Monday, October 20, 2014

Shtet huliganësh

Arbana XHARRA
Nuk u mjaftuan brohoritjet e sjelljet e mbi 30 mijë tifozëve huliganë “vritni, vritni shqiptarët, derisa të zhduken të gjithë”, thirrjet fashiste dhe bashkëveprimet e tyre me kordonin policor, në mesin e të cilëve na doli të ketë pasur edhe prej atyre që flisnin shqip (serbë të Kosovës), gjithçka e përcjell me deklarata ultra-nacionaliste të
udhëheqësve shtetërorë serbë, as Bashkimit Evropian (BE) dhe as UEFA-s për të trajtuar këtë situatë me faktet, që dëshmuan mjaftueshëm edhe njëherë për shovinizmin dhe racizmin serb.
Befasuese do të duhej të ishin për BE-në të shfrenuarit plot urrejtje ndaj shqiptarëve – huliganët, jo nga  gjenerata e vjetër, por ata që s’mbajnë mend gjë nga lufta e fundit, 20-vjeçar që ulërinin për zhdukjen e shqiptarëve. Urrejtja ndaj shqiptarëve, përcjell gjeneratë pas gjenerate, është sinjal i mjaftueshëm se edhe sa duhet pritur për vënien e marrëdhënieve normale mes fqinjësh. 
Se kemi të bëjmë me një shoqëri tërësisht me qasje të njëjtë karshi nesh, propagandë e pandryshuar nga ato të viteve të 90-ta, me shumë pak përjashtime, na u dëshmua edhe nga ballinat e medieve serbe një ditë pas ndeshjes. Fatkeqësisht, shumica dërmuese e mediave serbe  u bënë pjesë e huliganizmit serbë, duke i mbështetur sjelljet e tyre, rikonfirmuan se shkolla e ish-nxënësve të Sheshelit vazhdon të jetë mësim në thelb të kësaj shoqërie.
Shtuar kësaj faktin se sot politikani më i popullarizuar në Serbi është pikërisht ish-bashkëpunëtori i ngushtë i nacionalistit radikal, Vojsllav Sheshelit, kryeministri Vuçiq, i rritur në ideologji të brumosur me urrejtje ndaj shqiptarëve. Në vend se të trajtohej me rezervë për qasjen e tij, ai në vazhdimësi dhe hapave të shpejtë ka marrë mbështetje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare me retorikën e tij, kryesisht të fokusuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndonëse me sfond nacionalist të ashpër kundër Kosovës.
Pa harruar faktin se është po i njëjti zyrtar i lartë serb, i cili dikur nuk ka ngurruar që NATO-n ta quajë organizatë terroriste dhe Rusinë partner të përjetshëm të Serbisë. Kështu luftënxitësi është shndërruar në partner të Perëndimit, ndërkohë që amerikanët dhe gjermanët përpiqen në vazhdimësi që ta përfitojnë edhe si partner në zgjidhjen e çështjeve të hapura të Serbisë me Kosovën.

Për qasjen e BE-së pro Serbisë, dhe e njëjta me qasje diskriminuese ndaj shqiptarëve, u mjaftua deklarata e zëdhënëses së përfaqësues së lartë të BE-së, Catherine Ashton, Maja Kocijançiq, e cila fajësoi shqiptarët për të lavdëruar sjelljet e policisë. “Ne jemi të zhgënjyer për ndërprerjen e djeshme, pas aktit të provokimit, të ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri. Autoritetet serbe demonstruan profesionalizëm në përballje me situatën”, tha Kocijançiq, pas gjithë asaj që u pa qartë se çfarë ndodhi në stadium, arsyetoi veprimet shtazarake të huliganëve serbë.
Goditja tjetër për palën shqiptare vjen nga UEFA e Michel Platini-it, i cili paralajmëron dënime të ashpra për Serbinë e Shqipërinë, duke e barazuar kështu “kriminelin” me “viktimën”!
Madje, këto paralajmërime nga shtëpia e futbollit evropian vijnë veç tre vjet më vonë, prej ditës kur Michel Platini ia kishte bërë me dije Serbisë se do të përjashtohet nga të gjitha garat evropiane, nëse edhe njëherë shfaqë huliganizëm në sport. Sa për rikujtim, Brice Taton, një tifoz francez 28-vjeçar i ekipit Toulouse, që e kishte ndjekur ekipin e tij në Beograd, në ndeshjen kundër Partizanit të Beogradit në shtator të vitit 2009, u sulmua nga një grup huliganësh serbë i cili u godit me shkopinj bejsbolli dhe shufra hekuri vetëm se ishte tifoz i skuadrës kundërshtare. Tifozi francez vdiq disa ditë më vonë nga plagët e marra në kokë.
Po këta huliganë serbë i sulmuan fizikisht dhe i fyen në mënyrë çnjerëzore kuqezinjtë, kurse francezi bëhet kinse nuk ka thënë asgjë kohë më parë.
Përkundrazi, UEFA në krye me Platinin i paralajmëron për dënime shqiptarët, nën pretekstin se ata nuk ishin në gjendje ta vazhdonin lojën, duke mos marrë për bazë presionin nga sulmet psikike e mbi të gjitha fizike të shkaktuara nga huliganët serbë.
Pa harruar të vërë më prioritet kritikën për fluturaken për të argumentuar dënimin e mundshëm ndaj shqiptarëve. Edhe pak ditë mbetet të mësohet vendimi përfundimtarë i UEFA-së, me shpresë se nuk do të na bindin përfundimisht për servilitetin ndërkombëtarë karshi një shteti huliganësh dhe racistësh!

No comments: