Sunday, April 14, 2013

Gadishulli Korean: Me çfarë do të përfundojë “lufta e nervave”?

Konstantin Garibov

“Lufta e nervave” në Azinë Verilindore po fiton vrull. Pheniani e paralajmëroi përsëri Seulin se lufta në Gadishullin Korean mund të fillojë nga momenti në moment. Kurse autoritetet e Japonisë për herë të dytë kanë raportuar gabimisht mbi lëshimin e raketës nga Republika Popullore Demokratike e Koresë (RPDK).

Përkundrejt këtij sfondi, Kryetari i Komitetit për Çështjet Ndërkombëtare të Dumës Shtetërore të Federatës Ruse, Aleksei Pushkov, ofroi variantin e destinuar, sipas tij, për çtensionimin e situatës rreth Koresë së Veriut - telefonatën e Presidentit amerikan Barak Obama Liderit koreanoverior Kim Jong-Yun.
Nëse Barack Obama do t’i telefononte Kim Jong-Yun, ai të paktën do të kishte mundësi të justifikonte në ndonjëfarë mënyre me këtë çmimin e vet Nobel për Paqen, tha Aleksei Pushkov. Ai beson se Kim Jong-Yun është i gatshëm për çtensionimin e konfliktit, por në formë të tillë që të jetë dinjitoze për të.
Ndërsa tani për tani drejt këtij pikësynimi Pheniani po avancon nën shoqërimin e retorikës militante. Të enjten ai e paralajmëroi sërish Seulin - Ushtria e Koresë së Veriut, nëse do të lindë nevoja, është plotësisht e aftë të japë goditje raketore mbi armikun potencial.
I përshkallëzoi tensionet rreth Koresë së Veriut edhe alarmi i dytë i rremë i trumbetuar në Japoni gjatë dy ditëve të fundit. Në këtë vend u përhap gabimisht njoftimi në lidhje me lëshimin e raketës balistike nga Koreja e Veriut. Reagimi i ushtarakëve japoneze mund të provokonte fare lehtë veprime kundërpërgjigjeje nga ana e Phenianit. Eksperti i Institutit rus të Ekonomisë Georgi Tolloraja nuk përjashton mundësinë e shpërthimit të ndonjë konflikti lokal në mes të Veriut dhe Jugut në Gadishullin e Koresë:
- Unë mendoj se do të ndodhin ndofarë përleshjesh në zonën kufitare ose në ujërat e Detit të Verdhë, apo ndoshta edhe akte diversioni, të cilat do të çojnë në shpërthimin e një konflikti lokal, por ai nuk do të përshkallëzojë megjithatë në një luftë në shkallë të plotë.
Kriza rreth Koresë së Veriut erdhi duke u pjekur në sfondin e manovrave ushtarake amerikano- koreanojugore. Në shumë gjëra pikërisht ato dhe provokojnë retorikën militante të Phenianit, mendon ekspert i Institutit rus të Studimeve Orientale, Aleksandër Voroncov:
- Koreanoveriorët provojnë shqetësime të caktuara: nëse këto janë vallë stërvitje ushtarake vjetore rutinë, apo përgatitje për veprime të vërteta luftarake? Me qëllim që të parandalojnë skenarin më të keq të zhvillimit të ngjarjeve, ata dërgojnë paralajmërime kërcënuese të kësaj natyre - ne nuk mund të na trembin dot me asgjë. Nëse puna do të shkojë deri në shpërthimin e luftës, ne do të luftojmë me vetëmohim deri në fund.
OJQ-të kryesore në Korenë e Jugut i bënë thirrje autoriteteve të vendit për të filluar në mënyrë imediate negociatat me Korenë e Veriut. Atyre është e gatshme t’u ofrojë mbështetjen e vet Shoqata e Shteteve të Azisë Juglindore. Indonezia, e cila është gjithashtu anëtare e ASEAN-it, po përpiqet në nivelin e vet të ndihmojë Phenianin dhe Seulin për të filluar kontaktet me qëllim të uljes së tensioneve.
Ndërsa në Uashington shpresojnë shumë se Kina për të përdorë gjithë ndikimin e saj të fortë mbi Korenë e Veriut për zgjidhjen e krizës. Ai tërhoqi vëmendjen ndaj "frikës në rritje të Pekinit rreth efekteve negative të sjelljes së pamatur të Phenianit".
Ndërkohë, ministrat e jashtëm të vendeve të “G-8” e kanë kërcënuar Phenianin me sanksione të reja në rast të ndërmarrjes nga ai të ndonjë lëshimi të ri raketor. Realizimi i provës së radhës të raketës balistike me rreze të mesme veprimi pritet në prag të 15 prillit. Në këtë ditë në Korenë e Veriut do të festojnë përvjetorin e 101-të të ditëlindjes së Kim Il Sung - themeluesit të Republikës Popullore Demokratike të Koresë.

No comments: