KonspektNë këtë raport, misioni britanik i vendosur në Shqipëri gjatë Luftës së II Botërore analizon “krahun e
djathtë” të Frontit Nacional-Çlirimtar– një term i huaj për terminologjinë shqiptare – por që duhej të krijohej për t’u zbatuar ndaj të gjithë elementëve jo-komunistë që bashkëpunonin me FNÇ-në. Ky pol, sipas analizës të britanikëve, ndahej në dy grupe: grupi i parë përbëhej nga ata që ofronin një bashkëpunim të etshëm dhe tepër aktiv; grupi i dytë përbëhej nga ata që nëpërmjet frikës dhe kanosjes ishin të detyruar, pa vullnet të lirë, të bashkëpunonin.
Personalitetet e grupit të parë ishin: Faik Shehu, Myslim Peza, Aqif Lleshi, Baba Faja, Xhetan Elezi, Ali Dika, Haziz Dine Hoxha. Pjesa e mbetur e personaliteteve të grupit të parë të “krahut të djathtë”,(Xhetan Elezi, Ali Dika, Haziz Dine Hoxha), vijon raporti britanik, nuk kanë as karakter dhe as iniciativë për të luajtur ndonjë rol serioz në politikat e ardhshme.
Raporti thekson se të lartpërmendurit nuk formojnë një parti. Secili prej tyre përfaqësonte një entitet të veçantë dhe punonte për interesat personale dhe nuk kishte gjasa që ndonjëherë të ndërvepronin midis tyre.
Grupi i dytë i “krahut të djathtë”, pra ata që nëpërmjet frikës dhe kanosjes ishin të detyruar, pa vullnet të lirë, të bashkëpunonin përbëhej nga personalitete si, Ramadan Kaloshi, Cen Elezi dhe bijtë e tij, Hamdi Dema, Kolonel Togeri Kaci, Hysni Peji dhe Fazli Frashri.
Shumë misione, përfshirë dhe këtë, kanë diskutuar mundësinë e një ndarje në rangjet e komunistëve. Sipas tyre ekzistonte një lloj konflikti mes klikës politike në njërën anë dhe liderëve ushtarakë dhe të moderuarve në anën tjetër. Personaliteti kryesor i përfshirë në këtë diskutim ishte Mehmet Shehu, i cili, sipas analizës britanike, ishte e vetëdijshëm se Komiteti Qendror ndihej i frikësuar nga fuqia e tij ushtarake dhe se po shfrytëzonte çdo mundësi për ta mbajtur atë në prapaskenë:
“Ai është një njeri krenar, i fuqishëm dhe me ideale. A do ta shtyjë perspektiva komuniste dhe patriotizmi i mirë i konsoliduar i tij drejt një roli të vogël në politikën e ardhshme të vendit? Nëse ENVER HOXHA është një personalitet i fuqishëm dhe i luan kartat e tij siç duhet, ai mund ta pozicionojë Mehmetin në rolin e mbështetësit të tij më të madh. Në të kundërtën, vetëm e ardhmja do të tregojë se cilin front do të zgjedhë Mehmeti”.
Të moderuarit ishin Mustafa Gjinishi dhe Mustafa Kacaci, dy miq të ngushtë por të cilët ishin vrarë. Në raportin britanik shkruhet se “shumë njerëz dhe shumë zëra kanë sugjeruar se Mustafa Gjinishi u vra me urdhër të ENVER HOXHËS, me arsyen se ishte tepër pro-britanik”.
Raporti ofron një profilizim të saktë të subjekteve të saj, madje ofron një “rishikim” të historisë shqiptare, veçanërisht për disa personazhe për cilat edhe sot gjenden në panteonin e heronjve nga inercia e historisë komuniste. Në kuadër të saj, raporti merr një rëndësi iluminuese për ato qoshet e errëta të historisë shqiptare.
DOKUMENTI I PLOTË
FAIK SHEHU është një tregtar i pasur nga Peshkopia, me një influencë të konsiderueshme brenda vendin. Para pushtimit italian ai nuk i përkiste asnjë fraksioni politik. Ai është një bashkëpunëtor tepër entuziast i partizanëve dhe gjithashtu është shumë pro-britanik – më shumë se çdo njeri tjetër në Dibër apo Mat dhe i ka dhënë gjithmonë ndihma efikase misioneve britanike dhe amerikane. Nga kjo analizë e personalitetit të tij bëhet e qartë se ai nuk do të tentojë kurrë të shkaktojë një përçarje në FNÇ.
MYSLIM PEZA konsiderohet zakonisht si një lider potencial i “krahut të djathtë”. Në dimër, kur po formohej legaliteti, zërat në Dibër dhe në Lumë flisnin se Myslim Peza po i bashkohej asaj që ne e quanim “Grupi i Tiranës”. Meqenëse këto raportime vinin nga burime të ndryshme, ka mundësi që Myslim Peza të ketë hyrë në negociata me Kupin dhe Frashërit. Së fundmi, raportohet se grupi i tij i Pezës është shpërbërë dhe se vetë ai i frikësohej një likuidimi të mundshëm. Kur misioni ishte me Divizionin e II në zonën e Tiranës dhe po përpiqej të bindte Brigadën e III që të sulmonte një depo gjermane në Petrelë, u bë e qartë se nuk kishte bashkëpunim efiçent ushtarak mes Pezës dhe korpusit të I. Për interes të uniformitetit dhe efikasitetit të partizanëve, Grupi i Pezës duhej të shndërrohej në një Brigade. Myslim Peza dhe liderë të tjerë brenda FNÇ-së po përballen me një situatë të vështirë, ku duhet të braktisin postet e tyre si drejtues lokal dhe të venë në rrezik reputacionin në arenën politike konkurruese dhe të pasigurt të “demokracisë” së re kombëtare.
Myslimi është goditur rëndë nga transformimi i grupit të tij në një brigade të rregullt. Ai ka shprehur frikën se mund të likuidohej. Raportohet se ai është interesuar për t’u njohur me rrethanat e vdekjes së Mustafa Gjinishit. Me këtë interes, ai po vetë-kualifikohet në listën e likuidimit.
BABA FAJA: Babagjyshi luftarak, ka qenë dikur një fuqi e konsiderueshme e botës partizane. Mendohet se madje ka qene një herë presidenti i LNÇ-së. Tashmë, megjithëse zv/president, nuk është më shumë se një figurë formale me pak mbështetës. Baba Faja nuk përfaqëson më një personalitet me rëndësi të madhe për LNC-në
Ai nuk mund të krijojë përçarje brenda komunistëve por mund të ndjekë dikë tjetër, si Myslim Peza. Gradualisht po e çon veten drejt vdekjes për shkak të abuzimit me pijen.
SPIRO MOISIU: Duhet parë me interes e ardhmja e Spiro Moisiut, Shefi i Shtabit të ENVER HOXHËS. Ai është totalisht joefikas dhe i papërshtatshëm për pozicionin që mban. Supozojmë se atij i është dhënë kjo detyrë për shkak të një influence të panjohur për ne dhe fakti se është një anëtar i besueshëm i partisë komuniste. Tashmë ENVER HOXHA i anulon shpesh urdhrat e Moisiut. Është në interes të (Enver Hoxhës) që t’i gjejë ndonjë detyrë tjetër ose të shpëtojë prej tij plotësisht.
Kolonel Hysni Kapo: Mosha 35 vjeç. I njohur si besnik-njeri që mund t’i besohet. Shefi i Shtabit të Korporatës së I. Oficer i mirë, bashkëpunues dhe flet rrjedhshëm frëngjisht. Një personalitet jo shumë pozitiv.
Liri Gega: Rreth 27 vjeç. Komisare e Korporatës së I, Presidente e Ligës Anti-Fashiste, komuniste e dhunshme, një zhurmë e madhe në botën politike të Shqipërisë. Ka pasur doktoraturë në filozofi në Itali; ka qene në një kamp përqendrimi po në Itali. Flet italisht, frëngjisht, dhe pak anglisht, por gjithmonë mendon më shpejt sesa mund të flasë. E vendos veten por edhe të tjerët në ngatërresa. Shumë bashkëpunuese, por jo aq e zgjuar sa mund të duket. Anëtare e Grupit të Gjirokastrës.
Mehmet Shehu: Mosha 31 vjeç, tani komandon Divizionin e I. Ka luftuar në luftës civile të Spanjës, dhe mund të flasë anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe spanjisht. Lider i mirë dhe i aftë, ushtari më i mirë në FNC.
Ali Maliqi: mosha 44 vjeç, vëlla i Ferid Maliqit. Mbështetës i Fiqri Dines. Ka qene i internuar nga italianët, ka luftuar kundër partizanëve në Dibër, në tetor të 1943 dhe korrik 1944, si dhe ka luftuar vazhdimisht ndaj partizanëve të Maqedonisë
Aqif Lleshi: Mosha 45-50. Shumë i dhunshëm në karakter, kokëfortë dhe flet serbisht. Ka luftuar me partizanët kundër Fiqri Dines dhe gjermanëve, tetor 1943 në Dibër. Gjithmonë e ka rreshtuar veten përkrah lëvizjes partizane dhe është i lidhur me të si pasojë e marrëdhënieve familjare që ka me Haxhi Lleshin, cili është xhaxhi i tij.
Ali Deka: Mosha 31 vjeç, mbështetës i partizanëve, anëtar i familjes Ndreu. Ka shërbyer si përkthyes i misionit. Njeri jo i ndershëm. Shtëpia iu dogj nga gjermanët dhe Dariq Maliqi në mars 1944. Urren Cen Elezin.
Ali Sulejmani: Mosha 26 vjec. I biri i Ahmed Sulejmanit, mbështetës i familjes Ndreu dhe i Muharrem Bajraktarit. Një lider i vogël i Recit. I guximshëm, i aftë dhe i veshur mirë, por nuk mund t’i besohet shumë. Ka lidhje me fshatin Galicnek në Maqedoni.
Fadil Hoxha: Si të gjithë partizanët -një tip i poshtër. Lider i Kosmet-ëve
Fiqri Dine: Mosha 50 vjeç. Tip i qetë – gjithmonë punon në prapaskenë. Flet pak frëngjisht por nuk i pëlqen ta pranojë.
Fiqret (Sanxhaktari): Ka qene zv/komisare në Divizionin e I. Flet pak anglisht, por që po përmirësohet shpejt, pak frëngjisht dhe italisht. Tepër tërheqëse, e imët, me një nazeli të mahnitshme me ushqimin e saj. Bëhet tepër e turpshme kur një zotëri anglez i jep një këmishë të kuqe mëndafshi. Një nga liderët e Lëvizjes së Grave në Shqipëri.
Mendoj se mund të bëhet bashkëshortja e Mehmet Shehut-kanë lidhje intime dhe të fshehur. Ka qenë në një kamp përqendrimi italian. Me influencë në rrethin politik.
Haxhi Lleshi: Me një perde në një sy. Është shndërruar në një të moderuar. Vjen nga Dibra, është i zgjuar, shumë mendjemprehtë. Ka një grua tepër magjepsëse. Është i lidhur me çështjet maqedonase dhe flet serbisht.
Halil Alija: Mosha 28 vjeç. Tip dinak dhe i vrazhdë. Ka hyrë në gjak me familjet Kaloshi dhe Ndreu. Është personi më i urryer në Dibër. Përgjegjës për vrasjen e një nga vëllezërve të Ramadan Kaloshit.
Maliq Gani Lika: Vodhi para nga misioni britanik, tip i poshtër. I ka ofruar oficerëve të misionit britanik gruan në këmbim të parave. Fatmirësisht kanë refuzuar pasi në të kundërt do të na shantazhonte. I mungon truri dhe guximi. Një mbështetës i kotë i Muharrem Bajraktarit.
No comments:
Post a Comment