Thursday, December 28, 2023

Lindja e Krishtit, festë gëzimi në Ulqin


 Gjekë Gjonaj

Ashtu si çdo vit, festa e Krishtlindjes (K’shnellave )     është pritur me një atmosferë festive në qytetin e Ulqinit nga besimtarët katolikë.  Ceremonia ka nisur ditën e diel me meshat   e mbajtura në kishat  e famullisë katolike të kësaj komunë. Mesha tradicionale  e mesnatës që të kujton lindjen e  birit të Zotit  është mbajtur  në kishën e Ulqinit, për të vijuar ditën e hënë me mesha në kishat katolike.

 Mesazhet e  urimit

Meshtarët 

uruan të gjithë besimtarët katolikë  për më shumë paqe, mirësi, dashuri, pajtim dhe falje. Në mesazhet e urimit për këtë festë të madhe që simbolizon lindjen e Jezusit,  i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit,   u theksua ringjallja e shpresave të reja me vlera universale në bashkësitë shumetnike dhe shumë kulturore siç është  ajo e Malit të Zi, respektivisht edhe e  Ulqinit. Nga ana tjetër mjaft njerëz  të besimit   katolikë  këtë  festë e kanë pritur me fishekzjarrë,  duke krijuar një atmosferë të gëzueshme.

Bredhi i Krishtlindjes

Çdo familje katolike  ka zbukuruar shtëpinë e vetë   me rastin   e Krishtlindjeve  me ngjyra të ndryshme, mes të cilave dominon ngjyra e kuqe e cila simbolizon gjakun e Jezu Krishtit, që u derdh në kryqëzimin e tij. Shtëpia,  sipas traditës  së vendosjes së zbukurimeve, nuk mund të paramendohet pa  vendosjen  ( sjelljen ) e Pemës ( bredhit)  së Krishtlindjeve dhe zbukurimin e saj. Bredhi i Krishtlindjeve  është një simbol që fton familjet të mblidhen në  një atmosferë paqeje, pranë së cilës shkëmbejnë dhurata  dashurie dhe gëzimi në frymën e Krishtlindjes.  Ambientet  jashtë shtëpisë janë   dekoruar  me drita, apo figura të tjera Krishtlindjesh, qirinj, kurora, engjëj, zile…

Ushqimi në  Natën e Krishtlindjeve

Një pjesë e rëndësishme e  kremtimit  të kësaj feste të madhe  ishte edhe ushqimi. Natën e Krishtlindjeve , sipas traditës, zonjat e shtëpisë kanë  përgatitur ushqim   të ligët, pa vezë, mish, sallo dhe yndyra të tjera shtazore , përfshirë  edhe produktet e qumështit. Në tryezën e Natës së  Krishtlindjeve kishte,  peshk të pjekur e të zier, gështenja, fiq të thatë, kumbulla, mollë, dardhë, arra,   perime e fruta,  etj.     Tri ditëve tjera  amviset  gatuan   lloj-lloj ushqimesh  të shijshme dhe ëmbëlsira të shoqëruara me pije të ndryshme për mysafirët e besimeve të tjera të cilët si gjithmonë në këtë qytet festuan së bashku.      Një aspekt tjetër  tërheqës i Krishtlindjeve moderne  ishte edhe shkëmbimi i dhuratave, për të cilat   shumë njerëz mendojnë se i kanë  fillimet me dhuratat e shkëmbyera gjatë një festivali që zhvillohej gjatë muajit dhjetor në perandorinë Romake. Dhuratat  e posaçme  fëmijëve ua solli Babagjyshi ( babadimri)  gazmor i Vitit të Ri.

Atmosferë festive në familjen Smajlaj

Ne  kemi privilegjin   të bëhemi pjesë e  atmosferës festive  me rastin e Krishtlindjeve  në    familjen e  Toni Smajlaj nga Peja ( Kosovë), e cila jeton në Ulqin, ku vërejmë energji pozitive e gëzim shpirtëror.

“ Krishtlindja është festë  shpirtërore kryesisht. Unë  dhe bashkëshortja ime Cicilia  nga Mitrovica i mbajmë  mend shumë mirë festat në rininë tonë. Natën e Krishtlindjeve mblidhej familja,  përgatitej darka, para darkës thuhej urata,  shtrohej darka solemne sipas riteve e zakoneve të festës, vlohej një gotë me raki kryesisht  kumbullash me qëllim që ta mbajë trupin e ngrohtë, pasi   nata e 24  dhjetorit është  e  ftohtë  dhe  pastaj shkohej në kishë për të ndjekur   meshën  e mesnatës.   Pas meshës familjarët ktheheshin në shtëpi,  uleshin në  tryezë  dhe vazhdonin   me kremtimin e ri –  ringjalljen e Jezu Krishtit. Këtë traditë e ruajmë edhe sot. Darka e Krishtlindjes  në familjen tonë është plot gëzim. Para se të ulemi për të ngrënë, ndezim një qiri dhe themi lutjen: “Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu në tokë. Buklën tonë të përditshme falna sot!”  E gjithë familja vazhdon me  lutjen: “ Të falem Mari, hirplotë e Zoti me ty, e bekuar je mbi të gjitha gratë, i bekuar fryti i barkut tend, Jezus “  dhe e përfundojmë me lutjen “ Kjoftë lumnia e Atit”. Natën e festës hamë darkë  të gjithë  familjarët dhe pastaj shkojmë në kishë të shohim meshën.  Në jetë asnjë gjë nuk dua më shumë përveç një familje të mbledhur dhe të rregullt. Kur ke një familje të tillë, ke gjithë botën”,  shprehet Toni Smajlaj


Jemi të gjithë vëllezër e motra

Ulqini është një qytet me bashkëjetesë  fetare të shëndoshë, ku myslimanë e të krishterë bëhen bashkë, e kremtojnë çdo festë te njëri-tjetri, duke  respektuar    ritualet  dhe festat e secilit. Kështu ishte edhe sivjet  me rastin e festës së Krishtlindjeve. Një shembull   për modelin e të cilit kanë nevojë vendet e tjera në një kohë kur krimet dhe aktet terroriste ndodhin në emër të fesë. Besimtarët e  besimeve të ndryshme  në Ulqin, të bindur se  gjithçka kemi e jemi është dhuratë e Zotit,  shprehen  se  e kanë për detyrë të mbështesin njëri-tjetrin, të ndajnë  së bashku gëzimin  për kremtimin e  festave, por edhe në dhimbje, sepse kemi nevojë  për afërsinë dhe solidaritetin e  miqve, me shpresën  që  edhe asaj do t’i bëjmë ballë së bashku,  pasi jemi pjesë e të njëjtës familjeje njerëzore, të gjithë motra e vëllezër. Krishtlindjet e sivjetme e shoqëruan qytetin e Ulqinit  me një dekor të shndritshëm   ngjyrash dhe dritash.

Politika   uron  besimtarët

Liderët politikë të Komunës së Ulqinit kanë përcjellë mesazhe urimi për festën e Krishtlindjes.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, shkruan se është shumë e rëndësishme që në këto ditë feste të kujtojmë vlerat që ato paraqesin,  si paqja, gëzimi dhe lumturia. “Uroj që po këto vlera  të mbizotërojnë në familjet tona dhe  që shëndeti e lumturia  të na përcjellin edhe vitin e ardhshëm”, përfundoi urimin e tij Bajraktari.

Na ndiqni ne ALBDREAMS  

dhe ne  Twitter

No comments: