Sunday, April 21, 2013

Martiro: Në '75-ën kam çuar në zyrën Enver Hoxhës deklaratat shokuese të Ballukut në qeli

Nga: FATOS VELIU
Vazhdon zbardhja e ngjarjeve të ndodhura me Beqir Ballukun, kur kalonte ditët e fundit të jetës në qelitë sigurisë së lartë të burgut të famshëm numër 313 të kryeqytetit.
*- Cilat ishin deklaratat shokuese që Balluku ka dhënë në ato ditë të fundit të jetës, për vizitën e panjohur të '72-shit në Kinën
mike të asaj kohe?
*- Pse hetuesi Martiro, i shokuar nga deklaratat e Ballukut, nuk mundi të bënte asnjë pyetje, teksa dëgjonte rrëfimet e tij të paimagjinuara, ku tregonte për situatat e pritshme politike të vendit në lidhje me Kinën komuniste.


*- Urgjenca e Kristofor Martiros pas ndarjes me ish- ministrin e pandehur, drejt zyrës së vetë liderit suprem, Enver Hoxhës.
*- Cila ka qenë biseda e bërë me Enver Hoxhën, në çastet kur Martiro i la në dorë deklaratat e fundit të Beqir Ballukut, të firmosura me urgjencë edhe nga ministri Kadri Hazbiu?
*- Çfarë kishte në dëshmitë e Ballukut, të dorëzuara personalisht tek Enver Hoxha, që u bënë shkaku i arrestimit të vetë Kristofor Martiros, ku pak vite me vonë u plas edhe vetë në qelitë e të pandehurve të tij?

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Kristofor. E ndërsa nga numrat e kaluar ju bëtë prezent për mbarë publikun shqiptar dëshmitë e Beqir Ballukut për shumë pista hetimi ku ju i keni drejtuar pyetjet e shumëpërfolura në publik, në këtë numër do të doja të ndalesha në një tjetër dëshmi të tij. Ajo që do të doja t'ju pyesja janë të vërtetat e bisedave të tij me udhëheqësit kinezë, që ka takuar shpesh nga kryesimi i delegacionit të lartë ushtarak në vendin e Maos, me të cilin gjithashtu do të shpallej divorci. Pra, ju ka dëshmuar ai për takimet që ka bërë me kinezët?

Sipas shpjegimeve të Beqir Ballukut, ai kishte qënë disa herë në krye të delegacioneve ushtarake të Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës.
Kur kishte qenë hera e fundit nga momenti kur ju e hetonit në kushtet e izolimit special të tij?
Hera e fundit kishte qënë vizita e nëntorit të vitit 1972.
Me kë ishte takuar nga liderët e Kinës? Çfarë ju ka dëshmuar?
Gjatë këtyre vizitave, ai është takuar përveç ushtarakëve madhorë të atij vendi, edhe me udhëheqësit e lartë si Mao Ce Dunin dhe Cu En Lain, ku kishte diskutuar me ta për probleme politike, ekonomike dhe veçanërisht probleme të ushtrisë, të mbrojtjes.
Për shembull, në lidhje me bisedimet për ushtrinë, të çfarë prizmi ishin?
Ka shtruar atje problemin e furnizimit me materiale ushtarake për Forcat e Armatosura, me mjete dhe armatime luftarake për rritjen e fuqisë mbrojtëse të vendit.
Kishte diskutuar me udhëheqësit kinezë për problemin e furnizimit me armë të rënda për ushtrinë, si tanke, avionë, raketa e të tjera.
Dhe çfarë ju tregonte për të vërtetën e këtyre bisedimeve? Si shkonin?
Sipas Beqirit, për këtë problem ka pasur mosmarrëveshje me palët kineze. Bile, ish-ministri tregonte se kur u diskutua për aviacionin, kryeministri kinez ishte shprehur se Shqipëria nuk kishte territor për një aviacion të fuqishëm luftarak dhe se duhet të merrnim vetëm disa avionë për parada.
Përse ka pasur përplasje të tjera?
Përplasje pikëpamjesh me kinezët kishte edhe për faktin se këta të fundit mendonin se ushtria shqiptare duhej të pajisej me armë të lehta, sepse kishin bindjen se ne nuk mund të mbroheshim nga koalicione të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Nga deklarimet e Beqirit, kinezët ishin shprehur se do të na ndihmonin, por ata ishin larg dhe kjo ndihmë konsistonte vetëm në mbështetjen politike dhe me materiale të ndryshme. E vërteta, gjithnjë sipas tij, ishte se kinezët nuk ishin kursyer në furnizimin e ushtrisë sonë me materiale.
Çfarë ju ka deklaruar Balluku për problemet dhe mosmarrëveshjet me udhëheqësit e atëhershëm kinezë, kur në atë vit kur ju bënit hetimet nuk e kishit fare idenë e këtyre mosmarrëveshjeve, pasi Kina në atë moment konsiderohej aleatja dhe mikja e madhe e Shqipërisë?
Beqir Balluku sqaroi gjatë hetimeve disa probleme rreth bisedave me udhëheqësit kinezë. Ai u shpreh se Cu En Lai në disa raste ishte treguar i ngushtë në dhënien e ndihmave për vendin tonë.
Po për kryetarin Mao, çfarë ju deklaroi?
Ndryshe kishte ndodhur me Mao Ce Dunin, pasi ky gjithnjë kishte porositur që të mos kursehej asgjë për të ndihmuar Shqipërinë. Sipas Beqirit, Mao i kishte në konsideratë kushtet e vështira dhe pamundësinë e vendit tonë përballë NATO-s apo Traktatit të Varshavës. Mao pra, ishte më dashamirës dhe më dorëlëshuar në ndihmën e vendit të tij ndaj nesh.
Dua të di se çfarë ju ka treguar Beqir Balluku në ato momente për problemet e mprehta politike?
Ndërmjet të tjerave, Beqir Balluku ka deponuar se me udhëheqësit kinezë ka biseduar edhe për marrëdhëniet mes dy palëve, probleme ndërkombëtare e të tjera. Ai shpjegoi se pas largimit të Hrushovit nga posti i drejtuesit të PK të BRSS-së, kishte shkuar në Kinë, në krye të një delegacioni ushtarak, në vitin 1964. Po, dhe bisedat?
Gjatë bisedave me Mao Ce Dunin dhe Cu En Lain këta i kishin thënë:
"Tani Hrushovi, ky renegat ra dhe në Bashkimin Sovjetik kishin ardhur në pushtet forca të reja politike. Interesi i kampit socialist dhe i lëvizjes komuniste kërkon që ne t'i përmirësojmë marrëdhëniet me BRSS-në".
I kishte kompetencat Beqir Balluku për të vendosur për gjëra kaq madhore të shtetit, siç ishte problemi i aleancave të jashtme dhe marrëdhënieve të shtetit. Çfarë ju ka deklaruar se mendonte dhe është përgjigjur ai personalisht për këtë problem shumë të mprehtë për kohën?
Beqiri tha se personalisht në ndërgjegjen e tij nuk ishte kundër kësaj pikëpamjeje. Por njëkohësisht ai nuk mund t'ua shprehte këtë kinezëve, u la të kuptohej se mendimet e tyre do t'i shtronte në udhëheqjen shqiptare. Po ashtu, kinezët ishin shprehur edhe për përmirësimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, Rumaninë, meqë këta konsideroheshin si aleate të Kinës.
Dhe çfarë bëri Beqiri pas këtyre bisedimeve?
Sipas Beqirit, kur mbërriti në Tiranë kishte bërë si zakonisht raportin për udhëheqjen e lartë të PPSH-së, ku sqaronte me detaje edhe bisedat që kishte zhvilluar me udhëheqësit kinezë dhe problemet që ishin shtruar në to, propozimin e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet me PK të BRSS-së, por pa diskutim asgjë rreth bindjeve të tij.
A e dinit se Enver Hoxha nuk do të binte kurrsesi dakord me këto ide, pasi kishte qenë vetë ai që i kishte krijuar këto marrëdhënie?
Ai e kishte të qartë se Enver Hoxha nuk do t'i pranonte këto propozime. Madje, Enveri reagoi rreptë ndaj propozimeve kineze, duke u shprehur se nuk do të kishte asnjë marrëdhënie me revizionistët sovjetikë dhe as me revizionistët jugosllavë.
Pra, propozimet kineze u hodhën poshtë nga udhëheqja shqiptare?
Në deklarimet e tij, i pandehuri Balluku tha se vitet e fundit marrëdhëniet shqiptaro-kineze ishin ftohur shumë.
Ku ishin konstatuar?
"Kishte mes nesh divergjenca ideologjike e politike, që u reflektuan edhe në marrëdhëniet ushtarako-ekonomike", deklaroi Beqiri. Sipas tij, në vizitën që kishte bërë në Kinë në nëntor të vitit 1972, e kishin pritur shumë ftohtë dhe nuk ishin të gatshëm të plotësonin kërkesat e paraqitura për ushtrinë.
Rezultuan mungesat?
Patjetër që rezultuan. Siç më dëshmonte Balluku, pas kësaj nuk vinin më furnizimet ushtarake si më parë, por pengoheshin me arsyetime të ndryshme. Kështu ndodhte edhe me furnizimet për sektorin ekonomik. Sipas tij, po prisheshin marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën dhe për këtë ishte i shqetësuar.
Siç e thamë edhe më lartë, jemi në kohën që juve as e kishit idenë nga sapo ndodhte me Kinën dhe tashmë po e dëgjonit për herë të parë, apo jo?
Ndërkohë që po hetoja Beqir Ballukun, nuk dija asgjë për ftohjen e marrëdhënieve shqiptaro-kineze.
Jam kurioz tashmë, nëse reaguat ta ndërprisnit apo vijuat me pyetje?
I dëgjova me vëmendje shpjegimet e Beqirit, por nuk i bëra asnjë pyetje, pasi nuk ma lejonte platforma e Organeve të Sigurimit të Shtetit.
Pse, çfarë ishte kjo platformë?
Udhëheqja kineze dhe PKK-ja konsideroheshin në atë kohë në materialet e partisë dhe udhëheqësit të saj si miq të mëdhenj marksiste-leniniste të vendit tonë, aleatë të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Megjithatë, ai depononte për një çudi të pakonceptueshme për ju në atë kohë. Pra, mund të themi se ju bënte disa deklarata të papublikuara më parë. Si vepruat kur nuk jua lejonte dhe platforma e Sigurimit?
Konform rregullave të përcaktuara në platformë, nxora shënimet nga incizimi dhe përgatita një informacion për ç'ka kishte deponuar Beqiri për kinezët dhe ia dorëzova ministrit të Brendshëm. Kadri Hazbiut i raportova dhe me gojë për këto deponime dhe i kërkova udhëzime se si të veproja, çfarë duhet të bëja me to, t'i ktheja në proces hetimor apo jo.
Po Hazbiu reagoi?
Ministri e lexoi informacionin, dëgjoi atë që i shpjegova me gojë dhe pas kësaj më tha se do të njoftonte udhëheqjen për këto deponime.
Do shkonte më lartë?
Ishte fjala për te i madhi fare. Informacioni u rishtyp nga sekretarja e ministrit sipas rregullave për udhëheqjen. Informacionin e firmosa edhe unë si hetues i të pandehurit Beqir Balluku. Ministri bën në një copë letër shënimin: "Shoku Enver po të dërgoj një material që ka dalë nga hetimi i Beqir Ballukut, ku bëhet fjalë për problemin me kinezët". Pasi e protokolluan materialin e futën në një zarf, që u vulos në prezencën time. Ministri më tha se duhet ta çoja unë këtë material në KQ të PPSH-së dhe t'ia dorëzoja sekretarit të Enver Hoxhës.
Përfunduat në zyrën e Enverit?
Direkt kam shkuar në Komitetin Qendror, në paradhomën e zyrës së Enver Hoxhës. Ia zgjata zarfin sekretarit të tij, Haxhi Kroi.
Nuk e takuat Enverin?
Po, po e kam takuar. Ka qenë pikërisht momenti kur ju thash se isha në zyrën e sekretarit të tij, Haxhi Kroi. Në këtë kohë doli nga zyra Enveri dhe më përshëndeti. Kroi më prezantoi tek ai, duke i thënë se isha hetuesi i Beqirit dhe se kisha për t'i dorëzuar, me porosi të Kadriut, një material që kishte dalë gjatë hetimit të ish-anëtarit të Byrosë. Ndërkohë që i dha në dorë materialin.
Çfarë biseduat?
Më pyeti si isha. Si i kisha nga shtëpia. A lodhesha etj., etj. Të them të drejtën ka qenë një takim normal dhe më ka respektuar shumë. Nuk di më tej, ashtu siç nuk di si përfundova dhe në burg, duke më mohuar që ia kisha dhënë atë material për të cilin po ju tregoj.
Kaq ishte takimi? Ai me materialin në dorë, teksa më dha dorën për të ikur në zyrën e vet ngjitur asaj të Haxhiut, më pyeti si me të qeshur: "Hë do marrësh zarfin e firmosur?" dhe u largua duke përshëndetur. Pra, kaloi në zyrën e vet, ku lexoi informacionin, por që siç të thashë, informacioni do të më mohohej më vonë, kur të isha në qeli si i pandehur. Madje do të akuzohesha se nuk kisha informuar dhe shumë deklarata të tjera të Ballukut, që paskish dhënë për Mehmet Shehun, por që i kisha fshehur unë, gjë që s'ishte fare e vërtetë. Ai material ishte disi ndryshe nga rrëfimet e tjera dhe në bazë të rregullit apo platformës së Sigurimit, unë e çova siç e shikoni deri në zyrën e Enverit.
Pas kësaj çfarë bëtë?
Pas kësaj, sipas rregullit, Haxhiu firmosi zarfin që mori materialin sekret me dëshmitë e fundit të Beqir Ballukut, të cilin e mora me vete për ta çuar për protokollim në sekretarinë e ministrit Hazbiu nga ishte nisur materiali.
Pra, firmoseshin zarfet?
Po, po. Kishte rregulla të forta për materialet sekrete që kishin rëndësi të veçantë shtetërore, aq më shumë kur shkonin drejt tek Enver Hoxha. Për shembull, unë për t'ju shuar paksa kuriozitetin, mund t'ju them se kur Hazbiu më nisi për në zyrën e Enver Hoxhës për të çuar dorazi materialin në fjalë, kuptova se kishte telefonuar Haxhi Kroin, pra sekretarin e tij. Kur unë shkova te hyrja kryesore e Komitetit Qëndror ishin në dijeni për shkuarjen time.
Edhe te dera poshtë e godinës së Komitetit Qendror, ku ishte zyra e Enver Hoxhës e dinin arsyen e shkuarjes suaj?
Jo, ata nuk e dinin arsyen, por kur dikush nisej për në zyrë të Enver Hoxhës, Haxhiu njoftonte për të mos pasur as më të voglën pengesë. Kështu unë kalova menjëherë pa as më të voglën vonesë drejt e në zyrën e Haxhiut, i cili më priste në këmbë. Pas kësaj, ai telefonoi tek Hazbiu mbërritjen time. Po kështu e njëjta gjë ndodhi kur më dha zarfin e firmosur, pas marrjes së materialit personalisht nga Enver Hoxha. Pas kësaj, edhe Hazbiu ishte në dijeni për nisjen nga zyra e Haxhiut.
Pra, u rikthyet në zyrën e Kadri Hazbiut?
Po, po. Ai më priste se ishte njoftuar për daljen nga zyra e Haxhi Kroit. Sa mbërrita, i raportova Kadri Hazbiut se e kisha dorëzuar materialin. I dhashë edhe zarfin e firmosur nga sekretari i Enverit, Haxhi Kroi.
Ju ishit në dijeni se ishte bërë telefonata për nisjen tuaj edhe në zyrën e Hazbiut?
Ma tha vetë ministri. Më tha se ai e kishte marrë në telefon, për t'i thënë se e kishte marrë materialin.
Po?
Pas kësaj, e pyeta Kadriun se si të veproja. Pra, fjalën e kisha që të vijoja pyetjet hetimore në lidhje me çështjen e re që na doli në skenë dhe që s'ishte publikuar nga kush? T'i fiksoja deponimet e Beqirit në proces hetimor? Të zhvilloja hetime? Pra, me një fjalë ta pyesja më tej Beqirin për këtë problem apo jo?
Dhe përgjigja e tij tani që u vu në dijeni vetë Enver Hoxha?
Ai më tha se nuk duhet të kryeja hetime me të pandehurin për këtë çështje, por do të më njoftonte më vonë se si do të veproja.
Të njoftoi? Pas një apo dy ditësh më thërret në zyrë Kadri Hazbiu, ku më thotë se do të shkonim bashkë te Beqir Balluku. Ashtu bëmë.
Pra, Kadriu shkoi në qelinë e Ballukut?
Jo në qeli. Ne shkuam së bashku. Në këto raste urdhëronim thirrjen e tij në dhomën e hetimit dhe e sillnin. Kështu ndodhi atë ditë. E thërritëm Beqirin në hetim dhe Kadriu e pyeti po rreth këtij problemi.
Të kujt saktësisht?
Rreth bisedës që ai kishte bërë me udhëheqësit kinezë.
Dhe përgjigja e Ballukut?
Ish-ministri Balluku përsëriti korrektësisht të njëjtat gjëra që më kishte thënë edhe mua. Më pas Kadriu u largua, ndërsa unë vazhdova pyetjen e tij për probleme të tjera, parashikuar në platformën hetimore.
Nuk më thatë nëse ju dha Kadriu leje për të pyetur rreth problemit kinez?
Pas dy ditësh, ministri i Brendshëm më thërret përsëri në zyrë dhe më tha se këto materiale duhet t'i fiksoja në proceset hetimore sipas rregullave të hetimit, duke firmosur edhe i pandehuri. Ai më udhëzoi që këto procese të vendoseshin vetëm në dosjen hetimore, por jo në atë gjyqësore dhe sipas tij, kjo ishte porosi nga lart, nga udhëheqja e PPSH-së. Kështu veprova, por si Prokurori i Përgjithshëm edhe kryetari i Gjykatës së Lartë ishin njohur me to. Në të njëjtën kohë të gjitha këto materiale shkuan veçmas edhe në aparatin e KQ të PPSH-së.
Si ishte ajo puna e arrestimit tuaj për këto materiale? Nëse e kuptova qartë, juve u akuzuat se i kishit fshehur këto informacione?
Kur "fshesa e hekurt" ra edhe në Ministrinë e Brendshme, pas emërimit si ministër të Brendshëm të Hekuran Isajt, unë u arrestova dhe u akuzova se "për qëllime armiqësore nuk u vendosën deponimet e Beqir Ballukut në dosjen gjyqësore". Çfarë idiotizmi!? Për deponimet e të pandehurit ishte vënë në dijeni të plotë Enver Hoxha dhe ishte vepruar plotësisht sipas udhëzimeve të tij.
(Vijon nesër)

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments: