Monday, July 8, 2013

Kush do të jetë pasuesi i Sali Berishës në PD?

Analistët besojnë se gara për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike në Shqipëri do të jetë e fortë dhe reale, gjë që imponohet dhe nga vetë kandidatët.

Pas dorëheqjes së Sali Berishës, të imponuar nga humbja në zgjedhje, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi janë në garë për të marrë drejtimin e selisë blu.

Analisti Artan Hoxha thotë se cilësitë e kandidatëve e bëjnë të pamundur parashikimin e rezultatit.


“Dy kandidatët nuk është që dallojnë aq shumë, që njëri të jetë shumë i mirë dhe tjetri të jetë shumë i dobët. Ata janë mjaft konkurrues mes tyre. Është e vërtetë që Sokol Olldashi ka ardhur me pantallona të shkurtra në Partinë Demokratike, si djalë 17-vjeçar, dhe ka bërë një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në atë parti. Por, nga ana tjetër, edhe Lulzim Basha, që nga viti 2005, erdhi dhe bëri një karrierë të shkëlqyer në PD dhe ka dhënë sprova për atë parti”, thotë Hoxha.

Analisti Robert Rakipllari përmend disa elemente që mund t’i japin njërit kandidat përparsi mbi tjetrin. Basha shquan për popullaritet, ndërsa Olldashi për lidhjen e fortë me strukturat e partisë. Por, për Rakipllarin më favorit në garë duket Lulzim Basha.

“Nuk mund të mohohet që zoti Basha është konsideruar gjithmonë si pasuesi i zotit Berisha, vetëm se nuk dihej koha se kur do të ndodhte kjo. Pra, është më shpejt seç ishte parashikuar për të. Por, unë besoj se zoti Basha ka tre përparsi të tjera që janë shumë të rëndësishme”.

“Ee para, zoti Basha ka fituar një garë direkt me zotin Rama për bashkinë e Tiranës dhe ka marrë 125 mijë vota, që është shumë e rëndësishme. Zoti Olldashi e ka humbur një garë të tillë me zotin Rama më 2007”.

“Përparsi e dytë e zotit Basha është se ka më tepër potencial dhe mundësi për të bashkuar të djathtën. Kur them këtë, kam parasysh afrimin me Frymën e Re Demokratike. Zoti Basha gjithashtu mund të krijojë efektin e diversionit në koalicionin e majtë të mazhorancës, për shkak të marrëdhënies së tij personale me zotin Meta – gjë që nuk mund ta bëjë zoti Olldashi, i cili shpalli sulmin ndaj LSI-së si kalë beteje në garën e tij për kreun e PD-së”
, thotë Rakipllari.

Në funksion të një gare transparente, kreu i dorëhequr Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të përfshihet në proces, duke shmangur favorizimin e kandidatëve.

Hoxha beson se Berisha do të ruajë pikërisht këtë qëndrim, pavarësisht skepticimit se lideri historik do të tentojë të shënjojë pasardhësin nëpërmjet ndërhyrjesh informale.

“Mendoni se Sali Berisha ka nevojë të punojë fshehurazi për këtë gjë? Unë mendoj se ai, po të donte, do ta bënte hapur dhe s’do të kishte asnjë lloj problemi as për të dhe as për PD-në. Prandaj, besoj se Sali Berisha beson se është kjo garë që duhet të nxjerrë kryetarin, një garë e tillë e hapur me rregulla të barabarta për të dy kandidatët, sepse mendoj se edhe vetë Sali Berisha nuk e ka të qartë në mendjen e vet se cili nga kandidatët është kryetari i duhur", thotë Hoxha.

Në një linjë, edhe Rakipllari beson se Berisha, në asnjë rast, nuk do të bëjë ndryshe nga sa ka deklaruar.

“Është e pamohueshme lidhja që zoti Basha ka me Berishën apo edhe me familjen e tij dhe këtu është lidhje më e afërt sesa ajo e zotit Olldashi. Por, unë besoj se kur bëhet fjalë për një garë, nuk ka vlerë mbështetja publike që mund të ketë zoti Berisha. Pra, jo një mbështetje të tërthortë. Unë besoj se mbështetje publike ai ka deklaruar se nuk do të japë. Nëse ai do të jepte mbështetje publike, do të hapej gara edhe për figura të tjera qendore të partisë, të cilat do të fillonin të mbështesnin njërin apo tjetrin kandidat”.

“Unë mendoj se në këtë aspekt do të ishte i favorizuar zoti Olldashi, i cili, sipas meje, gëzon për shumë arsye mbështetje më të madhe në oligarkinë e partisë sesa zoti Basha”, thotë Rakipllari.

Por, pavarësisht rivalitetit që do të shfaqin në garë dy kandidatët, analisti Hoxha i sheh ata bashkëpunëtorë të sigurt në përfundim të procesit.

“Partia Demokratike po kalon nga modeli i një partie me një lider historik në modelin e një partie me një kryetar 4-vjeçar, gjithmonë në testim në çdo palë zgjedhje që do të vijnë. Ky është ndryshim vetvetiu i modelit dhe atëherë edhe emocionet e kësaj gare nuk ka pse të jenë kaq traumatike sikur do të ndahet historia. Do të zgjidhet një kryetar”, thotë Hoxha.

Votimi për kryetarin e ri do të zhvillohet më 22 korrik. Për herë të parë, PD-ja do të zbatojë parimin një anëtar një votë, duke i dhënë shansin 100 mijë anëtarëve të thonë fjalën e tyre se kush do të jetë pasuesi i Sali Berishës./Radio Europa e Lire/

No comments: