Nga leximi i shkrimit kuptohet se është intelektual, publicist, por
është një intelektual i profilit të ulët. Artikulli nuk është kritik.
Kritika është një gjë normale. Ai nuk kritikon. Ai shfren urrejtje,
fyen, poshtëron, ai është i hidhur, halucinant. Nuk duhet të marrë pozën
e një autoriteti në fushën e historisë. Është vetëm një diletant që hyn
nga dera e prapme në histori. Nuk ka haber nga normat më elementare të
historiografisë. Nuk i njeh burimet kryesore të ngjarjeve të periudhës
dhe injorancën e shet për erudicion. Nuk i pëlqen ditari i Cianos, se është “fashist”; as “Tomorri”, se është gazetë.
Arben Puto
(Reagim ndaj artikullit të Ardian Ndrecës, botuar në gazetën MAPO në datat 15 dhe16 shkurt)
Unë e dëgjoj për herë të parë këtë emër. Më thonë se nuk është historian. Atëherë e ka aq më të lehtë të më bëjë humbës të historisë dhe të më ngelë në klasë. A ka lexuar ndonjë libër tjetër nga librat e mi, veç këtij?
Herë-herë nuk bën kritikën e librit, del krejt jashtë temës dhe bën digresione në politikën e madhe në Europë dhe në botë: Stalin, Molotov, Ribbentrop, Leon Blum, deri te japonezi Matsuaka.
Artikulli ka vetëm një kuptim: autori nuk më fal që libri denoncon kolaboracionizmin. Nuk i fsheh simpatitë, jo vetëm për kuislingët që dhurojnë hektarë toke shqiptare (Sh. Verlaci), por edhe për Mussolinin e Hitlerin, që “admiroheshin” për qëndrimin antibolshevik.
Se çfarë konceptesh ka ky intelektual, del edhe kur flet për angazhimin tim në fushën e të drejtave të njeriut. Nuk është “konvertim”; asnjëherë nuk jam penduar për zgjedhjet që kam bërë që në rini. Të rinjtë ishin për një Shqipëri të pavarur, të përparuara dhe për një shoqëri të drejtë. Të drejtat e njeriut janë një pjesë e pandarë e shoqërisë së drejtë. Bëra thirrje për vendosjen e pluralizmit dhe për lirimin e të gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë. Ai përflet veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të atyre që ai quan me përçmim “grekofonë”.
Artikullshkruesi është antikomunist, por jo edhe antifashist. Është avokat i kolaboracionizmit. Kolaboracionistët dhe kuislingët kanë dalë përpara gjyqit të historisë dhe nuk do të rehabilitohen kurrë.
Historinë e atyre viteve e bëri Lëvizja e Rezistencës, Lufta Nacionalçlirimtare, që e shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim i dytë me Jugun në dorë të Greqisë.
Le të vazhdojë me monolog.
No comments:
Post a Comment