Wednesday, July 10, 2013

Zogaj prezanton librin e jetës “Fundi, një fëmijëri tjetër”

“Fundi, një fëmijëri tjetër” është libri i jetës së poetit Preç Zogaj. “Në raport me librat e mi, mendoj se kam shkruar librin më të mirë timin”, – u shpreh Zogaj në prezantimin e vëllimit të ri poetik, organizuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. “Fundi, një fëmijëri tjetër” është ditari poetik i autorit, i shkruar në një kohë kur ai vetë ka qenë tejet aktiv në jetën politike të vendit, por kjo nuk e ka cenuar poezinë e tij.

“Asnjëherë nuk e kam kompromentuar poezinë me veprimtaritë e tjera njerëzore që janë të domosdoshme për shoqërinë, nganjëherë edhe për ne, sepse së paku besoj se nuk ka poet në Shqipëri që të jetojë vetëm prej librave apo vetëm prej poezisë. Duke u angazhuar me shumë veprimtari, jam përpjekur me fanatizëm që ta ruaj poezinë të paprekur negativisht nga gjërat e tjera që na duhet të bëjmë në jetë”, – shprehet Zogaj.
Parid Teferiçi, piktor dhe poet, duket se e ka zgjidhur misterin e poezisë së Zogajt si një ndër lexuesit e shumtë të tij. “Preçi, pavarësisht se duket poet lirik, poet i trajtimit të temave të ndjeshmërisë së zemrës, mbetet një poet cerebral. Më mirë të themi, një poet metafizik”, – thotë Teferiçi, njëkohësisht dhe ideues dhe realizues i kopertinës së librit të Zogajt. Ky është prezantimi i parë i librit “Fundi, një fëmijëri tjetër”, që vjen për lexuesin nën siglën e Shtëpisë Botuese “Tirana Times”.
“Fundi, një fëmijëri tjetër”, është një fillim më vete
Historia e promovimit të librit të ri me poezi “Fundi, një fëmijëri tjetër” i Preç Zogajt, kishte një detaj:- Preç, ma vendos autografin në faqen e fundit. – Po pse në faqen e  fundit? Gjithmonë në krye, shënojnë poetët… (dhe autori shënonte autografe nën mbulojcë të librave për miq e lexues.) Sepse “Fundi, një fëmijëri tjetër”, titulli i librit të Preç Zogajt, është pa fjalën e fundit, një fillim më vete. Më tej gjërat vijnë e plotësojnë njëra-tjetrën e udhëtimi nuk është më misterioz, nuk është më dëshpërues, nuk është më sakrifikues.
Roli i artit ose i një intelektuali, ose i një shkrimtari ishte, sikundër thuhet në një proverb të vjetër, t’i thotë pushtetit të vërtetën. Sot, ajo çka presin njerëzit nga artisti apo intelektuali, është më e shumtë e më komplekse. Ajo që kam ndjerë shpesh, se bota nuk pret më asgjë nga askush, gjë që më është dukur tragjike, gjatë leximit të një vëllimi poezish, më bëri t’i kundërshtoj ndjesitë. Edhe pse e dimë fort mirë që një botim poezish nuk është ngjarje e madhe për një vend të ngatërruar me krizë ekonomike, histori trasgresionesh politike, në analizë të fundit, gjithçka është çështje instinkti te poezia dhe shfaqja e poetit përballë lexuesit. Ajo që e emërtojmë ndjeshmëri artistike kuptohet nga fillimi e shkon deri në fund në poezitë e Zogajt. Nëse i reziston leximit të plotë të vëllimit, mbërrin të shohësh deri ku mundet të arrijë një ide dhe nga cila pikë e më tej bëhet e mërzitshme. Ndërsa nuk pati asnjë vend ku të mëshiroje mërzitjen. Nuk ekzistonte. Kishte ngecur për të mos u shfaqur mes fabulave dhe lëvizjes së shpejtë të fjalës, të ngjarjes, të përjetimit.
Që të shohësh poetin duhet të hapësh dritaret, që të dallosh flatrat nuk duhet të bësh pyetje. Në poezinë Saksia, për shembull, vjen një fabul e cila lidh jo vetëm hapësirat, por edhe gjendjet, brezat me një fill të padukshëm, aromën, që edhe pse nuk përmendet, është e shfaqur e tëra përmes një pike mbështetëse- një saksie poshtë këmbës. Ndoshta s’do ta dinin dobësinë tonë është një poezi që përmbledh një notë biografie të ndjenjave, mendimeve dhe përsiatjeve të autorit. Pa asnjë të fshehtë, shkruhet e gjitha, dobësia, mjerimi, pritja. Pastaj mbështillen me erë, re dhe diell. Si të shfaqen rishtas nga e para.
Sepse Dashuria e plaku këtë vend,/ dhe unë (poeti) jam i vjetër…. kur kam lexuar këto vargje në vëllimin e mëparshëm “Ngjarje në tokë” kam pasë menduar se do ishte një ndalim i gjatë, i heshtur i autorit, pa botuar libër të ri, por kapërcimi kurajoz është i motivuar nga fjala dhe komunikimi përmes figurave dhe fabulave që në dukje janë të thjeshta, e pikërisht aty fillon thellësia, kërkimi i përtejmë rreth librit, pasi ke mbaruar faqen e fundit të tij.
Sepse, duke lexuar poezitë e P. Zogajt, hera-herës prekesh nga fshehtësia e një ditari. Njëra pas tjetrës, poezitë sikur rrëfejnë jetën, ato kthimet për të parë dikë, për t’u ndeshur sërish, për të luftuar edhe një herë nga e para. Një pikëvështrim më i zgjeruar është dialogu dhe përfshirja e Zotit në rrethanat jetësore dhe qasjet shpirtërore. Në poezi të tjera, futet njeriu dhe marrëdhënia e tij me jetën e vdekjen, duke e lënë perëndinë paksa larg, në padukshmërinë e paprekshmërinë e çastit. Dielli mban përkrahu tim bir, shkruan diku poeti, pasi kuptojmë se dashuria nuk jep leje me veshësh errësirën. E kuptojmë lidhjen e pacenuar të dashurisë dhe të Preç Zogajt. Është tema të cilën e ka universalizuar, është tema të cilën e ka trajtuar si një gjallesë, si frymor, si një të moshuar, si një të parritur, si një adoleshente. Nën këtë shtjellë, gjejmë sa e sa vargje të mbajtura ndër flatrat e saj, herë të mbledhura, herë të  shpalosura…por gjithmonë dashuria. Autori shkruan: s’kemi flatra të rrahim stuhitë,/ s’kemi forcë të ngrihemi si gurë/ mes reve të bardha. Kjo dashuri/ nuk gjen shpëtim kurrë. Sërish e sërish kokulur/ shkëmbejmë vetmit… Çdo artist i madh lufton që të zbulojë atë çka nuk ka bërë, çka nuk ka ndodhur. Përpiqet të tejkalojë atë që është bërë, të zbulojë diçka të re. Të paktën kështu shtohen mundësitë që të krijojë dikush një vepër të madhe. Dhe në fund fare, lexova autografin e autorit. Një shkrim shkatarraq. Si për të prishur syrin e lig të gjithë librit. Autorit i mbetet tashmë kënaqësia e shënimeve në librin e botuar. Të tjera kënaqësi, i takojnë lexuesit, kuriozit, njeriut që kërkon përtej çdo libri.

No comments: