Lexoni www.AlbDreams.Net
Dossier NGA GJERGJ FRASHËRI
Çfarë shkruante Tashko në
fletoren e tij të kujtive, e sekuestruar në fillim të viteve ’60-të pas
arrestimit të tij? Si e kujton ai themelimin e Partisë Komuniste dhe vrasjen e
bujshme të Qemal Stafës?
Afrimi i festës së 70 vjetorit të Çlirimit risjell respektin dhe vlerësimin ndaj patriotëve, që punuan dhe luftuan në mbrojtjen dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe më pas për rindërtimin e Shqipërisë së Pasluftës. Midis tyre vjen në fokus
Afrimi i festës së 70 vjetorit të Çlirimit risjell respektin dhe vlerësimin ndaj patriotëve, që punuan dhe luftuan në mbrojtjen dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe më pas për rindërtimin e Shqipërisë së Pasluftës. Midis tyre vjen në fokus
një figurë e shquar qytetare shqiptare - Koço Tashko. Është nder i madh, që Luftës Nacional-Çlirimtare iu bashkuan intelektualë të rangut të tij me prejardhje nga familje të shquara patriotike me origjinë nga Frashëri i Përmetit (të shpërngulur në Korçë), figura me shkëlqim arsimor të lartë e të gjerë universitar si rrallëkush në kohën e tij, idealistë që shkrinë pasurinë dhe mundin deri në vetëmohim për qytetërimin dhe përparimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.Koço Tashko është një nga përfaqësuesit më të shquar të politikanëve dhe ideologëve shqiptarë të viteve 20’ dhe 30’ të shekullit të kaluar, të cilët e çmuan realitetin dhe perspektivën që shteti sovjetik i hapi në ato dy dekada nën ideologjinë e Leninit (leniniste) popullit rus dhe popujve të tjerë, të cilët iu bashkuan atëherë Rusisë nën Bashkimin Sovjetik. Tashko ishte ndër ata, që çmuan përpjekjet e popujve të varfër të botës në luftën e tyre për çlirim, mbijetesë e liri, përpjekjet e tyre për t’a shpëtuar shoqërinë nga analfabetizmi e prapambetja mesjetare, ishte ndër ata që besonte me bindje, se komunizmi mund t’i udhëhiqte këta popuj për të shkulur me dhunë prapambetjen historike të tyre dhe t’i shtynte masivisht për të hyrë në rrugën e zhvillimit bashkëkohor.
Ai i takon brezit të inteligjencës elitare shqiptare që u ndërgjegjësuan deri në vetëmohim për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi dhe nazizmi, për mbrojtjen me çdo çmim të pavarësisë së Shqipërisë dhe për ndërtimin e një shoqërie demokratike e sociale të vendit, duke pasur si model qytetërimin perëndimor, të cilin për shkak se kishte jetuar më shumë në Perëndim, e njihte më thellë atë realitet, se sa prapambetjen në Shqipëri.
I biri i Thanas Tashkos, emigrantit të pasur shqiptar në Egjypt – Koço Tashko i arsimuar në kolegjin protestant në Bejrut, diplomuar për ekonomi politike në Universitetin e Harvardit në Boston, të ndjekura këto nga një aktivitet politik e publicistik të spikatur në disa vende të botës perëndimore në USA, Francë, Austri , etj., i zbuloi vetes midis dy luftrave botërore në vitet 20’ dhe 30’ te shekullit të kaluar, detyrën për të mësuar me këmbëngulje, ashtu siç shprehet vetë – se ç’ishte komunizmi i Marksit, i Leninit dhe i Stalinit. Me përpjekje të palodhshme individuale arriti të shkonte në Moskë, të studionte atje marksizëm e leninizëm në shkollën e lartë të filozofisë, të fitonte besimin e Kominternit për t’u dërguar në Shqipëri më 1937, ku luajti rolin e tij në përgatitjen dhe formimin e PKSH-së në nëntor 1941 dhe më tej në aktivitetin e saj në vitet e Luftës dhe të Pasçlirimit.
Këmbëngulja e tij politike në të hyrë të viteve 60’ ndaj udhëheqjes politike të PPSH-së, për mosprishjen e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, por qëndrimi i Shqipërisë në aleancë me Bashkimin Sovjetik, i kushtoi atij më pas një jetë tejet të vështirë e të mundimshme me internime, burgime dhe izolime derisa vdiq në vitin 1984, në moshën 85 vjeçare.
Tashko ka lënë gjurmë arkivore. Përshkrimet, kujtimet dhe analizat e Tashkos mbi ngjarjet e fenomenet e kohës brenda vendit dhe në metropolet evropiane, mbi veprimtarinë e figurave të shumta shqiptare dhe të huaja të lidhura me Shqipërinë, si dhe ato mbi punën dhe jetën e vetë atij, kapin një diapazon kohor gati njëqindvjeçar. Kësaj radhe kemi zgjedhur për lexuesin vetëm një pjesë të kujtimeve të Tashkos, nga kreu me titull “Menjëherë pasi u formua Partia”, ku përshkruhen ngjarje në segmentin kohor, prej themelimit të PKSH (nëntor 1941) deri në maj 1942, në të cilën ai ishte një nga veprimtarët në radhët e para të saj.
Më në fokus kemi sjellë këtu kujtimet e tij me epiqendër - vrasjen e Qemal Stafës, të cilat janë mbajtur prej Tashkos në dorëshkrim në një fletore në faqet 119-228. Kujtimet janë dokumente të papërpunuara të dosjes së Tashkos, që ndodhen në Arkivin Qendror të PPSH-së, në dokumentet nga Fondi i Armiqve të Partisë. Ato janë sekuestruar me rastin e arrestimit të tij në fillim të viteve 60’. Shënimet që po botojmë, janë të panjohura. Ato janë lexuar dhe redaktuar prej nesh.
Nëntor 1941, Partia u formua! Kjo ish gjëja kryesore. Komunistët, të ndarë në grupe e në luftë me njëri tjetrin, nuk e kishin udhëhequr deri atëherë dot popullin. Përkundrazi, ata ishin në bisht të tij, bile edhe pengesë për udhëheqje. Kjo u provua sidomos më 7 Prill 1939, kur Populli zbriste nga fshatrat në qytete për të kërkuar orientim dhe udhëheqje dhe kthehesh i ç’orientuar, jo vetëm nga borgjezia kompromisaxheshe, por edhe nga komunistët që s’ishin të kalitur sa duhej, aq sa ata, preferonin kapitullimin përpara Italisë, me pretekstin se gjoja Italia do t’a industrializonte Shqipërinë, dhe kështu do të krijohej klasa proletare, e cila do të formonte Partinë Komuniste dhe atëherë (klasa proletare-GjF) do të bënte revolucionin.
Partia u formua pa i pritur italianët të na industrializonin Shqipërinë. Tani ishte dikush t’a mobilizonte popullin në ndihmë të Bashkimit Sovjetik, atdheut të revolucionit proletar, i cili ish atakuar tradhtisht prej Hitlerit me bekimin e Çërcileve. Fitorja e Bashkimit Sovjetik do ish edhe fitorja jonë, humbja e saj do ish humbja e jonë. Ndihma jonë e vogël për Bashkimin Sovjetik ishte bërë tashmë e mundshme, në sajë të ndihmës më të madhe që po na jepnin popujt sovjetikë duke luftuar armikun e përbashkët. Tani e ndjenim veten me aleatë.
Lufta e tyre n’a ngrohu krahët, bëri të mundur luftën tonë, bile bëri të mundur edhe formimin e Partisë sonë. Tani, agjentët e Intelexhence Servisit të kolonelave Hill ose të “edukatorëve” Fultzë nuk mund të dilnin kundërshtarë të formimit të Partisë. Po të kundërshtonin do të izoloheshin jo vetëm nga populli shqiptar por edhe nga vetë anëtarët e grupeve që ata mashtronin. Dora që nuk kafshohet puthet, thotë një fjalë popullore. Atë që nuk e ndalon dot, e ndihmon të bëhet, që të mos izolohesh e kështu të mbetesh në fuqi, thotë një fjalë në vokabularin e spiunazhit imperialist dhe antipunëtor. Tradhtarët e komunizmit u bënë më të flaktët për bashkimin e grupeve në një Parti Komuniste. Tani ata do viheshin në krye jo vetëm të një grupi, por në krye e të gjithë grupeve. Kështu këshilloheshin të bënin nga “aleatët” si Hill-et dhe Fultz-ët.
Partia Komuniste u formua. Sipas marrëveshjes të bërë në Vitomirec, asnjë nga udhëheqësit kryesorë të grupeve nuk duhej të zgjidhej në udhëheqjen e Partisë. Kështu u vunë Hill-et e Fultz-ët në disavantazh. U detyruan t’a pranojnë (këtë kusht-GjF), sepse e pranoi grupi i Korçës për Koçon, kundër të cilit kishin qëlluar Lulet, Xhepet, Zefët e Shantot. A ishte Koçoja më i sakrificës se të tjerët? Kurrë! Si mund të thuhej, që po! U munduan të thonë që Koçoja u tërhoq sepse kish frikë. Kjo manovër s’piu ujë.
Pra u detyruan t’a pranojnë (marrëveshjen-GjF), por... me një “por” të madh..., sepse Grupi i të Rinjve (me atë ish të amalganuar Grupi i Shkodrës) e ruajti organizatën e vet, domethënë, Grupi i të Rinjve u shkri në Parti vetëm sa për sy e faqe. Kjo u provua më vonë, kur ai u dënua në Konsultën e Partisë (Konsulta e Parë e Aktivit të PKSh, prill 1942-GjF) dhe përfundimi ishte, që Nastas Luleja u ekzekutua dhe Xhepi kaloj hapur te ustallarët e tij.
Udhëheqësit e Grupit të Shkodrës ishin në kondita të ndryshme nga udhëheqësit e grupit aleat të tyre - Grupit të të Rinjve. Grupi i Korçës i kish pasur lidhjet me Moskën, i të Rinjve me Hill-et e Fultz-ët, kurse i Shkodrës me Jugosllavët. Prej disa vjet Grupi i Shkodrës furnizohej me “letërsi” nga Jugosllavia dhe për këtë lëvdoheshin sidomos në lidhje me teorinë e tyre për ruajtjen dhe përgatitjen e kuadrove. Tani, ndihmues aktivë në formimin e Partisë ishin dy jugosllavë të dërguar nga Partia Komuniste Jugosllave, me kërkesën tonë, pasi nuk mundëm të bëjmë lidhje me Partinë Komuniste Italiane.
(Midis rreshtave të fshira me vijë përsipër nga autori i kujtimeve, mësohet këtu, se për formimin e Partisë Komuniste Shqiptare,Tashko kishte bërë përpjekje fillimisht të bënte lidhjet me Partinë Komuniste Italiane, për të kërkuar ndihmën e pasardhësit të Gramshit. Por pasi ai nuk kishte mundur, kishte shkuar në Vitomirec ku kishte kërkuar ndihmën e Partisë Komuniste Jugosllave, ndihmë e cila i ishte dhënë-GjF) . Grupi i Shkodrës, pra, menjëherë u ndodh në “klimën” e vet. Sigurisht jugosllavët do të preferonin miqtë e vjetër. E pra grupi i Shkodrës (udhëheqësit) nuk kishin arsye të ndiqnin rrugën e Lules dhe të Xhepit, rrugën e Hill-it dhe Fultz-it. Dhe ky fakt lehtësoj zbulimin e komplotit. Të kishim pasur Italianë në vend të Jugosllavëve, Grupi i Shkodrës sigurisht do kish ndjekur Lulen dhe Xhepin.
Partia u formua dhe unë u ndodha në një organizatë bazë heterogjene si anëtar i thjeshtë.
Në këtë organizatë bazë, nga organizata e Korçës isha vetëm unë. Ishim 7 anëtarë: Hasan Reçi (u pushkatua si tradhtar), Ludovik Nikaj (u pushkatua si tradhtar), Petro Bullati (u pushkatua si tradhtar), Jovan Bajraktari (u përjashtua nga Partia), ........... (u përjashtua nga Partia), ....... (u përjashtua nga Partia) dhe ....... dhe unë të vetmit që kemi mbetur. Mblidheshim një herë në javë dhe kurdoherë po në atë shtëpi - në rrugën që shpie te Teqeja e Bektashinjve, pothuaj atje ku mbaronin shtëpitë e Tiranës në atë kohë.
Mbaj mend dy çështje kryesore diskutimi:
E para, ishte puna e aksioneve. Diskutuesit më të pa lodhur për këtë punë ishin Ludovik Nikaj, Hasan Reçi dhe Petro Bullati. Këta flisnin për bërjen e aksioneve prej nesh të kësaj organizate bazë, me atë lehtësi e qetësi, siç mund të flasë një vajzë e ré për një ëmbëlsirë që i kish premtuar e ëma. Hynin në hollësira të imta dhe me argumente të forta vinin në dukje rëndësinë politike të aksioneve që propozonin. Neve të tjerëve n’a vinte turp, pse nuk ishim aq trima e sidomos aq gjakftohtë sa ata. Më tepër, prej të treve të sipërpërmendurit, fliste Ludoviku, mbiemrin e të cilit nuk ia dija ahere.
Ky bënte ç’bënte dhe theksonte sidomos rolin, që ai vetë do të loste në aksionin që propozonte. Ishte e pamundur të imagjinohej që një aksion të kryhej pa Ludovikun, se Ludoviku me fjalë të shumta nuk lejonte as të imagjinohej një gjë e tillë. Ai ish Asi i vullnetarizmit. Aksioni që propozohej prej tij ish për hedhjen në erë të Shtypshkronjës së Ré të gazetës kryesore fashiste “Tomori”.
Kaluan disa mbledhje sa u “hetua” situata rreth shtypshkronjës, e disa javë të tjera sa u gjetën mjetet eksplozive, e të tjera. Më në fund erdhi dita. Pjesëmarrësit këtë radhë do të ishin ata të tre, që flisnin më shumë dhe disa të tjerë, që nuk bënin pjesë në organizatën tonë. Ne të tjerët do të mblidheshim të nesërmen e aksionit e do të informoheshim mbi mënyrën, se si u vu ai në zbatim. U mblodhëm pas aksionit. Në mbledhje dolën dy fakte.
Së pari, në kohën e aksionit policë të fashizmit ishin fshehur në godinën e shtypshkronjës; së dyti, kur u dëgjua një zhurmë e vogël bërë nga policët, pa dashur pjesëmarrësit kërkuan njëri tjetrin duke u parë në sy, dhe zbuluan se Ludoviku mungonte. Në mbledhje Ludoviku këtë e shpjegoj lehtë-lehtë dhe u hodh në kundërsulm. Ai propozoj një tjetër aksion, në të cilin të merrnim pjesë edhe né, që nuk u ndodhëm në aksionin që dështoj.
Çështja e dytë kryesore që diskutuam në organizatën bazë ishte çështja e daljes në ilegalitet të Ludovikut. Ky e informoi organizatën me hollësirat më të mëdha, se pas aksionit, policia i paska rënë Ludovikut në erë dhe pra Ludoviku pa një pa dy, tashmë duhej të hidhej në ilegalitet, bile kish dy ditë që e kish bërë këtë gjë, kishte dy ditë që nuk dilte në pazar dhe banonte në shtëpinë e një miku, nga frika se mos e kërkonin në shtëpinë e vet. Ne të tjerët s’kishim ndonjë kundërshtim që ai të dilte ilegal. Bile ai shtoj, se ne duhej t’a uronim atë, si të parin që del ilegal në organizatën tonë.
Një javë më vonë Ludoviku na informoi, se ishte e pamundur për atë të vazhdonte të banonte te miku dhe protestoi kundër interesimit të pakët që po tregonte organizata për sigurimin e tij. Ne i thamë, se Partia i ka ende të pakta shtëpitë që pranojnë të strehojnë ilegalë dhe e këshilluam që të vazhdojë të banojë te miku ose te ndonjë tjetër mik i tij, se kështu ndihmonte Partinë duke i krijuar baza për ilegalë. Por Ludoviku si trim i aksioneve kërkonte dhe nderimin që u takon trimave dhe pra, ngulmoi e tha se ai është informuar që Partia ka mjaft shtëpira ilegalësh, bile tha, se ka marrë vesh, që në filan shtëpi banojnë ilegalë, ndërmjet të cilëve edhe disa femra, ndër të cilat edhe Maria. Pra, pse të mos shoqërohej edhe ai me ilegalë të tjerë, po të mbetej si qyqe te miku?
Jovan Bajraktari, ish sekretari i organizatës, mori përsipër t’a rregullonte në atë shtëpi që u përmend, dhe e rregulloj. Pak më vonë Ludoviku filloi të manovrojë, që organizata të bëjë, që të jetë ai që të shkojë nëpër shtypshkronjat ilegale për të marrë e shpërndarë botimet e Partisë. Këto kërkesa i bënte si pa gjë të keq dhe në harmoni me guximin e madh që kish treguar me diskutimin e gjithë çështjeve të rrezikshme, në harmoni me gatishmërinë (vullnetarizmin-Gj.F.) e tij për çdo gjë. Mirëpo në këtë mes ngjau diçka që bëri të na tronditet respekti i madh që kishim për këtë “trim” dhe të dyshojmë, se zhdukja e tij nga aksioni i shtypshkronjës “Tomori” në sy të shokëve, nuk ish ashtu siç e kish shpjeguar ai – aksidentale.
Në shtëpinë ku strehohej, Ludoviku e përdhunoi Marinë. Shumë lotë derdhi ai, që të n’a tregonte se sa keq i kish ardhur për këtë çast dehjeje seksuale dhe të na bindte për gatishmërinë e tij të martohej me Marinë, që ta vinte në vend fajin që bëri. Të martohej ish lehtë, duhej vetëm aprovimi i ynë e asgjë tjetër – se ndryshe, si mund ilegalët të dilnin para gjendjes civile! Maria ishte vajzë shumë e njomë dhe e hijshme. Ludoviku nuk bënte ndonjë sakrificë duke u treguar i gatshëm të martohej me atë. Ajo pranoj martesën, zaten grupi i të Rinjve dhe ay i Shkodrës e kishin pasur zakon t’i martonin anëtarët me urdhër dhe Maria ish në korrent të këtij zakoni. Po ashtu ish edhe Ludoviku, që të dy ishin anëtarë të grupit të Shkodrës.
Në Shqipëri, por sidomos në Tiranë, mbretëronte terrori. Mustafa Kruja ish në fuqi dhe po vinte në zbatim betimin, që kishte bërë qëkur në Francë më 1935, kur kish thënë në kongresin e emigrantëve politikë: “mos më rëntë në dorë pushteti, pa ua kam për të treguar komunistave” (i kam për të varur të gjithë”).
Nga muaji Prill 1942 Ludoviku filloi të m’ë afrohej jo vetëm si shok, por edhe si një i ri i martuar, ndaj një tjetri të ri-martuar, e m’ë pyet se kur mund të më vijë në shtëpi për vizitë bashkë me Marian. Unë atë njeri nuk e desha, bile dyshoja shumë te ai, por po të flisja kundër tij mund të m’ë thoshin, që ja Koçoja flet kështu, se Ludoviku është prej grupit të Shkodrës, ja ku filloj të grindet.
Pra Ludovikun sado që nuk e refuzova ta pranoj në vizitë familjare, prapë nuk ia ndava mirë fjalën. Megjithatë ai ngulmonte e desh të dinte adresën e shtëpisë, se do vinte ndonjë mbrëmje. Mirëpo kolibja ku banoja s’kish numër dhe rruga ku ajo ndodhej s’kishte emër, pasi ishte një pis qorrsokak mëhallë ciganësh, që ndahej nga rruga e Kusit (tani Riza Cerova). Me rrugën e Kusit lidheshin shumë qorr-sokake, pra edhe sikur të desha, s’kisha si ta orientoja me saktësi “mikun” ngulmues. Megjithatë unë ia shpjegova përafërsisht se si mund të ma gjente koliben ku banoja me gruan.
Dita e 5 Majit 1942. Vritet Qemal Stafa. Ai rrethohet në një shtëpi jashtë Tiranës, andej nga Medreseja, jo larg shtëpisë ku banoja unë. Qemali kishte qenë në atë shtëpi me disa shoqe të reja komuniste. Ndër këto shoqe ish edhe Maria e Ludovikut.
Në qendër të qytetit, fare afër Ministrive, në këtë çast kur luftonte Qemali, andej nga Medreseja ishin mbledhur tre veta në një dhomë në shtëpinë e vëllait tim, Alekos. Këta të tre ishin Enveri, Miladini edhe unë. Gruaja ime bënte shërbimet e shtëpisë. Enveri dhe Miladini kishin mjaft ditë që ishin fshehur këtu si ilegalë. Shtëpia e vëllait ishte bërë qendra e Shtabit të Përgjithshëm të Partisë sonë. Për të qenë më të lirë, Alekon e kishin dërguar të banonte te vëllai tjetër imi, te Gaqoja, i cili kishte shkuar familjarisht në Elbasan për pushime.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Nëntor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
No comments:
Post a Comment