Saturday, April 20, 2013

Tinguj Lufte

Arion Sulo
Kronologjia e pesë ditëve që futën në krizë zgjedhjet e 23 qershorit. Skenari Rama-Meta për  të ulur në tryezë Berishën dhe çfarë synojnë me dorëheqjet e orkestruara në KQZ. Arsyet e indiferencës së Kryeministrit dhe lobimi i dy kampeve për të tërhequr pas vetes ndërkombëtarët
Me forcën e arsyes apo me arsyen e forcës?! Ca muaj më parë, kur flirtonte me sms me Ilir Metën, pa arritur ta bindte plotësisht të ndahej nga Berisha, Edi Rama e kishte shprehje të parapëlqyer. Do të fitonte zgjedhjet e 23 qershorit me forcën e arsyes. Mbrëmjen e të martës, ka
menduar se arsyeja nuk mjafton. Ka ndryshuar sërish mendje. Denar Biba duhej të jepte dorëheqjen nga KQZ, në emër të arsyes së forcës dhe për të treguar forcë politike përballë vendimit të një nate më parë të Parlamentit, që zëvendësoi anëtarin e LSI në KQZ. Atë forcë politike që Ramës duket se ia ka rikthyer Ilir Meta. Jo vetëm për KQZ, por edhe me bashkimin e votave në këshillat bashkiakë e qarqet e vendit, ku u përmbysën brenda ditës raportet e mazhorancës së 8 majit 2011.
KQZ, por jo vetëm…
Sipas një plani të mirëmenduar dhe të mbajtur sekret nga dyshja Meta-Rama, (vetëm dy- tre vetë e dinin në PS të hënën në mbrëmje dorëheqjen e Denar Bibës), nga KQZ për tri ditë rresht do të vinin lajme për dorëheqje të anëtarëve të tjerë të opozitës. Drejtuesit e PD në këshillat bashkiakë dhe të qarqeve u propozuan për shkarkim dhe sa hap e mbyll sytë, u rikthye turbulenca politike dy muaj para ditës së zgjedhjeve. Lëkundja e PBDNJ-së që e mbajti “të ngrirë” anëtarin e saj në KQZ  e dëmtoi disi këtë plan, por nuk e pengoi Ramën dhe Metën që të kalonin brenda tri ditësh në kërkesën e dytë; atë për negociata me mazhorancën e Berishës për një KQZ të re, një marrëveshje të re. “Nuk ka më KQZ. Jemi të hapur për negociata për riformatimin e saj, në bazë të ligjit, në bazë të konsensusit”, -do të dilte hapur Meta në ‘Top Story’ të enjten në mbrëmje, ndërsa kreu i deputetëve socialistë, Ruçi në sinkron kishte bërë të njëjtën gjë pak minuta më parë në Kuvend, kur kishte “ofruar” dakordësi për çdo propozim të PD-së, i cili rikthen sovranitetin e KQZ-së. Sovranitet sipas të majtës, ndoshta me balancën e zakonshme 4 me 3 për mazhorancën, ndoshta 3 me 3, por me një kryetar të zgjedhur në mënyrë konsensuale nga Kuvendi?! E gjitha kjo, nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, të cilët tashmë e kanë në dorë planin Meta-Rama, por nuk dihet në e kanë refuzuar apo janë dakord ta kthejnë në një plan të përbashkët pune, për t’ia paraqitur edhe palës tjetër. Sepse tani, siç tha dhe sekretari ligjor i LSI, Ylli Manjani: “ Kjo s’është më çështje ligji. Është çështje force dhe çështje politike”. Por mbi të gjitha sepse “Berisha nuk rri e vështron”. Pasi ka ekuilibruar ditët e fundit jo pak qëndrimin e ndërkombëtarëve (veçanërisht të Arvizusë)  me ardhjen e Jonathan Moore që kërkoi një KQZ të plotësuar, Berisha vijon ‘Town hall’-et. Nga jashtë Tiranës lëshon mesazhe domethënëse për “ngecje ngjalash në fyt aleancës së re”. Që më shumë se me Nard Kokën (një nga negociatorët e darkës së Lalëzit dhe marrëveshjes së re Rama-Meta) kanë të bëjnë me planin e opozitës për ta ulur në tavolinë. E për Berishën, nuk mund të ketë bisedime në mes të lojës. Oerd Bylykbashi, shef i kabinetit të Berishës dhe një nga njerëzit më të informuar për fijet që po luhen në prapaskenë tha se “deri tani çdo gjë është në hullinë e ligjit. Të presim se ç’do ndodhë”. Por deri kur? Cila është zgjidhja?
Lufta e nervave dhe skenari i forcës
Përgjigja nga mazhoranca se situata deri tani është në hullinë e ligjit dhe se opozita duhet të plotësojë vakancat në KQZ, nuk ka qenë e papritur për Ramën dhe Metën. Nuk mund të jepej kaq lehtë e kaq shpejt një tryezë politike. Aq më tepër që Berisha nuk ka folur posaçërisht. Aq më tepër që bllokimit të KQZ-së nga të majtët, nuk mund t i shkohej pas aq lehtë nga mazhoranca me një pranim për tryezë politike. Të dy e dinë mirë se brenda një jave nuk mund të arrinin më shumë. Lëvizjet e opozitës përmblidhen në ofertën e hedhur dy ditë më parë: zgjidhje e re politike për një KQZ të re. Në variantin optimal për ta, dyshja Rama-Meta synon të arrijë  maksimumin; zgjedhje të trupës së komisionerëve sërish në Kuvend me raportet e dikurshme 4 me 3 në favor të mazhorancës ose variant i dytë, një balancë 3 me 3 anëtarësh dhe një kryetar të zgjedhur me konsensus?! Propozime ka edhe për një KQZ të re me 9 anëtarë, siç ka qenë vite më parë, çka duket e vështirë në situatën e krijuar, pasi kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor që vetë socialistët dhe LSI e kanë miratuar me konsensus. Kjo do t’i kthente LSI-së anëtarin e humbur në KQZ, por jo sipas rastit “Muho” dhe mënyrës së Berishës. Jo me shkarkim. Një zgjedhje e trupës së administratorëve të zgjedhjeve në Kuvend me konsensus dhe zhbërja e  vendimit të mbrëmjes së të hënës, do të kishin shumë efekt në elektoratin e majtë, duke treguar se opozita e bashkuar mund ta ndalë Berishën dhe ta detyrojë që të marrë mbrapsht atë që bëri. Por jo vetëm kaq. Për ta bërë sa më të besueshëm alarmin te ndërkombëtarët dhe nevojën për një tryezë politike, opozita mësohet se ka në axhendë edhe problemin e listave të zgjedhësve. Sipas saj, janë ende 42 mijë votues pa adresë që mund të ndikojnë në rezultatin e 23 qershorit. Plani Rama-Meta kërkon megjithatë mbështetjen e ndërkombëtarëve, të cilët pas shkarkimit të Muhos, folën hapur për shkelje të vijës së kuqe nga ana e Berishës, por pas bojkotit të KQZ nga ana e të majtëve kaluan shpejt në terrenin e ligjshmërisë, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve me një KQZ të plotë. Sinjalet që vijnë nga opozita flasin për një mostërheqje të saj, për vazhdim të bojkotit në KQZ. Me apo mbështetjen e ndërkombëtarëve, presioni do të mbahet ngritur. Do të kërcënohet me bojkot, duke thënë se zgjedhjet nuk do të bojkotohen. Ndoshta deri në afatin e fundëm të rrezikimit të zgjedhjeve. Afat, që askush hëpërhë nuk e di se cili është.
Jani Jani, loja e vogël dhe e hidhur
Dorëheqja e tretë në radhën e anëtarëve të majtë të KQZ pritej të ishte ajo e Jani Janit të PBDNJ-së. Nuk erdhi, duke i dhënë pak shpresë mazhorancës dhe duke zhgënjyer Metën e Ramën. Edhe pse me një deklaratë “ngrirjeje” me të njëjtat motive si ajo e kolegëve të ikur, Jani Jani krijoi një lloj pështjellimi, pasi vota e tij në KQZ është vota e pestë. Ajo me të cilën ky komision merr çfarëdo vendimi dhe nuk bie në bllokim. Përtej “ngrirjes” (e paligjshme dhe e pambështetur në Kodin Zgjedhor) e cila mund të kthehet në shkrirje, loja e PBDNJ duket se nuk të bëjë aq me bojkotin eventual që po duan të tregojnë PS e LSI. Ajo ka të bëjë me aleancat zgjedhore që do të bëjë PBDNJ. Mosfirmosja e një marrëveshjeje koalicioni nga ana e Dules me Ramën duket se e ka kushtëzuar veprimin e ngrirjes së Janit. Në 23 prill, pas tri ditësh, kur koalicionet të jenë regjistruar, anëtari i PBDNJ-së do të jetë më i qartë për të ardhmen e tij. Nëse Rama e Dule arrijnë akordin, Jani pritet të dorëhiqet. Në të kundërt, nëse PBDNJ bëhet pjesë e koalicionit të Berishës, Jani Jani llogaritet si i propozuar nga mazhoranca (sipas skemës së shkarkimit të Muhos) dhe ai duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur një vend anëtarit të tretë të opozitës në KQZ. Në këtë skemë, PBDNJ mbetet gjithsesi pa anëtar. Takimi i djeshëm i Dules me Fatos Nanon ishte sërish një detaj që tregonte se vendimi i PBDNJ e ka një peshë në të ardhmen e këtyre zgjedhjeve.
Berisha nuk rri e vështron
Kryeministri nuk ka folur ende për ofertën e opozitës, që kërkon zgjidhje politike. E injoron, dhe me këtë një përgjigje e ka dhënë. Të tjerë nga mazhoranca, si Bylykbashi dhe Strazimiri kanë thënë se s’mund të ketë bisedime në mes të lojës apo s’mund të ofrohen marrëveshje, kur pala tjetër e ka çuar situatën afër bllokimit. Kori i madh këndon refrenin e frikës së Ramës për humbjen e zgjedhjeve dhe se ai është bojkotues i pandreqshëm. Por Berisha dukshëm po luan në mbrojtje, pasi e ka situatën në favor. Pasi ka rimarrë shumicën në KQZ, ai tani sheh se kundërshtarët e tij janë në paligjshmëri, ose më e pakta në bojkot dhe kërkojnë t’i imponojnë rregulla të reja. Pasi përballoi valën e parë të reagimeve të SHBA dhe BE që ishin kundër shkarkimit të Muhos në Kuvend, me një gjetje të minutës së fundit (fshehjen prej tij të dekretit të Moisiut) arriti të paktën të mos përkeqësonte situatën me të huajt. Në këtë drejtim ka vulën e saj edhe kompania amerikane “Podesta Group”, e përfshirë këto ditë në një debat për “censurimin” e deklaratës së Moore për mediat ndërkombëtare. Me lobimin në prapaskenë dhe me dorëheqjet e orkestruara nga opozita, pozicionet te partnerët europianë dhe ata amerikanë u rifituan nga mazhoranca. Tashmë janë ata të dy, Rama dhe Meta, që duhet të zbatojnë ligjin dhe të plotësojnë detyrimet, për të pasur zgjedhje në afat. Duke e lexuar deklaratën e amerikanit Moore dhe atë të Wollfarth si një apel për opozitën, mesazhi që vinte dje nga mazhoranca ishte “asnjë lëshim, asnjë ndryshim qëndrimi”.
Kë ndihmon Vëllai i madh?
Pas lëvizjeve të forta dhe me fundjavën përpara, të dy kampet janë tërhequr në kërkim të strategjive të reja. Më së shumti, në kërkim të mbështetjes së të huajve. Njësoj si në përplasjet e tjera politike, në mes ka hyrë arbitri. Ndërkombëtarët edhe këtë herë do të duhet të ecin në një fushë të minuar me kurthe politike dhe kleçka ligjore. Meta ishte i pari dje që tregoi se po lobon  për arritjen e një zgjidhjeje politike tek ambasadorët e rëndësishëm. Rogneri, i kthyer sërish në modë për negociata, ishte vendi ku ai u pa sa me ambasadorin e BE-së, Sekui, aq edhe me ata të SHBA e Gjermanisë, Arvizu dhe Holtkemper. Reporterët e Këshillit të Europës ndërkohë dje u shprehën se partitë politike duhet të bëhen bashkë për të zgjidhur çrregullimin në KQZ. Nga mazhoranca u lexua si mbështetje ndaj tyre. Në këtë simulim kaotik me matje forcash, i qartë duket fakti se zgjidhja do të kërkohet nga ecejaket e arbitrave ndërkombëtarë. Derisa të shpiket një e tillë, dy kampet duken të ftohtë e të duruar. Në korridoret e selisë blu nuk kanë shumë shqetësim për afatet e djegura nga opozita për anëtarët e rinj në KQZ. Aq më pak në selinë rozë. Ligji thotë 48 orë afat për partitë, por Kuvendi ka kohë deri të enjten e javës së ardhshme. Ndoshta edhe më tej. S’është gjë e re në këto anë që ligji të mos respektohet, kur vjen fjala për një çështje të tillë. Por opozita e përjashton tërheqjen dhe propozimin e zëvendësuesve. “Po të duan, ta bëjnë KQZ-në 7 me 0. Si në ’96-ën le ta mbajnë”,- tha Meta. Edhe ish-kryeministri Majko evokoi atmosferën e ’96-ës, kur tha se “ka shqetësim për manipulimin e zgjedhjeve. Ndërkombëtarët nuk do të lejojnë përsëritjen e manipulimeve të ’96-ës”. Por’96-ta ishte prag lufte, ndërsa stuhia rreth KQZ-së zhurmon më fort ekraneve sesa në korridoret e dy kampeve politike. Zërat që dalin prej andej, duken në fakt si Tinguj Lufte!

No comments: