Tuesday, April 16, 2013

Libri i Bombajt, Edi Rama rrëfen sekretet që nga vitet e fëmijërisë: Nga humbja e babait te sëmundja e djalit

VIP-at rrëfehen si fëmijë në “Papafingon” e Leonard Bombajt.
Artisti boton librin me intervista të 22 figurave publike.
Berisha, Rama, Gjebrea, Gaçe u përgjigjen pyetjeve mbi adoleshencën, drogën, dashurinë, Zotin.
Kreu i PS-së, Edi Rama tregon sekretet nga vitet e fëmijërisë.
“Ngjarjet më të rënda, humbja  e babait e sëmundja e Gregut”
Im bir asnjë privilegj si bir politikani, gjatë verës e çova të punojë në Ndërmarrjen e Gjelbërimit të Bashkisë”

Leonard Bombaj
Nuk ka rëndësi nëse je kreu i qeverisë, i opozitës apo një artist me emër, përpara pyetjeve të një adoleshenti, të gjithë ndihen të çarmatosur. Se çfarë fshihet pas një “kostumi” mund të zbulohet vetëm në “Papafingo”. Kështu titullohet libri me autor Leonard Bombajn, që ka për bashkëpunëtor një djalë-artist, Bonin, i cili ka vënë me “shpatulla për muri” të gjithë ata që nuk i druhen foltores e skenës. Në këtë libër zbulohet ana e “panjohur” e 22 personazheve publikë, ashtu si ne nuk i kemi parë ndonjëherë. Nisur si një projekt televiziv, pelegrinazhi i adoleshentit-gazetar përmbyllet me një libër, botuar nga shtëpia botuese “LINDDITA AE”. “Papafingo” është një nga ata libra që lexohet me një frymë në çdo kohë. Është perfekt për gjithë kuriozët, për të gjithë ata që nuk mjaftohen me ato çka shohin apo lexojnë në media. Plot 22 politikanë, diplomatë, showmen-ë e showgirl-e, aktore e aktorë, këngëtarë e këngëtare, shkrimtarë e gjinekologë, etj., u përgjigjen pyetjeve që lidhen me fëmijërinë e tyre, me prindërit, lojërat e para, gënjeshtrat e bardha, notat.., por dhe një pyetësori mbi drogën, dashurinë, Zotin, por edhe ngjyra, aroma… detaje që zbulojnë më shumë mbi personazhet. Autori i librit na rrëfen se fillimi i bisedës me të “përzgjedhurit” nuk ishte edhe aq i thjeshtë, derisa ata fitonin besimin e intervistuesve, çliroheshin e “sëmureshin nga një virozë kujtimesh”. Duke shfletuar librin, ajo që bie në sy është pa dyshim ylberi i personazheve. Aty takon Berishën, Ramën, Withers-in, Tinka Kurtin, Ardit Gjebrenë, Rudina Magjistarin, Alban Skënderajn, Halim Kosovën, Agron Llakajn, Edmond Tupen, Aurela Gaçen… U takojnë të gjitha fushave dhe në pamje të parë duket se nuk ka asnjë të përbashkët mes tyre, veç pyetësorit. Sipas Bombajt, përzgjedhja e personazheve është bërë jo në bazë të emrave, por në bazë të të veçantave që fshiheshin pas emrave. “Emri i ish-ambasadorit amerikan, Xhon Withers, na ndihmonte te shihnim Shqipërinë me sytë e një të huaji. Emri i Hyeida El Saied na ndihmonte të shihnim si ka jetuar vajza e vetme me ngjyrë brenda një shoqërie “të bardhë”. etj etj. Ndërsa pyetjet janë të seleksionuara rreptësisht mbi veten. Nuk donim të humbnim privilegjin e emrave të njohur, që rrëfenin si fëmijë. Më besoni! Kam parë lot te disa prej figurave, që kurrë nuk i dhurojnë në ekran. Kemi ndërprerë intervistën, derisa të gëlltisnin lotët. Kam parë fytyra mirënjohëse që i ndihmuam të udhëtonin në biografinë e tyre të harruar”, tregon autori i librit. Përveç ndonjë përshtypjeje të fundit të intervistuesit mbi personazhet, libri vetë nuk ka nuanca politike apo pëlqime të tjera. Bombaj është kujdesur të tregojë një lloj balance, që të bën të harrosh atë çka këto personazhe përfaqësojnë përditë, duke i lënë vendin vetëm njeriut, pa një emër publik. “Jo pa qëllim ky libër botohet në këtë çast. Sepse jeta e VIP-ave shqiptarë polarizohet, manipulohet apo glorifikohet. Kur dëgjon rrëfimet e tyre për jetën private, zbulojmë njeriun që fshihet pas politikanëve. P.sh: Sali Berisha sikur të kishte kohë, të fliste në ekranet televizive ashtu siç foli me ne, më shumë do ta donin në publik. Edi Ramës sikur t’i dinte bota disa dhimbje të fshehura në privatësinë e tij, media do ishte kursyer në sulme të çatrafillosura”, thotë Leonard Bombaj.                                                  al.mi
Intervista e “Junior club” me Edi Ramën
Nga mësimi i biçikletës, tek tiparet që u ka marrë prindërve, marrëdhëniet me ta dhe me të birin, Gregun, momentet që kanë shenjuar fëmijërinë e tij e më vonë… Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i është përgjigjur pyetjeve të “Junior Club” në “Papafingo”.
Junior Club: Në cilën shkollë e keni bërë të mesmen?
E.Rama: Në Liceun Artistik.
Në shkollë keni qenë tip i fortë, krahu i zyshës apo i klasës?
Kam qenë krahu i klasës.
Mesatarja e notave, ku e keni marrë notën më të keqe?
Në fakt, tetëvjeçaren e kam mbaruar me të gjitha dhjeta, pastaj në lice fillova të luhatem, sepse nuk më pëlqente shumë matematika, si një njeri i prirë ndaj artit dhe i dashuruar plotësisht ndaj pikturës, më dukej se matematika më disiplinonte shumë, e kështu që e refuzoja më shumë si disiplinë sesa t’i jepja mundësinë për ta njohur.
Kur udhëtoni ndër kujtime, cilët emra të dashur shokësh ju bien ndërmend?
Fatkeqësisht nuk kam mundësi të takohem shpesh me miqtë, që janë dhe që kanë qenë shumë të afërt për mua, përpara se të merresha me politikë.
Mund të na thuash emrat e disa prej tyre?
Mund të them patjetër, unë kam një shok shumë të mirë që quhet Ervin, kemi pasur miqësi shumë të mirë bashkë, ai është pedagog në Akademinë e Arteve, aty është edhe Edi Hila që ka qenë edhe mësuesi im. Pavarësisht se nuk më ka dhënë asnjëherë mësim në shkollë, unë kam mësuar shumë nga ai, një piktor i madh, një njeri i mrekullueshëm, e të tjerë, e të tjerë, pa fund, pa folur pastaj për emra që janë bërë shokë me kohën, sepse në fillim kur i kam njohur kanë qenë shumë më të mëdhenj se unë, i kam pasur pedagogë.
Dua të flasim pak për librat. Cili personazh librash ka  frymëzuar adoleshencën tuaj dhe librat që lexonit kryesisht?
Unë kam lexuar shumë libra, ngaqë më pëlqente jashtëzakonisht shumë të lexoja, më pëlqen edhe sot të lexoj, mundohem patjetër që të mos e lë një ditë pa lexuar, duke ia vjedhur gjumit kohën, edhe pse nuk e bëj dot siç e kam bërë dikur, në moshën tuaj. Fitoja të gjitha konkurset që bëja mbi leximin e librave, për pyetjet mbi librat e lexuar dhe kam shumë libra që do doja t’i lexoja përsëri sot në këtë kohë, sepse besoj që libri ndryshon sa herë që e lexon!
Çfarë cilësish ke marrë nga nëna, nga babai, dhe çfarë cilësish ke shtuar me kalimin e kohës?
Ndoshta nga nëna kam marrë temperamentin pasionant, vullnetin e fortë, nga babai kam marrë sensin e humorit, dëshirën për t’i dëgjuar të tjerët. Se çfarë kam shtuar pastaj, duhet të pyesni ata, se unë nuk e di!
Muzikën që keni pasur qejf të dëgjoni?
Kam dëgjuar shumë muzikë klasike në atë kohë, më pëlqen shumë pianoja, edhe muzika pianistike, pastaj duke pasur shumë shokë edhe shoqe që studionin muzikë jam lidhur në atë kohë shumë me muzikën klasike, gjë që më ka shoqëruar gjithmonë, si pjesë e dëshirave të mia.
Jam kurioz të di sa lekë mbanit në xhep kur dilnit me shokët?
Prindërit asnjëherë nuk më jepnin lekë dhe, për çdo gjë që më duhej, duhet të jepja shpjegime të qarta, të argumentoja bindshëm se pse duhej të m’i jepnin.
Kur e keni mësuar biçikletën?
Biçikletën e kam mësuar në periudhën e shkollës tetëvjeçare, me një biçikletë të madhe e të vjetër që e kishte im atë, që ishte prej kohësh e papërdorur dhe që e morëm bashkë me dy shokë dhe shkuam prapa Pallatit të Kulturës të ushtroheshim dhe mbaj mend një rrëzim spektakolar.
Cila është gënjeshtra më e madhe që ke thënë në adoleshencë ose aventura më e çmendur?
Aventura më e çmendur në atë kohë ishte aventura e idhujve të ndaluar, e albumeve të artistëve që nuk lejoheshin të dëgjoheshin, të shiheshin lirisht. Mos harroni që flasim për gjysmën e dytë të viteve 70’, dhe bëhet fjalë për një periudhë ku kishte shumë gjëra të ndaluara, sidomos për ne që merreshim me art, shkonim në Bibliotekën Kombëtare, ku bashkë me disa shokë të tjerë jashtë orarit ndihmonim ato gratë që rregullonin sallën dhe na jepnin për pak minuta libra nga ata të ndaluarit dhe ne i shikonim sikur hanim sanduiçë.
Cili është ai vend nga adoleshenca juaj që e mbani si monument kujtese?
Mbaj mend me shumë nostalgji këndin sportiv mbrapa godinës së Ministrisë, ku sot është një parking, edhe godina e Institutit të Statistikave në mos gaboj, në atë kohë ka qenë një kënd sportiv I klubit “Dinamo”, dhe unë në atë kohë aty fillova të luaja basketboll. Gjithashtu shikoja gjithë kampionët e Dinamos apo kampionet e volejbollit, pasi femrat e Dinamos në atë kohë ishin jo vetëm kampione në Shqipëri, por edhe vajza që luanin në arenën ndërkombëtare, dhe ishin shumë të suksesshme, së bashku me trajnerin e tyre dhe mikun tim më vonë, Kreshnik Tartari. Aty unë, bashkë me shokët e mi, bënim dhe ndeshjet e kampionatit të të rinjve. Ishin dy fusha, një e kuqe dhe një e zezë. Fusha e zezë ishte shumë e mirë. Aty zhvillohej kampionati i të rinjve, ne që luanim te fusha e kuqe ishim më të rinj dhe ëndërronim që të vinte një ditë të luanim te fusha e zezë.
Keni qenë i keqkuptuar në adoleshencë?
Po të gjithë kemi qenë ndonjëherë të keqkuptuar, sigurisht në atë kohë keqkuptimet lindnin nga mosprerja si dhe sa duhej e flokëve, se të gjithë duhet të kishin një uniformë. Flokë si të tuat nuk lejoheshin në atë kohë, lëre pastaj me xhel që as nuk bëhej fjalë!
Dy ngjarje botërore që tronditën adoleshencën tuaj?
Dy gjëra që mbaj mend si ngjarje tronditëse, njëra për keq, kurse tjetra për mirë. Mbaj mend mëngjesin kur kemi shkuar në Liceun Artistik, tek oborri ku bënim gjimnastikën, ishte disa pasi kishim marrë vesh vrasjen e Xhon Lenonit dhe sigurisht që askush nuk mund ta thoshte hapur se Xhon Lenon ishte një muzikant i madh, këngëtar i grupit të Bitëllsave, një simbol i jashtëzakonshëm i muzikës rrok, pjesë e botës së ndaluar! Më kujtohet një shoku im që i binte kitarës, dhe ishte tërësisht i adhuruar pas Xhon Lenonit, që nën xhaketë kishte vënë një shirit të zi mbi këmishë, dhe ishte shumë krenar që po mbante zi për Xhon Lenonin. Një tjetër ngjarje tronditëse, po për mirë, ishte kur Italia fitoi kampionatin botëror, sporti ishte një pjesë pak më e hapur.
Një gjë në të cilën ke qenë shumë mirë në adoleshencë.
Ju thashë që kam pasur dhe kam shumë pasion për të dëgjuar muzikë, veçanërisht muzikë klasike, operistike e simfonike. Po larg qoftë që të vijë radha dhe të këndoj vetë, edhe pse tek unë në fakt kur ka ardhur radha me këtë lloj muzike që bëhet sot, ia kam dalë disi, por kam qenë vërtet një problem në klasën e muzikës.
Cili është personi i parë i famshëm që keni takuar në jetën tuaj?
Kur kam qenë pedagog në Akademinë e Arteve, shkuam delegacion në Francë dhe aty takova një kritik shumë të njohur francez, i një periudhe të rëndësishme të artit modern, i cili sot është drejtor i Muzeut të famshëm të Luvrit.
Për çfarë ju vjen keq që nuk jeni më adoleshent?
Për të gjitha. Do të më pëlqente shumë të isha bashkë me ju tani dhe t’i bëja pyetje një politikani, që do të ishte ulur këtu në vendin tim, shikoni si jam ulur unë, e shikoni si jeni ulur ju, jeni rehat aty, kurse unë si mbi gjemba, edhe sepse më keni vënë mbi këtë sëndukun e sekreteve.
Nëse do të udhëtonit pas në kohë dhe do të takonit veten tuaj 12 vjeç, çfarë këshille do t’i jepnit?
Unë kur kam qenë 12 vjeç, nuk i kam pasur qejf këshillat, kështu që nuk do ta këshilloja, sepse e di që do të më merrte zët!
Po nëse vetja juaj 12 vjeç do të vinte sot, çfarë do t’i thoshte Edit të tanishëm? Do ta qortonte apo do ta komplimentonte?
Po patjetër që do ta qortonte, nuk diskutohet që do ta qortonte.
Për çfarë gjërash do ta qortonte?
E para e punës, ka për ta qortuar, sepse çdo punë mund të bëhet më mirë. E dyta, unë 12 vjeç kam qenë kështu si ju, i gatshëm për të gjetur të metat dhe për t’u përpjekur se si mund të bëhen më mirë gjërat!
Biografinë tuaj, ne adoleshentët e kemi të shkruar në mendje nga mediat, po çfarë pikërisht ka te biografia e Edi Ramës që ne nuk e dimë?
Çfarë dini ju të shkruar në media?
Për shembull në media kemi dëgjuar që ju përdorni dhunë, sa e vërtetë është kjo?
E keni dëgjuar nga njerëz të caktuar të medias, absolutisht që nuk është e vërtetë, përkundrazi, unë respektoj dhe kjo është karakteristikë për njerëzit që kanë respekt për veten dhe për tjetrin. E neveris dhunën në çdo formë që shfaqet, ndërsa për sa u përket gjërave që ju nuk dini nga media, janë shumë. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që media është një instrument komunikimi, por që është e lidhur patjetër me nevojën për t’u shitur. Kjo bën që në shumë raste ne të marrim informacion të paekuilibruar, jo se media gënjen kur transmeton dikë që thotë një gënjeshtër, por se përgjithësisht ky nuk është një problem vetëm i yni, por një problem i botës së sotme. Ekuilibrat dhe mundësitë për t’u informuar mbi gjërat që thuhen apo për të marrë vesh të vërtetën, janë shumë të vogla për ata që nuk kanë kohë apo nuk kanë mundësi për të vërtetën.
Cila ngjarje personale ju ka vjedhur lotët?
Më ka ndodhur disa herë, por më e rënda ka qenë kur kam pësuar humbjen e babait. Ka qenë një lajm shumë tronditës.
Kur keqkuptoheni nga media apo nga kundërshtarët tuaj, çfarë bëni?
Kundërshtarët duhen dëgjuar me shumë vëmendje, sepse pavarësisht se sa mund të jenë të vërteta ato që thonë, është shumë e rëndësishme që gjithmonë të dimë se çfarë shohin ata te ne. Ndërsa, keqkuptimet e njerëzve që i duam dhe i respektojmë, janë ato që na dhembin. Përpiqem të sqarohem që gjërat të mbeten në vendin e duhur dhe jo në atë të gabuar për shkak të një keqkuptimi.
Ju në ekran, mua më dukeni ose i revoltuar, ose i pagjumë, cila nga këto të dyja është?
Unë e kam trashëguar nga gjyshja këtë pjesën e syve, dhe kjo më bën që jo vetëm në televizor, por edhe në jetën e përditshme të dukem si i pagjumë. Në fakt unë fle pak, kjo është e vërtetë, por edhe kur fle shumë, prapë i pagjumë dukem, kurse i revoltuar jo, shumë rrallë.
Tani dua të hap një temë, “Prindi dhe fëmija”. A mund ta dimë emrin e djalit tënd?
Djali im e ka emrin Greg, nga gjyshi Gregor, gjyshi nga nëna.
Kush ia vuri emrin?
Nëna.
Cili është gëzimi më i madh që djali ju ka falur?
Është shumë e vështirë të flas për këtë gjë, por nuk kam pse të mos jua tregoj! Pati një sëmundje shumë të rëndë dhe shumë të papritur. Ishte shumë e papritur për të, shumë e papritur për të gjithë ne, dhe një dëshpërim shumë i madh, sepse sëmundja ishte shumë e avancuar, dhe shpresat nuk ishin shumë të mëdha. Megjithatë, ishte një betejë që duhej bërë dhe, si në çdo sfidë të njeriut, edhe në një sëmundje shumë të rëndë. I thanë që kishte këtë sëmundje, por luftoi shumë dhe e mposhti sëmundjen. Herë pas here bënte analizat dhe dukej sikur po përmirësohej, pastaj pati një moment kur u duk se nuk kishte më përmirësim. Pastaj u kapërcye ai moment dhe, kur kemi marrë përgjigjen e mirë, që analizat dolën shumë mirë, ka qenë momenti më i lumtur dhe gëzimin ma ka dhënë ai, dhe një mësim shumë i madh që mora prej tij. Nuk ka gjë më të bukur sesa kur je i madh dhe mëson nga një i vogël, është një mësim që të mbreson për të gjithë jetën!
Cili çapkënllëk i djalit tuaj ju ka lënduar?
Kur nuk shkon në mësim dhe e ka bërë shpesh.
I ke dhënë ndonjëherë ndonjë dackë?
Jua thashë edhe më përpara, unë e neveris dhunën. Nuk mendoj që shpullat janë rezultat, edhe pse kur unë kam qenë i ri sa ju, kam ngrënë një shuplakë dhe, me thënë të drejtën, dha rezultat. Por, me Gregun jo, nuk ka ndodhur asnjëherë!
Për çfarë do t’i kërkoje falje djalit tënd?
Do t’i kërkoja falje për faktin se nuk kam qenë dhe nuk jam me të aq sa ai ka nevojë, për shkak të kësaj pune me ritëm të marrë që unë kam.
Ka ndonjë të veçantë në jetën e Gregut si djalë politikani?
Gregu nuk është djali politikani, domethënë fëmijë që ka privilegje që të tjerët nuk i kanë, është mësuar të jetojë shumë thjesht dhe pa pasur asnjë privilegj. Madje, tani qeshim me këtë që do ju them… Kur mbaroi shkollën, përpara se të sëmurej, gjatë periudhës së verës unë e çova të punojë në Ndërmarrjen e Gjelbërimit të Bashkisë, bashkë me një shokun e vet, dhe punuan për një periudhë jo të vogël, në kohën e pushimeve, duke u çuar herët në mëngjes e duke shkuar me punonjësit e gjelbërimit në serra apo në pika të tjera, duke bërë punë fare të zakonshme, të përditshme, dhe kjo ishte një eksperiencë që atë e ndihmoi për të kuptuar shumë gjëra.
Cila është fitorja më e madhe në jetën tuaj?
Ajo që ju tregova pak më parë. Përqafimi në krahët e djalit, pas mposhtjes së sëmundjes.
Një nga pyetjet më të vështira që bëjnë adoleshentët nëpër botë. A është gabim sikur thjesht një herë ta provosh drogën?
Është gabim shumë i madh, sepse atë gjoja entuziazmin dhe shkëputjen nga hallet e jetës së përditshme, që krejt gabimisht thuhet se njeriu mund ta realizojë nëpërmjet drogës, njeriu në fakt mund ta realizojë përmes fuqisë, imagjinatës, aftësisë së vet. Droga është një helm, i cili godet sistemin normal të trurit të njeriut, e shkatërron duke krijuar iluzione krejt të rreme.
Një tjetër pyetje nga adoleshentët është se si ta përballojmë humbjen e një të afërmi dhe a mund të flasim në botën tjetër me të?
Humbja e një njeriu të afërt do të përballohej duke u sjellë në të njëjtën mënyrë që ai apo ajo do të donte të silleshe atë moment sikur të të shikonte.
Cila është mosha më e mirë për të pasur një të dashur?
Këtu nuk ka recetë, apo pyesni se nuk ju pritet?
Ju lutem, një këshillë që ta dimë, përpara se të jetë shumë vonë!
Unë kam ndrojtje përpara se të jap këshilla, por po ju them diçka, jo si këshillë, por si merak, që po të isha edhe një herë në moshën tuaj, do lexoja akoma më shumë, do mësoja akoma më shumë, do përpiqesha të dija akoma më shumë. Këtë nuk jua them për moral, por për t’ju thënë që, sa më shumë të mësoni sot, aq më të aftë do të jeni nesër për të përballuar çdo sfidë dhe për të qenë në qendër të vëmendjes së gjithkujt, gjithmonë në funksion të ëndrrës, që ju do donit të realizonit.
Jeni person mëngjesi apo nate?
Jo, jo, nate!
I çajit apo i kafes?
I kafes.
I të kripurave apo i të ëmblave?
I jo shumë të kripurave.
I portokajve apo i rakisë?
I portokajve.
Aroma që të pëlqen?
Më pëlqen shumë aroma e detit kur ndihet era e jodit.
Çfarë të ofendon?
Më ofendon fyerja e inteligjencës sime, kur kujtojnë se jam i paaftë për t’i kuptuar.
Fatura që urren më shumë të paguash?
Faturën e besimit të dhënë ndaj personit të gabuar.
Cili është filmi që ke qejf ta shohësh e ta shohësh?
Do shikoja “Odisenë 2001 në hapësirë”, nuk e di a e keni parë, por jua sugjeroj ta shikoni.
Nëse do të luanit një instrument, cilin do preferonit?
Do më pëlqente shumë të dija të luaja piano.
Nëse do të jetoje në botën nënujore, çfarë do doje të ishe?
Koral në ngjyrë portokalli.
Nëse një i famshëm do të të merrte në telefon nga bota tjetër, me cilin do preferoje të flisje?
Me siguri do doja të flisja me një artist.
Në cilin vend do doje që të mos vinte vdekja?
Pyetje shumë e bukur. E kam përgjigjen, por nuk e them… e kuptuat, ë!
Për çfarë gjëje do doje që të të kujtonin brezat?
Nuk mendoj se për çfarë do të më kujtojnë, se nuk jam njeri aq i madh sa të kujtojnë brezat, por është e sigurt që do të doja që ata që më kanë njohur dhe që më njohin, të më kujtojnë për mirë, nuk ka pasuri më të madhe sesa njeriu të kujtohet për mirë.

No comments: