Friday, May 17, 2024

Vettingu i Irena Gjokës / Para borxh nga vëllai, shpenzime për të jetuar të paguara nga prindërit


 Fshehja e dëbimit nga Greqia nuk është shkelja e vetme e gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka. Dosja e vettingut të saj në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka paqartësi e dyshime të forta edhe sa i takon kriterit të pasurisë së gjyqtares.

Gjyqtarja Gjoka e kaloi vettingun në KPK në vitin 2020. Komisioneri Publik e ankimoi vendimin duke kërkuar shkarkimin e saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pikërisht për kriterin e pasurisë. Por, komisioneri u tërhoq nga kjo kërkesë në vitin 2022 dhe KPA la në fuqi vendimin e shkallës së parë të vettingut.

Por, çfarë gjeti vettingu në pasurinë e Irena Gjokës? Në të paktën tre raste, gjyqtarja ka deklaruar si ‘lapsus’ mosplotësimin korrekt të formularëve të deklarimit të pasurisë. KPK ngre pikëpyetje për formularin e vitit 2004. Në ILDKP-i, në atë kohë Irena Gjoka deklaronte një hua të marrë nga vëllai i saj në vlerën e 20 mijë eurove.

Ndërkohë, në plotësimin e formularit të pasurisë në kuadër të procesit të vettingut, deklaron se huaja ishte 2 milionë lekë. Gjyqtarja e ka konsideruar lapsus njerëzor këtë dhe KPK ja ka njohur si të tillë.

Huaja është marrë për blerjen e një apartamenti me vlerë gati 46 mijë euro. Lapsusi i dytë lidhet me justifikimin e 15 mijë eurove. Irena Gjoka në 2014 deklaron në ILDKPI se burimi i kësaj shume është: “Një pjesë ka qenë kursim i atij viti, një pjesë ka qenë kontribut i ish-bashkëjetuesit tim dhe një pjesë tjetër ka qenë dhuratë që më bënë prindërit për blerjen e apartamentit me rastin e futjes në apartamentin e ri në nëntor 2005.”

Komisioni i Vettingut ngriti pikëpyetje mbi normën e lartë të kursimit, por gjyqtarja e argumentoi se për një periudhë kohore ka pasur mundësi të kursejë të gjithë rrogën, pasi jetonte në shtëpinë e prindërve të saj dhe të gjitha shpenzimet e tjera paguheshin prej prindërve.

Gjyqtarja u pyet në vetting edhe në lidhje me një depozitë prej 4 mijë dollarësh. Ajo thotë se depozita nuk janë të ardhura nga burime të reja, por të ardhura nga paga e saj që ajo i konvertoi në monedhën amerikane.

Në seksionin informacion konfidencial, subjekti në lidhje me këtë depozitë sqaron se: “Në emrin tim është një depozitë në bank pa afat, të cilat janë të familjes time të origjinës, depozitë mbi të cilën veproj në emër dhe për llogari të prindërve të mi dhe dy vëllezërve të mi në emigracion.”

Deklarimi i subjektit gjatë hetimit administrativ nuk përputhet me deklarimin e saj në ILDKPI në vitin 2004 në lidhje me pronësinë e kësaj depozite pasi, ndryshe sa ka deklaruar në vitin 2004, para vettingut gjyqtarja deklaron se të ardhurat për krijimin e kësaj depozite janë të sajat dhe jo të familjarëve të saj.

Gjyqtarja deklaron se një depozitë prej 23 mijë dollarësh të krijuar nga viti 1993, kur ka nisur detyrën deri në dhjetor të 2005. Ajo thotë se shuma është kursime të saj të familjes, pasi deri në dhjetor 2005 jetonte me prindërit në Fier.

Një tjetër ‘lapsus njerëzor’ në vettingun e Irena Gjokës është edhe mosdeklarimi i pronësisë së një të katërtës së një banese në Patos. Gjyqtarja thotë se e ka harruar nisur nga vlera e ulët e pronës në fjalë dhe mospërdorimit faktik të saj.

No comments: