Sunday, November 23, 2014

Ku janë premtimet, z. Rama?

Lexoni www.AlbDreams.Net 
Nga Jamarbër Malltezi
Në protestën e thirrur nga PD dhe sindikatat dolën të protestojnë edhe shumë që nuk votuan PD vjet, por tani e gjejnë veten të mashtruar dhe të tallur se Rama nuk po plotëson asnjë nga premtimet elektorale. Z. Rama nxori një status ku tregonte si pika të suksesshme të tij prishjet e ndërtimeve pa leje apo burgosjen e atyre që nuk kishin paguar energjinë. Por z. Rama nuk u votua për këto gjëra. Ai u votua për një duzinë premtimesh elektorale të cilat janë tretur dhe nuk flet më fare.

1. Premtoi shëndetësi falas, por falas të çon me furgon në morg.
2. Premtoi 300 000 vende pune, por sipas INSTAT-it të militantit të G99-s, papunësia u rrit nga 13.3 në 17.8%, pra u krijuan rreth 34 000 të papunë të rinj.
3. Premtoi legalizim falas, por po u çon fadromën falas që ua shemb edhe në kundërshtim me ligjin, ndërsa një qytetar sot i tha që “më bie shumë më shtrenjtë çmimi i legalizimit se ç’e kisha vjet”.
4. Premtoi ulje të çmimit të ushqimeve, por çmimet po rriten kudo.
5. Premtoi ulje të çmimit të ilaçeve, por ndërkohë që u fali TVSH grosistëve të ilaçeve, çmimi i ilaçeve u rrit, d.m.th. as shteti nuk përfitoi të ardhura dhe as qytetarët, çka do të
thotë që paratë po ndahen mes tyre.
6. Premtoi ulje çmimi të energjisë dhe ulje në vetëm 6% të TVSH për energjinë, por po e rrit çmimin e energjisë në nivele të papranueshme.
7. Premtoi heqje taksash për 95% të popullsisë (se si do e ndante popullsinë, kjo mbetet çështje tjetër), por po rrit koston e jetesës për 100% të popullsisë.
8. Premtoi rritje të mirëqenies, por u bë viti i dytë që nuk ka as rritje rrogash, as rritje pensionesh, por veç rritje të fondit të qeverisë së Gogla e Erionushkës të bëhet super-milionere me emër eag dhe të përlajë 520 milionë lekë të taksapaguesve brenda 10 muajsh nga krijimi.
9. Premtoi përmirësim të kushteve universitare, por po rrit kostot dhe taksat universitare për studentët. U qa nga universitetet që lëshojnë diploma pa vlerë, por i bëri drejtorë/ drejtoresha ata me diplomat e pavlera të atyre kioskave.
10. Premtoi ulje të çmimit të punimit të tokës për 312 000 familje që punojnë në bujqësi duke hequr akcizën dhe taksën e qarkullimit të naftës, por shtoi 2 herë taksa nga 100 dhe 120 lekë të vjetër (vjet dhe sivjet) taksën e naftës. Në gjithë botën u ul çmimi i naftës ngaqë ka rënë në bursë, veç këtu jo nga 2 taksat e reja.
11. Premtoi përmirësim të klimës së biznesit dhe mbështetje të sipërmarrjes, por vjet rriti me 50% tatimin e kompanive, ndërsa sivjet rrit me 50% tatimin e të ardhurave individuale.
12. Premtoi pa hesap për borxh nën kontroll, por borxhi u rrit shumë më tepër, premtoi për infrastrukturë europiane, por nuk ka asnjë projekt madhor infrastrukturor, ndonëse po rrit taksat dhe po merr borxh pa hesap. Po ku po shkojnë paratë e shtuara nga rritja e borxhit dhe e taksave? Sipas buxhetit, paratë po shkojnë për të rritur zërin “shpenzime qeveritare”, ose thënë më shkoqur, po shkojnë te goglat dhe erionushkat e tij. Qytetarët dolën në protestë jo se z. Rama premtoi shumë dhe nuk ka zbatuar dot as gjysmën e atyre që premtoi, por se nuk ka plotësuar as edhe njërën nga ato që premtoi dhe tani dëshiron që t’i trajtojë edhe për budallenj./panorama/

No comments: