Sunday, April 21, 2013

Rexhep Qosja: Të mos preket gjuha, ka prapavijë politike

Nga: FATMIRA NIKOLLI
Akademiku Rexhep Qosja ka ardhur në Tiranë pas më shumë se 8 vitesh mungesë. Shkak për këtë vizitë të shumëpritur të profesorit është bërë promovimi i librit të tij publicistik "Shqipëria e Kosova. Si janë e si do të duhej të jenë".

Ceremonia u përurimit u mbajt dje në sallën e tejmbushur të Muzeut Historik Kombëtar, ku shumë prej të pranishmëve qëndronin në këmbë.

Admiruesit e penës së mprehtë të profesorit nuk mund të mungonin. Shumë prej tyre qëndruan në radhë për minuta të tëra për të marrë një autograf. Botimi ngërthen problematikat aktuale nga kultura, historia, shkenca, politika, drejtësia, etj.
Për librin Historiani Pëllumb Xhufi u shpreh dje se leximi i librit të Qosjes i është dukur një udhëtim me shoqëri të keqe. "Sepse në këtë libër parakalojnë personazhe politike me shumë faje. Berisha është përpjekur ta ndajë Shqipërinë në veri e në jug. Ai është antishqiptar dhe më 21 janar ka vrarë katër prej shqiptarëve më të denjë, që i bënte të tillë varfëria", tha Xhufi, duke cituar herë pas here analiza të Qosjes. Më tej, Xhufi u shpreh se kryeministri Berisha ka shitur pasurinë e vendit dhe ka vrarë njerëz të pafajshëm. "Më në fund, në 100-vjetorin e pavarësisë arriti të përmbysë edhe historinë, duke i vënë madje edhe bust njeriut që i ngjan më shumë, Ahmet Zogut. Ai, Berisha iu është shitur armiqve tanë serbë e grekë. Së fundi, sipas shembullit të tij, akademikët janë mbledhur për të vrarë gjuhën shqipe", deklaroi historiani.

Historiani tjetër, njëherazi kryetar i PSD-së, Prof. Paskal Milo e vlerësoi së tepërmi akademikun, kur tha se ai është kolos i mendimit shqiptar, jo studiues, jo historian, e jo historian i letërsisë. "Ne e duam më shumë se në Prishtinë dhe do ta duam gjithnjë e më shumë. Të mos i vijë keq Ramës, por Qosja është kryeopozitari më i madh sa i takon regjimit të Sali Berishës".

Vetë profesori falenderoi të pranishmit dhe tha se librin ka nisur ta shkruajë më 21 janar kur u vranë katër protestues. "Atë ngjarje e kam ndjekur nga fillimi e deri në fund. Mendja e shëndoshë të thoshte se qe gabim. S'kam menduar se do të na vrisnin më, sepse edhe në Kosovë janë vrarë, por nga policët serbë e jugosllavë jo nga tanët", theksoi akademiku. Ai kujtoi se ndërsa hulumtonte në arkiva i ka mbetur në mendje thënia e një studiuesi të huaj, që thoshte: shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti se sa nga të huajt.
Gjuha, historia, akademitë Profesor Qosja iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve edhe sa u takon kërkesave për rishikim të gjuhës standarde, pas mbledhjes së dy ditëve më parë të Këshillit Ndërakademik të Gjuhës. "Mund të bëhen diskutime për përmirësime aty ku ka vend e aty ku është e nevojshme për gjuhën letrare kombëtare. Por, mendoj se këto diskutime të cilat kanë disa vjet që kanë filluar, kanë një frymëzim tjetër, kryesisht politik", deklaroi atij. Profesori u shpreh se tani kanë shpallur një luftë pa zë, që do të çojë diku tjetër, por për të cilën ai vetë beson se nuk se do të dalë me sukses.
"Ata duan që përjashtimet që i kanë bërë autorët e drejtshkrimit t'i bëjnë rregulla, por nuk bëhen përjashtimet rregulla. Duan të rrënojnë rregullat, duke i bërë përjashtimet më rregulla se rregullat. Gjuha standarde është një prej fitoreve më të mëdha kulturore dhe të themi politike e popullit shqiptar. Kjo është historike. S'duhen bërë ndryshime", nënvizoi ai.

I pyetur se ku mund të jenë përmirësimet, ai tha se "çdo gjë mund të përmirësohet, porse përmirësimet nuk duhet në asnjë mënyrë të rrezikojnë bazat, themelet, tërësinë e standardit". Sipas tij, nuk mund të hiqet ë-ja e patheksuar, sepse kjo do të ndryshonte kuptimin. Po cili është vendi i gegnishtes në standard dhe si të pasurohet standardi me fjalë të këtij dialekti? Ja përgjigja e akademikut, njëherazi një ndër lëvruesit më të mirë të shqipes në letërsi: "Gjuha standarde është e hapur ndaj gegnishtes. Unë vetë jam një ndër ata autorë që fus shumë fjalë nga gegnishtja në letërsi, sepse jam rritur atje ku përdoret një ndër të folmet më të bukura të gegnishtes". Ai shtoi se ata që kanë bërë gjuhën standarde e kanë thënë se ajo është e hapur ndaj fjalëve e leksikut të dialekteve e të folmeve. "Askush nuk ka vënë pengesë për fjalët e këtij dialekti. E përsëris se gjuha standarde është e hapur ndaj gegnishtes dhe të folmeve të tjera. Po çelen dyer që janë të çelura", theksoi profesori. Në vazhdë të kësaj teme, ai foli edhe për bashkëpunimin mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, duke e konsideruar tepër të rëndësishëm atë. "Bashkëpunimi mes dy akademive është shumë i rëndësishëm. Do të duhej të ishte edhe në fusha të tjera e jo vetëm për standardin, sepse nëse ka bashkëpunim vetëm për gjuhën, tregon se diçka nuk është shëndosh", tha ai. Sa i takon kryetarit të akademisë (Gudar Beqiraj), Qosja tha se është një drejtues i zgjedhur prej pushtetit. "Kam respekt për të po do të ishte më mirë sikur të ishte zgjedhur nga akademikët e jo nga pushteti", deklaroi profesori, duke kritikuar më tej akademinë e Prishtinës, që sipas tij, ka një kryetar që përfaqëson nivelin më të ulët të akademisë. "Ajo drejtohet prej një klani lokalist që 20 vjet, e kjo ka lënë pasoja. Ata e kanë kompromentuar akademinë. S'mund të ketë një akademi 12 anëtarë të kryesisë së një partie. S'mund të jetë një akademi e udhëhequr prej 3 gjuhëtarëve në 12 vite, që u lënë vendin njëri-tjetrit", theksoi ai. Nga ana tjetër, u duk se ai doli kundër peticionit të intelektualëve për rishikimin e historisë. "Ju e keni parë në librin tim 'Kosova nuk është më e pushtuar prej otomanëve'. Pushtimi otoman ka qenë 500 vjet dhe ka qenë pushtim. P. Osmane ka qenë pushtuese e trojeve dhe popullit. Ministri i Jashtëm turk në Kosovë ka thënë se duhet të hiqen fjalët fyese, që përbëjnë e nxisin urrejtje. S'kemi pse t'i edukojmë të rinjtë me urrejtje. Franca e Gjermania kanë bërë tekste në të cilat kanë hequr gjuhën e urrejtjes", tha ai duke mos e justifikuar kështu peticionin.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

No comments: