Nga kontrolli autoteknik i makinës
“Mercedez Benz S”, me targë AA 003 HN, që drejtohej nga Sokol Olldashi
në momentin e aksidentit, ka rezultuar se sistemi i drejtimit dhe i
frenimit kanë funksionuar normalisht.
Ndërsa
pavarësisht këtij
përfundimi, në asfalt nuk është gjetur asnjë gjurmë
frenimi. Por edhe kjo e ka pasur një shpjegim që është dhënë nga
eksspertët e Benzit, të cilët janë kërkuar me urdhër të prokurorit që të
asistojnë gjatë këqyrjes së automjetit. Sipas verifikimeve të kryera
nga aparatura e posaçme e lidhjes me kompjuter, ka rezultuar që makina
po drejtohej automatikisht dhe jo mekanikisht nga vetë viktima.
Burime
nga grupi hetimor thanë se me aq sa është konstatuar nga këqyrja e
makinës, rezulton që Olldashi e ka graduar makinën që të lëvizte me
shpejtësi deri në 60 kilometra në orë përgjatë rrugës që ka përshkuar në
tunel. Por pasi ka dalë nga tuneli nuk i ka dhënë komandën që ta
kthente drejtimin e mjetit në mënyrë mekanike dhe për shkak se rruga
vazhdonte me kthesa, automjeti nuk ka frenuar, e duket se Olldashi nuk e
ka vënë këmbën në pedalin e frenave. Për këtë arsye nuk janë gjetur
as gjurmët e frenimit në asfalt.
Policia
ka bërë matjet e nevojshme që nga vendi ku dyshohet se makina ka humbur
kontrollin e deri ku ka përfunduar poshtë rrugës, duke rënë përmbys në
një rrugë dytësore përkrah varrezave. Sipas ekspertëve, pasi ka dalë nga
tuneli, makina ka përshkuar thuajse një kilometër rrugë, derisa ka
mbërritur në një kthesë të fortë dhe në një rrugë të pjerrët. Para
kthesës nuk kishte tabelë lajmëruese për trajektoren majtas, pasi
vazhdimisht vendosen dhe vidhen nga banorët e zonës
KONTROLLI AUTOTEKNIK
Prokurori
ka urdhëruar dje këqyrjen e automjetit të aksidentit dhe kryerjen e
kontrollit auto-teknik. Makina është zbritur nga karroatreci ku mbahej
prej më shumë se 24 orësh te Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe është
kontrolluar me imtësi për ndonjë defekt, si dhe për të zbuluar të dhënat
e sakta për shkakun e aksidentit.
Përveç
ekspertëve të policisë, janë thirrur edhe ekspertët e Benz-it, të cilët
kanë qenë të pajisur me aparaturat elektronike të posaçme për
kontrollin e makinës. Ata kanë bërë lidhjen e sistemit elektronik të
makinës me kompjuterin për të parë nëse kishte apo jo ndonjë defekt
teknik. Por ajo çfarë u konstatua bëri që edhe ky veprim të mos i
ndihmonte shumë ekspertët, pasi për shkak të përplasjes së fortë,
sistemi ishte çakorduar dhe kompjuteri nuk ishte në gjendje të
përcaktonte shumë të dhëna.
Veprimi i
parë që është kryer ka qenë hapja e dyerve, pasi kanë qenë të bllokuara
me siguresë, përveç njërës derë që është hapur me forcë në vendngjarje.
Gjithashtu është përcaktuar përafërsisht se shpejtësia e mjetit ka qenë
50 deri në 60 kilometra në orë në momentin e aksidentit. Ndërsa ajo që
është më kryesorja dhe që ka shkaktuar edhe vdekjen e Olldashit, ka qenë
rripi i sigurimit që është gjetur në vend, pasi nuk ishte përdorur nga
drejtuesi i mjetit.
No comments:
Post a Comment