Saturday, January 12, 2013

Berlusconi: Gjykatat “komuniste dhe feministe” më persekutojnë prej 1994

Në kulmin e debatit politik për zgjedhjet e parakohshme, ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi tërheq vëmendjen e të gjithëve me deklarata, lidhur me marrëdhëniet e tij me drejtësinë. Pak ditë pasi një gjykatë e Milanos vendosi që kavaljeri t’i paguajë tre milionë euro në muaj ish-bashkëshortes së tij Veronica Larios, pas zgjidhjes së martesës, ai kthehet të flasë sërish lidhur me këtë çështje. 
Berlusconi i ka quajtur komuniste dhe feministe tri gjykatëset që trajtuan çështjen e divorcit të tij. Duke folur në
një emision televiziv, kreu i partisë Populli i Lirisë, tha se gjykatësit e kanë persekutuar që prej vitit 1994. Deklaratat e Berlusconit kanë sjellë edhe reagimin e fortë të gjykatësve të Milanos. Përmes një komunikate për mediat, ata i bëjnë thirrje ish-kryeministrit italian që të shmangë çdo lloj talljeje ndaj përfaqësuesve të drejtësisë. Berlusconi kryeson koalicionin e qendrës së djathtë në Itali, në garën e zgjedhjeve që mbahen në fund të muajit shkurt. Edhe pse sondazhet favorizojnë qendrën e majtë të drejtuar nga Bersani, ekspertët mendojnë se partia e Berluconit do të ketë rol vendimtar në ndërtimin e qeverisë së re.
/Shekulli Online/E.Sh/

No comments: