Sunday, May 12, 2024

Letër publike Ajola Xoxës

 


E nderuar Ajola,

Prej disa ditësh, ju personalisht, në ndërhyrje me miqtë tuaj, me të afërm, biznesmenë e të tjerë, keni filluar

të ndërhyni pranë stafit të CNA-së, te një nga bashkëpunëtorët kryesorë, i cili është edhe aksioneri, gazetari Elvi Fundo. Sa në një krah e në një tjetër, kërkoni që ne të arrijmë deri aty sa të sulmojmë dhe të themi çfarë të duam për burrin tuaj, por të mos merremi me ju. Nuk na habit as kjo.

Në fakt, nuk kemi bërë asgjë ndaj teje. Në dosjen hetimore të inceneratorit ka pasur një kontratë të asaj që quhet “Harabel”, kompania, që ju e dini mjaft mirë. Bëmë disa shënime, disa raportime, publikuam kontratën, u thelluam më tej vetëm kur pamë se ti ishe shumë e shqetësuar dhe kishe një hall të madh, pse ne po shkruanim? Më pas, raportoi edhe emisioni “Plug”, në “Syri TV” dhe kështu me radhë.

Nuk është se e kemi kursyer kontratën tënde, ne e kemi pasur prej kohësh, por u publikua në momentin kur ne mundëm të faktonim edhe disa evente të tjera, të cilat i gjetëm në rrjetet tuaja sociale, pasi po ju monitoronim. Faleminderit për ndihmën, dhe për më tepër, kontrata nuk kishte një vlerë të caktuar parash, ndaj ishte dhe mjaft domethënëse.

Gjithashtu, ju keni bërë dhjetëra aktivitete, për të cilat pretendoni që nuk u merrni asnjë lek artistëve, keni ambiente të ndryshme, rezulton që aktiviteti juaj, i kompanisë “Harabel”, është në të njëjtin ambient me studion tuaj ligjore e kështu me radhë.


Ne as kemi abuzuar, as shpifur e as ju kemi cënuar nderin apo dinjitetin. Kemi qenë korrektë në raportime, por shqetësimi juaj na shqetëson edhe ne.

Ju nuk keni pse shqetësoheni. Ne nuk kemi asgjë me ju, por në çdo vend demokratik të botës, bashkëshorti juaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen, në momentin që dolën faktet dhe provat për ju, lidhur me kompaninë e inceneratorit të Tiranës. Atë kontratë, që ju e keni parë dhe e keni lexuar publikisht.

Nga ana tjetër, bashkëshorti juaj duhet të japë dorëheqjen, në rast se vërtetohet se ju keni përfituar qoftë dhe një qindarkë, nga institucionet publike, pra nga shteti shqiptar, nga ministritë, nga vetë bashkia, ku ai punon.


Bashkëshorti juaj duhet të japë dorëheqjen, në qoftë se provohet se ju, në ambientet ku ushtroni aktivitetin, ua kanë lënë të lira, pa qira, dhe ata që ju japin ambientet juve pa qira, kanë përfituar nga detyra e kryebashkiakut Erion Veliaj, që është bashkëshorti juaj.

Ka dhe shumë të tjera, që nga vrasja e Ardit Gjoklajt deri te batërdia me ndërtimet në Tiranë, por këto s’kanë lidhje as me ju e as me histori salamandrash apo sallabandrash.

Ne këto kemi shkruar, këto po vazhdojmë të shkruajmë dhe këto po themi. Nuk ju kemi akuzuar për asgjë morale, për asgjë joetike. Përkundrazi, për moral dhe për etikë, ju vlerësojmë shumë herë më shumë sesa bashkëshortin tuaj.

Kur faktet dhe provat sjellin detaje, sjellin dyshime, dalin kontrata, ne nuk mund të heshtim.

E dashur Ajola, me gjithë respektin që mund të kemi për ju, tani duhet të themi edhe diçka tjetër. Ku ishit ju, kur gjobaxhinjtë afër burrit tuaj, të paguar nga mediat që i blinin inceneratorët, (ajo afera 430 milionë euro), sulmonte stafin tonë dhe gazetarët tanë dhe i shante nga gratë, nga motrat, nga nënat, nga baballarët e tyre?

A i thatë ndonjëherë burrit tuaj “boll me intriga”, “boll me prapaskena”, “boll me ndyrësirëllëqet e tua të pandalshme”?

A i thatë ndonjëherë burrit tuaj se nuk trazohen të vdekurit në varr?


A do të ndiheshit mirë sikur ne të trazonim babain e tij?

A u ndiet mirë kur u sulmua bashkëshortja e njërit prej kolegëve tanë? Cili qe reagimi juaj, zonja Xoxa?

Asnjë prej nesh nuk është martuar në kala. Kuptohet, nëna na ka martuar të gjithëve. Nëna dhe babai me kursimet e tyre. Nuk kishin aq shumë sa të na çonin kalave, por nëpër restorante. Nuk na e zgjatën dasmën 1 apo 2 javë, po ato ditë të bukura, u martuam të gjithë.


Ama, kurrë nuk gënjyem, por festuam. Dhe, erdhët ju, bashkëshorti juaj, gjobaxhinjtë afër bashkëshortit tuaj, të paguar nga mediat e inceneratorëve. Janë vërtetuar që paratë shpërndaheshin me urdhër në rrethin e bashkëshortit tuaj, apo edhe nga kunati juaj, si çohen dhe hiqen reklama e sulmohen media të ndryshme apo thuren intriga kundër tyre për t’i denigruar, por ne nuk na keni mundur sepse u kemi qëndruar fakteve, dokumenteve, parimeve dhe vlerave.

Ata mund të na thonë çfarë të donin. Ne e çuam në fund dosjen e inceneratorit. Ka ende, e dashur Ajola, për bashkëshortin tuaj, gjithmonë, dhe për të tjerë zyrtarë.

Për dosjen “5D” ka shumë për bashkëshortin tuaj (disa prindër janë pas hekurave, për punët e mira sipas Erionit), ka ende në Bashkinë e Tiranës, e dashur Ajola, për tenderë fiktivë, për punime të pakryera, për punime të bëra me punonjësit e bashkisë e kështu me radhë.

Këto nuk janë kompetenca tonat. Ne nuk kemi as urrejtje, as helm, e dashur.

Ne punojmë, investigojmë dhe i çojmë deri në fund investigimet tona dhe nuk na stepin as ndërhyrjet tuaja.

Sot po zbulojmë edhe më tepër nga këto ndërhyrje, se cilat janë lidhjet që keni ju dhe bashkëshorti juaj me biznesmenë dhe ata që ju i quani oligarkë dhe i sulmoni në mediat apo në portalet që i paguani vetë. Këta sulmohen dhe u vihen gjoba.

Ndaj, e dashur Ajola, më shumë sesa të ndërhyni te ne, do të ishte mirë t’i flisnit atij burri që keni në krah, të reflektojë publikisht.

Do të ishte mirë t’i lërë historitë me “kolegë” dhe të shkojë të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë dhe nga ana tjetër, një ndjesë publike nga ana juaj dhe e tij, do të qetësonte shumë shpirtra.

Beteja jonë nuk ka për t’u ndalur, as pas ndjesave.

Por të paktën ju dhe bashkëshorti juaj gjakprishur do të qetësonit disi shpirtin e trazuar.

Si qytetare, por edhe si gruaja e një kryebashkiaku zullumqar, bëmaxhi, që nuk ka lënë të vdekurit pa trazuar në varr. Pa harruar që ka shkuar deri në BE dhe ka thënë se gruas së një kryebashkiaku i kanë nxjerrë fëmijën nga barku, ia kanë nxjerrë jashtë. Ky është bashkëshorti juaj dhe ju këtë e dini mirë.


Por, këshillat ndoshta nuk na i pranon, ndoshta na i vlerëson. Po ju shkruajmë këto rreshta për t’ju thënë se ne do të vazhdojmë betejën tonë deri në fund dhe përgjigjja është përfundimtare. Nuk ka kthim pas në këtë betejë që ne s’e kemi me ju personale, as personale me bashkëshortin tuaj, por jemi në mbështetje të drejtësisë, të Reformës në Drejtësi, të SPAK-ut, të institucioneve që duhet të çojnë deri në fund të vërtetat që shkruhen dhe raportohen.

Shqipëria duhet të shpëtojë nga “kanceri” i korrupsionit, nga “kanceri” i mediave të kontrolluara, nga bashkëshorti juaj zullumqar e abuzues. Nga kontrolli i mediave edhe nga kunati juaj, nga bashkëshorti juaj, nga sulmet e porositura prej tij, për ne, për opozitarët e deri te ministrat e kabinetit të Ramës e deri te kryeministri në detyrë.


Ndaj, e dashur Ajola, ne ju urojmë gjithë të mirat, por nuk mund të bëjmë asgjë më shumë për ju. Të tjerat e ka detyrë SPAK t’i verifikojë.

Thjesht dhe vetëm do të themi të vërtetën!/ CNA

No comments: