Monday, October 25, 2010
Mehmetologji ose letërsia për Mehmet Shehun
Ndoshta koncepti “mehmetologji” është kurajë që del përtej arsyetimit të ftohtë, por këtë po e bëjmë si një mënyrë
figurative për të përcjellë deri tek lexuesi opinionin se për Mehmet Shehun tashmë ka në formim e sipër një letërsi të tërë. Ajo që duket edhe më shumë e sigurt është se ajo nuk premton të pakësohet apo dalëngadalë të fiket. Do të rritet. Debati do të ndizet prej kryqëzimit të argumenteve të njërës palë dhe hedhjes së tyre poshtë nga pala tjetër.
Siç deri tani rrjedha e mospërputhjeve ka vijuar ajo do gozhdohet në një kryetemë: u vetëvra apo e vranë. Kjo dilemë rrëmben deri tani shumicën e energjisë së mehmetshkruesve. Madje pjesën e luanit e zotëron çështja e dytë: varianti i vrasjes tinëzare e ish-kryeministrit. Këta interpretues janë aq kokëfortë në bindjen e tyre, aq të pathyeshëm e të pashkulshëm sa duket sikur u është shndërruar në fanatizëm ideologjik. Sipas tyre nata e 18 dhjetorit 1981 dhe pezullimi në orë të vonë i mbledhjes së Byrosë Politike që kishte marrë çështje të vetme shqyrtimin e fejesës së djalit kryeministror me një vajzë e cila gjykohej se nuk vinte nga sëra e tyre me “biografi të pastër”, nuk mund të mbyllej veç sipas traditës makbethiane: helm të nxehtë në vesh, thikë apo plumb në zemër.
Kurse vetëvrasja nga shumica e mehmetshkruesve refuzohet, madje ajo shpërfillet. Interpretuesve të tillë mënyra e vuajtjes njerëzore nëpërmjet dhënies fund të jetës nga vetë kryeministri i vendit duket sikur e zbut diktaturën, regjimin e saj shpirtmarrës. Vetëvrasja për ta nuk ka forcë intrige, nuk përmban plan e kurth të zi, nëpër të nuk endet asnjë fantazmë e nuk thuret asnjë pabesi komploti. Gjithçka duket punë e skenar i thjeshtë: shkon në zyrën tende, mbyll derën nga brenda, ulesh në poltronin para tavolinës, hap sirtarin dhe nxjerr pisqollën, e mbështet tytën e saj mbi tëmth, heq këmbëzën dhe këtu gjithçka mbaron. Në të anasjelltë vrasja në pritë, në shpinë, në terrin e një korridori apo në buzë të shtratit helm në gotën me çaj apo bar gjumi dhe pastaj një krismë të shurdhët në thellësi të gjoksit etj., etj., i ka brenda të gjitha joshjet e tërheqjes symbyllazi së lexuesve.
Kështu ka ndodhur që letërsia për Mehmet Shehun të priret jo nga analiza e rrethanave sociale a politike të kohës apo prej zhbirimit në psikologjinë e përplasësve të natës së 18 dhjetorit, por prej shijes së parazgjedhur për të bërë një subjekt trallisës, një spektakël, një fiction.
Tema tjetër ku ka nisur të zhytet mehmetologjia është çështja apo dilema e dytë: qe apo nuk qe agjent i të huajve kryeministri më kohëgjatë i Shqipërisë realkomuniste? Edhe këtu ndarja mes dy palëve është po aq e thellë dhe e çballancuar si tema e parë. Megjithëse Enver Hoxha dhe aparati kapilar i propagandës së sistemit të tij politik e shpërndau kudo akuzën e hidhët, ai nuk duket se ka hedhur rrënjë plotësisht. Edhe atje ku ato gjatë dekadës së fundit të diktaturës zgjatën e lëshuan të tilla, tashmë në njëzetë vitet e fundit, të hapjes së gojës, shumica kanë dalë mbi tokë e po thahen. Gjithnjë e më pak mes nesh besojnë se Mehmet Shehu qe një spiun i një fuqie të huaj antishqiptare dhe ca më shumë të dekurajuar janë ata që ende kapen pas degës se ai qe një poliagjent laraman që i ishte dhënë njëherësh dy apo tre zbulimeve të huaja dhe që e kishte nisur karrierën e shpirtshitjes që fëmijë shkolle apo më pas deri edhe Gestapos apo një farë kryepolici province të humbur shqiptare si Man Kukaleshi. Me tezën e Shehut si kryespiun mehmetshkruesit në të ardhmen mund të bëjnë fantashkencë, por më shumë do të shtojnë konsumatorët e sajimeve të tyre artistike se sa besimtarët për kauzën racionale që parashtrojnë. Nuk i ka bërë mirë tjerrjes së kësaj legjende libri i posaçëm e Nexhmije Hoxhës “Miqësi e tradhtuar”, e cila deri tani mbetet e vetmja mehmetologe që ngul këmbë në tezën e parashtruar nga bashkëshorti i saj tek “Tabloja sinoptike”. Shumë të vjetër në moshë, njohës të afërt të ish-kryeministrit, por edhe jo pak prej atyre që e kanë njohur sadopak Enver Hoxhën, ngrenë supet në mëdyshje dhe nuk janë asnjëherë gati ta pranojnë që Mehmet Shehu ishte një spiun. Mirëpo pranimi i tezës së mehmetspiunllëkut për hartuesit e akuzës ka një rëndësi të madhe sepse prej kësaj vjege mbahet kryeakuza: kryeministri donte të likuidonte fizikisht, pra të vriste nëpërmjet helmimit me veprim të ngadaltë, armës së zjarrit dhe aksidentit automobilistik vetë Enver Hoxhën. Ra poshtë teza e mehmetpoliagjentit bëhet copë e thërrime edhe ajo e marrjes së pabesë të jetës së të parit të dikurshëm të vendit.
Jashtë apo brenda të vërtetës letërsia me në qendër intrigën e vrasjes së mundshme të Enver Hoxhës tërheq po ashtu mjaft lexues, pa çka se ata që janë të bindur në këtë numërohen si më të paktit. Kështu fati letrar i personazhit Shehu do të jetë i varur përherë nga ai i Hoxhës. Siç të dy gjatë regjimit totalitar qenë çifti më ndikues, edhe më pas, dekada të tëra pas shembjes së tij, do të rrinë bashkë, të pandashëm.
Në letërsinë për Mehmet Shehun çuditërisht deri tani nuk është afruar një siluetë, ajo e Ramiz Alisë. Gjendet akoma larg ngjarjes ose jo aq afër sa ta përfshijë në gjeratoren e vet.
Tema tjetër rreth të cilës ka nisur të gjallojë përplasja e tretë e mehmetshkruesve ka të bëjë me dilemën e tretë: qe marksist-leninist radikal, ishte tërësisht stalinist lindor apo në të kundërtën qe një liberal properëndimor i maskuar? Në këtë katrahurë të re, ku sërish gjithçka është skajshmërisht e kundërt, fansat anojnë jo në zhgjëndrrën e parë por në krahët nanuritës të ëndrrës së dytë. Duke qenë se as për të parën tezë nuk ka ndonjë libër serioz e ca më pak për të dytën, në kushtet e dy dekadave të pas diktaturës ku u zbulua se kishim pasur aleat të madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin ndërsa Enver Hoxha e akuzoi se Mehmet Shehu qe spiun i keq i tyre, kjo automatikisht, madje verbërisht, ka bërë të justifikueshme e të besueshme idenë se vërtet ish-kryeministri paska qenë një prej atyre që e kanë pasur kokën në demokracitë moderne. Kjo pamje e re e Shehut megjithatë nuk ka gjetur ende strehë në letërsi, jo vetëm në atë artistike, por as në kolegen e saj dokumentare. Dihatje të këtij opinioni ndihen nëpër intervista të veçanta me njohës së kohës të familjes kryeministrore dhe me këtë rast si pasqyrë e tërthortë e të atit, pse jo edhe si një lloj dëshmie, paraqesin njërin prej djemve, Bashkim Shehun. Jeta e tij gjatë diktaturës ka prirjen të përshkruhet si e një liberaldemokrati e jo thjesht i një të privilegjuari i cili duke qenë natyrë artistike dhe rebele, thyente pa merak të madh rregullat ngurtësuese dhe askete të kohës.
Këtë kahe të interpretimit të jetës dhe fatit të Mehmet Shehut ai, shkrimtar me talent, e ka inkurajuar edhe tek libri i tij “Vjeshta e ankthit”, botimi i parë që shënoi fillimin e letërsisë për kryeministrin jetëhumbur. Një pleksje e të vërtetës dokumentare me lirinë artistike, një teknikë rrëfimi që autori e ka zgjedhur në një masë të tij, personale, herë e nxjerr në dritë atë që ka ndodhur dhe herë e fundos në terr. Një dekadë e gjysmë pas tij ndërhyn me një libër dikur oficeri i lartë Duro Shehu, i vëllai i Mehmetit. Ky botimi i dytë nga rrethi familjar i kryeministrit ende nuk duket se do të pasohet prej ndonjë tjetri. Do të qe i mirëpritur ai i Skënder Shehut, protagonistit të ngjarjes që u bë shkak për ta goditur e përfunduar në vdekje jo natyrale, por ai, duke mos iu shmangur ndonjë interviste kur vjen në Tiranë, rikthehet e mblidhet në heshtjen e tij në Stokholm të Suedisë.
***
Punë mjaft e ndërlikuar kjo e kthjellimit të çështjes Mehmet Shehu. Copërat e saj si pas një shpërthimi të madh, janë shpërndarë kudo. Mbledhja e ngadaltë e tyre nuk do të reshtë, por gjithsesi vendimtare nuk do të jetë grumbullimi, madje as vendosja në vendet e caktuara për të krijuar më në fund tablonë reale të asaj që ka ndodhur. Çelësi për t’iu avitur të vërtetës ka të bëjë me kodin e interpretimit, çka do të thotë përpjekje këmbëngulëse për të dalë nga variantet e manipuluara prej politikës e deri edhe prej atyre të paragjykuara nga shtampat letrare dhe vetë rutina.
Një ngasje të tillë e patëm në njërën prej përpjekjeve të fundit për “mbledhje copëzash”. Këtë herë zgjodhëm Mine Gurin, në rrethin e Beratit ish-sekretarja e parë e atëherë partisë së vetme në pushtet. Biseda me të qe e kthjellët. Ajo e di që kujtimet, të cilat ia kërkojmë dhe i rrëfen hapët, madje me zërin e saj karakteristik si të mbushur me tinguj të butë, përbëjnë tashmë pjesë të historisë. Ish-tornitorja që shkoi gjer në anëtare të Komitetit Qendror dhe po ashtu deri në nënkryetare e Presidiumit të Kuvendit Popullor (por që ndërkohë mbante çizme fine dhe kjo ishte për kohën një lloj herezie), ka qenë në atë regjim të ashpër një politikane me shpirt të zbutur. Kodi i jetës së saj edhe tani mbetet “Në s’ke mundësi të bësh mirë, të paktën mos bëj keq”. Pikërisht prej kësaj dhuntie nëna e pesë djemve që kanë parë punët e tyre dhe bukën e gojës e nxjerrin me djersë, asnjëri emigruar, një çast tregon disa episode, sipas të cilave lë të nënkuptojë se për të bërë sa më pak dëm në një sistem politik që ishte krijuar shtrembër, e ka ndihmuar mënyra e sjelljes dhe e inkurajimit nga Ramiz Alia.
Gjithsesi autori i këtyre radhëve bisedën e orientoi më shumë tek Mehmet Shehu. Mine Guri tha se ndërtimin e ujësjellësit të tanishëm të Beratit e ka nismuar dikur kryeministri. Ngjarja me të cilën e dëshmon ka ndodhur në një kohë mjaft dramatike: njëzetë ditë para se ai të vdiste nga plumbi i një pistolete me në grykë një heshtuese. Qe 29 nëntor 1981, e diel. Shehu ishte caktuar të “zbërthente” në Berat vendimet e kongresit të porsambaruar të partisë. Erdhi që në njëzetë e tetë vetëm me makinën e tij, pa asnjë eskortë, siç edhe e kishte të zakonshme. Përveç shoferit qe edhe shoqëruesi i tij i parë Çeno. Bashkë me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit Mine Guri u ndodh në kohën e duhur para shtëpisë së pritjes në Qytetin Stalin, në mbrëmje. I ra në sy menjëherë që Mehmet Shehu nuk qe në humor të mirë. Diçka e mundonte. Në një çast pa se brenda makinës së kryeministrit mbi ndenjëse rrinin dy automatikë me karikatorë të mbushur. U trondit, madje nga befasia e pamjes ndjeu edhe frikë. Asnjëherë më parë nuk i kishin zënë sytë në ato sedilje armë. Mbase mbaheshin të fshehura. Këtë herë qenë sheshit, sikur për t’i hedhur në dorë e përdorur çdo sekondë dhe fraksion i saj ishte jetike apo fatale. Sapo Mine Guri hyri në dhomën në të cilën Shehu rrinte, pyetja e parë e tij qe se ku ndodhej ato çaste kryetari i degës së Punëve të Brendshme të Beratit. Ai ishte nga familja Kapo. Minia iu përgjigj se pati shkuar në Vlorë në përurimin e bustit të Hysni Kapos, por në zyrë gjithsesi e zëvendësonin “çunat”. Mehmet Shehu u shfaq mjaft mosbesues. Pyeti se cilët qenë ata “çunat”. Mine Guri përmendi emrin parë të zëvendësuesit të Kapos, pastaj edhe dy të tjerë. Për vendndodhjen e njeriut të parë të Sigurimit në Berat gjatë bisedës kryeministri i kërkoi sqarim edhe dy herë të tjera. “Epo mirë!”, tha më në fund sikur të mos donte ta ngiste më tej atë merak. Toni i tij qe i vrazhdë.
Ndërsa e kujton këtë moment të vështirë të dialogut me Mehmet Shehun dikur pushtetushtruesja e parë e qytetit të një mbi një dritareve, pyetjes tonë në se dinte çfarë po ndodhte ato kohë në udhëheqjen e lartë komuniste, i shqiptoi një “jo” të vendosur e të sinqertë. Por shtoi një fakt, i cili e pati vënë në mendime. Në kongresin e partisë të fillim nëntorit rrethi i Beratit qe vlerësuar me “Flamur” dhe kur do të bëhej ceremonialisht dorëzimi i tij, Mine Guri shkoi në podium dhe e mori. Ishte Mehmet Shehu që ia dha dhe ajo i shtrëngoi dorën në shenjë mirënjohjeje. Kur u kthye në presidium të ulej në vendin e vet, i cili prej protokollit partiak të kongresit qe afër Ramiz Alisë, ajo ca prej gëzimit e ca sepse e donte një urim prej këtij, ia zgjati pëllëmbën e saj të hapur hareshëm. Porse tjetri ia refuzoi. Fjalët që tha qenë “Nuk ta jap dorën se ta dha ai”.
Atë mbrëmje të 28 nëntorit 1981 biseda munduese e Mine Gurit me Mehmet Shehun pati vijuar njëlloj peshërëndë. Kryeministri e pati urdhëruar prerë “Ma trego programin!” Pasi ia shpjegoi mori prej tij një “Mirë!” Fjalëve të tjera të saj “Të vij këtu në mëngjes t’ju shoqëroj?” i erdhi përgjigja “Jo, mos hajde! Do të vij unë në Berat”. Kur u bë gati të ikte Mehmet Shehu e ftoi të darkonin bashkë. Shërbimi i Shtëpisë së Pritjes i vuri kryeministrit në pjatë arapash me bukë misri. Ndërsa përtypte ushqimin i tha Mine Gurit “E sheh ti si ha unë? Si qen”. Ajo qe shtangur dhe pati ndërhyrë me zërin e saj femëror e shumë dhelës “Si është e mundur shoku kryeministër që e quani veten qen!? Më vjen keq, por ne mezi ju kemi!” Megjithatë Shehu pak minuta më pas u nervozua sërish. Tha se kishte harruar të pinte ilaçet. Thirri punonjësen e shërbimit me në buzë qortimin përse nuk ia kishte dhënë, por tjetra ia kujtoi se jo vetëm ia pati lënë në dorë në orarin e caktuar, por edhe i kishte pirë fare rregullisht në sy të të gjithëve aty. Në të vërtetë pati ngjarë saktësisht ashtu. Ia pohoi këtë gjë edhe Mine Guri. Mehmet Shehu mezi u bind.
Në pasditen e të nesërmes, 29 nëntor, e diel, ai mbërriti në Berat dhe mori pjesë menjëherë në mbledhjen e zbërthimit të vendimeve të kongresit të partisë. Megjithatë foli shumë pak. Të pranishmit mbetën me blloqet e hapura dhe stilolapsat të pa harxhuar përveç disa rreshtave të thatë.
Kryeministri ishte pa qejf edhe gjatë darkës jubilare të shtruar në Hotel Turizmi për pavarësinë e çlirimin e vendit. Kjo gjendje e vuri në vështirësi Mine Gurin për t’i bërë një kërkesë urgjente: ujin e pijshëm për qytetin. Fjalët e pakta të kryeministrit në atë mbrëmje qenë disi të çuditshme. Tha se të nesërmen do të shkonte për gjah dhe se deri tani kishin shkuar gjer në rrëzë të Tomorit. Pas një pauze disi të mjegullt pati shtuar se tani e tutje gjahu i tij do të ngjitej e kapte majën e malit.
Pas kësaj Mine Guri kishte guxuar “Shoku Mehmet, njerëzit nuk kanë ujë të pinë dhe mua më vjen turp”. Ai i qe përgjigjur ashpër “Do të më lësh rehat apo të ngrihem e të iki”. “Jo, nuk do t’ju lë rehat”, kishte vijuar kokëkrisjen e saj tjetra, “Jua thashë këtu, por do të vij edhe në zyrë, sepse ujin e dua. Jemi shumë keq dhe juve ju kemi dhëndër Berati”. “Pse paratë me gërshërë i kam unë!?”, kishte pasuar Shehu. “Nuk i kini me gërshërë, por të popullit janë”, pati brofur Mine Guri. Pas kësaj biseda u këput dhe ra heshtja. Një çerek ore më vonë Mehmet Shehu i tha “Ju vazhdoni, kurse unë do të iki”. U ngrit dhe kur dolën jashtë panë se binte një shi i hollë, por këmbëngulës për të mos pushuar. Kryeministri ia nguli vështrimin natës së thellë dhe andej për nga ku me qiellin duhej të takohej maja e lartë e malit të Tomorit. “Nesër nuk do të vete për gjah”, foli pothuaj me vete. “Atëherë nesër po vij t’ju përcjell”, shqiptoi butë Mine Guri. “Jo”, preu tjetri, “Hajde mirë u pafshim!” I dhanë dorën njëri-tjetrit dhe u ndanë.
Sidoqoftë të hënën e kishte telefonuar zëvendëskryeministri Adil Çarçani dhe i pati thënë “Moj Mine, pse je qarë tek shoku Mehmet?” “Nuk kam qarë, por i thashë se jemi pa ujë”, qe përgjigjur ajo. “Mirë, mirë, do të vij pasdite aty, në orën pesë”. Dhe erdhi vërtet. Tha se do të bënin projektin e një ujësjellësi me ujë të ftohtë e të bollshëm nga Bogova. Fondin do ta gjenin duke ja shkurtuar sektorit të naftës.
Ndërkohë Mine Guri dhe Mehmet Shehu do të takoheshin sërish në të dielën tjetër, atë të 13 dhjetorit 1981. Pesë ditë më vonë në kraharorin e tij, saktësisht në zemër, do të gjendej një plagë e vogël me fare pak gjak rrotull. Për këtë vizitë të së dielës së dytë Mine Guri që dëshmon të njëjtën gjendje shumë nervoze të kryeministrit, ende nuk di se çfarë ka pohuar truproja e parë e Kryeministrit. Sipas tij në mbrëmjen e atij 13 dhjetori në shtëpinë e pritjes në Qytetin Stalin çifti kryeministror gjendej i vetëm në të dy dhomat kryesore të saj, kur rreth orës 20.30 centralistja e Beratit e pati telefonuar dhe i kishte thënë se njëri nga aparatet telefonikë të shtëpisë së pritjes, ai me numër interurban, të mbyllej, pasi jepte sinjal se qe i hapur. Pas kësaj truproja Çeno pati thirrur punëtoren e shërbimit duke i thënë të shkonte në dhomën ku rrinte çifti Shehu dhe t’u thoshte të vendosnin mirë dorezën e telefonit. Punëtorja bëri çfarë e porositën. Pasi ajo qe larguar nga dhoma kryeministri kishte thirrur menjëherë truprojën dhe me nervozizëm të dy burrë e grua nisën t’i bërtitnin “Kush të lajmëroi ty që telefoni qe i hapur?” Çeno sqaroi se këtë gjë e pati bërë kontrolli i telefonave i centralit të Beratit. “Po nga e di që ishte kontrolli i telefonave të Beratit?”, kishte përplasur fjalët Mehmet Shehu. “Fola vetë me ta”. “Jo”, pati brofur kryeministri, “Ky është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe na kanë dëgjuar të gjitha bisedat që unë kam bërë me Fiqireten”. “Ky nuk është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por është interurban me tre numra”, pati vijuar shpjegimin truproja parë, veç Mehmet Shehu qe ngulëkëmbës në të tijën. Atëherë Çeno kishte shkuar nëpër mëndje t’i tregonte numëratorin për ta bindur se Ministria e Punëve të Brendshme nuk kishte telefon në shtëpinë e pritjes, por Mehmet Shehu sërish pati bërtitur “Ik mbushu se nuk di gjë ti!” Pas kësaj truproja pati dalë nga dhoma. Nga vendi i tij i shërbimit çifti Shehu e kishte rithirrur duke i bërë të njëjtat pyetje si më parë: kush na ka përgjuar, cili e la hapur telefonin, ç’masa keni marrë ju për të mos ndodhur kjo. Më kot Çeno qe përpjekur t’i sqaronte. Ata nuk qetësoheshin. Me të njëjtin shqetësim dhe ton të alarmuar kryeministri dhe bashkëshortja e tij e patën thirrur atë natë truprojën e parë dhe tre herë të tjera. Vetëm në 21.15 kishte rënë përfundimisht heshtja dhe çifti kryeministror pati shkuar për të fjetur. Kur u kthyen né Tiranë ajo temë bisede nuk qe çelur më.
Mine Guri dëshmon edhe një “copëzë” tjetër të pazbuluar më parë nga jeta e Mehmet Shehut. Sipas saj kur vinte në shtëpinë e pritjes në Qytetin Stalin ai i mbyllte dritaret edhe me perdet e dyta, ato të zeza, të errësimit. Askush tjetër nga udhëheqësit e kohës nuk e bënte këtë gjë, pohon ajo.
Kjo rrethanë e fundit të shtyn më shumë se të parat drejt tundimit për ta interpretuar çështjen e tij si fragment pune agjenturore. Megjithatë nuk është aspak kështu. Mjeku Fejzi Hoxha, kuruesi i Enver Hoxhës por edhe jo për pak vite edhe i Mehmet Shehut, në kujtimet e tij tashmë të botuara thotë se kryeministri vuante nga fotofobia. Këtë gjë ai e pati diktuar në vitin 1958. Është një diagnozë që shkakton tmerr nga ndriçimi. Shehu në krizë të plotë ato çaste të para të shfaqjes së kësaj sëmundjeje ishte kyçur në dhomën e gjumit, pati mbyllur të gjitha dritaret bashkë me grilat dhe nuk pranonte të hynte jo vetëm mjeku, por as e shoqja.
Labirinth e kaluar labirinthit është kërkimi për të kuptuar se cili në të vërtetë qe Mehmet Shehu!
Ylli Polovina
Tiranë, më 12 tetor 2010
Investimi, pas Urës së Re dhe thellimi i Bunës
SHKODRER -Pas projektit në përfundim për ndërtimin e urës lëvizëse të punës, e para e këtij lloj në Shqipëri e Ballkan, menjëherë do të nisë projekti për thellimin e shtratit të këtij lumi, duke e bërë atë të lundrueshëm. Këtë e ka konfirmuar paraditen e djeshme gjatë inspektimeve që u bëri punimeve në urë Sokol Olldashi ka pohuar se "Inaugurimi i urës së Bunës, që është një investim i domosdoshëm e bashkëkohorë do të bëhet në muajin Dhjetor të këtij vitit". Po dje, Olldashi ka konfirmuar nisjen e menjëhershme të një tjetri investim po në këtë objekt. "Tashmë mbarimi i këtij investimi(përfundimi i urës së Bunës) do t'i hapë rrugë një tjetër investimi, atij të thellimit të lumit Buna", - pohoi Olldashi.
URA E BUNES
Investimi I bërë mbi lumin Buna është një investim bashkëkohor që lejon hapjen e urës dhe lundrimin e anijeve në dy anët e lumit Buna. Ura e Bunës është projektuar nga Konsulent Ndërkombëtarë Egjiptian dhe është cilësuar si një vepër arti me rëndësi të veçantë për lidhjen e akseve rrugore të vendit dhe qytetit të Shkodrës me pikën e kalimit kufitarë të Muriqanit. "Kjo është e vetmja urë në Ballkan me këtë sistem hapje dhe pas ndërtimit të urës së re mbi Bunë radhën do e këtë thellimi i lumit Buna për ta rikthyer lumin Buna ashtu siç ka qenë para shumë vitesh në një lumë të lundrueshëm për anije për të bërë të mundur ti kthejmë Shkodrës lidhjet që ka pasur" - shtoi Olldashi. Sipas tij, investimi i radhës ka një rëndësi të veçantë. Puna për ndërtimin e kësaj urës së Bunës ka nisur në maj të vitit 2008. Sipas specialistëve, ajo ka një sistem hapje dhe mbyllje për të mos penguar lundrimin mbi Bunë. Ajo ka një gjatësi 275,5 metër dhe gjerësi 13,5m me dy drejtimeve lëvizje dhe dy trotuare anësore për kalimtarët. Projekti realizohet nga një firmë kuvajtiane.
PROJEKTI
Gjatë inspektimit, ministri Sokol Olldashi konfirmoi dhe përpjekjet për realizimin sa më shpejt dhe të projektit tjetër, atij të thellimit të lumit të Bunës dhe bërjen e tij të lundrueshëm. Për këtë qëllim ai pohoi dhe përpjekjet e përbashkëta me Malin e Zi. "Po negociohet me palën malazeze që të behët zgjerimi i pjesës nga Muriqani (kufiri me vendin fqinj) deri në Ulqin, me qëllim që të bashkë ndajmë trafikun. Vitin tjetër shpresoj të fillojnë punimet në një aks tjetër shumë të rëndësishëm, siç është ai Shëngjin-Velipojë-Ulqin dhe kështu do bëjmë lehtësim e dukshëm të trafikut", - pohoi më tej Olldashi. Në këtë inspektim, krahas vlerësimit për investimet e deritanishme në lumin e Bunës (një masë e rëndësishme për evitimin e përmbytje në zonë), Olldashi përmendi dhe projekte të tjera që pritet të fillojnë në fushën e infrastrukturës në qytetin e Shkodrës e zona të tjera të Qarkut. Ndër ta ai përmendi dhe mundësinë e zgjerimit të aksit rrugor Shkodër-Muriqan etj.
Robert Shvarc, Vargjet e pluhurosura.
Robert Shvarc ka botuar qysh herët poezi. Ishte fillimi i viteve ’50... “Ju siguroj që ish te shumë i talentuar. Por më
vonë ai hoqi dorë nga botimi i poezive...”, thotë Amik Kasoruho, një prej miqve më të afërt të Robert Shvarc, i cili ka vendosur të na zbulojë pikërisht këtë anë të panjohur të përkthyesit brilant, që paskësh qenë edhe një poet i mrekullueshëm, por që këtë mikrobotë rrezatuese të botës së tij të madhe ia paskësh dëftuar vetëm miqve të tij të afërt.
Ka një kohë për gjithçka në këtë botë. E duket kjo është koha ideale të zbulojmë poetin Robert Shvarc. Që prej më shumë se një viti Amik Kasoruho po merrej me botimin e një vëllimi poetik të Robert Shvarc, e tashmë ky libër nën logon e shtëpisë botuese “Omsmca” është gati për të shkuar tek vitrinat e librarive e bibliotekave. Kasoruho i ka qëndruar besnik një fashikulli me poezi,(shumë i dashur për të, të cilin e kish marrë me vete që kur emigroi në Itali dhe e ka mbajtur si një hajmali për vite të tëra) me një parathënie kaq domëthënëse dhe emocionuesve që vetë Shvarc kishte shkruar në krye të këtij vëllimthi.
Në këtë intervistë me Amik Kasoruhon, do të zbulojmë shumë detaje nga kjo mardhënie e veçantë që Robert Shvarc pati me poezinë.
Po ashtu do të botojmë për herë të parë një cilëk me poezi të zgjedhura nga ky vëllim, së bashku me pasthënien e shkruar nga vetë Kasoruho, një shënim ku veç librit, zbërthehet edhe mardhënia e të dyve, përjetimet e egra të një sistemi si ai që kaloi Shqipëria për afro 50 vjet, dhe rrugët që mori fati i të dyve në ato rrethana…
Z.Kasoruho, si lindi ideja për përzgjedhjen dhe botimin e poezive të Robert Shvarcit?
Ka qenë një mendim i hershëm. Edhe pse që në gjallje të tij qeshë përpjekur t’i mbushja mendjen per botimin e një përmbledhjeje poetike, (kete episod e kam vënë në dukje në pasthënien e librit që po botohet), filloi mori trajtën e një borxhi qe duhej larë, kur miku im u nda prej nesh. Mungesa e tij, malli për të, ideja që ai nuk jeton më, më mbushën shumë dhe gjatë vizitave të here pas hershme në familjen e Shvarcit, e shoqja, Aristeja më tregonte dorëshkrime të Robertit. Disa prej tyre i kisha edhe unë të ruajtura. Kjo ishte shkëndija, kurse shtysa përfundimtare ishte një fletore që gjetëm mes dorëshkrimeve, e modeluar nga vet Shvarci si kopertinë libri me titullin “Vargje të pluhurosura”. Aty ishin një tufë e mirë poezish.
Të gjithë e njohin si përkthyes Robert Shvarcin. Ndërsa ju e keni njohur herët. Si kanë qënë fillimet e Shvarcit në fushën e letrave?
Shvarci ka botuar qysh herët poezi. Ishte fillimi i viteve ’50. Ato u botuan fillimisht në gazetën “Letrari i ri” dhe në “zërin e rinisë” ju siguroj që ishte shumë i talentuar. Më vonë ai hoqi dorë nga botimi i poezive dhe për këte flet shumë qartë në parathënien e librit të poezive të tij.
Dhe për një kohë të gjatë poezitë i shkruante për vete, apo për ndonjë mik. Përse nuk i ka botuar?
Këtë përgjigje e ka lënë të shkruar vet Shvarci në një shënim që e kishte vënë në krye të fletores së poezive që i kishte titulluar pikerisht “Vargje të pluhurosura” dhe që është vënë në parathënien e librit të poezive të tij (po e citoj fjalë për fjalë):
“Janë vargje sirtari, të shkundura nga pluhuri i shumë e shumë viteve. Vargje thuajse të harruara, të ndrydhura, të frikësuara e, pse jo, edhe të ndjekura – sepse totalitarizmi edhe meditimet krejt personale e krejt pa të keq i quante “ideologji borgjeze me helm të sheqerosur kundër diktaturës së proletariatit”.
Ekziston një thënie e një të mënçuri: Ai që s’është idealist në moshën njëzetvjeçare, s’është njeri; ai që mbetet idealist edhe pasi i kalon të dyzetat, është idiot.” Idealizmi i brezit tim – me përjashtim të konformistëve të ndërgjegjshëm – mori fund në vitet ’60, kur u bindëm se në Shqipërinë “socialiste” s’ishte aspak puna për të mbrojtur një ideal të madh njerëzor, por vetëm e vetëm për të ruajtur një fron sundimtari …
Kam shkruar edhe unë, prozë e poezi, deri në fund të viteve ’50. Por pastaj vendosa të hesht, të hesht në mënyrën time: penën e vura në shërbim të penave të fuqishme të letërsisë botërore. Pa këtë ekuilibër që arrita të fitoj për vete, do të kisha marrë fund për së gjalli. Por edhe kjo punë ishte një punë me zarar, sepse diktatura nuk kënaqej vetëm të heshtje ndaj saj, por dëshironte edhe të flisje për te.
Brezat e rinj le të më falin, nëse vargjet e mia të dikurshme ndoshta s’do t’i ngrohin sa ç’duhet – fundja janë vargje të pluhurosura dhe tani jemi në fund të shekullit XX. Por për diçka duhet të jenë të sigurtë: ne çdo gjë që kam shkruar ose rikrijuar, kam menduar gjithmonë për rininë dhe për atë do të mendoj përsëri, deri sa të kem jetë.
Duke i lexuar, hedhur në kompjuter, përzgjedhur, çfarë karakteristikash keni vënë re në poezinë e Shvarcit?
Në gjithë poezinë e Shvarcit vihet re ndershmëria e njeriut, sinqeriteti i artistit. Është përgjithësisht një poezi rrëfimtare, sa më duket se janë faqe të jetës së Shvarcit. Ishte njeri që ndjente peshën e fatit, merrte mbi vete bënte të vetën çdo gjë që u ndodhte atyre që njihte apo që i jetonin pranë, e çmonte miqësinë si rrallëkush. Marrëdhënia me jetën shprehet në poezi në fillin e një konflikti ku është një lloj opozitari, që i ka ruajtur të paprekura parimet e veta duke qenë një njeri që nuk binte në kompromis, kur ishte puna për të ruajtur integritetin e tij moral apo për të respektuar njeriun me “Nj” të madhe.
A ndryshojnë nga poezitë që shkruhen sot?
Ai e parandjen edhe vetë këtë kur shkruan se këto poezi “janë vargje sirtari”, por unë mendoj ndryshe. Them se poezia nuk ka kohë, as moshë, ajo është poezi, ndihet, lexohet dhe rilexohet. Po t’i shkoni deri në fund vëllimit poetik do kuptoni se është poet i brengës dhe i mallit, është poet i dashurisë dhe i jetës. Është njeri që e do vendin, dhe gjuhën shqipe e çmon shumë.
Nuk keni frikë se lexuesi i sotëm nuk do t’i kuptojë dot ato?
Përkundrazi, besoj që lexuesi i sotëm ka nevojë të kthejë kokën pas e të këmbëngulë në poezinë e vërtetë. Sot poezitë janë meditime, si t’i shkruash në prozë, si në varg, është relativisht kollaj, nuk ka asnjë rregull, as metrikë, as rimë, as ritëm, as… kurse tingëllima është tingëllimë, vargu është varg, sepse nuk mund të jetë prozë. Jo se metrika e kushtezon poezinë, por ajo i jep atë hijeshi dhe harmoni që mbase sot është zëvendësuar nga figuracioni apo nga meditimet, dhe kësisoj sikur ka filluar të zbehet kufiri midis poezisë dhe prozës.
Si u arrit botimi i këtij libri?
Duhet të kujtoj se librin kam dashur ta botoj me shpenzimet e mia. Ishte një lloj “amaneti” që i kisha premtuar vetes, t’i dhuroja familjes dhe mbarë vendit - një Shvarc poet të botuar. Më vonë, ky botim u bë i mundur falë një kontributi të Ministrisë së Kulturës, dhe duhet të theksoj, se ishte vëmendja personale e ministrit Ferdinad Xhaferaj, që lehtësuan anën ekonomike të botimit. Gjej rastin ta falenderoj për gjestin e tij.
Duke mos e ndarë këtë intervistë nga ajo që ju dhe Shvarci keni bërë – përkthimi- me se po merreni këto kohë?
Sapo konkludova me shtëpinë botuese “Omsca” dhe botuesin Luan Pengili, të cilin duhet ta falenderoj për seriozitetin e marrëdhënies që krijoi me mua për botimin e librit të Shvarcit, një seriozitet dhe përgjegjshmëri që duhet të ketë ai që kërkon të botojë një libër, iu futa punës intensivisht për t’i dhënë dorën e fundit përkthimit të një prej veprave më të veçanta të letërsisë angleze, “Lartësitë e Stuhishme” të Emili Brontë-s, një histori dashurie që konsiderohet si nje nga veprat me kryesore të letërsisë së kohës së romanticizmit. Do doja që kjo histori të njihej nga lexuesi shqiptar. Është ndër librat që e kam përkthyer me shumë dëshirë. Uroj që lexuesi ta pëlqejë. Pas kësaj pune, do sistemoj gjithë publicistikën time të botuar në mediat e huaja dhe vendase.
Herën tjetër do flasim për përkthimin dhe librin e Brontés më gjerësisht, besoj. Po te ju, a ka lënë gjurmë letërsia e të tjerëve, ose thënë më thjesht, ju shkruani poezi, veç romanit apo publicistikës që keni botuar?
Eh, them njëlloj si miku im i vjetër dhe më i ngushti mik, Robert Shvarci, shkruaj për vete, qëllon edhe poezi. Poezitë që kam shkruar (mund të them se nuk kam botuar veçse nja dhjetë syresh), në një farë mënyre do të jenë “testamenti” im. Tani, çfarëdo që të bëj, e shkruaj me shumë passion, me shumë dashuri, sepse jam duke jetuar në vendin tim dhe kjo është gjëja më e bukur që më ndodh. Është emocion që ka nevojë edhe për poezinë, apo jo?!
EPITAF
gjithnjë i desha lotet,
por vetëm të miat:
të tjerëve ua kam tharë…
Dhe kështu rodhën motet
NE UDHEKRYQ
Në udhëkryq rri e mejtoj
Në vlen të rroj, në vlen të vdes:
fort e nemitur është nata,
fort mall të lig ajo më ndes…
Në udhëkryq të jetës sime
Shpërndan tingllime dhemshurisht
Rini e vojtur që s’u rojt,
që po vetvritet mizorisht …
***
E dua dhimbjen time … Po: e dua!
Ajo më lindi – nënë unë e kam.
Por kur shoh lot të ndrijë ndër sytë e tua
ti nuk e di se sa fatkeq që jam!
Ti nuk e di o shpirti im i dytë
si brenga zbret në zemrën e cfilitur,
kur ti i ngre drejt meje te dy sytë
ku ndrit e trishtë shpresa e venitur!
“Nuk mundem më!” – Tingllimi i fjalës sate
rrëqethi trupin tim, edhe më kot
ngushllim të dhash në terr të kësaj nate
ndër sytë e tu unë puthnja veçse lot …
Tiranë 16 Shtator 1957
***
… të flas, të flas me et’ për shpagë
Ndër ethet zjarr të kësaj nate.
Oh, dije mirë këtë plagë
Ma mbyll veç plagë e zemrës sate.
Maj 1955
LULET E MUNDIMIT
(Sonet)
Si nuk po vyshken lulet e mundimit,
si s’po mbaron kjo natë e brengës sonë
o mike e dhëmshur, vallë gjithëmonë
do jemi fli e lotit, e trishtimit?
Atje ku ankthi vret me pa mëshirë,
atje ku shpresa zhduket sa po vjen
e pikëllimi zemrën nis e bren,
ne endemi të dy – me sy të ngrirë,
e këta sy vështrojnë rreth e rreth,
por vesa s’ndrin e ëmbël përmbi gjeth
e paqja shpirtin krejt e ka harruar …
Kudo veç pluhur, ndot e fat i zi,
urrejtje e ftohtë, çpagim edhe zili
e lot krenar që fshehur rrjedh helmuar. .
Syt’ e tu, e dashtun,
janë të përlotun...
KA KOHË QË YJET S’ULEN PËRMBI TOKË…
Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë,
ka kohë që njerëzit s’rrijnë me krye përpjetë
tue pritë me u ra ndër dhambë kafshat’e shkretë –
dhe vjershat janë lirue: pesë groshë një okë…
Me duer ndër xhepa poetët trokë
shetisin rrugve t’errta, krejt të qetë;
askush s’i nget, askush s’po don me i pyetë
ç’ka kanë në zemër e ç’ka kanë në kokë…
Urdhno, zotni, pak dritë n’mos daç errsinë!
Pesë groshë një okë . – Nji andërr e tanë rinije!
Tridhet vjet – e tridhet okë dashnije!
Urdhno, zotni, nji kangë për njerëzinë!
Pesë grosh nji okë – nji jetë e tanë dlirsije!
Tridhet vjet – e tridhet okë marrije!...
***
Syt’ e tu, e dashtun, janë të përlotun
Sytë e tu, e dashtun më hapin një botë të tanë
Që e kam andrruem, por nuk e paskam njoftun,
Syt’ e tu, e dashtun që tash i kam aq pranë ...
Në shregull shpresash të marra jam kotun,
Maleve të nalta, që puthen me qiejt, jam ngjitë
Dhe greminave të thella, ku lëvrijnë
kaçamijt’ e krimbat kam rrëshqitë
Dhe kam vra, sepse kam dashunue
Dashuninë që s’ishte dashuni
Dhe kam pëmbysë me hov të çmendun
Kështjella fantazish që kisha ngrefun
Në trunin tem të smuet e n’zemrën teme t’lodhun
Për me gjetë ndër mija sy
dy sy, e dashtun, si tuejat, të përlotun ...
FALME
Oh, falmë, falmë mikja ime
në ta lëndova përsëri
at’ plagë që s’don më ngushëllime,
që don të mbetet si jetime,
krenare pa njeri!
Oh, falmë, falmë pse kërkoj
prej teje unë dashurinë
e dhëmshurisht pse të qortoj
në çastet-vrer, kur shpesh harroj
se ty ta vranë rininë …
Esht’malli im gjithë pikëllim
që djeg e bren aq pushtetplot
e kur s’e gjen ate flijim
që e njeh aq fort në shpirtin tim,
i mbeten veçse lot!
Esht’ zemra ime q’u mësua
çdo rrahje t’sajën ta durojë,
që kurrë s’i tha njeri “të dua!”
që u ndez përherë dhe u shua…
pse di të dashurojë.
E pra më fal e dashur ti,
tani t’kuptoj unë ty më mirë:
çdo ças dhe unë po ndiej mërzi
e shpesh s’kam mall, s’kam dashuri,
s’kam gaz, s’kam më dëshirë!
Oh falmë, falmë mikja ime,
s’do t’i lëndojmë ne kurrsesi
k’to plagë që s’duan ngushëllime,
që duan t’mbeten veç jetime
ashtu si unë, ashtu si ti …
1957
UNË S’MBAJ SHPRESË
E ç’të shpresoj tani për ritakime?
Ato po mbeten gonxhe që nuk çelin!
Parajsë dhe skëterrë në zemrën time,
rënkime dhe shpresa që më dhelin!
Gjithnjë tek un’ jetoka një dëshirë:
t’i falem pastërtisë së panjohur,
asaj që është m’e lartë dhe m’e mirë,
asaj që deri tani nuk më ka ngrohur.
Këtë e quaj unë shenjtërim –
dhe e ndiej për Ty, o mike e shpirtit tim!
Por ja që mbetem prapë i vetmuar
dhe koha shkon, asgjë nuk më dhuron.
E gjith’ ajo, që n’heshtje kam varguar,
më lumturon e prapë më trishton…
E malli prapë më shtyn nëpër shtegtime,
ku unë dalngadalë vras veten time.
Dhe po humbas, por nuk më vjen çudi,
se jeta më llastoi e përkëdheli:
më fali zjarr, kurorë dhe lavdi,
por dhe më shpesh më tundi nga themeli –
………………………………………….
TINGËLLIMET E PLAGUEME
Po flen qyteti, vlla, dremit qyteti…
Nuk ka as dritë, as hapat nuk kërcasin,
veç val’t e qeta, ku andrrat i tret deti…
Sa vjet kaluen, vlla, qëkurse mbeti
nji zemër kndej plague – e nji coptue
përmbas prangoresh, n’rininë e saj shitue,
me dhimbë krenare, që asnji kangë poeti
ndër tela t’lyrës s’mundet m’e u naltue…
Po flen qyteti, vlla… Në breg ku rrimë
e lehtë përpëlitet vala-virgjineshë,
e don me folë, e don me na tregue
si netët shkojnë, e andrrat veç nji grimë
na puthin n’ballë, e ikin tue u qeshë…
- 2 -
O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb…
Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon –
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n’nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.
A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?...
A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem
ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!...
-3 -
Mos pyet pse syt’e mi janë të trishtuem
n’pranver’n e bardhë të vjeteve të mia,
ata nuk dijnë t’shpërthejnë ndër mij shkëndia,
ata nuk dijnë si brof nji shpirt i gzuem…
Mos pyet pse hapat e mij i drejtoj
kah krah’t e butë, përkdhelës të vetmisë –
Ç’më duhet mue njaj gazi i rinisë
Kur gazi s’asht çka unë i trishtë andrroj?
Kush gjen çka zemra i lypë në këte shekull
ku vlerë nuk kanë as lotët, as betimet,
ku jeta lot me ty porsi n’nji shrregull
e gazi lind atje ku janë idhnimet?!
Mos kqyr pra, e dashtun, ti ndër syt’ e mia
unë s’mund t’dhuroj atë çka lypë rinia./Gazetashqiptare
Sunday, October 24, 2010
Shqipja e sak@tuar e internetit
Gladiola Bendaj
Ka lindur një gjuhë “misterioze”, një zhargon kompjuterik i të rinjve, i shpikur për të komunikuar mes tyre shpejt, shkurt e fshehtas. Ndaj, natyrshëm lind pyetja: Nëse e-mail-et zëvendësuan letrat dhe kartolinat e dikurshme, mos vallë, rrjetet sociale po zëvendësojnë e-mail-et...? Për sa jetëgjatësia e njerëzimit thonë se është rritur, pse gjithë ky ngut për të përcjellë fjalë dhe emocione në një kohë sa më të shkurtër? Kemi më pak kohë? Jemi bërë përtacë? Po gjuha, sa rrezikon ajo të gjymtohet në këtë proces të ethshëm komunikimi?
Nëse gjithë kjo fugë është një trend bashkëkohor i paevitueshëm, mos vallë rilindasit ishin demodé dhe “mirupafshim”, “tungjatjeta”, “faleminderit” e “dakord” janë fjalë shumë të gjata e të shkuara kohe?!
Shumë kohë më parë, njerëzit, mbrëmjeve, rrinin të gjithë bashkë rreth tavolinës dhe bisedonin. Pastaj erdhi radioja dhe ata filluan të relaksoheshin duke e dëgjuar në kuzhinë (kështu i quanim ne dikur sallonet e ndenjes). Pastaj, në “sallonet” tona erdhi televizori, e pastaj video-regjistruesi. Çdo aparat i ri në jetët tona, kërkoi një vëmendje gjithmonë e më të madhe. Dhe në fund, na erdhi kompjuteri, ndjekur pas nga “i magjishmi” internet, dhe celulari. Gjithçka ndodhi kaq shpejt, duke u kthyer menjëherë në një domosdoshmëri, aq sa askush nuk e vuri re. Për dobinë e tyre të jashtëzakonshme në komunikimin dhe lidhjen mes njerëzve, nuk ka më asnjë dyshim. Përdoruesit e tyre i përkasin tashmë të gjithë grupmoshave e brezave të shoqërisë, të cilët, kush më shumë e kush më pak, shfrytëzojnë shërbimet që ata ofrojnë. Por, ajo që vihet re nga të gjithë është gjuha e përdorur, ngutja, minimizimi i gjithçkaje, kodifikimi i shprehjeve.
Ka lindur një gjuhë “misterioze”, një zhargon kompjuterik i të rinjve, i shpikur për të komunikuar mes tyre shpejt, shkurt e fshehtas. Ndaj, natyrshëm lind pyetja: Nëse e-mail-et zëvendësuan letrat dhe kartolinat e dikurshme, mos vallë, rrjetet sociale po zëvendësojnë e-mail-et...? Për sa jetëgjatësia e njerëzimit thonë se është rritur, pse gjithë ky ngut për të përcjellë fjalë dhe emocione në një kohë sa më të shkurtër? Kemi më pak kohë? Jemi bërë përtacë? Po gjuha, sa rrezikon ajo të gjymtohet në këtë proces të ethshëm komunikimi? Nëse gjithë kjo fugë është një trend bashkëkohor i paevitueshëm, mos vallë rilindasit ishin demodé dhe “mirupafshim”, “tungjatjeta”, “faleminderit” e “dakord” janë fjalë shumë të gjata e të shkuara kohe?!
Për fanatikët e gjuhës dhe nostalgjikët e “kohëve të prekshme”, virtualiteti i sotshëm, me gjithë suportin që i jep lëvizjes së mendimit, po lë në harresë e gati po injoron shumë kulte e tradita, për të mos folur për rregulla e aksioma të shqipes së shkruar. Mosbesimi i tyre ndaj këtij realiteti virtual është gati-gati i njëjtë me ndjesinë që do të provonte një grek i lashtë, i projektuar në botën e sotshme.
Ndoshta jo të gjithë, por një pjesë e mirë, arrijnë t’i kujtojnë zhargonet e dikurshme, të përdorura si një trend midis adoleshentëve asokohe, më tepër për të “kamufluar” atë që thuhej. “ta-fa-ko-fo-he-fe-mi-fi te-fe ce-fe-pi-fi i-fi lu-fu-li-fi-shte-fes”. Kjo ishte të flisje me “F” dhe t’i thoshe atij/asaj: takohemi te cepi lulishtes.
Sot, në epokën e celularit, internetit dhe të rrjeteve sociale (Facebook, Twitter, Myspace, Skype, Messenger etj), zhargonet kanë ndryshuar, dhe shumë madje. Më tepër sesa për t’u kamufluar, ata vijnë në funksion të përcjelljes sa më shpejt të informacionit, si e si që ajo që shkruhet të asimilohet me të njëjtën shpejtësi që do të asimilohej një bisedë verbale, e, veç kësaj, në rastet e komunikimit me sms, për të thënë gjithçka që duam në limitin e 160 karaktereve (përfshi këtu dhe hapësirat midis fjalëve).
Në chat, sms dhe e-mail, sot, shkruhet njësoj siç edhe flitet. Me sigla, shkurtesa, akronime, zhargone, numra e shenja matematikore, që tentojnë të tregojnë emocione dhe gjendje shpirtërore. Duke qëndruar gjithmonë të mbërthyer pas këtyre dritareve virtuale. Gjithmonë përkrah “rrezikut” për t’i vënë komunikimit midis të rinjve një minus të madh, e duke shkuar pa u ndierë drejt një mutacioni të pakthyeshëm të shqipes së shkruar e njëkohësisht edhe asaj të folur prej tyre. Fare natyrshëm. Në të njëjtën mënyrë të pandjeshme që absolutisht të gjithë ne shkuam drejt “komoditetit” të të thënit OK (Okej), kur duhet të thoshim “Dakord”; Thnx (thenks), kur duhet të thoshim “Faleminderit”, apo Hi (haj) kur duhet të thoshim “Përshëndetje” dhe ciao (çao) kur duhet të thoshim “Mirupafshim”.
Quhet “Mail Time”, dhe është një kohë pa kohë. Në vorbullën e përshpejtuar bashkëkohore, jetojmë të rrethuar dhe të përfshirë në një rrjet me një shpejtësi të tillë, sa nuk mund të humbasim asnjë minutë. Ndoshta, të terrorizuar nga “horror-vakuumi” shkojmë deri aty sa ndihemi të obliguar të mbushim zbrazëtinë me aktivitete të tilla, të varur vetëm nga koha.
Specialistët e gjuhës mbështesin argumentin se me të vërtetë ka ndryshuar rrënjësisht marrëdhënia midis kohës dhe fjalës. Sipas tyre, tanimë, i mëshohet një komunikimi të çastit, pa ngritur pretendime të mëdha për memorien e gjithsecilit e aq më pak për bagazhin e tij letrar. Gjithsesi, të konsiderosh faktin që ky fenomen është duke shkatërruar gjuhën shqipe duke u shpërhapur si bakter në komunikimin e gjithsecilit prej nesh, është paksa e ekzagjeruar. Në fund të fundit, mund të zgjedhësh të mos e praktikosh, ose mund të zgjedhësh se kur dhe ku mund ta bësh këtë.
“Me thënë të drejtën shkurtimi i fjalëve nuk më shqetëson shumë, pasi angazhimi im mbetet gjithmonë ai që ka qenë: letrar, publicistik, në shqipërime. Këtu nuk e ndiej aspak nevojën ose dhe dyndjen e shkurtimeve si dukuri e ditës”, shpjegon publicisti Ardian Klosi, duke theksuar se kjo fushë, edhe në të ardhmen, nuk rrezikon se mund të bjerë nën sulmin e shkurtimeve ose reduktimeve formale. Në rastin e komunikimit të përditshëm elektronik e sidomos me anë të sms-ve, fenomeni bëhet deri diku i pranueshëm. Fillimisht detyrohemi të shkurtojmë, pastaj e marrim si lojë dhe, natyrshëm, na pëlqen të shkurtojmë, por kjo jo gjithmonë na shkurton kohë, ndaj nuk është se “fajin” duhet t’ia vëmë gjithmonë kohës. “Sa herë na ndodh që i kthehemi një shkurtimi, e ndryshojmë sepse është i shëmtuar? Kështu, në fund, del që nuk kemi shkurtuar kohë.”, shton Klosi.
Në kohët e sotshme çdo kontakt në rrjetet sociale fillon me ASL-në, Age, Sex, Location; formula me të cilën starton një bisedë në rrjet për të njohur moshën, seksin dhe vendndodhjen e bashkëbiseduesit të ri. Pas këtyre “formaliteteve” vazhdohet përpara me furi fjalësh dhe frazash të shkurtuara. Ndodh në chat-room-et, “sallonet” virtuale moderne, ku biseda përdor një gjuhë të mëvetësishme. Me qëllim komunikimin në kohë reale përmes tastierës, për të rinjtë, e jo vetëm, është kthyer në obligim kursimi i fjalëve “të tepërta”. Të qenit “i shpejtë”, në këto lloj komunikimesh, më tepër se një këshillë, është një nevojë. Në këtë mënyrë, komunikimi tenton të thjeshtojë mesazhin përmes reduktimit të numrit të karaktereve. Këtu pastaj vjen në ndihmë mbështetja e padiskutueshme e anglishtes, që është edhe idioma më e përdorur e chat-uesve në të gjithë botën, e cila, duhet pranuar se gjithmonë ka propozuar zgjidhje, që janë asimiluar menjëherë nga gjuhët e tjera. Mjafton këtu të kujtojmë frazat e kontraktuara si smog = smoke + fog (mjegull + tym), motel = motor + hotel dhe brunch = breakfast + lunch (drekë + mëngjes).
Kësisoj, shkrimi i zakonshëm, e po ashtu edhe komunikimi i rrjedhshëm, është i privuar nga elementet thelbësorë të të folurit, si intonacioni, pauza, mimika, të cilat janë të pranishme në komunikimin verbal. Por, në linjat e chat-it, ashtu sikurse edhe në e-mail-et, bashkëjeton një përzierje e çuditshme midis të shkruarës dhe të folurës, me riprodhime të gjetura të gjuhës së folur e deri edhe të emocioneve, gjendjeve shpirtërore apo ekspresioneve të fytyrës që na shoqërojnë në të tilla raste. E duhet thënë se kjo ndodh në një masë të tepruar, pasi, të mos qenit ballë për ballë me bashkëbiseduesin, të çliron nga një seri kushtëzimesh që mund të limitonin ekspresivitetin e komunikimit me të.
Është menduar për të gjitha. Kështu, nëse do të ngresh zërin, mjafton të shkruash me shkronja kapitale, ashtu sikurse mjafton të zgjaten zanoret apo bashkëtingëlloret e fjalëve për t’i mëshuar edhe më asaj që është duke u “thënë”.
Është një gjuhë e re, që shprehet me rregulla që shpesh bien ndesh me ato të gjuhëtarëve. Sipas tyre, të shkruarit e këtyre mesazheve, ka çuar në një rritje të gabimeve ortografike dhe në një abuzim të dukshëm me shenjat e pikësimit, të cilat, në vend të përdorimit të tyre të drejtë, vijnë në funksion të “vizatimit” të “fytyrave” që duhet të shprehin emocione. Shembujt vijnë të shumtë nga bota akademike. Një nga disiplinat më të reja që aplikohen në universitete është edhe “Shkrimi akademik”. Pedagogët e kësaj lënde tregojnë se edhe fjalët më të thjeshta shkruhen po njësoj sikurse edhe shqiptohen, dhe ç’është më e keqja, në shumë raste ata as nuk e dinë sesi është drejtshkrimi i tyre. Studentët shkruajnë “shpi” për të thënë “shtëpi” dhe as që e marrin mundimin ta korrigjojnë këtë, sepse “është e njëjta gjë dreqi e martë...!!!”
Jetojmë në kohë, kur janë të mjaftueshme vetëm pak shkronja për të dhënë një lajm apo për të shprehur një rrethanë. Dhe gjithmonë baza mbetet anglishtja, me anë të së cilës është kaluar nga klishe e formula të thjeshta si PLS (please) – të lutem, në kombinime më të artikuluara si LOL (Laughing Out Loud), për të shprehur një të qeshur të papërmbajtshme, një gajasje për të mbajtur barkun me dorë e për tu shtrirë përdhe. Gjithmonë me bazën tek anglishtja, ka edhe shkurtime të tjera që përdorin formula alfanumerike: 2DA për (today) – sot, B4 për (before) – më përpara, L8R për (later) – më vonë, K2 (këtu),
Edhe kur i kthehemi gjuhës mëmë, tolerantes gjuhës mëmë, veprohet po njësoj. Në kohët e network-ut, thuhet vër8 për “vërtetë”, 3gim për “tregim”, 2shim për “dyshim”, 7zënë për “shtatzënë”, çk3 për “çfarë ka të re?”, x ty për “për ty”, apo edhe më tej (të na falin të gjithë ata e duan shqipen dhe urrejnë banalitetet): ti t’i 10 numrat për “ti t’i dhjet numrat”. Gjithashtu, fjalëve u hiqen zanoret (shkruhet flm për “faleminderit”, nsr për “nesër”, nk për “nuk” etj.),
SMS-të (Short Message Service), që po krijojnë në jetët tona një revolucion të vërtetë të komunikimit. Nevoja për të thënë shumë brenda limitit teknik të 160 karaktereve në dispozicion të një sms-je, ka shtrënguar edhe më drejt shkurtimit të fjalëve e shprehjeve të tëra, duke krijuar kështu një platformë të pafund akronimesh, nëse mund të quhen të tilla.
Të gjithëve na ka ndodhur, që, në mos i kemi shkruar vetë, na kanë ardhur mesazhe nëpër celularë, deshifrimi i të cilëve, çuditërisht, tani nuk përbën problem. KLM (kalofsh mirë) FLM (faleminderit) Përqafort (Të përqafoj fort) TUNG (tungjatjeta) TDSH (të dua shumë) MMSH (më mungon shumë), TKSHXH (të kam shumë xhan), TPF (të puth fort), ku e njëjta shprehje zëvendësohet edhe me puf/pufi, apo puc/puci, sikurse pacim, për “mirupafshim”; SPK (si po kalon); PRSH (përshëndetje), pa lënë këtu mënjanë përshëndetjet në anglishten bazike, mëmën e asaj që sot e quajmë GLOBISH (gjuha globale), si hi, hola, hello;
Por, përkrah një komunikimi të shpejtë dhe të menjëhershëm, ja ku vijnë edhe dorë për dore emocionet e gjithfarëllojshme, të kopsitura në pak shkronja, shenja pikësimi, apo simbole matematikore. Janë emoticon-et (emotion + icon) që tek ne quhen smile-t (nga anglishtja), ato që vijnë në ndihmë të përcjelljes së emocioneve dhe intonacionit që duam t’i japim asaj që jemi duke “thënë” shkruar. Pra, për të lënë të kuptohet në krahun tjetër nëse jemi duke bërë shaka, duke qeshur, duke qarë, të trishtuar, të irrituar, të habitur, nëse puthim, nëse kafshojmë, mendohemi, hutohemi etj, etj (e të tjera, e të tjera).
Duke parë ritmet galopane me të cilat po zhvillohet dhe pasurohet ky lloj zhargoni, vijmë në konkluzionin që, nëse nuk përpiqesh t’i mësosh dhe transkriptosh këto “hieroglife”, atëherë je i përjashtuar nga komunikimi i sotshëm virtual. Në funksion të sa më sipër, të rinjtë, kryesisht adoleshentët, mbështetësit kryesorë të këtij “evoluimi” të gjuhës insistojnë të shpjegojnë se të shkruarit në këtë mënyrë mund të kthehet, në fakt, në një aktivitet shumë argëtues, sepse t’i do rrish e vrasësh mendjen të bësh “zbulime”, “shpikje” të reja shkurtesash e akronimesh. Sipas tyre, “të shkruash me shkurtime e të krijosh me shenja emocione, të shtyn të jesh më kreativ, pra, një lloj loje që të çon në një rikuperim të gjuhës së shkruar në komunikimin ndërpersonal”.
Të përpiqesh të vlerësosh, sot, impaktin e këtij fenomeni në gjuhën e shkruar, atë të folur dhe raportet ndërpersonale, është ndoshta e herët, por realiteti është që një botë e re komunikimi ka lindur dhe po zhvillohet. Të bëhesh pjesë e saj, apo ta refuzosh, mbetet gjithmonë një çështje zgjedhjeje.
Rama, dhëndër në shtëpinë e Babë Myslymit
E। Demollari / L.Çela/
Ai i veshur me një kostum të zi e kravatë të kuqe. Ajo me një fustan elegant ngjyrë pana, i cili kombinohej hijshëm me kostumin e bashkëshortit të saj me lule të vockla të zeza. Kanë qenë veshjet, me të cilat Linda dhe Edi Rama i kanë dhënë fund mbrëmë beqarisë. Edhe pse jo ende zyrtarisht, kryetari i Partisë Socialiste sot është i martuar me gruan e familjes tiranase Basha.
Për hir të saj, duket se Rama ka pranuar gjithçka "made from Linda". Ka qenë pikërisht ajo që ka përzgjedhur veshjen dhe arredimin festiv të shtëpisë në Pezë, ku mbrëmë është mbajtur darka private me familjarët e Edi Ramës dhe Linditës. Sigurisht që ka qenë pak larg nga skenat klasike, ku nusja shfaqet në mënyrë pompoze dhe më pas i premton dashurinë e përjetshme bashkëshortit të saj.
Dasma
Publikisht e quajti gjysmën e tij, ndërsa mbrëmë Edi i ka premtuar të jetë përkrah saj në të mirë dhe në të keq. E dëshmitarë të vetëm të këtij premtimi kanë qenë njerëzit më të afërt të çiftit të ri. Ndoshta, rastësisht, shtëpia nga ka nisur udhën martesa e Lindës dhe Ramës është pikërisht strehëza historike në fshatin Pezë të Tiranës. Aty rreth orës 21 të darkës, çifti i ri ka pritur të ftuarit. Nuk kanë qenë njerëz të njohur të politikës kësaj here, por njerëzit e ngushtë të rrethit familjar: prindërit, vëllezërit dhe motrat e çiftit të ri. Më shumë se sa një ceremoni dasme duket se nata e mbrëmshme ka qenë një sebep për njohjen dhe afrimin e dy familjeve.
Darka ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nuk ka pasur orkestër, por biseda dhe trokitje gotash vere të shoqëruara në sfond nga një muzikë e lehtë. Të pranishëm në darkën e mbrëmshme kanë qenë prindërit e Lindës, vëllai dhe motra e saj. Nuk ka munguar Rea, vajza 20-vjeçare e nuses së mbrëmshme. Ndërsa në anën tjetër të tavolinës kanë qenë të ulur njerëzit e afërt të Edit, ku përveç Anetës, nënës së tij, kanë qenë të pranishëm Olsi, vëllai i Edi Ramës dhe Gregori, djali i tij. Pjesë e tryezës kanë qenë dhe "të zotët e shtëpisë", familja e Dashamir Pezës.
Persona jashtë familjes që kanë marrë pjesë në darkë ishin Liri Begeja dhe një mikeshë e huaj e Edi Ramës. Kjo ka qenë tryeza, më të cilën mbrëmë Edi Rama dhe Linda Basha i dhanë fund beqarisë për të quajtur tash e tutje çifti Rama.
Zonja e shtëpisë, gruaja e Dash Pezës, rrëfen darkën intime në shtëpinë muze në fshatin Pezë të Tiranës
Entela Peza: Si u martua Edi Rama në shtëpinë time
Është mesditë dhe ende ka shumë gjëra për të bërë. Entelës i zien koka dhe si zonjë shtëpie që është kujdeset që çdo gjë të jetë gati për darkën e madhe. Në fakt, dhe pse nuk do të jenë shumë njerëz, për Entela Pezën dhe të pranishmit e kësaj nate, kjo është një darkë e madhe. Entela kujdeset për çdo detaj, paçka se gjithçka që përmban menyja dhe arredimi i shtëpisë janë të ideuara nga Linda dhe Edi. Nga mesdreka Entela kishte ende shumë punë për të bërë. Mungonte servisi i përsheshit të gjelit të detit. I bie telefonit për të përzgjedhur pikërisht atë të duhurin, që është me ato tasat e vegjël e me pjatancat e zbukuruara. E pasi sigurohet disa herë që pas pak do të vijë pikërisht ai i duhuri, Entela i hedh një sy një punonjësi sanitar që rrekej t'i jepte dorën e fundit pastrimit të oborrit dhe shtëpisë në hyrje, të së cilës dy shandanë të mëdhenj flakëronin gjithçka përreth.
I kanë sjellë aty në orët e para të mëngjesit, me dëshirën e mirë që qirinjtë do të ndikojnë sado pak në krijimin e një atmosfere sa më romantike, por Entela të shpjegon se shandanët, (pak më tutje ndodhen edhe një dyzinë ca më të vegjël) nuk do të përdoren gjatë darkës.
Nga jashtë, askush nuk e kupton dot që gjatë mbrëmjes në atë shtëpi do të bëhet një dasmë. Shtëpia Muze e Myslym Pezës nuk ka asnjë zbukurim nga jashtë. Ndërsa në hollin e shtëpisë, gjithçka është vendosur me një shije të hollë. Tavolinat janë të stiluara me mbulesa të mëndafshta, ku mbizotëron ngjyra panë dhe bezhë, e cila shkon hijshëm me dekorin e ambientit përreth shtëpisë muze.
Gotat dhe servisi janë shtruar në tryezë. Entelës i mungon njëri syresh që është pikërisht ai me të cilin serviret një nga ushqimet karakteristike të "tironcave", përsheshi me gjel deti. Entela tregon se menyja e darkës do të jetë krejtësisht tradicionale shqiptare. Që fillon me antipastat dhe deri te torta të shoqëruara me verë, sigurisht nga ajo e një cilësie me të mirë. Por, në mesditë, ende asgjë nuk ishte gati. Ndaj, dhe çdo tik-tak i orës rriste ankthin e Entelës. Ajo e di fort mirë që Linda dhe Edi janë "të fiksuar" në çdo detaj dhe Entela duket se ka bërë gjithçka që çiftit Rama t'i dhurojë natën më të bukur të jetës. Dhe duke gjykuar nga pamja e hijshme që kishte marrë shtëpia, duket se ia kishte dalë mbanë...
Policia, masa për dasmën
Ndërkohë, burime të policisë së Tiranës kanë bërë të ditur se pas një letre të dërguar nga familja Rama, ata kanë marrë masa të shtuara sigurie për orët e dasmës së kreut të opozitës. Veç masave të sigurisë ka një plan masash për të lehtësuar trafikun dhe kushtet e tjera të lëvizjes gjatë orëve të ceremonisë, - bëjnë të ditura burime të policisë së kryeqytetit.
Fajon, dhuratë dasme për Ramën
Tanja Fajon, gruaja e lidhur ngushtësisht tashmë me çështjen e vizave të shqiptarëve, ka qenë dje në Tiranë. Asaj iu dorëzua Çelësi i Tiranës nga kryebashkiaku Rama dhe jo vetëm kaq. Fajon dhe Rama kanë darkuar bashkë dhe Fajon e ka uruar Ramën për dasmën.
Ajo i ka bërë kreut socialist edhe një dhuratë. Fajon ka ardhur nga Prishtina në Tiranë në një vizitë që nuk ka pasur të bëjë me ndonjë ftesë nga qeveria. Ajo është shoqëruar nga Erjon Veliaj në rrugën nga Prishtina në Tiranë
Këshilla e munguar e Rudina Magjistarit
Çfarë do të thotë të jetosh me një politikan aktiv? E kush më mirë se gratë e politikanëve mund t'i jepnin një këshillë bashkëshortes së ardhshme të kryetarit të PS-së. Mirëpo, nuk ka qenë kaq e lehtë të merrje një këshillë për zonjën Basha nga zonjat e rivalëve politikë të Ramës.
Me përjashtim të Liri Berishës që pyetjes së "SH2"-it iu përgjigj me një urim të shkurtër, gratë e tjera të politikanëve më të njohur të sotëm në vend, i janë shmangur (gati-gati me alarm!!) deklarimeve mbi dasmën dje gjatë kontakteve me gazetaren e "SH2"-it.
Xhoana Nano, gruaja e ish-paraardhësit të Ramës në PS, Fatos Nano, tha se nuk dëshironte të jepte asnjë këshillë dhe asnjë deklaratë për këtë dasmë, ndërsa Monika Kryemadhi, bashkëshortja e kreut të LSI-së, Meta, u shmang gjatë gjithë ditës së djeshme.
Një tjetër këshillë e munguar ka ardhur nga gruaja, e cila shumë më tepër se të tjerat e njeh bashkëjetesën me z. Rama, Rudina Magjistari. "Mendoj se nuk jam personi i përshtatshëm për të folur mbi këtë martesë", - tha ajo.
E kursyer në fjalë, por gjithsesi e hapur, ka qenë ndërkohë bashkëshortja e Sali Berishës. "I uroj çiftit Rama mbarsi e shëndet!" - tha ajo e pyetur dje nga gazetarja e "Sh2"-it.
10 Artistët më me influencë në Shqipëri

1 - Adelina Ismaili
Nëse ka një këngëtare në Shqipe që meriton të quhet "Pop Icon" është pikërisht Adelina. E kopjuar nga të gjithë, me provokimet dhe tendencat e saj për t'i sjellë publikut shqiptarë atë çka gjithmonë është dukur si e paarritshme, Adelina i ka bërë t'ju bjerë goja në tokë shumë njerëzve. Kur shumica e këngëtarëve të sotëm, ishin ende në shkollë të mesme dhe e ndiqnin nëpërmjet televizorit, këngëtarja kërcente me publikun e "Festivalit të Këngës në RTVSH", u zhvesh në skenën e tij dhe i dërgoi një "F.U" të madhe serbëve dhe rusëve. Ajo tashmë është shndërruar në masën kryesore të matjes së famës në Shqipe, dhe në forume, ku gjithmonë suksesi i një këngëtareje të re peshohet me suksesin e Adelinës.
2 - Ardit Gjebrea
Influenca e Arditit në tregun muzikor shqiptar është më se e kuptueshme. Përveçse këngëtar dhe kompozitor, Arditi ka nën firmën e tij një spektakël të përjavshëm dhe festivalin më të suksesshëm në Shqipe. Mjafton që të ketë dëshirë të bëj dikë të njohur dhe... abrrakadabrra!
Rasti më i fundit është ai i Juliana Pashës, e cila, pavarësisht se mjaft e njohur në qarqet muzikore, nuk gëzonte të njëjtin sukses në publikun shqiptar. Sot, një Eurovizion më vonë, Juliana është një prej këngëtareve më të njohura në vend, pritet të realizoj një album të ri dhe pretendente për çmimin e madh të edicionit të ri të "Kënga Magjike". The Power of Gjebrea!
3 - Flori Mumajesi
Pyet çdo këngëtar me kë do të bashkëpunojë dhe nga të gjithë do të dëgjosh se duan të bëjnë këngë me Florin. Nëse dikush nuk të thotë kështu, ndodh pasi mund të jetë refuzuar nga Mumajesi. Arsyeja që është kaq i kërkuar, ka të bëjë me faktin se pothuajse çdo këngë e tij shndërrohet në hit. Flori i njeh mirë kërkesat e publikut shqiptar dhe gjithmonë i servir atë që kërkon për momentin. Ndryshueshmëria në ritmet muzikore dhe shumëllojshmëria e gjinive muzikore, në të cilat ai kompozon, e kanë veçuar atë nga kompozitorët e tjerë. Gjithashtu, ai njihet për "syrin" e mirë në spikatjen e talenteve të reja, duke bërë të suksesshëm shumë prej këngëtarëve të rinj në Shqipe.
4 - Armend Rexhepagiq & Aida Baraku
Të gjithë në Kosovë e dinë, se kur duan të realizojnë një këngë me tekst dhe muzikë perfekte, duhet të drejtohen tek Armendi dhe Aida. Pas një karriere të gjatë së bashku, ata vazhdojnë të mbeten një prej çifteve më kreativ dhe më profesionalë në të dyja anët e kufirit. Kompozimet e tyre janë gjithmonë të vlerësuara maksimalisht, si nga kritikët edhe nga publiku dhe gjithmonë janë shquar për përzgjedhjen e artistëve që në vitet pasuese do të shquhen për vlerat e tyre artistike në skenën shqiptare.
5- Besa Kokëdhima
Besa është nga ato këngëtare, zërin e së cilës të ndodh rrallë ta dëgjosh. Është nga ato këngëtare që asnjëherë nuk ka përdorur (zh) veshjet ( si shumë këngëtare të tjera) për të rrokur zemrat e publikut. Shumë shpejt, këngët e saj janë kthyer në super hite dhe kanë rezultuar të suksesshme. I tillë është dhe hiti i fundit, në të cilin ajo ka zgjedhur të ketë si bashkëpunëtore këngëtaren kosovare, Jehona Sopin.
6 - Getoar Selimaj (Tingulli 3nt)
Getoari përveçse një prej krijuesve më të mirë dhe më të suksesshëm të hip-hopit në Shqipe, është shndërruar dhe në një prej personazheve që shërbejnë për të "mjekuar" karrierën artistike të një këngëtari. Shumë artistë, të cilët dëshirojnë të "merren më seriozisht" nga publiku dhe që kërkojnë një rikthim në karrierën muzikore apo të thyejnë pak monotoninë e ritmeve të tyre i drejtohen...Getoarit! E ai asnjëherë nuk ka zhgënjyer! Bashkëpunimet me emra të njohur si Elvana, Nora, Çiljeta, Ermali, Genta, kanë bërë që kur vjen puna për duete...emri i tij të jetë i pari në listë.
7 - Aurela Gaçe
Askush më mirë se Aurela nuk ka arritur të kalojë nga muzika, pop, në baladë, folk, hip-hop, dance etj., apo të përshtatet (me) dhe të respektohet si nga brezi i ri ashtu dhe nga brezi i vjetër i këngëtarëve. Me pamjen dhe ritmet e saj gjithmonë në ndryshim, ajo është padyshim një prej emrave më të respektuar dhe më me influencë në muzikën shqiptare e të mos harrojmë...dhe një prej këngëtareve më të ndjekura në Shqipe, e cila mban rekordin e mbi 3milionë shikuesve në "YouTube".
8 - Fadil Berisha
Shumë prej jush e njihni Fadil Berishën si fotografin e njohur, që dërgon më të bukurën shqiptare në "Miss Universe", por ju nuk dini që Fadili është dhe një mbështetës i fortë i këngëtarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Ai ka fotografuar pothuajse të gjithë artistët e njohur, duke i ndihmuar të përmirësojnë imazhin e tyre përpara publikut dhe duke i ndihmuar të zbulojnë bukurinë në vetvete. Ky ndryshim është vënë re, pasi të gjithë që kanë pozuar për të më pas, kanë vazhduar të kujdesen për fotografitë që prezantojnë në shtyp (Për këtë mjafton të krahasosh fotot nga vitet e ndryshme). Gjithashtu, në diasporë, Fadili gjithmonë organizon mbrëmje të ndryshme, të cilat mbledhin artistët shqiptarë dhe i ndihmojnë ata për t'u njohur me njëri-tjetrin.
9 - Elvana Gjata
10 - Edmond Zhulali & Adrian Hila
Çdo vend e ka një mbret, por "Festivali i Këngës në RTVSH" duket se i ka dy. Shumë artistë e kanë ëndërr (dhe pse ndoshta nuk e pranojnë) të shkojnë në "Eurovision", e dyert për atje i hap ose Edmondi ose Adriani. Kompozimet e tyre, gjithmonë arrijnë të seleksionohen në majën e listës finale të "Festivalit të Këngës në RTVSH" e akoma më shpesh shpallen fituese. Për këtë mjafton t'i hedhësh një sy të dhënave të përfaqësuesve shqiptarë në Eurovison dhe do të bindeni.
Rea dhe Gregori 'miq të fshehur' në Facebook
Rea Xhillari është vajza e Linda Ramës. Rea është fëmija i vetëm i Lindës nga martesa e parë. Ajo ka lindur më 18 shkurt të vitit 1990. I ka kaluar të 20-at. Nuk jeton në Shqipëri, që pas mbarimit të shkollës së mesme. Vazhdon studimet jashtë vendit në degën e Arkitekturës. "Rea është kuptimi më i madh i jetës sime. Ajo studion për Arkitekturë në Vjenë. Është një fëmijë shumë komunikues. Këtë e ka jo vetëm për shkak të asaj që vijimësisht babai i Reas dhe unë kemi bërë, por veçanërisht për shkak të vëmendjes dhe të një kujdesi të posaçëm që gjyshërit e Reas kanë dhënë për të" - tha Lindita për vajzën e saj.
Rea ka udhëtuar dje nga Vjena për të qenë pjesë e darkës familjare në Pezë. Rea dhe Gregori djali i Edi Ramës nga martesa e parë, janë thuajse moshatarë. Ata janë njohur me njëri tjetrin nga afër në darkën e mbrëmshme, por në fakt janë bërë që më parë miq në Facebook. Sapo historia e Lindës dhe Edi Ramës, mori dhenë, është e kuptueshme që dy të rinjtë "morën masa" të shpejta.
Ata i fshehën profilet e tyre për të ruajtur priatësinë. Gregori e ka prej kohësh të "pakalueshëm" profilin e tij në Facebook, madje edhe për miqtë e tij ai ka një emër tjetër me të cilin prezantohet në rrjetin e njohur social. Kurse Rea e ka rritur nivelin e privacisë në faqen e saj, ditët e fundit, menjëherë sapo nëna e vet u vu në qendër të vëmendjes.
Kalimash, përfundon tuneli, sot udhëtime në dy galeritë
Pasagjerët nuk do të presin më në radhë për të kaluar kufirin, pasi tashmë janë të hapura të katër korsitë e autostradës. Pas afro tre vitesh, më në fund vepra më moderne dhe më e madhe e infrastrukturës në vendin tonë ka përfunduar. Drejtuesit e mjeteve e udhëtarët do të shkurtojnë një distancë prej tri orësh nga rruga e vjetër, me vetëm 6 minuta nëpërmjet tunelit.
Mësohet se forcat e policisë do të jenë të pranishme në të dy portat, në Kalimash dhe Thirrë, por ato nuk do të ndalojnë më automjetet për të formuar autokolonën dhe për t'i shoqëruar ato, përveçse në rastet kur do ketë probleme. Firma 'Becthel Enka', konsorciumi turko-amerikan do të ketë shumë më pak punëtorë dhe specialistë në tunel. Sipas të dhënave nga specialistë të firmës, kanë përfunduar të gjitha punimet në dy galeritë nga 5.6 km secila. Në to janë instaluar kamerat, ventilatorët, sinjalistika e duhur dhe gjithë aksesorët e tjerë të sigurisë. Gjithashtu, mësohet se në të gjithë gjatësinë janë ndërtuar edhe pesë lidhje mes tuneleve, me qëllim që në çdo rast bllokimi të qarkullimit, automjetet të mund të përdorin galerinë tjetër për të qarkulluar pa u krijuar kaos në mes të tunelit. Në portën veriore të tunelit nga ana e Kukësit në Kalimash është stacionuar policia, zjarrfikësit dhe n/stacioni elektrik, që mundëson furnizimin pa ndërprerje me energji të tunelit, si dhe kulla e kontrollit dhe e sigurisë. Dy galeritë janë me nga dy kalime. Në këtë vepër është aplikuar teknologjia më bashkëkohore me specialistët më të mirë të fushës. Në përfundim të punimeve rezulton se në këtë nyje të rëndësishme të autostradës Durrës-Kukës, unikale në Ballkan ka pasur shumë më pak aksidente se në vepra të tilla, në vende të ndryshme të botës. Përfundimi i tunelit dhe thuajse i shumicës së segmentit Rrëshen-Kalimash ka bërë që vendet e punës nga 3 000 që arritën në kulmin e punimeve të reduktohen në disa qindra, të cilët gjithashtu do të largohen kryesisht për në Kosovë ku dhe firma ka nisur projektin Morinë-Merdare. Autostrada ka ngecur për 5 km matanë tunelit, pasi punimet nuk kanë përfunduar ende. Si datë finale e mbylljes së tij segmenti problematik që po realizohet nga ndërtues shqiptarë, Kolsh-Myç Mamëz, parashikohet data 5 nëntor.
Në segmentin Rrëshen-Kalimash punohet edhe në një gjatësi prej 7 km në afërsi të Repsit, ku po riparohen shembjet nga shpati i malit. Autostrada në këtë pjesë është bllokuar në njërin krah dhe lëvizjet vijojnë në krahun tjetër me dy kahe.
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Mariza Ikonomi në një duet ndryshe me Bojken Lakon
Mariza Ikonomi po përgatitet të dalë me një klip të veçantë në karrierën e saj muzikore, do të jetë pikërisht një duet me artistin Bojken Lako. Kënga titullohet “Dua të harroj” dhe do jetë një krijim i realizuar në rrymën rock. Do të jetë kjo shfaqja e parë e Mariza Ikonomit me një klip të ri pas një periudhe mungese. Aktualisht Mariza këndon “live” në disa bare të Tiranës. Pas një pauze të gjatë, këngëtarja po punon për këngën në të cilin do prezantohet ndryshe si në muzikë, ashtu dhe në look. Thuhet se këngëtarja nuk do të marrë pjesë në ndonjë festival pasi është e ftuar të këndojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka nisur përgatitjet për repertorin që do të përzgjedhë të këndojë “live”, edhe pse ende nuk ka caktuar një datë fikse për mbajtjen e koncertit. Ndërkohë që Bojken Lako, pas largimit nga “Top Channel”, vitin e kaluar iu rikthye konkurrimit në Festivalin e Radio-Televizionit Publik Shqiptar me këngën “Love, love, love”. Aktualisht ai punon si regjisor i programeve dhe show-ve muzikorë në Televizionin Kombëtar “Klan”.
Luli Bitri, skena të forta erotike me Karafil Shenën në filmin “Amnistia”
Nuk është qëllimi në vetvete “erotika” në këtë film, por natyrisht duke qenë një film artistik me metrazh të gjatë, ky është momenti që tërheq vëmendje. Bujar Alimani, regjisori i filmit më të ri me metrazh të gjatë që po xhirohet këto ditë në Shqipëri, ka vendosur të publikojë foto të momenteve më të nxehta të këtij filmi, të cilin e ka titulluar “Amnistia”. Është një marrëdhënie intime nga një histori e pamundur dashurie, që zhvillohet mes Tiranës e Pogradecit dhe që luhet me shumë vërtetësi nga dy aktorët Karafil Shena dhe Luli Bitri. Pas përfundimit të xhirimeve dje (të premten), regjisori Alimani ka menduar të shuajë paksa kuriozitetin e të gjithëve më foto të tilla. Për Luli Bitrin, rolet me skena erotike janë bërë të zakonshme tashmë, edhe pse ajo është e martuar dhe ka një jetë familjare jashtë vendit me një bashkëshort italian. Ndërsa Karafil Shena, një aktor i njohur që vazhdon karrierrën në Greqi, është zgjedhur nga regjisori për përshtatjen shumë perfekte me karakterin e filmit të tij. “Amnistia” është skenar kinematografik, që trajton një temë sociale, në të cilën gërshetohen edhe linjat e një marrëdhënieje midis dy njerëzve që jetojnë në Shqipëri, një burri e një gruaje, të interpretuar pikërisht nga Shena e Bitri. Janë të dy protagonistë të një marrëdhënieje të jashtëligjshme, që kundër rrjedhës dhe të gjitha rrethanave krijojnë botën e tyre plot pasion. Në këtë lidhje ata sjellin erotikë dhe dhimbje, bazuar në një skenar të shkruar me një sfond politiko-social të caktuar. Në një intervistë për “Panoramën” regjisori është shprehur se, “Amnistia” është larg kallëpeve të deritanishme dhe standardeve prej të cilëve regjisorët shqiptarë nuk po shkëputen dot, duke e komentuar dhe si një provë personale e tij për të sjellë freski dhe portrete të rinj në këtë film. “Aminstia” është i pari projekt shqiptar që aplikon pranë Fondit të Këshillit të Europës, për kinematografinë, “Eurimages” dhe që merr 120 mijë euro.
Enveri në Byro: Si më futi Mehmeti në krushqinë e Turdive
Fakti i panjohur zbulohet nga një dokument i arkivit privat të diktatorit, i bërë publik së fundi në emisionin “Opinion” të gazetarit të mirënjohur Bledi Fevziu, në TV Klan. Është një referim nga mbledhja e përfolur e Byrosë Politike e 17 dhjetorit 1981, e thirrur me urgjencë për të kryqëzuar numrin dy të regjimit për zbutje të luftës së klasave. Enver Hoxha, teksa bombardon bashkëpunëtorin e tij më të afërt me një mori akuzash, befason liderët e tjerë me deklaratën e papritur, se e ka bekuar edhe vetë fejesën e djalit të Mehmetit me një vajzë me biografi të keqe politike. Pavarësisht rrethanave që e kanë futur në krushqinë e Turdive, për të cilat kreu i partisë shprehet se ka rënë viktimë e hileve të kryeministrit, rasti mbetet i pafalshëm dhe korrigjimi i tij nuk mjafton vetëm për prishjen e fejesës. Pikërisht, ky moment i mbledhjes së Byrosë Politike është censuruar në procesverbalin zyrtar, në të cilin janë retushuar, siç konstatohet nga dokumentari i zbuluar në TV Klan, edhe mjaft nga lajthitjet e vulgaritetet e debatit maratonë në atë kuvend të rëndësishëm të partisë. Siç dihet, mbledhja e 17 dhjetorit 1981 mori në shqyrtim autokritikën e Mehmet Shehut, të depozituar më parë në sekretarinë e KQ dhe pasi e rrëzoi si një alibi shfaqësuese, u mbyll në mbrëmje për të vazhduar të nesërmen në pritje të një reflektimi të thellë nga ana e kryeministrit. Atë natë, sipas variantit zyrtar, në kushtet e një krize nervore, numri dy i regjimit vrau veten. Prej këtej i gjithë arsenali i propagandës partiake do ta stigmatizonte ish-kryeministrin si poliagjentin më të rrezikshëm të të gjitha kohëve...
MEHMET SHEHU: Jam përpjekur sa kam mundur për të realizuar shkaqet e ngjarjes, që çuan te zbutja e luftës së klasave në rastin e fejesës së djalit tim. Tani shokët ta vlerësojnë si ta gjykojnë të arsyeshme.
SIMIN STEFANI: Si mendoni ju shoku Mehmet, pse ka ardhur ky qëndrim mikroborgjez, siç e ka vlerësuar shoku Enver? Cila është përgjegjësia që ndjeni?
PALI MISKA: A jeni i bindur ju, se ky gabim i madh politik që keni bërë është rrjedhim logjik i gabimeve dhe dobësive që keni pasur në punë e në jetë?
MEHMET SHEHU: Unë mendova se nëse Partia nuk do ta aprovonte, do ta prishja fejesën, ashtu siç në fakt ndodhi.
RITA MARKO: A e kishit parasysh atë që tha shoku Simon në momentin që morët vendimin e fejesës së djalit tuaj?
MEHMET SHEHU: Unë, siç e kam shprehur në autokritikën që kam bërë me shkrim për shokët e Byrosë Politike, në atë moment nuk e gjykova drejt. Nuk u thellova sa duhet mbi rrethanat e kësaj fejese. Këtu, veç atyre që them në autokritikë desha të veçoj dy faktorë kryesorë, që më bënë ta pranoj atë fejesë. Arsyeja e parë ka lidhje me traumën psikologjike, që ka kaluar djali (Skënderi). E dyta ka të bëjë me një kuptim të ngushtë që i bëra familjes së Qazim Turdiut, duke u nisur nga ajo se çdo më bënte kjo familje, e cila i ka këputur marrëdhëniet me pjesën tjetër të saj që ndodhet jashtë shtetit. Në autokritikë kam dhe shkaqe të tjera, të cilat e shpjegojnë këtë.
RITA MARKO: Një pyetje kam unë shoku Mehmet. A tregon ky veprimi juaj, se vutë interesat e djalit para interesave të partisë?
MEHMET SHEHU: Unë nuk u nisa nga ajo shoku Pali, që të vija interesat e djalit mbi interesat e partisë dhe fakti është se me këtë gabim që bëra u prek jo vetëm interesi i partisë, por edhe interesi i familjes dhe i vetë djalit. Po të isha nisur nga ajo që të vija interesat e djalit mbi ato të partisë, unë do të isha një armik. Po unë nuk e gjykova në këtë mënyrë.
RAMIZ ALIA: Ju e pranoni që këtë gabim...
MEHMET SHEHU: Në këtë rast unë kam gabuar...
RAMIZ ALIA: E pranoni me ndërgjegje të plotë që këtë veprim e bëtë në kundërshtim me vijën e partisë?
MEHMET SHEHU: Jo.
RAMIZ ALIA: Pse? Ju në fakt e keni bërë me ndërgjegje të plotë, kur thoni se këtë nuk do ta bëja në asnjë mënyrë për ndonjë nga fëmijët e tjerë. Këtë ua them dhe për t’iu ndihmuar. Sa për autokritikën me shkrim që ke paraqitur, unë do të them mendimin tim. Kur thoni se për fëmijët e tjerë nuk do ta pranonit një fejesë të tillë, do të thotë se keni bindjen se është në kundërshtim me politikën e partisë? Pse menduat ju se do ta toleronte partia? Pse menduat se për këtë partia nuk do të reagojë? Se po të mendonit se partia do të reagonte, nuk do ta aprovonit fejesën. Pra keni gjykuar se partia do ta pranonte. Pse menduat kështu? Kjo ka lidhje me atë që thanë shokët këtu, se ju e ndjeni veten mbi partinë e normat e partisë për ju nuk kanë vlerë?
MEHMET SHEHU: Jo, unë nuk e vë veten mbi partinë.
RAMIZ ALIA: Atëherë si shpjegohet?
MEHMET SHEHU: Shoku Ramiz, unë kam gabuar në këtë çështje kështu siç e shpjegoj në autokritikë.
RAMIZ ALIA: Aty nuk shpjegohet ajo shoku Mehmet. Nga një anë aty thua që është në kundërshtim me vijën e partisë, nga ana tjetër nuk shpjegoni pse e pranuat. Ju ç’menduat? Ky është problemi, ky është kyçi i gjërave...
MEHMET SHEHU: Në kompleksin e gjithë këtyre çështjeve që shpjegova...
RAMIZ ALIA: Atëherë kanë të drejtë shokët të kërkojnë llogari pse vure interesin e djalit mbi interesin e partisë.
MEHMET SHEHU: Unë nuk e kam vënë me ndërgjegje interesin e djalit mbi interesin e partisë...
ENVER HOXHA: Këtu u bënë disa pyetje, të cilat vërtetojnë të kundërtën e atyre arsyetimeve që të shtynë ty të veproje. Pikërisht këtyre duhet me ju përgjigjur, që të mund... domethënë, që të shërohet plaga. Kështu jo vetëm ke menduar gabim, por edhe ke vepruar gabim, duke vënë para interesave të partisë ato të djalit..
MEHMET SHEHU: Shoku Enver, këtu ka...
ENVER HOXHA: Këtu ne gjykojmë faktet...
MEHMET SHEHU: Lidhur me faktet...
ENVER HOXHA: Në atë moment domethënë e vure djalin mbi partinë. Aty e humbe atë, si të them...
MEHMET SHEHU: Ekuilibrin.
ENVER HOXHA: Domethënë e shkele vijën e partisë. Kjo është më e drejtë, ndaj duhet pranuar. Mos u përpiq ta eliminosh me shprehjet “në atë kohë” “në ato rrethana mendova kështu”, etj. Tani të vijmë këtu: E mendon ti si shkelje?
MEHMET SHEHU: Në atë kohë nuk e mendova kështu shoku Enver. Tani e kuptoj drejt.
ENVER HOXHA: Si e konsideron këtë?
MEHMET SHEHU: Të drejtë e konsideroj.
ENVER HOXHA: Kjo bindje të largon nga e keqja. Ne këtë duam, të të të largojmë nga e keqja.
MEHMET SHEHU: Vërejtjet dhe mendimet e shokëve janë të drejta. Në atë moment faktik, konkret duke gjykuar ashtu si gjykova unë, por në fakt nuk gjykova drejt, u dëmtua njëkohësisht interesi i partisë, po dhe interesi i djalit dhe familjes sime...
ENVER HOXHA: Këtu ka një hap përpara. Tani kupton po të krahasosh përgjigjet e para me këto, ka ndryshim kupton...
RITA MARKO: Shoku Mehmet ka pasur dhe herë të tjera probleme me sjelljen e fëmijëve...
MEHMET SHEHU: Unë e them se qëndrimi ndaj fëmijëve nuk ka qenë në shkallën e duhur. Për këtë ka pasur dhe shokë që më kanë folur më parë. Unë i kam kritikuar rëndë djemtë për sjelljet e padenja dhe këto kohët e fundit kam vënë re një përmirësim të dukshëm tek ta. Po detyra ime është që t’i shkoj deri në fund...
RITA MARKO: Ka probleme me fëmijët. Djali vete jashtë shtetit i veshur si i huaj, e ne habitemi. Bredh djali tjetër nëpër rrugë si mos më keq, e çuditet mileti. Në festivalin e Gjirokastrës habiti njerëzit, që e shikonin me habi dhe pyesnin ç’është ky kosovar, njerëzit flasin. Ju shoku Mehemt, u keni krijuar vetë kondita fëmijëve dhe nuk ju shqetëson sjellja e tyre jo e denjë. Si ka mundësi që nuk keni ndërhyrë, ndërkohë që ne duhet të ndërhyjmë dhe për të tjerët, e jo më për fëmijët tanë.
KADRI HAZBIU: Unë kam folur dhe më parë me shokun Mehmet për punën e fëmijëve. Ka qenë prezente në publik sidomos paraqitja ekstravagante e tyre. Shoku Mehmet këtë e ka parë patjetër. E ka parë dhe është pajtuar në një formë a në një tjetër...
MEHMET SHEHU: Tani kjo puna e fëmijëve....
KADRI HAZBIU: Do të thoni se nuk i keni parë. Po makinat që kanë në dispozicion, nuk ua ka zënë syri? Po motoskafët shoku Mehmet që janë bërë problem disa herë në Durrës, nuk i quani si shqetësim ju? Si ministër i Brendshëm para disa kohësh më erdhi informacioni për një lloj kaosi, që kishin bërë djemtë tuaj në vilat e Durrësit, ku fusnin aty edhe derrin e dosën. Thirra urgjent komandantin e Gradës së Republikës dhe i thashë: Ç’ndodh te vila e Mehmet Shehut?! Ai më ka thënë se gjithçka bëhet me dijeninë dhe lejen e kryeministrit. Në shoku Mehmet kemi folur bashkë disa herë për këto probleme dhe deri diku i ke marrë masat, por këto kanë ndodhur.
ENVER HOXHA: Ti the shoku Mehmet se unë kam pasur dijeni lidhur me fejesën e djalit tuaj. Përsa i përket vënies sime në korrent, ti ke bërë një gabim, një hile desha me thënë. Mehmeti thirri djalin tim me nusen e djalit të priste për herë të parë nusen e Bashkimit (nusen e Skënderit e korrigjon një nga të pranishmit). Unë e mora vesh atë ditë dhe pyeta djalin: “Ku po shkon?”. - Shkoj te shoku Mehmet, më tha, se na kanë thirrur. Pse u kanë thirrur?, e pyeta prapë. Fejon çupën (djalin korrigjon dikush nga të pranishmit). Uuu, me kë?, i thashë. Me çupën e një profesori, më sqaroi. Po si e quajnë?, u interesova më tej. Filani, tha djali. Epo mirë, t’i trashëgohet, shtova unë. Dhe iku djali me gjithë nusen, shkoi në gosti. Djali i Enverit, në krye të krushqve të Turdive. Një hile kjo nga Mehmeti dhe Fiqiretja. Një hile për të kompromentuar djalin tim, familjen time. Një djallëzi e paramenduar që të thoshin të tjerët se te familja e Turdive ishte dhe djali i Enverit me të shoqen. Prandaj unë e quaj hile. Pastaj unë shkova për ta uruar për shtëpinë e re, por edhe për fejesën, për të cilën më kishte vënë në dijeni djali. Unë jam i bindur se Mehmeti, atë moment që vendosi për fejesën me hile, nuk më vuri në korrent. Po Mehmeti nuk më vuri në korrent dhe një çikë më vonë. Të më thoshte: - Shoku Enver, unë e bëra këtë, po tani si t’ia bëjmë?! Dhe me këtë vajtjen time për urim u vulos sipas Mehmetit gjithçka, se Enveri është dakord me fejesën. Mori fund kjo. U bë krushqia. Mbas gjithë kësaj, më vonë, erdhën dhe lajmet për atë që nuk shkonte në krushqi. Ç’është kjo që u bë? Dhe këtu ky ka ndjekur një taktikë të gabuar, shumë të gabuar. Kjo ishte e rrezikshme, po kështu u bë shumë e rrezikshme, pasi ka njerëz që e morën vesh se fejesa u miratua dhe nga Enveri. Të parët që u ngrohën nga kjo ishin familjarët e vajzës. Kështu që situata u bë shumë e rënduar...
KADRI HAZBIU: Gabimet tuaja shoku Mehmet nuk janë sporadike. Vetë metoda juaj, mbyllja juaj, nuk është e shpjegueshme lehtë. Rregulli jo normal i jetesës u ka shkëputur nga shoqëria. U ka çuar në atë që t’i shikoni gjërat me dyshim. Këtë e tregon dhe ajo që më keni thënë disa herë, se mos të përgjohen telefonat...
ENVER HOXHA: Si është kjo puna e telefonave?
MEHMET SHEHU: Kjo ka ndodhur kur kam konstatuar që më është prishur telefoni.
ENVER HOXHA: Pse prishen telefonat e tu dhe tanët nuk prishen? Si është e mundur të kemi dyshim se në sistemin e brendshëm të telefonave na përgjojnë?
MEHMET SHEHU: Kjo një rast ka qenë shoku Enver
PALI MISKA: Ka dhe diçka tjetër që nuk shkon shoku Mehmet. Në një Shkollë të lirë ushtarake në qytetin “Stalin”, në çdo qoshe shikon të afishuara me dhjetëra parrulla e citate me emrin tuaj. Kjo është e papranueshme. Për pikëpamjen time, ky është një lloj dualizmi që kërkoni të impononi në parti e në popull. Pse nuk ka dhe citate të shokut Ramiz e të udhëheqësve të tjerë...
MEHMET SHEHU: Ku ta di unë se çfarë është shkruar në një repart në qytetin Stalin?
PALI MISKA: Juve shoku Mehmet u bëtë disa kohë ministër i Mbrojtjes dhe nuk ma do mendja që nuk keni shkuar në reparte, ku ka me dhjetëra parrulla të tilla. Juve u vjen mirë që u lavdërojnë në këtë mënyrë. Ju vjen mirë të dëgjoni që shoku Mehmet Shehu bëri atë e bëri këtë. Jo shoku Mehmet nuk është kështu si thoni ju. Një gjë e tillë është një defekt serioz i karakterit tuaj...
MEHMET SHEHU: Tani desha të them se...
ENVER HOXHA: Një minutë shoku Mehmet. Le ta vazhdojmë nesër këtë mbledhje. Sot të gjithë shokët me zemër të hapur të vunë në dukje gabimin tënd të madh politiko-ideologjik dhe reflektuan gjithashtu nga rrodhi ky gabim. Kjo tregon nivelin e lartë marksist-leninist të shokëve për të ruajtur vijën e partisë të pastër dhe për të të ruajtur ty shoku Mehmet. Mendimi im shoku Mehmet është se ato që do të thuash nesër duhet të jenë të bazuara, jo të jenë si këto “jo “kështu, jo ashtu”. Ti merr esencën e gjërave, thelbin e tyre. Ajo na intereson ne. Të japim ndihmë me dashuri komuniste që të ndreqesh, por të na kuptosh si udhëheqës, si komunist dhe jo të biesh në pozita sentimentale për punën e djalit. Prandaj që të arrish në një konkluzion sonte natën, se sonte natën nuk duhet të të zërë gjumi, se veçanërisht për ty është shumë e rëndë kjo situatë. Të këshilloj që ta rrëzosh këtë autokritikë alibi që na paraqite në byro, se ke gjetur një alibi për të shfaqësuar gabimin politik që ke bërë. Përpara logjikës së fortë marksiste-leniniste të shokëve nuk mban kjo alibi. Shokët gjykuan e gjykojnë drejt. Çështja është e rëndë jo vetëm përsa i përket fejesës. Kjo e keqe u bë mirë që u hap. Ti e hape këtë. Ti je autor i saj! Ti reflekto! Kështu do ti bësh dhe një shërbim të mirë partisë. Pra, ta mbyllim sonte dhe le ta dëgjojmë dhe një herë Mehmetin nesër. Nesër do të flasë edhe unë për këtë çështje. Mirupafshim nesër!
Përgatiti. Af.Im
Edi&Linda,sekretet e festes me 25 veta
DASMA E KREUT TE PS/Edi Rama dhe Lindita Basha kanë festuar mbrëmë me familjet dhe miqtë më të ngushtë në shtëpinë e famshme të Pezës. Kush ishin njerëzit që ngritën dolli me çiftin e ri. Nga regjisorja shqiptaro-franceze, Liri Begeja
te grupi muzikor i huaj, i ftuar posaçërisht për darkën. Menuja e sjellë nga Tirana dhe veshjet e protagonistëve. Sot, ceremonia e madhe me 800 të ftuar
Nuk është fjala për atë ceremoninë e madhe, që do të dyndë në ambientet e 'Xibrakut' gjithë të ftuarit pjesëmarrës në dasmën e kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, me zonjën e tij, Linda Basha. I referohemi asaj ceremonisë së vogël, të fshehur nga të gjithë, asaj hermetikes, për të cilën ziente e gjithë PS-ja, se kush e kush do ishin të ftuarit. Burime të brendshme të rrethit të deputetëve socialistë e miqve të Ramës, nëpërdhëmbin gati në heshtje për gjithë 'luftën' e pazëshme që është bërë mes kandidatëve për të qenë prezentë në këtë ceremoni. Por sipas informacioneve, duket
se asnjëri prej tyre nuk ia ka arritur qëllimit. Sipas versionit të parë, botuar në gazeta, që kjo ceremoni do të zhvillohej në ambientet e një restoranti në malin e Dajtit, të gjithë të sipërpërmendurit bënë gati kostumet. Por rezultoi që edhe ky informacion të ishte i rremë, apo në mos, ishte dhënë enkas i tillë për të çoroditur dëshiruesit.
E vërteta e mbrëmjes së djeshme mundi të na vinte e copëzuar vetëm në orët e vona, kur kjo ceremoni ishte thuajse drejt fundit. Pjesëmarrësit në të nuk ishin as më shumë e as më pak se 25 vetë. Mbrëmja "Gala" zhvillohej pikërisht aty ku është zhvilluar Konferenca e Pezës, në atë ndërtesë të rikonstruktuar, e cila sot mban pronësinë e Dashamir Pezës, që veçse pronar, nuk mund të mos ishte i ftuar special, shoqëruar nga bashkëshortja në ceremoni. Si bashkëpunëtor i ngushtë i kreut të bashkisë, nuk mund të mungonte as artisti bashkëkohor, përfaqësuesi më i njohur jashtë Shqipërisë në këtë zhanër, Anri Sala, regjisorja e ardhur enkas nga Franca, në shtëpinë e së cilës Rama ka ndenjur do kohë. Ajo që ka realizuar edhe videoklipin e këngës së Ramës me djemtë e "West Side Family", Liri Begeja. Natyrisht që nuk kanë munguar në këtë natë familjarët e të dy protagonistëve të dasmës, Lindës dhe Edi Ramës. Dy prindërit e nuses, vëllai me të motrën, e ëma e Ramës, Aneta, vëllai Olsi i ardhur nga SHBA, bashkë me bashkëshorten dhe i biri, Gregori. Përpara se mbrëmja e shënuar të fillonte, familjarët, të zotët e shtëpisë, janë parë të veshur me veshje thuajse shtëpie, por sipas informacioneve, më vonë veshjet jo vetëm të tyre, por edhe të pjesëtarëve të tjerë kanë qenë nga më luksozet, ashtu siç fundja ka qenë fund e krye e gjithë mbrëmja. Të paktën këta "fitimtarët", që arritën të ishin të pranishëm, të kishin mundësi të tregonin kush e kush më shumë klasin. E duke qenë kështu, as menyja e darkës nuk kishte si të ishte ajo tradicionalja, që mund të gjendet fare lehtë në Pezë. Edhe pse nga më të shijshmet, degustatorët kanë preferuar të marrin prej Tiranës ushqim catering. Nuk mund të dimë emrin e shisheve të verës, po ama, gjatë transportit për në shtëpi, mësuam se është preferuar të jetë e kuqe, siç i ka hije një ceremonie që ndodh vetëm një herë në jetë. Edhe pse nuk u panë transportuesit e tortës klasike, me siguri që cateringu ka menduar edhe për ëmbëlsirën, e cila vjen në fund. E gjithë kjo mbrëmje është shoqëruar nga një bandë muzikore e huaj, që thuajse gjithë kohën ka luajtur 'live'. Ka kënduar në gjuhën angleze, e sigurisht ka mbërritur enkas për çiftin e ri. Që gjithçka të shkonte deri në fund, pa shqetësime, ishin marrë edhe ca masa sigurie, por pa rënë shumë në sy. Nuk ka pasur uniforma, por vetëm truprojat e Ramës e ndoshta pak të tjerë të veshur civilë.
Ceremonia e së dielës
Ndryshe nga dita që sapo lamë pas, e hermetizuar për nga informacionet deri në detaj, ceremonia e dasmës së ditës së diel të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama me Linda Bashën, do të ketë informacione për të gjithë. Nesër, me siguri që do të ziejnë faqet e para të gazetave për gjithë ç'kanë parë në ato dy orë pritje. Kjo po që është thënë që në fillim, vetëm dy ditë pas shpalljes së martesës, se ditën e diel, prej orës 16:00 deri në orën 18:00, në ambientet e 'Xibrakut', çifti do të priste të ftuarit për të cilët nuk ishte kursyer aspak për t'i numëruar. Të ftuarit mendohet të arrijnë në 800 vetë, mes të cilëve politikanë, gazetarë, analistë e miq të çiftit. Siç e komentoi edhe vetë çifti i ri, kjo ceremoni do të jetë një mundësi për të trokitur një gotë dhe për të ndarë gëzimin me të tjerët.
Selin Dion ka lindur binjakë, një djalë dhe një vajzë
Këngëtarja e mirënjohur Selin Dion ka përmbushur më së fundi ëndrrën e saj për t'u bërë përsëri nënë. Ajo lindi 2 binjakë, një djalë dhe një vajzë. Bashkëshorti i saj, Rene Anxhelil, i cili është njëkohësisht edhe menaxheri i këngëtares e konfirmoi sot njoftimin, së bashku me mjekun e këngëtares 42-vjecare, në spitalin St. Mary's Medical Center në Palm Beach të Floridës.
Cifti Angelil-Dion kanë një djalë 9-vjeçar, por këngëtarja ishte shprehur prej kohësh që donte fëmijë të tjerë. Binjakët lindën një muaj më herët. Selin pritej të lindte në nëntor, por u shtrua në spital për kontroll, pas disa shqetësimeve që siç duket rezultuan në lindjen e parakohshme të binjakëve.
Selin Dion, me origjinë nga Kebeku i Kanadasë, ka fituar pesë herë çmimin Grammy dhe ka shitur miliona disqe të këngëve të saj, kryesisht të interpretuara në anglisht. Në fillim të këtij viti ajo njoftoi se po kthehet në Las Vegas për një kontratë 3-vjeçare me hotelin Ceasar's Palace, ku do të interpretojë në koncerte të rregullta.
