Monday, July 8, 2013

Kreu i ri, PD ngre 39 qendra votimi, 7 vetëm në Tiranë

SHKRUAR NGA EMI SHAHU
PD-ja do të ketë qendrat e saj të votimit në të gjithë territorin e vendit, ndërkohë që numri më i madh i tyre do të jetë në kryeqytet. Tashmë gjithçka është gati për administrimin e procesit zgjedhor, që nga ngritja e KQZ-së e deri tej qendrat e votimit të shpërndara aty ku PD-ja ka degë të saj. PD-ja do të ngrejë 39 qendra votimi në degët e saj neper Shqipëri dhe 7 qendra votimi në Tiranë, për ta bërë më të lehtë procesin e votimit. Në regjistrat e PD-së janë 105 mijë anëtarë
me të drejtë vote, që do të marrin pjesë në zgjedhje ndërkohë që votat e demokratëve për pasardhësin e Sali Berishës në PD do të numërohen nga një Komision Qendror Zgjedhjesh, i cili do të certifikojë rezultatin final të 22 korrikut. Kjo KQZ tashmë është ngritur dhe do të funksionojë në selinë e partisë. Mësohet se ky komision përbëhet nga 7 anëtarë dhe dy ndihmës, që do të jenë anëtarë teknikë. Komisioni zgjedhor i PD-së do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm kryeministrit, z.Gjergj Lezhja ndërsa anëtarë janë caktuar zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, ish-deputetja Paulina Hoti, ish-kandidati për deputet Gazmend Dibra, nënkryetarja e PD-së së Vlorës, Bahrije Isufi, drejtori i OST-së Arben Ibro dhe Genti Minarolli. Por i gjithë procesi i votimit do të asistohet nga dy anëtarët teknikë Florian Xhuti dhe Albert Avduli, zyrtarë të departamentit të organizimit në PD. Kjo zyrë ka përballuar procesin e regjistrimit dixhital të anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe ka gjithë peshën e administrimit të zgjedhjeve për liderin e ri të demokratëve. Anëtarësia e demokratëve në mbarë vendin do të votojë më 22 korrik liderin e ri të PD-së, pas dorëheqjes së Sali Berishës nga postet partiake.

Kryesia e PD-së në mbledhjen e fundit miratoi tri vendime: që kryetari i ri të votohet më datën 22 korrik përmes parimit “një anëtar një votë”, në garë të përballen kryebashkiaku Lulzim Basha dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi si dhe të ngrihet një KQZ për numërimin e votave, në të cilën dy kandidatët të kenë anëtarët e tyre respektivë. “Do të krijohet një KQZ me 7 anëtarë dhe dy ndihmës, kandidatët do të kenë nga një anëtar në KQZ”, deklaroi z.Berisha. Ai ftoi kandidatët që të fillojnë garën për pasardhësin e tij duke shpallur platformat, ndërsa kërkoi më herët që kushdo nga zyrtarët që mbështet kandidatët, më parë duhet të dorëhiqet nga postet që mban. Aktualisht asnjë prej zyrtarëve të lartë të PD-së nuk kanë shprehur zyrtarisht mbështetje për Bashën apo Olldashin, gjë që nuk ka sjellë asnjë dorëheqje brenda PD-së. Vetë lideri Berisha siguroi se nuk ka shënjuar asnjë kandidat për kreun e ri të PD-së. Prej tri ditësh, të dy kandidatët, Olldashi dhe Basha, kanë filluar fushatën për kreun e ri të PD-së, duke ndërmarrë takime me anëtarësinë e partisë në qarqe të ndryshme të vendit.

No comments: