Wednesday, January 10, 2024

Bardhi: Duhet të bashkohemi në një front opozitar! Basha është në komoditet me regjimin e Edi Ramës

 


Në një intervistë për syritv kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se do vazhdojë mosbindja në Kuvend. Ai tha se nuk do ketë seanca normale.

“Në parim nuk përjashtohet asnjë akt nga aktet ekstreme të sakrificës të deputetëve të opozitës deri në përmbushjen e kërkesave tona.


Të gjitha këto opsione janë hedhur në tryezë dhe janë miratuar në parim nga deputetët e PD. Siç e thashë, do jetë grupi që do të vendosë nëse ne do kalojmë në një përshkallëzim të aksionit tonë në Kuvend. Pra, është një vendimmarrje që e merr grupi parlamentar, por secili prej nesh ka shprehur gatishmërinë për të kaluar në secilin nga skenarët që ju përmendët.

Ajo që dua të konfirmoj është se grupi parlamentar ka gjykuar që prioritet në atë moment do të duhet të jetë përballja me regjimin e Edi Ramës.

Secili prej nesh janë të ndërgjegjësuar, pra të 43 deputetët janë të ndërgjegjësuar që vetëm bashkimi i PD do ta forconte PD-në. Vijimi i konfliktit dhe përçarja brenda PD dhe vetë opozitës e dëmton PD-në, e dobëson PD-në, prandaj dhe duhet të jetë temë diskutimi në mbledhjet e ardhshme.

Sa i takon vendit se ku zhvillohen mbledhjet, ka zero vlerë vendi se ky i zhvillojmë ne mbledhjet,” tha Bardhi.

Ai konfirmoi takimet për bashkimin e opozitës, por përjashtoi Lulzim Bashën nga ky bashkim, duke thënë se ai është në komoditet me regjimin e Edi Ramës.

“Qëllimi është që i gjithë fronti opozitar të bashkohet në një koalicion të gjerë politik opozitar.

Zotin Mediu, zotin Duka, unë i takoj në vijimësi dhe tema kryesore e diskutimit është se si duhet të forcohet PD dhe opozita në tërësi. Edhe gjatë këtyre ditëve në mënyrë të përditshme ne takohemi për të diskutuar se cila është formula më e mirë për të bashkuar dhe forcuar opozitën.

…Unë nuk e kam parë gjatë kësaj periudhe veprimtarinë politike të zotit Basha të jetë në opozitë. Ne po flasim për koalicion opozitar, pra për bashkimin e faktorëve që janë në opozitë me Edi Ramën.

Disa kanë zgjedhur të jenë në komoditet me qeverinë e Edi Ramës dhe sigurisht në këtë front opozitar nuk ka vend për ata që zgjedhin komoditetin përkundër përballjes me regjimin e Edi Ramës.

Zoti Basha mund të thotë se jam mbreti i Anglisë, por kjo nuk duhet të thotë se mbreti i vërtetë duhet t’i lirojë ambientet e tij të punës.

Në politikë, ajo që ti thua do të duhet të korrespondojë me atë që ti bën. Sepse mund të shpallësh veten kryetar të opozitës, por ndërkohë të jesh në bashkëveprim dhe në aleancë me qeverinë.

Pra, fillimisht zoti Basha duhet të ndajë mendjen se ku është i pozicionuar.

Bashën e kam parë tërësisht inekzistent dhe në rehati dhe komoditet që nuk i shkon për shtat dikujt që është në opozitë. Pra, populli është në betejë me regjimin e Edi Ramës, Basha është në komoditet me regjimin e Edi Ramës,” tha Bardhi.

No comments: