TANUSH KASO
Në panairin e fundit të librit, të hapur në Tiranë nga mbarimi i vitit që shkoi, çudia më e madhe, e cila nuk zgjati vetëm tri ditë, ishte reklama e bujshme që i bënë disa media televizive e të shkruara, librit “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu.
Jehona e këtij libri, që në përmasa më të vogla vazhdon edhe sot, i eklipsoi të gjithë librat e tjerë të shkrimtarëve shqiptarë dhe ata të autorëve më të shquar të botës, të cilët mbushnin stendat e panairit. Njerëzit u turrën të gjithë tek stenda ku qëndronte vetë Fevziu, i cili u jepte pa kursim e me shumë gëzim autografe blerësve të “Enver Hoxhës”, që ngjanin si blerësit e kapelave të mister Foksit, që përshkruan Iljin
në librin e tij “Krijimi i botës së re”.
Sipas organizatorëve të panairit, ky ishte libri më i shitur, që i kaloi parashikimet. Mund të thuhet se brenda tri-katër ditëve, ai arriti një “rekord botëror”, në raport me numrin e popullsisë së vendit tonë. Dhe nëse çmimi “Nobel” do të jepej sipas këtij kriteri, tanimë ai do të kishte mbërritur në Shqipëri.
Po një ndihmesë jo të vogël në këtë drejtim, dha edhe promovimi i mëpastajshëm i “Enver Hoxhës”, me shumë pompozitet, në Pallatin e Kongreseve, ku u dyndën politikanë, pushtetarë e diplomatë të huaj si edhe shumë ish-miq e dashamirës të diktatorit, të cilët dikur i bënin fresk e i thurnin himne lavdie, apo që hanin, pinin e dëfrenin me familjarët e të ndjerit. Këta njerëz “nuk i dinin” aso kohe bëmat e Enverit, “nuk e
shihnin dot” se si rripej e shtypej një popull i tërë, se si keqtrajtoheshin, internoheshin, burgoseshin e pushkatoheshin me urdhrin e tij, mijëra shqiptarë të pafajshëm , që mendonin ndryshe nga Ai; nuk e kishin marrë vesh se Ai dënoi më kot deri edhe shokët e tij të idealeve dhe të krimeve komuniste…
Dhe tani që B. Fevziu ua zbuloi ato “mistere” me librin “Enver Hoxha”, u mblodhën të gjithë në atë takim “gala”, për ta dënuar veprimtarinë çnjerëzore të diktatorit si dhe krimet e komunizmit, duke trokitur gotat e shampanjës.
Po cila është e veçanta e këtij libri zhurmëmadh? A ka vlera të vërteta letrare, apo është thjesht një gazetari, një përmbledhje pjesësh të shkëputura nga intervista, artikuj e libra të autorëve të ndryshëm?
Çfarë të rejash sjell ky autor për lexuesin shqiptar? A është kjo “E para biografi” e Enver Hoxhës, siç shkruhet mbi kapak, apo vetëm një libër mediokër, siç e ka cilësuar ndokush? Pra, “Enver Hoxha” i Fevziut, a është një biografi e mirëfilltë? A paraqitet fytyra e vërtetë e diktatorit, e paretushuar? A ishte i vetëm Enveri, apo kishte edhe bashkëpunëtorë në krime? Në se ka patur të tillë, atëherë cili është vendi që ata zënë në këtë libër? Cilët nga ata janë ende midis nesh dhe ndihen edhe më mirë, madje edhe më të lumtur se sa më parë; ndërkohë që shteti demokratik u ka lidhur pensione suplementare dhe u ka dhënë tituj nderi e medalje nga më të lartat? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, do t’i gjejë vetë çdo lexues i vëmendshëm, që njeh realitetin shqiptar, sapo të mbarojë së lexuari këtë “biografi”.
Ajo që bie në sy fillimisht, është ndërtimi i brendshëm i këtij libri, (kompozicioni), që fillon me vdekjen e diktatorit, për të kaluar fill tek ngjitja e tij në majën e pushtetit, duke vijuar pastaj me tema të tjera, për t’u kthyer përsëri e për të përfunduar me vdekjen e Hoxhës. Por, mbas një leximi “me laps në dorë”, ajo që të befason më shumë, është numri jashtëzakonisht i madh i gabimeve të shtypit dhe i atyre gjuhësore: mbi njëqind e tridhjetë e tetë! Kjo flet për një punë të nxituar, “me goditje të përqendruar”, të përfunduar në “Qershor-Gusht 2011”, siç duket, për të kapur “Panairin e librit”, gjë që u arrit “me sukses”… Për këto gabime, të pakorrigjuara as në fundin e librit, siç veprohet zakonisht, nuk mund të qortohet vetëm korrektori, por edhe vetë autori, i cili duhej t’i kishte hedhur një shikim të fundit librit, përpara se të kalonte për shtypshkrim. Ndofta në Evropë, një libër me kaq shumë gabime, do të konsiderohej “jashtë standardit”. Por, tek ne këta janë të kalueshëm,sipas vlerësimit “Buono per Albania”.
Në këtë libër, lexuesi ndeshet edhe me disa pasaktësi shprehjesh, datash e faktesh historike, të palejueshme për një libër serioz, të një të diplomuari për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës, i cili është marrë edhe me histori, e që ka një përvojë 20-vjeçare në gazetari.
Po le ta vërejmë së bashku, faqe për faqe, librin “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut:
Faqe 10: “Prej vitit 1963 (Sulo Gradeci – shënimi im), fiksonte me të gjithë ngjarjet e jetës së shefit dhe të familjes; filmime të gjata, ku Hoxha shfaqej lirshëm, pa kujdesin dhe pompozitetin e pamjeve zyrtare, atyre që pushtonin ekranet e kinemave dhe të televizioneve.”
- Në ato vite, në Shqipëri kishte disa kinema; por, vetëm një televizion, atë shtetërorin.
Faqe 11: “A e di që fuqia e tij mitike, ajo që e ka bërë të kontrollojë çdo gjë në jetën e një populli prej 3.5 milionë banorësh, këtu s’ka më vlerë?”
- Në atë kohë, Shqipëria nuk kishte një popullsi prej 3.5 milionë banorësh. Sipas regjistrimit të vitit 1980, vendi ynë kishte 2.675.000 banorë. Në vitin 2001 numri i banorëve ishte 3.069.275.
Faqe 18: “Pak vetë e mbanin mend (Enver Hoxhën – shënimi im) tek shërbente në një tregtore cigaresh dhe pijesh, njëherësh edhe kafene e vogël, të quajtur “Flora”, pronë e paraardhësit të tij, kryeministrit kolaboracionist Ibrahim Biçakçiu, që sapo ishte burgosur.”
- Kur Enver Hoxha me qeverinë e tij hynë në Tiranë, më 28 nëntor 1944, Ibrahim Biçakçiu ende nuk ishte
burgosur. Ai u arrestua në Shkodër, në dhjetorin e atij viti.
Faqe 20: “Pas viteve ’90 dëshira për ta treguar historinë e Enver Hoxhës dhe të karrierës së tij ashtu siç ishte reale, shpesh i zhyti rrëfimtarët në kurthin e kalimit të cakut, të denigrimit pa shkak dhe të memuaristikës së diktuar nga zhvillimet e ditës. Enver Hoxhën u orvatën ta zhdukin nga çdo piedestal, duke nisur nga pyetjet bazike: A kishte qenë ai realisht komunist? A kishte qenë ai i pari i Partisë apo e kishte uzurpuar Partinë që mori pushtetin në dorë? Pothuajse askush nuk pati kthjelltësinë të kuptonte se e gjitha kjo kishte pak rëndësi.”
- Qartësisht Fevziu shpreh keqardhjen që Enver Hoxhën “e zhdukën nga çdo piedestal”. Sipas tij, ka “piedestale” mbi të cilat diktatori mund të qëndronte; por, ai nuk tregon se cilat janë ato.
Për autorin e kësaj biografie, “pak rëndësi ka” që të tregohet për brezin e sotëm, në se Enver Hoxha ka qenë
“realisht komunist” ose jo, dhe në se ai “e kishte uzurpuar Partinë”. Kjo është me të vërtetë e çuditshme.
Faqe 21: Duke folur për pesë ditëlindjet e ndryshme të Enver Hoxhës, të regjistruara në kohë dhe vende të ndryshme: 12 maj 1908, 17 qershor e 3 tetor (vitet 1929 e 1930), 3 shtator e 16 tetor, autori i “biografisë” thotë se “Janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë.” Por, ai nuk tregon se kjo bëhej me vullnetin e vet Enver Hoxhës, për nevoja falsifikimi e fshehjeje të identitetit; dhe se kjo nuk u ndodhte të gjithëve. E vërteta është se regjistrat e Gjendjes Civile të asaj kohe (vitet 1929 e 1930), kanë qenë shumë më të sakta se sa këto të sotmet.
Faqe 26: “Familja Hoxha duket se mori vendim që djali i saj i vetëm të shkollohej në Korçë, Liceu Francez i së cilës ishte pa dyshim shkolla më e mirë në vend.”
- Nuk mund të thuhet se “Liceu Francez ishte pa dyshim shkolla më e mirë në vend”, por “ndër më të mirat”.
Sepse të tilla ishin edhe “Shkolla Teknike Shqiptare” e Tiranës, e drejtuar nga amerikani Harri Fulc; Shkolla Normale e Elbasanit, Shkolla Tregtare e Vlorës, Gjimnazi i Shkodrës, Shkolla Bujqësore e Kavajës, Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” në Tiranë e ndonjë tjetër.
Faqe 27: “Enver Hoxha 19-vjeçar mbërriti në qytetin e fisëm juglindor.”
- Përse Korça, ndryshe nga qytetet e tjerë, qenka një “qytet i fisëm”?
Faqe 28: “Ajo (Sabiha Kasimati – shënimi im) nuk u angazhua në politikë, por u arrestua për atë që njihet si “incidenti i bombës” në Ambasadën Sovjetike në vitin 1953 dhe u pushkatua pa gjyq.”
- Ajo ngjarje nuk ka ndodhur në vitin 1953, por në shkurt të vitit 1951.
Faqe 29: Atë që u hodh në oborrin e Ambasadës Sovjetike më 19 shkurt 1951, B. Fevziu e quan “bombë ‘Molotov’”. Por askush, në asnjë dokument nuk e ka quajtur kështu. Në procesverbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të K.Q. të PPSH, të mbajtur më 20 shkurt 1951, shkruhet se ajo ishte vetëm “një dinamit i mbështjellë me letër dhe i lidhur me një fitil... që ka bërë një zhurmë të fortë.” Ndërsa “bomba Molotov”, është një shishe me lëndë djegëse, që djeg por nuk bën “zhurmë të fortë”.
Faqe 33: “(Bahri Omari – shënimi im)...me gjasë paguhej nga jugosllavët dhe nga vetë italianët për ta përdorur në një moment kur raportet e tyre me Zogun mund të ndërlikoheshin.”
- Historia, biografia apo çdo libër tjetër që flet për personalitete e ngjarje historike, nuk shkruhet “me gjasa”.
Në këtë rast, Fevziu ka imituar Enver Hoxhën, duke e paraqitur -pa fakte e dokumente- edhe Bahri Omarin si agjent të dyfishtë apo poliagjent.
Faqe 43: “... 20 vjet më parë Pipa kishte botuar edhe në formën e një fletë volanti komentet e tij për jetën e lirë seksuale të Hoxhës dhe sidomos për orientimin e tij homoseksual. Ajo fletë që qarkulloi në emigracion, afërmendsh që ra edhe në duart e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri: një dokument që, me shumë gjasë, duhet të ketë ndikuar fort në eliminimin e Mehmet Shehut, në vitin 1981.”
- Nuk mund të besohet që “me shumë gjasë” të ketë qenë ajo fletë, që “ndikoi fort” dhe që e çoi në vdekje Mehmet Shehun. Çështja e tij nuk duhet të merret aq përciptas, sepse rrënjët ishin shumë të thella.
Faqe 43-44: “Pas vitit 1991 kjo zhurmë (për homoseksualitetin e Enver Hoxhës – shënimi im), për të cilën mund të dënoheshe me vdekje në Shqipëri në se shkonte në vesh të Sigurimit të Shtetit, u bë një lloj akuze thuajse publike. U përmendën emra gay-sh të famshëm tiranas etj. të cilët, sipas traditës orientale, e paskëshin pasur Hoxhën dylber të tyrin, por deri sot, përveç thashethemnajës, askush nuk ka dhënë ndonjë fakt në këtë drejtim: asnjë prej miqve të tij të vjetër, edhe prej atyre pak që mbijetuan, nuk ka ditur të thotë diçka konkrete për këtë dimension të tij.”
- “Zhurma” dhe “akuzat” për atë ves të Enver Hoxhës, kanë filluar që në rininë e tij dhe jo “pas vitit 1991”.
Për këtë çështje, B. Fevziu, haptas merr rolin e avokatit mbrojtës të diktatorit, duke i hedhur poshtë dëshmitë e shumta të “miqve të tij të vjetër”, bashkënxënësve e bashkëqytetarëve, të cilat i quan “thashethemnajë”. Ai kërkon “diçka konkrete për këtë dimension” të Hoxhës (ndofta ndonjë foto pornografike,
filmime a inçizime me përgjues dhe kamera të fshehta, apo me mjete të tjera, që aso kohe nuk ekzistonin.) Për këtë “pastrim” që ai kërkon t’i bëjë figurës së Enver Hoxhës, ithtarët e tij duhej ta falënderonin Blendi Fevziun e jo ta digjnin atë libër.
Por, duke u orvatur ta nxjerrë fare të larë personazhin e tij, për sa i përket atij “dimensioni”, autori
-pa dashur- e përforcon më shumë dyshimin, kur vijon të tregojë më tej:
“Nuk është çudi që, më shumë se një anë e jetës së tij, kjo të ketë qenë një etiketë që i mbeti nga frekuentimi i rretheve të Lucien Vogel-it në Paris në mes të viteve ’30, rrethe në të cilat ndikimi i gay-ve ishte shumë i fortë dhe pikërisht për këtë arsye, si dhe për akuzat që po bëheshin gjithnjë e më publike dhe po ktheheshin në skandale, Kominterni vendosi të mos i financonte më.”
Sipas Fevziut, përkundër proverbit “më trego se me kë rri, të të them se cili je”, djaloshi simpatik e i papunë, Enver Hoxha, nuk ishte i atillë, por i mbeti ajo “etiketë”, nga shoqërimi me homoseksualët e Francës. Sipas tij, për atë akuzë, mungojnë prova të tjera “ konkrete”. Një mbrojtje si kjo, deri më sot nuk ia kishte bërë askush “dimensionit” të Hoxhës.
Faqe 46: Blendi Fevziu e merr nën mbrojtje Enver Hoxhën edhe për kohën e qëndrimit në Bruksel, si sekretar pranë Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Belgjikë, kur për sjellje të padenjë dhe për vjedhjen e arkës së Konsullatës gjatë shërbimit të tij, e përjashtuan nga ajo punë. Për këtë ngjarje kanë folur e kanë shkruar disa studiues dhe dëshmitarë të asaj kohe. Por, autori i “Enver Hoxhës” nuk i merr parasysh fare ato dhe shpreh bindjen e vet të patundur se : “Ka shumë gjasë (përsëri me “gjasa” – shënimi im) që të gjitha këto të jenë fryt i fantazisë së kundërshtarëve të tij përderisa asgjë nuk është vërtetuar zyrtarisht.” Mirëpo, largimi i tij nga puna u bë zyrtarisht dhe Blendi nuk tregon shkakun e vërtetë, duke lënë të kuptohet se ishte diçka normale. Pra edhe në këtë rast i jep “pafajësinë” Enver Hoxhës. Rrëfimet e dëshmitarëve për aventurat dhe skandalet e Hoxhës në Bruksel, ai i konsideron si “fryt i fantazisë së kundërshtarëve të tij”; ose - e thënë ndryshe- i atyre që
“nuk ia donin të mirën Partisë dhe shokut Enver”.
Faqe 49: Në vijim të avokatisë së tij, autori e paraqet Enver Hoxhën edhe si djalë të urtë e namusqar, pa asnjë histori dashurie me femrat, përveç asaj me Nexhmijen. Ai shkruan se “sipas asaj çfarë rrëfenin miqtë e tij, i pëlqenin femrat”. Por, këtë e vë menjëherë në dyshim, sepse -sipas tij- “nuk përmendet emri i ndonjë femre konkrete me të cilën ai të jetë shoqëruar ose për të cilën të ketë pasur simpati në atë kohë.”
Mirëpo, këtë pretendim të Fevziut e përgënjeshtron vetë Hoxha, në librin e tij “Mes njerëzve të thjeshtë”, botuar në Tiranë më 1984, në kapitullin “Disa kujtime për Tefta Tashkon dhe vëllezërit e saj Gaqon dhe Alekon”
Në lidhje me këtë, Kastriot Myftaraj, në librin e tij prej 500 faqesh “Jeta e fshehur e Enver Hoxhës”, Tiranë 2008, faqe 159, shkruan: “Midis Enver Hoxhës dhe Tefta Tashkos lindi një dashuri me shikimin e parë. Tefta Tashko (1910-1947), një artiste që kishte studiuar në Francë u godit si nga një rrufe, nga djaloshi i pashëm dhe që gjithë jetën e vet ushtronte një manjetizëm diabolik mbi njerëzit...
Tefta që në takimet e para filloi ta thërriste Enverin me shkurtimin përkëdhelës “Eno”. Më pas ajo djalit të saj të lindur në 1943, do t’i vinte një emër të çuditshëm “Eno”.”
Të tjerë kanë folur e shkruar për njohjen e Hoxhës me njërën nga të gjashta motrat e mbretit Zogu i Parë, me atë më të voglën e më të bukurën, Maxhiden, si dhe për qëllimin e tij për t’u fejuar me atë. ( Gazeta “Sot”, 29 tetor 2011, Kastriot Myftaraj: “Fejesa me motrën e vogël të Zogut, Princeshën Maxhide, ...”.
Gjithashtu dihet dashuria e njëanshme dhe urrejtja e Enver Hoxhës për intelektualen gjirokastrite Musine Kokalari si dhe për Sabiha Kasimatin, mbi të cilat më pas u hakmor egërsisht, i fyer nga mospranimi i tyre.
Po kështu, në një të përditshme të disa muajve më parë, është treguar mbi dëshirën dhe përpjekjen e Enver Hoxhës, për të shtënë në dorë një italiane të bukur, që gjendej familjarisht në Gjirokastër. Për mospranimin nga ana e saj, ai do të hakmerrej pak vite më vonë, kur mori pushtetin, duke ia dënuar dhe dërguar të shoqin në burgun e Burrelit, ku edhe vdiq.
Këto që përmendëm e që tanimë dihen, si dhe të tjera si këto, për Blendi Fevziun, nuk kanë qenë
“femra konkrete”, por abstrakte. Ai nuk don të besojë as Vedat Kokonën, të cilin vetë e citon, teksa tregon për Enver Hoxhën: “Është e kolme, -më tha. –Është nxënësja e ime...”. Pra, Enveri “i urtë” e “i ndershëm”, i shikonte me sy epshor edhe nxënëset e veta, pa le pastaj të tjerat.
Faqe 60: “Ai (Beqir Ajazi – shënimi im) e kujton kështu atë takim, që do të ishte i fundit me profesorin dhe mikun e Liceut, (Enver Hoxhën – shënimi im), njeriun që më pas do ta shihte nga burgu në TV ose në tribunat e kongreseve, por nuk do t’ia shtrëngonte dot dorën kurrë më.”
- Beqir Ajazi ka qenë në burg në ato vite, kur Shqipëria nuk kishte ende televizion (1944-1954).
Faqe 73: “Një komitet prej 7 vetash, i përbërë nga Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Ramadan Çitaku, Gjin Marku, Tuk Jakova, Kristo Themelko dhe Enver Hoxha, do të kryente funksionet deri në mbledhjen tjetër.”
- Këtë komitet “prej 7 vetash”, autori herë e quan “Komitet Qendror” dhe herë “Byro”, duke e reduktuar në 5 veta: “i barabartë mes 5 anëtarëve të tjerë, Hoxha nisi të marrë në dorë drejtimin e Partisë pa pyetur për vendimet e Mbledhjes Themeluese.” E shprehur në këtë mënyrë, rezultojnë gjashtë vetë: Enveri me 5 anëtarë të tjerë.
Faqe 75: Autori i librit nuk tregon se si komiteti “prej 7 vetash” përfundoi me “5 anëtarë”; ndërkohë që shkruan se: “Praktikisht, në mungesë të një sekretari të parë dhe me një komitet me 5 anëtarë, ishte Miladin Popoviçi ai që drejtoi PKSh që prej 8 nëntori 1941 e deri më 18 mars 1943.”
Faqe 87: “ai (Sejfulla Malëshova – shënimi im) u degradua derisa u internua në Fier.”
- Për Sejfulla Malëshovën nuk është e përshtatshme fjala “u degradua”, mbasi ai nuk ishte ushtarak.
Në këtë rast, ajo fjalë mund të merret me kuptimin e “prishjes a rënies shkallë-shkallë të vlerave të tij” (Shif
“Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë 1980, faqe 300); mund të kuptohet edhe si “degradim moral” apo
“degradim si njeri”. Po në të vërtetë, Sejfulla Malëshova qëndroi lart moralisht, deri në fund të jetës së tij.
Faqe 92: “Ai (Sadik Premtja – shënimi im) u kap në pritë..... Premtja i shpëtoi pusisë, u njoftua në kohë dhe arriti të arratisej.”
- Këtu autori kundërshton vetveten, sepse “prita” dhe “pusia” janë e njëjta gjë, janë sinonime. Fjalia e dyte, kundërshton të parën: i shpëtoi pusisë se u njoftua në kohë dhe arriti të arratisej; pra, nuk u kap në pritë.
Faqe 92: “(Sadik Premtja – shënim im) U vendos në Francë, ku jetoi për afro 47 vjet duke punuar punëtor i thjeshtë dhe i sfilitur nga paranoja se Sigurimi shqiptar e ndiqte dhe Hoxha donte ta eliminonte.”
- Sadik Premtja nuk vuante nga sëmundja psikike e paranojës, por atë e ndiqte me të vërtetë Sigurimi për ta vrarë, mbasi Enver Hoxha e kishte dënuar me vdekje që nga koha e luftës, kur ishte në Shqipëri. Në këtë çështje
Fevziu është konfuz dhe kundërshton thëniet e veta, kur shkruan më tej:
“Ndonjë tentativë e tillë nuk faktohet, por në dokumentet e Arkivit të MPB dëshmohet një rast kur Llambi Peçini, që ndodhej në Paris, ka tentuar ta vrasë atë. Po ashtu gjenden plot letra në të cilat agjentët shqiptarë në
Paris instruktohen të japin të dhëna të detajuara për vendndodhjen e Premtes, për angazhimin e tij dhe sidomos për lidhjet e tij dhe miqësitë që kishte atje me emigracionin shqiptar.”
- E pra, çfarë faktesh e dokumentesh të tjera kërkon Fevziu, për t’u bindur se nuk kemi të bëjmë me “paranojë” apo me “halucinacione” të Sadik Premtes, por me një përndjekje reale, të vazhdueshme e këmba-këmbës, nga agjentët e Sigurimit shqiptar, që kërkonin ta vrisnin?
Faqe 110: “Vrasjen e Mustafa Gjinishit, sipas të dhënave të mësuara së fundmi, e kishte ekzekutuar Liri Gega dhe Ndreko Rino.”
- Përse autori nuk ua tregon lexuesve, burimin e atij informacioni që “ e ka mësuar së fundmi”? Më tej ai flet për vrasjen e Liri Gegës shtatzënë, nga regjimi i Hoxhës, “në mes të viteve ‘50”. Por, nuk thotë asnjë fjalë më shumë për Ndreko Rinon, pjesëmarrës në vrasjen e Gjinishit dhe në krime të tjera, emrin e të cilit -për çudi- e
mban sot një rrugë në Tiranë. Ai mund të tregonte, për shembull, se si me urdhërin e Enver Hoxhës dhe si besnik i tij, majori Ndreko Rino u dërgua në Veri, tok me Mehmet Shehun e të tjerë, ku kryen një operacionin shfarosës, me vrasje fshatarësh të pafajshëm, grabitje bagëtish e pasurish të tjera dhe djegie shtëpish.
Ato krime e masakra të tmerrshme, të urdhëruara nga Enver Hoxha, që nuk i patën kryer as pushtuesit e huaj, Blendi Fevziu do t’i kishte parë të shkruara në dokumente, raporte, urdhëra dite, etj., me firmat e autorëve të tyre, po të kishte marrë mundimin të shkonte deri në Arkivin Qendror të Shtetit dhe të shihte -të paktën- Fondin 14/AP STR, Dosja nr.215, të vitit 1945.
Faqe 114: “Në atë kohë, (shtator 1943 – shënimi im), komunistët diku vetëm e diku me forcat e “Ballit Kombëtar”, kontrollonin pothuajse gjithë qytetet e tjera të Jugut të Shqipërisë.”
- Mbas prishjes së “Marrëveshjes së Mukjes”, të 1-2 gushtit 1943, komunistët nuk kanë bashkëpunuar kurrë më, me forcat e “Ballit Kombëtar”, po ishin në luftë për jetë a vdekje, mbasi synonin marrjen e pushtetit dhe qeverisjen vetëm, pa forcat nacionaliste të “Ballit” e të “Legalitetit”.
Faqe 120: Duke shkruar për Abaz Kupin, autori e cilëson atë si “Trim, me një karizëm të lindur, por padyshim edhe brigand.”
- Fjala “brigand” mungon në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” të vitit 1980. Sipas “Fjalorit Kryesor të Frëngjishtes”, “brigand” do të thotë: njeri që merret me vjedhje e grabitje. E njëjtë me fjalët: bandit, keqbërës, hajdut. Një emërtim të tillë për Abaz Kupin (Bazin e Canes), nuk e gjejmë tek jetëshkrimi i tij, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, faqe 1417, të vitit 2008. Këtë epitet, që nuk ia kanë vënë atij as kundërshtarët politikë,
B. Fevziu e gjen me vend ta përdorë tek libri “Enver Hoxha”!
Faqe 120: “Bazi i Canes (Baz shkurtimi i emrit Abaz, Cane emri i së ëmës).”
- Këtë gafë, autori nuk duhej t’ia kishte lejuar vetes; sepse me hamendje dhe pa pyetur askënd, ka bërë “nënë”, babën e Abaz Kupit! Në të vërtetë, ashtu siç është “Baz” shkurtimi i emrit Abaz, edhe “Cane” është shkurtimi i emrit Hasan, që mbante i jati dhe jo e ëma e Abazit. Nëna e tij quhej Mahmudije dhe shkurtimisht i thërrisnin Dudije ose Dude.
Faqe 136: Është përsëritur “Letra që Nexhmija i dërgon E. Hoxhës, më 14 tetor 1943”, e cila është dhënë edhe një herë tjetër në faqen 82. Duket sikur ky është i vetmi dokument, që ka mundur të gjejë ose që ka dashur të paraqesë B. Fevziu, për “Panterën e zezë”, në këtë libër, ku ajo nuk shfaqet si e tillë. Kuptohet se Nexhmija nuk mund të dalë “e zezë” vetëm se në moshën 19-vjeçare i ka dërguar një copë letër shokut Enver, me të cilën spiunonte disa nga shokët e luftës, dhe që si përfundim ata nuk morën asnjë ndëshkim.
Si anë e dobët e saj, është treguar edhe qëndrimi mospërfillës ndaj shoqes së vjetër të shkollës e të luftës, më pas kundërshtare politike, Liri Belishovës, duke mos i dhënë mundësinë t’i qëndronte pranë në çastet e fundit të jetës, vajzës së vet të shtruar në spital. Por, në të gjithë librin nuk gjendet asnjë dokument apo fakt tjetër, që do të mund ta bënte Nexhmije Hoxhën kriminele, apo bashkëpunëtore në krime. Thuhet vetëm se ajo ishte tepër serioze dhe e vrazhdë me mvartësit e saj. Po serioziteti dhe rigoroziteti në punë, nuk mund të konsiderohen si anë negative të saj, përderisa asnjë nga nëpunësit dhe ata që e rrethonin nuk ka treguar ndonjë rast ndëshkimi prej asaj. Ajo del edhe si një grua shembullore, e bindur dhe tepër e përkushtuar pas bashkëshortit të saj, veçanërisht kur ishte i sëmurë. Madje, paraqitet edhe mjaft njerëzore, kur i çon bakllava në burg Bahri Omarit, kunatit të burrit të vet, të dënuar me pushkatim! Në fund të librit, ajo na del edhe si besimtare e botës së përtejme, e rrjedhimisht edhe e Zotit (në faqet 346-347). Përfundimisht, ajo paraqitet në këtë libër si çdo grua, me të mirat dhe me të këqijat e veta.
Duket qartë se B. Fevziu nuk ka mundur (ose nuk ka dashur) të zbulojë asgjë me rëndësi në arkivat, në shkrimet dhe librat e botuar, në ngarkim të Nexhmije Hoxhës. Ai nuk ka gjetur asgjë që mund t’i vlente, as në librin “Zonja e Zezë” të Fahri Balliut, që është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe që ka bërë xhiron e botës. Nuk e ka cituar as edhe një herë të vetme këtë libër; ndërkohë që intervistave, deklarimeve dhe shkrimeve të Nexhmijes i është referuar plot njëmbëdhjetë herë! Kësisoj, autori ia ka lënë asaj që ta bëjë autoportretin.
Faqe 138: “Bahri Omari mori dënim kapital edhe pse shumë të tjerë, që kishin mbajtur funksione më të rëndësishme, si kryeministri i fundit Ibrahim Biçakçiu, u dënuan vetëm me burgime të gjata.”
- Nuk ishin “shumë të tjerë, që kishin mbajtur funksione më të rëndësishme” se sa Bahri Omari; dhe 17 të dënuar me pushkatim në atë gjyq, nuk janë pak. Sapër Ibrahim Biçakçiun, i cili kishte qenë vetëm dy muaj kryeministër dhe nuk kishte kryer asnjë krim, gjyqi e dënoi gjithashtu me vdekje. Por, me ndërhyrjen e disa komunistëve, të cilëve u kishte shpëtuar jetën dhe me dëshminë e vetë Myslim Pezës, atij iu kthye dënimi në burgim të përjetshëm. Nuk duhet harruar edhe se ai kishte qenë pronar i dyqanit “Flora” në Tiranë, ku u punësua dhe zhvilloi veprimtarinë ilegale Enver Hoxha, tok me Esat Dishnicën, që ishte kushëri i afërt i tij. Autori mund të kishte folur edhe për fundin tragjik të I. Biçakçiut, birit të patriotit të madh Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani), firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, me Ismail Qemalin dhe të tjerë, monumenti i të cilit qëndron edhe sot në mes të qytetit të Elbasanit. Mbas vuajtjes shumëvjeçare në burgun e Burrelit, kur u kthye në Elbasan, regjimi i Enver Hoxhës u soll shumë keq me Ibrahim Biçakçiun dhe me emrin e mirë të familjes së tij. Puna e vetme që i dhanë, ishte tepër fyese për atë intelektual të fismë, që kishte kryer studimet e larta në Austri: rojtar i varrezave të qytetit; dhe më pastaj: pastrues i nevojtoreve të qytetit, kohë kur edhe vdiq në mjerim, në vitin 1977.
Krahasimi që bën Fevziu midis atyre dy figurave të nderuara atdhetarësh, Bahri Omarit dhe Ibrahim Biçakut,
është i pavend dhe fyes.
Faqe 168: “Harri Fullzit, ... njeriut që kishte hapur dy shkolla profesionale në vitet e Mbretërisë.”
- Harri Fulci nuk ka hapur asnjë shkollë profesionale. Por, nga tetori i vitit 1922 deri më 1933, ishte drejtor i
Shkollës Teknike Shqiptare (Albanian Technical School) të Tiranës, e cila ishte hapur në vitin 1921 nga Kryqi i Kuq i Rinisë Amerikane. Mbas njëmbëdhjetë viteve të një pune të shkëlqyer, kur shkolla që ai drejtonte, u mbyll nga një reformë e mbretit Zog, Harri Fulci u largua nga Shqipëria.
U kthye përsëri në Shqipëri, në vitin 1945, si nënkryetar i Misionit të SH.B.A. , në Tiranë, prej nga u detyrua të largohet më 1946, me kërkesën e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, si “Persona non grata” (I padëshiruar).
Faqe 173: “Negovani, një qytet i paqartë mes Greqisë dhe Maqedonisë.”
- “I paqartë” është mendimi i autorit, por jo Negovani, ky fshat në anën lindore të Gramozit, dikur shqiptar, që i përkiste trevës së Kolonjës; ndërsa sot në rrethin e Follorinës së Greqisë. “Në Negovan të Kolonjës” kishte lindur “mësuesi, shkrimtari dhe kleriku atdhetar” Papa Kristo Negovani, i cili “U masakrua barbarisht nga andartët grekë, në mesnatën e datës 12 shkurt 1905, së bashku me të vëllanë, Papa Theodhorin dhe disa bashkëfshatarë të tjerë.” (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009, faqe 1830).
Faqe 174: “Hoxha dërgoi në ndihmë të Titos një divizion të plotë, i cili kaloi jo vetëm nëpër Kosovë, por u ngjit
deri lart, në Bosnjë, duke ndihmuar ushtrinë partizane jugosllave jo aq për çlirimin e vendit sesa për konsolidimin e pushtetit të Titos, duke nisur në radhë të parë nga Kosova, ku kontestimi i Titos pritej të ishte i fortë.”
- Hoxha, me kërkesën e Titos, dërgoi në Jugosllavi jo një, po dy divizione “të plota”: të 5-tin, që komandohej nga nënkolonel Rrahman Parllaku, me komisar politik Ramiz Alinë; dhe të 6-tin, me komandant, nënkolonelin Gjin Marku dhe me komisar Myzafer Spahon. Këta persona (dhe jo vetëm këta), me në krye Enver Hoxhën, mbajnë përgjegjësi të plotë për “Masakrën e Tivarit” dhe për krimet e tjera të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi. Gjin Marku, që ishte komandant i Shtabit të Përbashkët të të dy divizioneve shqiptare, mbante lidhje direkte me Enver Hoxhën, me radiograme, si edhe me Shtabin e ushtrisë jugosllave, me anën e korrieres serbo-malazeze Natalia Virioviç, togere e OZNA-s, me të cilën më pas u martua.
Është e vërtetë ajo që sqaron më tej autori, se:
“Pikërisht në këtë kohë ndodhi ajo që njihet si Masakra e Tivarit: masakrimi i mijëra djemve të rinj të Kosovës,
të mobilizuar me forcë, të shoqëruar për në Tivar nëpër territorin e Shqipërisë. Ishte një masakër për të cilën regjimi komunist nuk foli kurrë, nuk e përmendi as edhe me një fjali, as edhe kur raportet me Jugosllavinë qenë tejet të tensionuara.”
Por, gjithashtu Fevziu nuk përmend as edhe një emër të bashkëfajtorëve shqiptarë të asaj tragjedie, disa prej të cilëve ende jetojnë. Ka një prirje për t’i anashkaluar e për t’i fshehur personazhet dhe krimet e kryera në Kosovë prej “vëllezërve shqiptarë”, të cilët ishin vënë në shërbim të makinës vrastare titiste e serbomadhe. Ai mund të tregonte edhe se vitin e kaluar u ngrit një komision pranë Kuvendit të Shqipërisë, për hetimin e Masakrës së Tivarit. U tha se do të thirreshin për të dëshmuar, ish drejtuesit dhe ish-ushtarakë të tjerë të divizioneve dhe brigadave, që kanë vepruar në Kosovë, në vitet 1944-1946, si Ramiz Alia, Rrahman Parllaku, Sabri Godo, etj..Por, kjo nuk u bë. Ndërkohë, diktatori Alia vdiq dhe u përcoll me shumë nderime në banesën e fundit, me arkivolin të mbajtur mbi supet e oficerëve të shtetit demokratik! Me më pak nderime sesa ai, u përcoll në varreza edhe i ndjeri Sabri Godo. Njëri nga dëshmitarët kryesorë, ish-komandanti i Divizionit të 5-të,
Rrahman Parllaku ende jeton, por preferon të heshtë, siç ka heshtur edhe historiografia komuniste deri më sot.
Vlente të shënohej edhe fakti se të dy ish-komandantët e divizioneve të 5-të e të 6-të, respektivisht Rrahman Parllaku dhe Gjin Marku, të implikuar me Masakrën e Tivarit dhe me ngjarje të tjera tragjike në Kosovë, për
“meritat” e tyre, Kuvendi i Shqipërisë u ka dhënë titullin më të lartë: “Nderi i Kombit”!!
Faqe 174-180: “Gjatë gjithë udhëtimit ajo (nëna e Miladin Popoviçit – shënimi im) shoqërohej nga numri dy i
Ambasadës Shqiptare në Beograd.”
- Nuk dihet përse, edhe sot mbas 66-vjetëve, B. Fevziu vazhdon të ruajë “sekretet e Partisë” dhe nuk e tregon
emrin e “numrit dy” të Ambasadës sonë në Beograd, në atë kohë.
Faqe 202: “Bedri Spahiu e kaloi pjesën e mbetur të jetës në burg, deri kur u lirua në mars të vitit 1991.”
- Bedri Spahiu nuk e kaloi në burg pjesën e mbetur të jetës, por në liri, në Tiranë, pranë familjes së tij, nga viti 1991 kur u lirua dhe deri në vitin 1998, kur u nda nga jeta.
Faqe 202: “Jakova vdiq në burg, në vitin 1959 pa e kuptuar kurrë se cili ishte mëkati i tij. Trashëgimia e vetme që la pas, janë një seri letrash plot dashuri që ai shkëmbente nga burgu me gruan, të cilën nuk e pa më kurrë.”
- Sa ishte gjallë, gjatë viteve të burgut, Tuk Jakova është parë dhe takuar herë pas here me gruan e tij. Mbas vdekjes, natyrisht, ai “nuk e pa më kurrë”.
Faqe 250: “Dom Shtjefën Kurti u arrestua në vitin 1971.”
- Dom Shtjefën Kurti u arrestua për të dytën herë në vitin 1971.
Në kreun e XX-të, “Enver Hoxha dhe bluzat e bardha”, vihen re kundërthënie të autorit:
Faqe 275: “Ka gjasa që ata (Enver Hoxha dhe Fejzi Hoxha – shënimi im), kishin një lidhje të largët farefisnie, por kjo nuk është pranuar nga familjarët më vonë.”
Faqe 276: “Profesor Fejzi Hoxha konstatoi se kushëriri i tij, shoku i fëmijërisë dhe Kryeministri i vendit, në moshën 40 vjeçare dhe në gjendje gjysmë obeze, vuante nga një diabet i rënduar.”
- Pra, familjarët thonë se nuk janë kushërinj; kurse autori thotë se janë kushërinj; ndërsa më parë është
shprehur se “Ka gjasa që ata kishin një lidhje të largët farefisnie”.
Faqe 294: “Mundësia më e madhe, për të mos thënë e vetmja, është që Kapo të ketë vdekur realisht nga kanceri në pankreas, i diagnostikuar me vonesë, pa pasur mundësi shpëtimi dhe pa asnjë lloj ndikimi nga Hoxha
- Para dhe mbas vitit 1990, janë hedhur shumë dyshime për vdekjen e Hysni Kapos. Janë përmendur edhe emra funksionarësh të Partisë e të Sigurimit, të cilët kanë shkuar në Paris, në klinikën ku ishte shtruar ai, për ta përshpejtuar vdekjen e tij. Edhe Vito Kapo ka shprehur dyshimin mbi sëmundjen dhe vdekjen e burrit të saj. (Gazeta “Standard”, dt. 15 tetor 2011, Intervistë e Vito Kapos: “Si ma vdiqën Hysniun”. ). Kaq të forta kanë qenë “pëshpëritjet” për këtë çështje në atë kohë, saqë kanë arritur deri tek veshët e Enver Hoxhës. Në një dokumentar të publikuar pas viteve ‘90, ai shfaqet duke dashur ta qetësojë dhe t’a bindë Viton, se Hysniun nuk e kanë helmuar. Të njëjtën gjë bën edhe Fevziu: largon dyshimet për vdekjen e tij nga Sigurimi dhe prej ndonjë “lloj ndikimi nga Hoxha”.
Edhe për vdekjen e shumëpërfolur e të dyshimtë të Nako Spirut, ai shpreh bindjen e tij se është vetëvrarë.
Kontradiktor është Fevziu edhe për vdekjen e Mehmet Shehut. Një herë thotë “vrau veten”; pastaj shprehet se, në se “vrau veten apo atë e vranë, askush nuk di ta thotë.”:
Faqe 308: “27 vjet kryeministër i Shqipërisë Mehmet Shehu vrau veten atë natë në dhomën e tij.”
Faqe 309: “Teksti i saj (i letrës së Mehmet Shehut – shënim im), i lexuar 30 vjet më pas, të beson (të bën të besosh – korrigjimi im) për një njeri që ka vendosur të ikë me dorën e vet nga kjo botë.”
Faqe 318: “Në se Mehmet Shehu realisht vrau veten apo atë e vranë, askush nuk di ta thotë.”
Faqe 336: “Shqiptarët ishin në prag të urisë dhe më mosbesues se kurrë për postulatin e tij: “Edhe bar do hamë, por parimet nuk i shkelim.””.
-Një “postulat” të ngjashëm me këtë, shqiptarët e kanë dëgjuar ta shprehë Ramiz Alia, në një dokumentar, që paraqet një mbledhje të Byrosë së PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ai thotë tekstualisht: “Edhe bar do hamë, edhe gjak do derdhim, por parimet nuk i shkelim!”.
Faqe 346-347: “Të nesërmen, në kohën e ngushëllimeve te Nexhmije Hoxha, në kronikën e Televizionit Shqiptar shqiptarët e vëmendshëm dëgjuan një fjali tej mase befasuese për ta. Ndërsa Vito Kapo afrohej për ngushëllim, Nexhmije Hoxha u ngrit, e përlotur, e trishtuar dhe iu drejtua me fjalët: “- Iku, moj Vito, iku te Hysniu dhe te shokët!”. Komunistët nuk besonin në Zot, as në jetën përtej vdekjes. Besonte vërtet në të Nexhmije Hoxha?”.
- Autori, nuk ka dashur të shprehë mendimin e vet, por me një pyetje retorike, ia ka lënë atë lexuesit. Dhe, kuptohet se përgjigja do të ishte: Sigurisht që Nexhmija besonte. Sepse ajo nuk mund të bënte humor, në ato çaste hidhërimi të thellë.
Në kreun e VII-të, “Lufta në gjirin e komunistëve”,( faqet 80-85), dhe në të XIX-in, “Personazhi ndryshe” (faqet 260-263), i lihet një hapësirë e gjerë Anastas Plasarit, (që është i ati i Aurel Plasarit, redaktor i këtij libri), në disproporcion me figura të tjera të rëndësishme të luftës dhe të historisë së PKSh.
Në përgjithësi, autori i librit i kushton më shumë vëmendje dhe hapësirë “luftës brenda llojit” dhe pasojave të saj, sesa krimeve të Enver Hoxhës dhe të bashkëpunëtorëve të tij, ndaj pjesës tjetër të shqiptarëve, jo vetëm ndaj nacionalistëve, por edhe ndaj njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm, viktima të “diktaturës së proletariatit” dhe të “luftës së klasave”, të zhvilluar me një egërsi të paparë, si gjatë luftës ashtu edhe më pas, në krahinat jugore, në Shqipërinë e mesme dhe sidomos në Veri. Duket sikur Fevziu, në këtë “biografi” të Hoxhës, i shmanget rrëfimit të masakrave të kryera me urdhërin e atij, dhe nuk flet fare për qëndresën e armatosur antikomuniste dhjetëvjeçare të luftëtarëve të lirisë. Kështu, për shembull, ai ka cituar shtatë herë pjesë nga libri “Vjeshta e ankthit”, të Bashkim Shehut, djalit të ish-kryeministrit, dhe ka lënë pa përmendur atë që është mjaft e rëndësishme: shprehjen e pendimit të Mehmet Shehut, “në vjeshtën e tij të mbrame”, “për pushkatimin pa gjyq të 60 robërve ballistë” dhe “për ekzekutimet masive në Shqipërinë e veriut, gjatë luftës dhe në vitet e para mbas çlirimit”. (Bashkim Shehu: “Vjeshta e ankthit”, Tiranë 1994, faqe 109). Pra, këtë fakt, pranimin e një pjese të krimeve të kryera nga bashkëpunëtori më i ngushtë i Enver Hoxhës, B. Fevziu ka preferuar ta kalojë në heshtje.
Po krime të tjera mizore të kryera me urdhërin e Enver Hoxhës, si nuk paska gjetur nëpër arkivat, ku ai pretendon se ka bërë kërkime? Për shembull: Nuk ka mundur të mësojë diçka për atë që ndodhi në Mirditë, në gushtin e vitit 1949, mbas vrasjes së Sekretarit të parë të PPSh-së të atij rrethi, Bardhok Bibës, nga “Komiteti i Maleve”?
Po të kishte shkuar në Bibliotekën Kombëtare e të shfletonte gazetat “Bashkimi” e “Zëri i Popullit”, të datës 9 gusht 1949, do të kishte parë fotografinë ku dy gjeneralët e dërguar nga Enver Hoxha në Mirditë, për të përgatitur hakmarrjen e tmerrshme, Mehmet Shehu e Gjin Marku, mbajnë mbi supe arkivolin me trupin e të ndjerit Bardhok Biba. Po aty është edhe fjalimi i mbajtur me atë rast nga Gjin Marku, i cili betohet për hakmarrje të pamëshirshme. Dhe me të vërtetë, ajo hakmarrje e verbër u krye, veçse jo mbi vrasësit, po mbi fshatarët e pafajshëm, katër prej të cilëve u varën dhe dhjetë të tjerë u pushkatuan përpara popullit të mbledhur forcërisht dhe u hodhën në një gropë të përbashkët. Disa dhjetra mirditorë u burgosën dhe qindra gra, pleq e fëmijë u internuan në kampin e shfarosjes në Tepelenë. A thua vërtetë nuk i din këto një gazetar i kohës sonë, kur mjaft dëshmitarë pamorë (okularë) ose protagonistë të ngjarjeve të ndryshme, janë shprehur lirisht nëpër televizione, gazeta e libra? Apo i quan gjëra të parëndësishme, që nuk ia vlen të shënohen? Po për të tjerë, që u masakruan dhe u vranë pa gjyq në Devoll, në Përroin e Shipkës, në Mat, Dibër, Lumë e gjetkë, me urdhëra verbalë ose me shkrim, gjatë luftës dhe më pas, pse nuk ka thënë dy fjalë Blendi Fevziu? Nuk e din ai se të gjitha ato krime mizore, të kryera nga shqiptarët mbi shqiptarët, kanë si autor kryesor, si urdhërues, vetëm një emër, Enver Hoxhën, i mbiquajtur “Shpati” e “Tarasi”? Përse i anashkalon këto fakte ai, dhe si një gjyqtar zemërmirë, e zbut me sa mundet ndëshkimin moral të diktatorit më të pashembullt që ka parë historia e Shqipërisë? Përse është i prirur për t’i fshehur krimet e komunizmit?
Pra, në librin “Enver Hoxha”, Fevziu ka dhënë një portret tepër të zbehtë e të paplotësuar të diktatorit, i cili u vu në shërbim të sllavokomunistëve dhe tradhtoi interesat kombëtare; që sundoi me dorë të hekurt e me metoda mesjetare, dyzet vjet me radhë; të atij tirani të pashpirt, që i ktheu fshatarët në bujqrobër dhe punëtorët në skllevër të shtetit; që e veçoi vendin nga bota e qytetëruar dhe e mbylli hermetikisht, dhe që e ktheu kësisoj rrotën e historisë një gjysmë shekulli prapa.
Po aq të zbehta dhe anemike paraqiten edhe figurat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Hoxhës, të cilët i qëndruan pranë deri në vdekje, si Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, të cilët e vazhduan rrugën dhe veprën e tij, duke e shtypur dhe varfëruar edhe më shumë popullin shqiptar, nga viti 1985 i vdekjes së tij, dhe deri më 1991, kur era e ndryshimeve demokratike të Evropës Lindore, depërtoi edhe në Shqipëri.
Ndofta, Blendi Fevziu nuk ka mundur ta parashikojë, se me ato njohuri historike dhe me atë përgatitje gjuhësore e letrare të deritanishme, (të pamjaftueshme për të shkruar një biografi si ajo e Enver Hoxhës), po merrte përsipër një barrë tepër të rëndë për supet e tij. Duket qartë se ai ka mbetur larg arritjes së atij synimi.
Le të shpresojmë se vërejtjet, me qëllimin e mirë të ndreqjes, që i janë bërë deri më sot e që nuk do t’i mungojnë as në të ardhmen, rreth kësaj “sprove për të shkruar biografi”, do t’i vlejnë këtij gazetari të njohur, që në të ardhmen, ta ripunojë e ta plotësojë këtë libër, që të mund të zërë një vend të merituar midis librave të tjerë të këtij lloji, në bibliotekat tona; e pse jo, që t’i shërbejë edhe rishkrimit të historisë.

No comments:
Post a Comment