përkthejë një libër për De Golin apo Robespjerrin, kryerevolucionarin e madh radikal francez, pyetja përse këtë herë të parë zgjodhi Joachim von Ribentrop, kur njeh nga afër Eqeremin e di që veprimi i tij vjen prej një mendjeje të shëndoshë dhe të kultivuar. Në mes të viteve shtatëdhjetë ai përfundoi në kryeqytetin francez specializimin pranë Institutit të profesorëve të Frëngjishtes për të Huaj, Sorbona e Re. Në bibliotekën e tij, ku mbizotëron letërsia dhe në krye rri Hygo, Balzak, Gogol apo Kadare, nuk mungon as dijetari i reformimit demokratik të njeriut dhe shoqërisë Zhan Zhak Ruso. Pse përzgjodhi Joachim von Ribentrop e shpjegon edhe prof.dr. Adem Mezini, i cili librit të kujtimeve të ministrit të Jashtëm nazist i ka bërë një hyrje promovuese. Pasi thotë se Ribentrop zotëronte mjaft gjuhë të huaja, kishte disiplinën e oficerit gjerman junker, njihte thellë problemet e biznesit dhe sekretet e diplomacisë, saktëson: “Ai nuk i kuptoi asnjëherë vlerat e lirisë dhe të demokracisë dhe të gjithë energjinë e vuri në shërbim të totalitarizmit”.
Duke përjetuar komunizmin real, shumë nga ne, pamë se si njerëz të tillë pati edhe në Shqipëri. Shpesh nuk ka rëndësi kultura e mendjes, por ajo e shpirtit. Para se të kompletohet në ndërgjegje doktrina për lirinë formohet në zemrën e njeriut. Libri i përkthyer nga Eqerem Gaxholli nuk e ka redaktuar tekstin e përkushtimit, të cilin para se të dënohej dhe ekzekutohej me varje, tek sapo kishte përfunduar në dorëshkrim kujtimet e tij, Von Ribentrop në 23 shtator 1946, la me shkrim porosinë që kur të botoheshin të kishte në çelje të tyre fjalinë “Për bashkëshorten time të paepur, të cilën e doja mbi gjithçka”. Në fund të librit nuk mungon edhe një minialbum fotosh, njëra prej të cilave është me pamjen e tij të pajetë, kryer menjëherë pasi e kanë hequr nga litari i varur, ku dha shpirt. Ky ishte fundi logjik i bëmës së tij politike, nënvizon çdo logjikë e ftohtë. Gjyqi i Nurembergut e kishte dënuar si armik të njerëzimit, të lirisë dhe të pavarësisë së popujve.
Leximi i këtij libri është i nevojshëm për të kuptuar se mund t’i biesh edhe violinës, siç me pasion e bënte Von Ribentrop, mund të kishe kaluar gjysmën e jetës në kështjellat e demokracisë e të Perëndimit si Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç edhe Joachimit i ndodhi, dhe mund të mbetesh kundërshtar i lirisë. Në pranverë të vitit 1942, pas një përplasje të fortë pikëpamjesh me Hitlerin i kërkoi dorëheqjen, por gjithsesi, më pas iu bind shefit të tij për të ndenjur në post deri në fund të luftës. Kështu u bë edhe më shumë bashkëpunëtor në krimin e madh kundër njerëzimit. “Është e vërtetë, - pohon Ribentrop, - se kurrë nuk kam komplotuar ndaj Fyhrerit; me të u tregova i ndershëm deri në fund, në ushtrimin e funksioneve që kisha dhe i qëndrova besnik Adolf Hitlerit”.
Duke lexuar këtë libër, sidomos për atë që nuk njeh hollësi të mjaftueshme nga dy ideologjitë totalitare të shekullit të shkuar, fashizmi dhe komunizmi, bëhet shumë e qartë se nazizmi ishte ideal politik socialist, saktësisht “nacional socialist”. Jo vetëm Lenini dhe Stalini, por edhe perandoria e madhe realkomuniste e krijuar pas luftës së dytë botërore thirrej “kampi socialist”. Edhe pse të dy ideologjitë kanë mes njëra-tjetrës disa ndryshime dhe socialkomunizmi përgjithësisht nuk provokoi ndonjë luftë botërore, siç bëri nacionalsocializmi hitlerian dhe musolinian, thelbi qe i po ai. Papajtueshmërinë, që të dy palët shfaqnin ndaj njëri-tjetrit e kishin sepse qenë të njëjtë. Në paktin mes Stalinit dhe Hitlerit, i quajtur Molotov-Ribentrop, thuhet qartë se të dy vendet i bashkon lufta kundër Perëndimit dhe demokracive borgjeze.
Në librin e kujtimeve të të dënuarit me vdekje nga gjykata ndërkombëtare Nurembergut e citon Shqipërinë vëmendshëm vetëm në një rast: “Një episod i veçantë u shënua përpara se Çiano të largohej (sapo kishin bërë të dy bisedime, 12-13 gusht 1939, në Berchtesgarden-shënimi ynë). Më kishte ftuar për gjueti të rosave të egra në Shqipëri. Duke u ndarë në platformën e trenit, iu përgjigja se e pranoja me gjithë dëshirë ftesën e tij, por për vjeshtën e ardhshme. Atëherë Çiano mu përgjigj: “Besoni se do kemi ende kohë? Për aq sa më tha Fyhreri, kam frikë se deri atëherë me siguri do bëjmë gjueti të ndryshme nga ajo e rosave!” Do të bënin atë të njerëzve, kriminelë siç qenë bashkë me ideologjinë e tyre.
Ramiz Alia
Emrin e tij, bashkëngjitur me atë të Ribentrop, nuk po e vendosim për t’i afruar e bërë që, për nga sjellja politike, të rrinë bashkë. Është e kundërta: një mënyrë për t’i mbajtur larg. Ideologjia e të dyve, e ngjashme në themelin e vet, nuk mund të ketë aq forcë sa t’i bëjë edhe të të njëjtë. Ribentrop vdiq i penduar për disa gabime, por jo për themeloren: fajin e projektit të tij nacionalsocialist, mbështetjen e plotë për diktaturën naziste dhe masakrën globale mbi miliona njerëz të pafajshëm. Ramiz Alia gjatë përmbysjes së nacionalkomunizmit shqiptar pati kthjelltësinë të pranojë imponimin e rrethanave. Ai u bashkua me ndryshimin e sistemit shoqëror dhe nuk priu asnjë kundërvënie. President i parë i një Shqipërie pluraliste, edhe pse më pas nuk pati forcë ta braktiste tërësisht doktrinën enveriste, por u mjaftua me disa kritika periferike të saj, gjithsesi tashmë ka dy dekada që dëshmon sjellje personale demokratike.
Por më shumë se kjo arsye politike, në këtë “urë” që po hedhim midis ditëve njujorkeze të Ramiz Alisë dhe librit të kujtimeve të Von Ribentropit është Eqerem Gaxholli. Duhet thënë se këto ditë të dikur presidentit tonë kanë hyrë, përveç në kolonat e shtypit të përditshëm dhe të ndonjë debati, edhe në një lloj letërsie publicistike më fine. Ka tashmë një cikël rrëfimesh të kryeredaktorit të gazetës “Albanian Daily Neës” Genc Mlloja, atë kohë në Nju Jork diplomat profesionist dhe pothuaj figura dy e Misionit.
Edhe ne do të mbetemi tek ky interes letrar dhe historik, aspak më tej. Gjithçka që është thelbësore dhe shkurtimisht do të thuhet më poshtë ka konfirmim dokumentar arkivor, i kryer posaçërisht nga autori i këtij shkrimi. Duke mbetur në rrëfim me dëshmitar kryesor Eqerem Gaxhollin, një pjesë tjetër nuk e ka atë burim informacioni. Kanë kaluar dy dekada dhe kujtesa njerëzore, të paktën për data, shifra dhe fjalë të shqiptuara, pëson kufizimet e veta.
Ramiz Alia zbriti në Nju Jork në 27 shtator 1990. Aeroporti qe “John F. Kenedy”, më i madhi i qytetit. Do të merrte pjesë në sesionin e 45-të të Kombeve të Bashkuara, çfarë do të thoshte se ai kryhej në jubileun e dyzetë e pesë të asaj organizate botërore. Punimet kishin nisur në 19 shtator. Tema kryesore e debatit të përgjithshëm qe çështja e të drejtave të njeriut dhe e lirive themelore. Në librin e tij “Jeta ime”, botuar muajt e fundit, Alia shkruan se fjalimin e ka mbajtur pikërisht këtë ditë, 27 shtator. Dokumentet arkivore thonë se kjo ka ndodhur të nesërmen, madje pasdite, seancë që do të paraprinte me përfaqësuesit e Ruandës, Jugosllavisë, Venezuelës, Nigerisë dhe Indisë. Megjithatë të mos harrojmë se mes kohës së Tiranës dhe asaj të Nju Jorkut ka një distancë prej gjashtë orësh dhe një shkujdesje e vogël në çdo raportim zyrtar apo veprim kujtese mund ta shkaktojë pa dashje ngatërresën formale deri në një ditë.
Para se ish-sekretari i parë i PPSh-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të zbriste nga avioni pati ardhur aty një ekip nga televizioni i vetëm shqiptar. Kishte në krye Alfons Gurashin. Do të filmohej vizita si edhe i gjithë fjalimi që do të mbante. Me median, Misioni i Përhershëm Shqiptar pati punuar posaçërisht. Sipas Eqerem Gaxhollit disa muaj më parë, me një kontribut financiar bashkëkombësish prej 10.000 dollarësh ishte siguruar një hapësirë jo e vogël në të përditshmen e madhe “The Neë Jork Times”. Kolona e gjatë fliste për reformat që kishin nisur në Shqipëri. E lexuar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në të gjithë botën, ai shkrim përhapi bindjen se Alia dhe vendi nën drejtimin e tij po i jepnin fund regjimit komunist dhe po hapeshin ndaj sistemit shoqëror perëndimor. Në Nju Jork dhe në të gjitha qytetet amerikane ku gjallëronte diaspora antikomuniste, deri atë kohë mjaft aktive për ta nëmur pasuesin e Enver Hoxhës, nisi të krijohej bindja që të paktën taktikisht Ramiz Alia duhej nxitur ta çonte gjer në fund misionin e tij tranzitor dhe kur ky të mbaronte, duke e hequr nga skena politike, kundërkomunistët ta kishin më të lehtë rrugën e transformim demokratik të vendit. Kjo qe fryma e tyre edhe në atë shtator 1990. Sigurisht kjo diasporë nuk e dinte që në një material të brendshëm në Tiranë, i datës 27 korrik, në kapitullin me titull “Synimet dhe objektivat e reaksionit ndërkombëtar nuk kanë ndryshuar në thelb”, thuhej “Ngjarjet e fundit në Evropë, në Amerikën Latine e gjetkë lënë të kuptohet se veprohet në bazë të një skenari të paracaktuar e të koordinuar kundër socializmit, pavarësisë dhe interesave të popujve, në veçanti të vendeve në zhvillim”. Ata nuk e dinin as atëherë, por shumë edhe sot, se në këtë analizë, në pikën e tretë, kur flitej për diskutimin e pritshëm të Ramiz Alisë në OKB, propozohej “Fjalimet tona të jenë të moderuara”. Në një paragraf tjetër nuk mungonte edhe ideja se “Para sesionit është e domosdoshme nga vendi ynë të ndërmerren një sërë veprimesh diplomatike në drejtim të vendeve perëndimore, të SHBA e të fqinjëve. Të zhvillohen takime e bisedime në nivele të ndryshme”.
Misioni i Përhershëm në Nju Jork, në kushtet e mosmarrëdhënieve diplomatike me ShBA-në, duke qenë e vetmja përfaqësi e Shqipërisë, kishte kryer disa gjeste hapjeje. Një grup i të emigruarve, pjesëmarrës në formacione politike të djathta dhe mospajtuese me komunizmin, që nga “Legaliteti”, “Balli Kombëtar”, “Heroizma Shqiptare” dhe “Blloku Indipendent”, por të cilët ndërkohë nuk kishin probleme me drejtësinë politike të Tiranës, u lejuan të vizitojnë atdheun e tyre. Sipas Gaxhollit vizat hyrëse i morën në ambasadën tonë në Romë. Në Shqipëri ndenjën sa deshën dhe nuk krijuan asnjë problem. Kur u rikthyen, jo pak folën mirë për mundësinë e atdheut të tyre për të dalë nga regjimi i ashpër komunist. Në informacionet që Eqeremi mblodhi binte në sy se qenë entuziastë që “brenda vendit pamë vetëm shqiptarë dhe nuk kishte këmbë rusi”. I kujtojmë lexuesit se jo vetëm atëherë, por edhe tani një nga parimet themelore të diasporës tonë në ShBA është “Ta duam Shqipërinë nëpërmjet Amerikës”.
Për masat e pritjes e qëndrimit të Ramiz Alisë në Nju Jork bashkë me një koleg diplomat karriere, në 11 shtator paradite u takuan me zëvendës ambasadorin amerikan në OKB. Pritja qe e ngrohtë dhe shumë e hapët. “Për sigurimin e tij do të përgjigjet shteti amerikan”, tha tjetri. Nuk vuri asnjë kufizim territori. Më parë, në dekada të tëra, për diplomatët shqiptarë dhe delegacionet e ardhura nga Tirana, vepronte i gjithëfuqishëm një rreth kufizues prej 40 kilometrash. Në rast se do ta kapërceje duhej të kërkoje leje me shkrim, çka nuk përfundonte vazhdimisht me pëlqim. Kishte disa muaj që shefi i Misionit Bashkim Pitarka punonte intensivisht për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Ndërkohë pika ndërmjetëse mes Tiranës dhe Uashingtonit, Misioni i Përhershëm i ShBA-së pranë OKB-së, drejtohej prej një diplomati i talentuar dhe dashamirës, Thomas R. Pickering. Më pas, në administratën e Bill Klintonit, ai do të bëhej deri edhe nënsekretar i Shtetit dhe Ollbrajt në “Time Magazine” do ta quante “gjenerali me pesë yje i trupës tonë diplomatike”.
Gaxholli pranon se për çështjen e sigurisë së Ramiz Alisë nga shefat e profilit të tij në Tiranë, për herë të parë nuk mori asnjë udhëzim. Ndërkohë dokumentohet se në 30 gusht 1990 urdhri ka qenë i prerë: “Alia të banojë në Mision, kati i dytë, apartamenti i posaçëm plus apartamenti i ambasadorit. Ky të kalojë tek apartamenti bosh”. Porse në 3 shtator gjërat ndryshuan rrënjësisht. Jo vetëm do të sistemohej në një hotel, por edhe “Jemi dakord që presidenti të lëvizë me makinën që do të vënë në dispozicion amerikanët”. Kështu Eqerem Gaxholli për sigurinë e kryetarit të shtetit veproi me iniciativë, për aq hapësirë sa i lejonte pala vendase. Për ruajtje fizike nuk u krijua asnjë grup paralel personash. Disa ditë para se Ramiz Alia të zbriste në aeroportin “John F. Kenedy” një bashkëkombës nga Kosova i dha një jelek antiplumb shumë cilësor, por Eqeremi jo vetëm nuk ja dha presidentit, por as ia përmendi ndonjëherë. Pasi rreth drekës zbriti nga avioni dhe kaloi pikën doganore, në hollin e madh, Alinë e pritën rreth njëqind e pesëdhjetë shqiptarë. Qe edhe Antony Athanas. Kishin vendosur në thile të xhaketave flamurin kombëtar.
Sapo doli nga ndërtesa e aeroportit, e morën në dorëzim amerikanët. Qenë dukshëm tre agjentë dhe dy makina. Përveç Ramiz Alisë, në të parën u vendos edhe ambasadori Pitarka. Shoferi kishte ardhur posaçërisht nga Tirana dhe e njihte shumë mirë Nju Jorkun. Njëri agjent amerikan u vendos në ndenjësen e parë, i dyti në makinën e dytë. I treti pati kontrolluar me kohë mjedisin përreth. Bashkë me ministrin e Jashtëm shqiptar, Reiz Malile dhe pjesën tjetër të delegacionit u vendosën në Hotel Platza, një kat i tërë. Në një nga dhomat e tij rrinin ditë-natë truprojat vendase. Shumë nga takimet Ramiz Alia i kreu në këtë hotel, por edhe në mjedise të Pallatit të Qelqtë. Qe presidenti turk Turgut Ozal, ministri i jashtëm rus Shevarnadze, ai kinez, Armand Hammer, drejtor i Përgjithshëm i kompanisë gjigande “Oksidental Petroleum”, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Perez de Kuelar...Në kohën e lirë vizitoi Muzeun Metropolitan, Rokfeler Center, Central Park, Park Avenue, portin e Nju Jorkut.
Në fjalimin që mbajti në debat kishte disa paragrafë shumë të forta për Kosovën. “Aktualisht”, tha Ramiz Alia, “një nga problemet më të mprehtë dhe më shqetësues në Ballkan, është ai i shqiptarëve në Jugosllavi, ndaj të cilëve qeveria e Serbisë po ndjek një politikë të hapur gjenocidi”. Më pas “Në Kosovë dhe në vise të tjera të Jugosllavisë ku jetojnë shqiptarët, po bëhen krime, të cilat edhe në mesjetën e errët do të ishin të shëmtuar”. Ato u duartrokitën fort nga lozha, në të cilën ndodheshin shqiptarë, mes tyre, sipas një informacioni të mbyllur dokumentar, duhet të ketë qenë edhe Ibrahim Rugova. Po sipas këtij burimi, edhe pse pala shqiptare kërkoi ta takonte, ky u shmang. Në Nju Jork Alia nuk pati asnjë incident, nuk pësoi asnjë provokacion, madje në Mision nuk u bë as edhe ndonjë telefonatë me vetëm fjalë kundërshtuese. Para Hotel Platza vorioepirotë, jo më shumë se njëqind vetë sipas arkivave, më pak sipas Eqerem Gaxhollit, demonstruan. Antikomunistët po ashtu dy herë, para Misionit dhe Pallatit të Qelqtë. Sipas dokumenteve arkivorë kanë qenë deri njëzetë vetë, sipas Gaxhollit diçka më shumë. Prej tij siguruam edhe fotografi që e vërtetonin. E shumta dy duzina prej vorioepirotësh protestuan edhe në restorantin “Pier 4”, të Antony Athanas në Boston, në buzë të oqeanit, por i largoi policia amerikane. Para se të vinte këtu në 1 tetor Ramiz Alia kishte vizituar kishën e “Shën Gjergjit” dhe varrin e Fan Nolit. Pati grisur edhe një fjalim të bërë nga ndihmësit e tij, duke u thënë se “këtu nuk jemi në Komitetin Qendror, por mes bashkëkombësish”. Dhe mbajti një që e përgatiti vetë, duke tërhequr duartrokitjet e mbi dyqind pjesëmarrësve. Sidomos ku tha se nuk qe kundër pasurisë. Kaq donin shqiptaro-amerikanët! Pastaj shkoi tavolinë më tavolinë, duke trokitur gotat. Iku drejt Evropës, aeroportit të Zyrihut, po atë ditë, me një avion të orës 22.30.
Thashethemet e ndoqën shumë shpejt. Në vitin 1991, në Boston, flitej se vorioepirotët të zemëruar për ta prishur darkën e tij në “Pier 4” do ta sulmonin me një anije nga deti. Mburreshin ende me dështimin e tyre. Në Nju Jork vazhdojnë edhe sot, pse jo edhe në Tiranë, fjalënaja për dy orë në të cilat është zhdukur nga Hotel Platza, vëmendja e të gjithëve, dhe ka kryer një takim sekret, misterioz. Po ashtu në disa gazeta është shkruar sikur në manifestimin e dytë protestuesit antikomunistë janë përleshur shumë dhunshëm me grupin e shqiptarëve simpatizantë të Ramiz Alisë, që dolën nga salla pas fjalimit të tij. Madje kacafytja ka qenë kaq e përgjakshme sa mezi u fashit nga forca të mëdha policie. Gjithë këtë zallamahi të fantazuar e gjen sot në një informacion me fjalët “...para Misionit u grumbulluan rreth 15 vetë, flisnin më shumë anglisht. Ishin gra, kishin edhe pankarta. I organizonte një burrë i veshur me tuta, të cilin në Mision e njihnim kush ishte. Ai vinte dhe ikte, u sillte koka kola. Një apo dy gra me pëllëmbët e gishtat e mëdhenj një herë lart dhe njëherë poshtë thërritnin “Poshtë Ramiz Alia!”...Pastaj këtë refren nisën edhe ta këndonin... Nuk manifestuan më shumë se 15 minuta. Që në fillim policia i largoi, i shtyu përtej fasadës së Misionit...”.
Sipas një legjende këtë ditë Ramiz Alia u largua nga Pallati i Qelqtë me një helikopter?!

Ylli Polovina
Tiranë, më 24 mars 2011

Sunday, April 3, 2011

Ina Rama kalon natën në pub “Whiskey” në ish-Bllok

Ina Rama

Tiranë, 2 Prill 2011 NOA – Këtë të premte prag fundjave, Ina Rama ka vendosur të qëndrojë më në fund jashtë vorbullës së punëve pa fund në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ndaj ka vendosur të kalojë një natë ndryshe në një nga lokalet më trendy dhe më të preferuara për jetën e natës në ish-Bllok.

Për orë të tëra, Prokurorja e Përgjithshme e Republikës, në shoqëri të ngushtë të disa shoqeve e kolegeve të punës, ka qëndruar në pub “Whiskey” që gjendet pranë “Metropolitan” në zemër të ish-Bllokut.

Me një sharm që thuajse gjithmonë e karakterizon, por edhe me thjeshtësinë e një gruaje të re dhe tërheqëse, Ina Rama ka kaluar orë të këndshme argëtuese duke shikuar kokteilet e pub-it të njohur.

Këtë natë, ashtu si thuajse të gjitha fundjavat, pub-i “Whiskey” ishte i mbushur plot e përplot me klientë dhe mes tyre, aty në fund, në një tavolinë të vogël pranë dritares, ka qëndruar Prokurorja e Republikës

Nën ritmet e muzikës më të fundit shoqëruar me pamje në ekranë videoprojektori, Ina Rama ka kërcyer gjatë gjithë kohës në shoqërinë e shoqeve të saj.

Ndërsa jashtë lokalit, qëndronin të paktën tre badigardë pa llogaritur dhe disa të tjerë që vëzhgonin me kujdes por pa rënë shumë në sy, çdo lëvizje në pub “Whiskey”, sigurisht duke respektuar procedurën për të krijuar siguri optimale për Prokuroren e Republikës.

Kështu, të paktën për një natë të vetme, Ina Rama ka dashur të qëndrojë larg rrëmujës së përplasjeve politike, akuzave pa fund dhe çështjeve të pazgjidhura, të bëra “kapul” në Prokurorinë e Përgjithshme.

E sigurisht nëse fundjava mund të jetë e qetë për shkak se janë ditë pushimi zyrtar, e hëna do ta kthejë sërish në zyrën e kryeprokurores Ina Ramën, për t’u marrë me çështjet e nxehta që ende presin përgjigje, sidomos ajo e “21 janarit”…

e.t/NOA

। ALBDREAMS

Ja pritshmëritë tona në Eurosong


Aurela Gaçe, më 10 maj në ”Eurosong”, flasin autorët e këngës, Shpëtim Saraçi dhe Sokol Marsi. “Kënga ime” sepse Aurela Gaçe i këndon pasionit me të cilin këndon në skenë. Më 10 maj do të ngjitet në skenën e Festivalit të 56-të Europian të Këngës, që mbahet në Dyseldorf të Gjermanisë dhe shumë janë kureshtarë të shohin performancën e saj. Por, pas publikimit të klipit me titullin “Feel the passion”, nuk kanë munguar komentet pozitive dhe negative në lidhje me këtë realizim.Kompozitori Shpëtim Saraçi dhe autori i vargjeve, Sokol Marsi, u japin përgjigje komenteve dhe pritshmërisë që kanë ata për suksesin e “Kënga ime” mes 43 pjesëmarrësve nga Europa.
Kompozitori Shpëtim Saraçi

Aurela ka pohuar se në fillim kënga tingëllon me motive nga Jugu, pastaj në notat e shpërthimit kalon nga Veriu. Ka qenë në qëllimet e tua për të bërë një këngë puro shqiptare ku të përfshihen Veri dhe Jug?

“Kënga ime”, që tashmë në versionin përfundimtar të saj ka marrë titullin “Feel the passion” dhe që përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Europian, ka pasur që në fillimet e bisedimeve për të marrë pjesë në Festivalin e RTSH-së në idetë tona (të miat, Kol Marsit dhe Aurelës), si synim që të shprehë sa më qartë pasionin që vetë Aurela ka kur këndon. Dhe të gjithë e dimë shumë mirë pasionin me të cilin ajo këndon gjithçka, por sidomos temat e shkëlqyera të muzikës sonë popullore. Vitin e kaluar kam pasur fatin të isha prezent gjatë netëve finale të Eurosong-ut në Oslo. Aty pashë se ajo festë është vërtet aq e bukur, edhe për faktin që aty gërshetohen shumë larmishëm kultura, frymëzime e emocione nga të gjitha vendet e Europës. Sigurisht që kjo gjë më ngacmoi dhe ishte një shtysë më shumë që të mbështetesha te motivet tona kombëtare, aq të bukura dhe aq të pasura.
Duket se pa dashur, në media kënga mori nota gjeografike, brenda së cilës u fut edhe Çamëria… Në fakt, duke pasur parasysh që vargjet i kushtohen pasionit për këngën, ka vend për komente të tilla?

Sigurisht që ne bëjmë muzikë dhe motivet, të cilat na frymëzuan, jua shpjegova me sipër. Ne, ashtu si Turqia, Greqia, Serbia etj. shkojnë në “Eurosong” me motivet e tyre të qarta e të bukura dhe arrijnë të jenë të suksesshme, ashtu edhe ne nuk kemi pse të tërhiqemi nga muzika jonë aq e bukur.

Duke pasur parasysh që në “Eurovizion” duhet shkuar me një këngë që i përshtatet këtij festivali, ju çfarë keni pasur parasysh në realizimin e “Kënga ime”?

Natyrisht, përveç këngës, e cila qysh nga dhjetori fitoi në festivalin e RTSH-së çmimin e parë dhe të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong, ajo çfarë kemi pasur dëshirë ka qenë një realizim sa më dinjitoz në studio me standarde ndërkombëtare. Kjo gjë tashmë u bë realitet. Ne e kemi realizuar këngën në “VILLAGE STUDIOS” në Los Anxhelos, një studio e famshme në të cilën janë realizuar qindra hite ndërkombëtare, bashkëpunim që u bë i mundur me ndihmën e Aldo Shllakut, të cilin e falënderojmë. E dyta, por jo më pak e rëndësishme, ka qenë teksti.

Komente ka pasur edhe për variantin anglisht të këngës. Shumë shqiptarë do të kishin dashur ta dëgjonin këngën shqip…

Ne vendosëm si grup që kënga të këndohej në anglisht, në mënyrë që të kuptohej nga audienca europiane sa më shumë. Dhe ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë për t’u marrë. Megjithatë, jemi shumë të lumtur që në pjesën kulmore të këngës i kemi lënë fjalët siç i ka teksti origjinal në shqip. Sigurisht që për përkthimin dua të falënderoj ndihmën e June Taylor Myftarit. Garant i realizimit me kualitet të lartë ka qenë një emër i Radio-Televizionit Shqiptar, me drejtimin e z. Petrit Beci.
A keni një pritshmëri të suksesit të këngës suaj, e shihni këngën në 10-she?

Konkurrenca qysh në natën gjysmëfinale është jashtëzakonisht e fortë. Ju kujtoj që konkurrojmë me Rusinë, Turqinë, Serbinë, Greqinë, Zvicrën e shumë vende të tjera, që përveç traditës, edhe e kanë fituar Eurosong-un. Ajo që themi me garanci është përkushtimi i grupit të realizimit të këngës, që është në maksimum. Sigurisht që na duhet edhe përkrahja, qoftë edhe emocionale, e publikut tonë të mrekullueshëm. Për ne është shumë e rëndësishme dhe s’mbetet tjetër veç t’i urojmë fat dhe sukses “Këngës sonë” në këtë përfaqësim.

Autori i tekstit, Sokol Marsi

Vargjet e këngës i kushtohen pasionit për muzikën. Mendoni se është një motiv ku do ta gjejnë veten të gjithë?

Sigurisht, mesazhi dhe fabula e këngës është sa personale, aq dhe universale. Çdo dëgjues, kur e dëgjon, mund ta quajë atë të vetën. Melodia e një kënge mund të këndohet dhe të përçojë të njëjtin mesazh, duke u kënduar në çdo gjuhë të botës.

Ka pasur komente negative për variantin e këngës në anglisht, duke e cilësuar më mirë performancën në variantin shqip. Cili do të ishte komenti juaj?

Në rastin ku mund të ketë pasur komente negative për variantin e përkthyer në anglisht, mendoj se do të jetë ajo pjesë e publikut, të cilët me të quajturit nacional, kërkojnë që gjithçka kënga të jetë në shqip. Është preferencë e tyre dhe s’mund ta kundërshtoj, por përgjigjen do ta jepja nëpërmjet vargjeve të mia. “Zot që këngën ma ke fal, më lër ta ndaj, nuk ka ngjyrë e nuk ka fjalë, muret s’e mbajnë…”.
Cila është pritshmëria juaj për këngën dhe a e shihni atë në 10-she?

Populli thotë: Në rast se në “luftë” nisesh për të humbur, më mirë mos shko fare. Ne shkojmë në Dyseldorf për të dhënë më të mirën tonë dhe për t’i bërë shqiptarët të ndihen sa më krenarë, por kjo s’varet vetëm nga ne. Unë di të them se jemi përgatitur shumë seriozisht. Për mua personalisht, në të tilla evinimente rëndësi ka më shumë prezantimi dinjitoz, sesa renditja në shifra. Por mos ma merrni për modesti, kjo s’do të thotë që s’pretendojmë një renditje të mirë.

Shkodër, shkolla e Veterinarisë në gjendje të mjeruar


Shkodër, shkolla e Veterinarisë në gjendje të mjeruarSHKODËR- Shkolla 9 –vjecare profesionale “Veterinare" e vetmja në veri të Shqipërisë, rrezikon të dalë jashtë funksionit, pasi gjendja e saj është tejet e amortizuar. E ndodhur në lagjen periferike të Shkodrës Kiras, në pamje të parë ajo ngjason me një godinë të braktisur prej vitesh dhe jo si ambient ku zhvillohen 6 orë mësimi cdo ditë.
Përvec suvasë së rënë dhe mureve të cara në të gjitha anët e saj, aty mungojnë dyert dhe dritaret rrjedhimisht edhe mësimi zhvillohet në kushte tepër të vështira.

Në kohë me shi e gjithë lagështira futet brenda duke e bërë të pamundur zhvillimin e orëve të mësimit në ditë të tilla, pasi mungojnë dhe kushtet më minimale. I pyetur nga NEWS24 drejtori i shkollës Salvator Kici shprehet se kushtet e kësaj shkolle janë tepër të vështira.

“Për sa i përket rikonstruksionit të shkollës jemi në pritje, pasi është një domosdoshmëri. Për sa i përket plehrave para shkollës, duhet larguar kazanet që të ikin dhe plehrat. Ka shumë vjet që shkolla është në këtë gjendje”,u shpreh drejtori

Drejtori i shkollës, i bën apel shtetit që të vërë dorë pasi në të kundërt shkolla rrezikon të mbyllet për shkak të numrit të nxënësve, i cili cdo vit është dhe më i ulët.

Shkolla “Veterinare” i ka hapur për herë të parë dyert e saj në vitin 1950. Para viteve 1990 këtu kanë studiuar rreth 1100 nxënës, si dhe janë zhvilluar 4 degë të ndryshme. Aktualisht, në këtë shkollë profesionale studiojnë vetëm 94 nxënës nga veriu i vendit.

Saturday, April 2, 2011

Ali Pashai, miqësi me murgun grek Shën Kozma


Historia ka dokumentuar një miqësi të pazakontë dhe të habitshme mes shqiptarit të njohur e një murgu grek...Në kohët tona jemi mësuar të dëgjojmë apo edhe të imagjinojmë për plane të errëta, që fqinjët grekë kurdisin në kurrizin tonë.

Por, shkuar në kohëra të largëta, historia ka dokumentuar një miqësi të pazakontë e të habitshme mes shqiptarit shumë të njohur, Ali Pashë Tepelena dhe një murgu grek, të quajtur Shën Kozma.

Historia e miqësisë vazhdon edhe pas vrasjes së klerikut grek, kohë në të cilën Ali Pashai kujdeset që të ndërtojë një kishë në vendin ku u gjet trupi Shën Kozmait, edhe me qëllimin që eshtrat e murgut grek të ruheshin në brendësi të saj.

Kjo kishë, që ruhet e padëmtuar në rrethin e Fierit, gjatë kohës së komunizmit do të priste një vizitë të papritur të disa ministrave të qeverisë Greke, që kryesoheshin nga Karolis Papulias, në këtë kohë Ministër i Jashtëm.

Gjatë vizitës, pas ritualeve që kulmuan me puthjen ceremoniale të eshtrave të Shën Kozmait nga ministrat grekë, këta të fundit në asnjë rast nuk kërkuan kthimin e tyre mbrapsht në Greqi.

Një histori që ka në mes pikëpyetje nga ato që të bëjnë të ndiesh mbërritjen e ndjenjave të nacionalizmit.

50 vite frymë

image

Instrumentat frymorë të shkollës “Prenkë Jakova” në 50 vjetorin , një eveniment i rëndësishëm jo vetëm për shkollën artistike, për qytetin e Shkodrës me tradita të shquara në fushën e artit dhe kulturës, por për të gjithë Shqipërinë dhe hapësirën gjithë shqiptare. Emri i Prenkë Jakovës dhe tradita që ka krijuar ky institucion i ka dhënë shkollës artistike “Prenkë Jakova” përmasa kombëtare

50 vjetori i shkollës artistike “Prenkë Jakova” është një eveniment i rëndësishëm, jo vetëm për shkollën artistike, për qytetin e Shkodrës me tradita të shquara në fushën e artit dhe kulturës, por për të gjithë Shqipërinë dhe hapsirën gjithë shqiptare. Emri i Prenkë Jakovës dhe tradita, që ka krijuar ky institucion, i ka dhënë shkollës artistike “Prenkë Jakova” përmasa kombëtare. Nuk ka qenë e lehtë të krijojhej një institucion edukues dhe kulturor para viteve 90-të, siç është kjo shkollë, që pavarësisht në censurë totale, arriti të shkruajë vetë historinë me nxënësit dhe stafin e saj pedagogjik. Në këtë kontekst instrumentet frymorë, krahas sektorëve të tjerë siç janë harqet, piano, kanto dhe lëndët teorike, kanë patur dhe vazhdojnë të kenë një rol shumë të rëndësishëm në historikun e kësaj shkolle. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe për veglat frymore, të cilat kanë tabanin në Shkodër. Në vitin 1878 Maestro Giovani Canale, italian nga Napoli, krijoi “Bandën e parë muzikore” në 1878, në periudhën e sundimit otoman. Krijimi i kësaj bande shënon edhe fillimin e një “revolucioni” artistik jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë, pasi janë hapat e para, kur Shqipëria e pushtuar kulturalisht po tentonte të ndryshonte gjeopolitikën kulturore, për t`iu bashkuar vendeve të përparuara perëndimore, nga ku kanë lindur dhe janë zhvilluar këto instrumenta. Krijimi i kësaj bande ka një rëndësi jo vetëm artistiko-kulturore, por edhe politike dhe gjeopolotike.

Shkodra, qyteti i Rozafës, qyteti ku është krijuar banda e parë është mirfilli, qyteti i kulturës, i këngës, pikturës, fotografisë, bicikletës së parë, pianos së parë etj, qyteti i filozofisës dhe i humanizmit.

Në Shkodër, arti dhe kultura kanë shtëpinë e vet. Këngët popullore-qytetare shkodrane janë të njohura në të gjithë hapsirën shqiptare për muzikalitetin e tyre arketipial. Shkodra ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm për ndryshimin e paradigmës së të menduarit dhe asaj kulturore.

Krahas muzikës popullore në Shkodër është krijuar edhe opera e parë “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova. Shkodra është e shquar edhe në fushën e artit serioz, muzikës instrumentale dhe vokale serioze. Në Shkodër janë luajtur koncertet e para vokale dhe instrumentale nga artistët e kohës, që në vitet 30-të të shekullit të kaluar.

Krahas figurave të shquara të muzikës në Shkodër si Martin Gjoka, Prenkë Jakova, Tonin Harapi dhe Cesk Zadeja, figura e Palok Kurtit, ish kompozitorit të shquar shkodran, është gjithashtu e lidhur jo vetëm me këngët shkodrane, por ai ka qenë edhe dirigjent bande. Ja si shprehet aktori Lec Shllaku për artistin e madh:

“Me muzikën e Palok Kurtit në Shkodër, në qytetin ma muzikor të Vendit tonë, zu fill muzika e re e popullit shqiptar. Kompozitori i madh i hyni rrugës së lirimit të saj nga landët e hueja të Mesjetës bizantine e t’Orientit. Përsosi e plotësoi ahengun, ngriti bandën e parë frymore e formacionet e para të muzikës së letë e të vallzimit europian, bazë partiturash e instrumentash moderne. Organizoi edhe arsimin muzikor në qytet”. (Lec Shllaku, 2005)

Muzika shkodrane, kultura e saj e naltë, krijimi i bandës së parë muzikore dhe historia e Shkodrës 2400 vjecare, padiskutim janë të lidhuar edhe me hapjen e shkollës artistike “Prenkë Jakova”. Tradita e instrumenatave të frymës që ka pasë Shkodra, ka ndikim e saj edhe tek arritjet e këtyre instrumentave në shkollën artistike.

Por krijimi i shkollës së muzikës pati një rol shumë të rëndësishëm për përhapjen e artit muzikor në përgjithsi dhe përhapjen e instrumenteve frymore në vecanti. Shkolla e muzikës u bë misionarja e përhapjes së artit. Profesorët dhe nxënësat e saj në periudhën para viteve 90-të ishin të parët, që me artin dhe idetë e tyre përhapën idetë liberale, i kënduan ideve të lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë nën një çensurë totalitare.

Viti 1961 është një datë e paharruar për qytetin e Shkodrës. Ky vit shënon fillimin e mësimit muzikor në Shkodër. Në vitin 1973 inagurohet godina aktuale e shkollës artistike “Prenkë Jakova”. Këto data që janë evenimente të rëndësishme, marrin vlera historike dhe kanë ndikuar shumë në ndërgjegjësimin shpirtëror të qytetit të Shkodrës, në pasurimin e vlerave kulturore të këtij qyteti.

Banda e shkollës Prenkë Jakova drejtues Lekë Gjergji

Në Janar të vitit 1971, ka filluar mësimi për mësimin e instrumenteve të tunxhit si trombë, corno, trombon. Një rol shumë të rëndësishëm për përhapjen, edukimin dhe formimin e artistëve të ardhshëm për instrumentet e tunxhit, ka pasur profesor Lekë Gjergji. Pasi mbaroi Konservatorin në Tiranë, profesor Leka punoi me përkushtim prej intelektuali dhe ndikoi për zhvillimin e këtyre instrumenteve, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë e veriut. Kontributi i tij është i padiskutueshëm në këtë fushë.

Ja si shprehet profesor Lekë Gjergji për fillimet në instrumentet e tunxhit (profesor Lekë Gjergji ka pak ditë që është ndarë nga jeta):

“Fati e solli, që unë të isha profesori i parë në shkollën e mesme të muzikës, në qytetin e Shkodrës. Tradita muzikore në përgjithësi dhe ajo instrumenteve të frymës në veçanti ishte pothuaj njëqind vjeçare. Kjo traditë e vjetër për mua ishte një sinjal shumë i qartë për përgjegjësinë time. (Lekë Gjergji 2011).

Mësuesët e veglave të tunxhit në shkollën artistike kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mësimin dhe përhapjen e këtyre e veglve. Ato janë: Lekë Gjergji, Sokol Marku, Qamil Gjyrezi, Gaspër Cuni, Vlash Raskaj, Ardian Bardeli, Shemsedin Vendreshaj, Petrit Koceku, Abdullah Salobegu, Karlo Radoja, Admir Lekaj.

Krahas veglave të tunxhit një vend shumë të rëndësishëm në historikun e shkollës artistike “Prenkë Jakova”, kanë edhe veglat e fiatit. Mësuesaët e veglave të fiatit gjatë 50 viteve janë:

Muhamet Grimci, Tish Mirdita, Matish Troshani, Andrea Marko, Ahmet Ujkashi, Lisen Bashkurti, Jakin Nenshati, Prenkë Mrishaj, Valbona Bushati, Alma Krroqi, Roland Guli, Bruna Keci, Agron Rexha, Indrit Kodraliu, Agron Grami, Rrok Jaku, Bert Naraci.

Klasa e Trombës, Trombonit dhe Cornos

Instrumenti i trombës është shumë i vjetër. Tromba është një instrument shumë popullor dhe jep mesazhe të mëdha artistike, psikologjiko-sociale.

Edhe tek ne instrumenti i trombës ka historinë e vet. Nga burimet arkeologjike dhe nga vargjet e poetëve grekë dhe latinë del mjaft qartë, se muzika ilire ishte zhvilluar shumë në të gjitha drejtimet që njohu muzika antike në përgjithësi.

Në viset dardane u krijuan formacione frymore që janë quajtur “Gojdare”. Gojdarët dardanë kryenin një aktivitet të dendur muzikor, si brenda Ilirisë, ashtu edhe jashtë saj. Kronisti italian Segredo në shekullin e 15-të flet për vlerësimin e madh, që iu bë një koncerti të Gojdarëve dardanas në viset romake (Isak Shehu, 1987)

Klasa e trombës ka krijuar një traditë shumë të mirë në shkollën artsitike. Sic shkrova ma lart me pasionin e madh të profesor Lekës filluan të dalin edhe istrumentistët e parë të Trombës. Me gjithë vështirësitë për literaturë perëndimore, instrumenta dhe informacion, profesor Leka u përpoq me të gjitha mjetet të mësonte instrumentistë të mirë. Tromba është instrument shumë i dashur, veçanërisht për Shkodrën. Mbas vitit 1982 kam filluar punën si mësues i instrumentit të trombës dhe solfexhit. Jam përpjekur që të çoj më përpara traditën shumë të mirë, që e kishte filluar profesor Lekë Gjergji, duke u përpjekur për të sjellë disa ide të reja për kohën.

Ja si shprehet profesor Leka për mungesat që është përballuar në vitet e para të punës:

“Mësimi i veglave të tunxhit ka filluar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Shkolla nuk kishte asnjë prej këtyre instrumenteve. Faleminderit shtëpisë së kulturës, që na lejoi të përdorim instrumentet e shtëpisë së kulturës”. ( Lekë Gjergji 2011).

Tromboni në Shkodër dhe Shqipëri nuk ka ndonjë traditë të madhe, por mbas hapjes së shkollës së muzikës, u fut në programet e këtij institucioni.

Klasën e trombonit e ka filluar gjithashtu Lekë Gjergji. Edhe në instrumentin e Trombonit, ai punoi me një përkushtim të veçantë dhe si rezultat dolën edhe studentët e parë si p.sh: Luan Borova, Sokol Marku, Lekë Tusha etj. Por një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e këtij instrumenti ka Sokol Marku, drejtori aktual i shkollës artistike. Ai e ka drejtuar klasën e Trombonit mbas viteve 1982, me shumë kompetencë dhe profesionalizëm. Si rezultat i një pune plot pasion dhe përkushtim filluan të dalin nxënësat e parë të tij, të cilët më vonë u bënë profesorë dhe instrumentistë të njohur. Mbas viteve 90, disa nxënës të Trombonit, kanë studiuar në shkollat e përparuara në Sh.B.A dhe Europë.

Klasa e Cornos është fillur nga profesor Lekë Gjergji. Studentët e tij më të mirë Gaspër Cuni dhe Vlash Raskaj e çuan më përpara traditën e mirë të krijuar në këtë instrument të rrallë.

Klasa e flautit, oboes, klarinetës dhe fagotit

Klasa e Flautit në shkollën artistike asht filluar nga profesor Tish Mirdita. Tish Mirdita me profesionalizëm dhe përkushtim intelektual nxori edhe nxënësat e parë të këtij instrumenti.

Flauti është instrument muzikorë i familjes së të drunjtave. Në Shqipëri edhe ky instrument nuk ka pasur ndonjë traditë të veçantë, përveç disa iniciativave, të cilat i përmenda më lart në grupe amatore dhe iniciativave personale. Historiku i tij fillon në Shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” me hapjen e këtij institucioni.

Duhet përmendur edhe kontributi i flautistit dhe mësuesit Jakin Nenshtati, i cili punoi me një përkushtim të veçantë, për përhapjen e këtij instrumenti.

Oboe është një instrument shumë i rëndësishëm i veglave të drurit. Ashtu si edhe instrumenti i flautit, ky instrument kaq i dashur dhe i rrallë, nuk ka pasur ndonjë historik të mirëfilltë në Shqipëri.

Klasa e oboes është krijuar nga Tish Mirdita. Pavarësisht se ishte flautist, Tish Mirdita ka nxjerë intrumentistët e parë në këtë instrument, të cilët më vonë u bënë profesorë në Shkollën artistike “Prenkë Jakova”, p.sh. Andrea Marko dhe instrumentistë të cilët luajnë në formacionet serioze shqiptare, siç është Teatri i Operas dhe orkestra e Radio Televizionit në Tiranë. Profesor Andrea ka punuar me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, për mësimin e Oboes. Ai është përpjekur sistematikisht, që të zhvillojë dhe të çcojë përpara instrumentin e Oboes, si në planin teknik ashtu edhe interpretativ.

Klarineta është një instrument muzikor i familjes së të drunjtave. Klarineta ka një traditë më të hershme në Shqipëri dhe në Shkodër.

Klasa e klarinetës është filluar nga muzikanti i vjetër shkodran Muhamet Grimci, por historikun e vërtetë të këtij instrumenti e ka filluar mësuesi shumë i pasionuar Matish Troshani. Më një përkushtim të madh dhe dëshirë për ta çuar këtë instrument në nivelet më të larta, nga klasa e profesor Matishit, dolën instrumentistët e parë të klarinetës, të cilët u bënë jo vetëm mësues të këtij instrumenti në shkollën artistike Prenkë Jakova, sic ishte Ahmet Ujkashi, por u bënë dhe instrumentistë dhe solistë të shquar, jo vetën në planin lokal, por edhe në atë kombëtar.

Fagoti është instrument i veglave të frymës së të drunjta. Fagoti u shfaq në formën moderne në shekullin e 19-të në orkestra, banda, dhe në literaturën e muzikës së dhomës. Edhe fagoti nuk ka pasur ndonjë traditë të madhe në Shqipëri, por ky instrument u fut vetëm me hapjen e shkollës së muzikës në Shkodër në programet e edukimit muzikorë.

Klasa e fagotit është krijuar nga mësuesi Rrok Jaku. Profesor Rroku me shumë profesionalizëm nxori instrumentistët e parë, që më vonë studiuan në “Institutin e arteve”, sot Akademia e arteve dhe që më vonë u bënë profesorë në Shkollën artistike “Prenkë Jakova”. p.sh Lisen Bashkurti. Një rol të rëndësishën për klasën e fagotit ka luajtur edhe profesor Prenkë Mrishaj, i cili është edhe mësues aktual i këtij instrumenti në shkollën artistike. Profesor Prenka ka punuar me përkushtim të veçantë për rritjen e nivelit artistik tek instrumenti i fagotit.

Banda e shkollës artistike “Prenkë Jakova” dhe muzika e dhomës në 50-vite

Falë iniciativës së mësuesit shumë të pasionuar Lekë Gjergji u ngrit “Banda e parë e shkollës artistike”. Gjithashtu me bandën muzikore ka punuar edhe mësuesi i Cornos Gaspër Cuni dhe pastaj Sokol Marku.

Banda e shkollës ka marrë pjesë në shumë aktivitete të qytetit të Shkodrës.

Ja se çfarë shkruan profesor Lekë Gjergji për fillimin e orkestrës frymore të Shkollës së mesme të muzikës: “Me orkestrën frymore të shkollës janë përballuar shumë aktivitete të ndryshme në qytet dhe fshat. Në çdo festë, ose eveniment politik, orkestra frymore e shkollës ishte përherë dhe kudo e pranishme. Me formacionin frymor të shkollës, jemi vlerësuar me çmim në konkursin kombëtar të shkollave të muzikës.(Lekë Gjergji, 2011)

Muzika e dhomës është filluar nga profesor Leka, me kuartete dhe kuintete tunxhi. Në muzikën e dhomës arritjet e profesionale dhe lojë moderne u bënë nga një grup nxënësish shumë të talentuar, të parët që filluan në klasën e 5-të të drejtuar nga profesor Qamil Gjyrezi. Fillimi i klasës së pestë për instrumenatet frymore ishte gjithashtu një iniciativë e rëndësishme e profesor Lek Gjergjit. Ky grup ka dhënë koncerte në të gjithë Shqipërinë, Tiranë, Durrës dhe Korçë. Këto formacione të vogla frymore luajtën një seri autorësh, klasikë, romantikë dhe bashkëkohorë. Okteti i tunxhit luajti edhe muzikë Jazz, të orkestruar nga Gjon Shllaku pjesë nga kompozitori amerikan George Gerzhvin. Kompozitori i shquar shkodran Gjon Kapedani ka punuar me shumë pasion shumë pjesë për këtë formacion. Mbas viteve 90- gjithashtu me muzikën e dhomës ka punuar edhe Sokol Marku, që është vlerësuar me “Çmimin e dytë” në takimin e ansambleve të muzikës së dhomës në Tiranë në vitin 2008.

Ushtarakët amerikanë të dashuruar pas Shqipërisë

image

Një gjeneral brigade, një kolonel dhe dhjetëra të tjerë u regjistruan në një organizatë që mbronte interesat e Shqipërisë në Amerikë. Historia e këtyre ushtarakëve të SHBA-së, mes të cilëve pati edhe nga ata që luftuan në Shqipëri apo e mbrojtën atë në Konferencën e Paqes, nuk është mjaft e njohur, një arsye pse sjellim edhe biografitë e mëposhtme.

Në rezultat të përpjekjeve të dr. Telford Ericksonit të kishin filluar në Boston qysh nga marsi i vitit 1914, për të themeluar një shoqatë me emrin “Miqtë e Shqipërisë”, shumë më pas me përpjekjet e gjeneral Hortonit dhe të kolonel Von Redlich, në fund të dhjetorit 1932, në Uashington u krijua “Shoqata e Miqve Amerikanë të Shqipërisë”, megjithëse interesimi dhe angazhimi i ushtarakëve amerikanë për problemet e Shqipërisë ndeshet qysh në vitin 1918. Në atë vit, gjeneral brigade George P. Scriven botoi në revistën e mirënjohur “The National Geografic Magazine” një studim të titulluar “Recent Observations in Albania”.

Themelimi i kësaj shoqate u bë mbas miratimit të Mbretit Zog që ia dërgoi telegrafisht ministrit Fuqiplotë Shqiptar, Faik Konicës. Kërkesën për miratim dërguar Mbretit e kishte bërë gjeneral Hortoni, qysh më 27 dhjetor 1932.

Letrën kërkesë drejtuar Mbretit po e shkruajmë, më poshtë tekstualisht, si vijon:

“Shoqëria Miqtë Amerikanë të Shqipërisë në krye u proponua që të formohet nga gjenerali William E. Horton dhe Baroni Marcellius Dar von Redlich, me qenë se që të dy ndjene se ish nevoja e madhe për një shoqëri të tillë në Amerike. Ndienin se themelimi i një shoqërie të këtillë në Amerikë do të shtonte dhe do të lartonte prestigjin e Shqipërisë dhe do të mundte t’i beje mjaft shërbime Shqipërisë dhe shqiptarëve të vërtetë.

Plani J’u shtrua ekselencës së tij Faik Konitzës, ministrit shqiptar në SHBA, i cili pati mirësinë t’aprovojë dhe me oborrësi u zotua që t’ja paraqiste dokumentat e shoqërisë, Madhërisë Suaj, Mbretit Zog I si edhe M P Jashtme shqiptare.

Shoqëria u inkorporua rregullisht sipas kanuneve (ligjeve) amerikane dhe tani është një organizatë që ekziston rregullisht, vepron edhe është gadi t’i shërbejë besnikërisht Shqipërisë dhe Madhështisë së Tij Mbretit të Shqiptarve në çdo mënyrë që të jetë e mundur.

Propozohet me respekt të thellë që Madhështija e Tij Mbreti Zog I do të ketë mirësinë t’aprovojë këtë shoqëri dhe të pranojë të jetë patroni saj. Shtrohet me përulësi, Brig. General Wiliam E. Horton – kryetar.

Me rastin e themelimit të shoqatës, fillimisht me gjithsej 15 anëtarë, u bënë edhe zgjedhjet e forumeve drejtuese. Kështu, kryetari i shoqatës u zgjodh gjeneral brigade W. E. Horton. N.kryetar i parë: koloneli M. von Redlich; I dyti: gen. brig. M. de Laney; I treti: majori J. V. Bouvier dhe nënkryetari i katërt: Guvernatori i Georgias: John Marshall Slaten. Sekretar i Përgjithshëm: Kongresmen: Wallace Demsey, arkëtar: Reverend dr. Joseph D. Christopher

Anëtarë të kryesisë ishin zgjedhur: Senatoret Walter Evans Egde; Arthur Capper; Hamilton Lewis; Lobell B. Lobart. Gjeneralet: Perry Miles; Kolonelët: Arthur Davies Variell. Publicistët: William S. Howard; dr. John Joseph Neville; Valeria Langloth. Me këtë rast le të njihemi me biografitë e atyre personaliteteve të cilat, aktualisht, kemi mundur t’i gjejmë.

Gjeneral brigade William Edward Horton

Ka qenë një mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ai kishte lindur në Uashington, distrikti i Kolumbias më 28 qershor të 1868. W. E. Horton në vitin 1892 ai kishte mbaruar studimet universitare për drejtësi pranë Universitetit të Georgetown si edhe po atje, një vit më pas në vitin 1893 edhe masterin. Menjëherë u fut në ushtri dhe u bë një nga organizatorët e Gardës Kombëtare ne Distriktin e Kolumbias. Mori pjesë në Luftën kundra Spanjës në qershor-korrik të vitit 1898, me gradën adjutantit i batalionit, ndërsa një vit më vonë me gradën e kapitenit dallohet në betejat e Santiagos dhe të San Huanit, në çlirimin e Antileve. Për guximin dhe veprimet ushtarake u dekorua dy herë për merita ushtarake.

Kapiten Hortoni në vitet 1899 -1902 shërbeu dhe luftoi në Filipine. Kthehet në SHBA, dekorohet me medaljen e rëndësishme “Congressional Medal of Honor for Conspicuos Gallantry and Bravery” dhe shërbeu pranë Shtabit të Forcave të Këmbësorisë Amerikane, gjithmonë, me gradën e kapitenit. Në vitin 1918 me Ushtrinë Amerikane mori pjesë në Luftën I Botërore, në Francë, me gradën e majorit duke shërbyer në menaxhimin e furnizimit me municion të gjithë ushtrisë spedicionere amerikane. Në mbarim të asaj lufte botërore ai ishte graduar kolonel dhe ishte dekoruar me një radhë dekoratash. W. E. Horton mori gradën e gjeneralit të brigadës më 2 gusht të vitit 1927, kur ishte njëri nga asistentët e shefit të Shtabit Madhor të Ushtrisë Amerikane. Pranë atij shtabi shërbeu deri në vitin 1929, kur në moshën 61-vjeçare doli në lirim (pension).

Gjenerali Horton ka qenë dekoruar shumë herë dhe përveç dekoratave amerikane, edhe me urdhrin anglez të St. Michaelit, të St. George si edhe në vitin 1923, nga Franca me urdhrin e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit” ndërsa në vitin 1932 me “Urdhrin e Kryqit të Madh Francez”. Gjenerali Horton e ka mbrojtur Shqipërinë qysh në Konferencën e Ambasadorëve në Paris në vitet 1919-1920, duke ua bërë të njohura rretheve ushtarake të drejtat e nëpërkëmbura të shqiptarëve. Në janar të vitit 1934, Mbreti Zog e dekoroi gjeneral Hortonin me medaljen “Oficer i Madh i Urdhrit Skanderbeg”. Miku i madh i shqiptarëve gjeneral Hortoni vdiq më 13 shtator 1935 dhe u varros në varrezat ushtarake të Arlingtonit.

Koloneli Marcellius Donald von Redlich

Baroni von Redlich ka qenë një nga oficerët e rëndësishëm të Gardës Kombëtare Amerikane. Ai kishte lindur më 1896, në një familje me prejardhje aristokratike gjermane. Ka marrë pjesë në Luftën I Botërore, duke luftuar në Francë. Ishte dekoruar jo vetëm nga SHBA, por edhe nga Franca, Anglia dhe Italia. Kol. von Redlich ishte njëkohësisht edhe një shkrimtar publicist i njohur në SHBA. Nga dora e tij kanë dalë librat “Lufta si ishte?”, “Konventat Ndërkombëtare në ndihmë të diplomacisë”; “Probleme ndërkombëtare”; “Gjuha dhe literatura persiane”. Përveç këtyre librave ai ka shkruar artikuj të shumtë për Shqipërinë historike dhe për mbretërinë shqiptare. Kolonel Von Redlich ishte mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Mbreti Zog e kishte dekretuar Konsull Nderi i Shqipërisë në Kanada. Mbas daljes në pension kolonel Von Redlich bashkë me të shoqen vijnë në Shqipëri, e vizitojnë atë kudo, në çdo skutë. Mbledhin dokumentet qe u nevojiteshin, tek të cilat u mbështet, kur në vitin 1935 botoi librin “The Unconquered Albania” (Shqipëria e pamposhtur). Mbreti Zog e kishte vlerësuar vazhdimisht Von Redlich, duke e dekoruar “Kumandar i Urdhrit të Skënderbeut” e më pas “Oficer i Madh i Urdhrit të Skënderbeut”. Koloneli Marcellius Donald von Redlich vdiq në vitin 1946.

Gjeneral brigade dr. Mathew A. de Laney

Kishte kryer studimet e larta për mjekësi pranë Universitetit të Pennsilvanias dhe shpejt u inkuadrua në Ushtrinë Amerikane, si mjek kirurg. Duke qenë mjek ushtarak, gjatë periudhës të viteve 1909-1912, kur President i SHBA ishte Tafti, dr. Mathew de Laney kishte shërbyer si mjek personal i Presidentit.

Guvernatori John Marshall Slaten

Biznesmen i madh amerikan që në ato vite kishte qenë guvernator i shtetit të Georgias. Ai kishte lindur në Meriwe-ther Country të Georgias, më 25 dhjetor 1866. Kishte mbaruar Universitetin e Georgias në vitin 1886. Nga viti 1911 e deri në vitin 1915 ai ishte zgjedhur si senator në Senatin Federal ne Uashington. Nga viti 1915 e për trembëdhjete vite radhazi ai ishte guvernator i Georgias. Pikërisht në ato vite ai u bë mik i Shqipërisë, sepse ai së bashku me bashkëshorten e tij realizuan një vizitë në Shqipëri dhe rrjedhojë e asaj vizite ata u dashuruan mbas natyrës shqiptare, mbas traditave dhe dëshirës se madhe për liri.

Majori John Vernon Bouvier

Oficer në lirim dhe afarist i dëgjuar i botës financiare të Nju Jorkut. Majori John Bouvier ishte edhe president i shoqatës amerikane “Bijtë e Revolucionit”. Ai ishte bërë një mik i fuqishëm i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar.

Deputeti Wallace Dempsey

Deputeti i shtetit të Nju Jorkut, anëtar i Dhomës së Kongresit, ishte kryetar i Komisionit të Lumenjve dhe Transportit Lumor në SHBA. Ai ishte kongresmen për 15 vite radhazi. Kongresmeni Wallace Demsey ishte mik i madh i shqiptarëve. Ai e kishte vizituar Shqipërinë, e njihte dhe e vlerësonte për shumë drejtime. Ai ishte zgjedhur sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Miqve të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe arkëtari i saj.

Reverend dr. Joseph D. Cristopher

Asokohe reverend, klerik protestant, por që ishte njëkohësisht edhe profesor ne Universitetin Katolik te Uashingtonit. Dr. Josef Cristopher, në kuadrin e veprimtarive te misionarëve ungjillorë amerikanë dhe shqiptarë në Shqipëri, e ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe u bë një mik i devotshëm i saj dhe i shqiptarëve. Ai ishte mik me dr. Telford Eriocksonin.

Miss Lobert F. Hobart

Mike e rëndësishme e Shqipërisë e njëkohësisht ajo ishte kryetare e shoqatës kombëtare “Bijat e Revolucionit”. L. Hobert dha një ndihmë të rëndësishme materiale për Kryqin e Kuq të të Rinjve Amerikanë që vepronte në Shqipëri, në 1918-1921.

Kolonel dr. Arthur Devis Variell

Mjek ushtarak që ka kontribuar shumë në luftën kundra Leprës në Hindi dhe në Azinë Juglindore. Për këto veprimtari ai ka qenë dekoruar me medalje e çmime të shumta. Ai ka qenë një mik i madh i Shqipërisë.

Prof. dr. John Josef Neville

Profesor universiteti dhe gazetar që ka shkruar shumë artikuj dhe studime në fushën e jurisprudencës dhe filozofisë. Ai ka ardhur tri herë në Shqipëri dhe mbas vizitave ka shkruar një seri artikujsh lidhur me problemet e pazgjidhura shqiptare si edhe arritjet e shtetit të ri shqiptar. Një herë në korrik të vitit 1930, ai ka ardhur në Shqipëri i shoqëruar nga dr. David Fairchild, botanist dhe nëpunës i Departamentit të Bujqësisë

* * *

Veprimtaritë e herëpashershme të shoqatës, në bashkëveprim me legatën dhe me shoqatat e migracionit shqiptar e shtuan popullaritetin dhe vlerësimin serioz të saj, ndaj përveç anëtarëve të vitit 1932, që ishin fillimisht rreth 15 persona ushtarakë e civilë, disa muaj më vonë, në vitin 1933, në radhët e asaj shoqate u radhitën edhe personalitete të tjera amerikane. Ata ishin: Admirali Mark L. Bristol, që kishte qenë nga 20.12.1918 deri në 14 prill 1919 komisioner i lartë në inspektimin e Armenisë Turke, Sirisë, Libanit dhe Palestinës, së bashku me mikun tjetër të shqiptarëve, Charles R. Crane. Senatori Walter Evans Edge, që kishte lindur në Filadelfia, më 1873, filloi karrierën e tij si gazetar qysh në moshën 22-vjeçare. Dy vite më vonë, filloi të merrej me politikë dhe u zgjodh deputet në Asamblenë e Nju Xhersit. Si senator ai shërbeu deri në vitin 1929 kur u dekretua ambasador në Francë. Pikërisht atëherë, në vitin 1919, kur ishte bërë senator Presidenti W. Wilson e dërgoi në Shqipëri për të rivlerësuar e konsoliduar të dhënat e konsullit Haven.

Në prill të vitit 1933, ambasadori Edge, familjarisht, përsëri vizitoi Shqipërinë dhe shprehu kënaqësinë e tij për arritjet e Shqipërisë. Senatori Hamilton Lewis kishte lindur në Danville të Georgias, por u rrit dhe u arsimua ne Augusta. Universitetin e përfundoi në bachelor në Arte në Universitetin e Virxhinias, ndërsa për Drejtësi ai përfundoi studimet pranë Universitetit të Savannahut në Georgia në vitin 1891. Ai u bë senatori i Illinoisit në vitin 1933 dhe vazhdoi si i tillë më 9 prill 1939. Gjeneral major Peter C. Harris. Një nga oficerët madhorë që ka qenë ngarkuar nga War Office të merrej me problemin e ruajtjes së Thesarit Kombëtar. Gjeneral brigade Charles R. Krauthof, oficer madhor amerikan që ishte marrë me problemet e evakuimeve të popullatës në raste të fatkeqësive dhe të luftërave. Ky gjeneral ishte marrë edhe me edukimin e rinisë shkollore, me bojskautizmin paramilitar për të rinjtë shqiptarë.

* * *

Më 28 nëntor të vitit 1934, Shoqata e Oficerëve të Urdhrit Ushtarak të Luftës së Përbotshme së bashku me Legatën Shqiptare në Uashington, nën nismën e “Miqve Amerikanë të Shqipërisë” gjeneralit Horton, kolonelit Redlich, gjeneralit De Laney, kolonelëve John B. Richards e Arthur Variell e të tjerë organizuan në Metropolitan Club të Uashingtonit, një konferencë-darkë madhështore për nder të 21-vjetorit të pavarësisë kombëtare.

Në 15 dhjetor 1935, edhe pas vdekjes se gjeneralit Horton, shoqata organizoi një mbrëmje tematike, ku folën me opsionet më të mira për Shqipërinë, funksionaret Rockfeller-Antimalaric Foundation po ashtu edhe ata atë Near East Fondation. Të gjithë këta funksionarë u bënë anëtarë të rinj të shoqatës “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”…

Përveç funksionarëve të mësipërm, anëtarë të rinj të shoqatës u bënë shumë oficerë të tjerë madhorë të SHBA. Kështu, në radhën e “Miqve të Shqipërisë” u radhitën admiralet Harry G. Hamlett; Joseph K. Taussia; Charles T. Lowde, Lucien Botswick; gjenerali Chasse W. Kennedy; kolonelët George E. Williams; Alva J. Brasted, Charles Mortimer dhe majori Edwin S. Bettelheim.

Këta ushtarakë, herë pas here shkruanin për problemet shqiptare në organin e tyre që quhej “National Bulletin”, por edhe në gazetën “The Daily Telegraph”. Mbas vdekjes së gjeneral Hortonit dhe largimit në Kanada të kolonel Redlichut shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë” e zbehu veprimtarinë e saj, për ta intensifikuar sërish mbas pushtimit italian të Shqipërisë, por për një periudhë të shkurtër.