Luiza
Xhuvani, një nga aktoret më të spikatura të kinemasë dhe teatrit vjen
në një rrëfim për rolin e saj në filmin serial, i cili sapo ka nisur të
shfaqet në ekranin e “Top-Channel”. “Në kërkim të kujt” është një
prodhim i ri, i cili ka mbërthyer para ekranit teleshikuesit, në një
dramë brenda të njëjtit tranzicion shqiptar të njëzet viteve të fundit.
Aktorja, e cila në këtë
film ka rolin e doktoreshë Afërditës, tregon sesi e sheh ajo rolin e
saj brenda kësaj drame, marrëdhëniet me kolegët, por mbi të gjitha si e
sheh veten në gjithë tranzicionin shqiptar. “Jam totalisht brenda
kaotizmit, absurdit, zhgënjimit, shantazhit, padrejtësisë nga kjo
shoqëri. Ndërkohë mbart edhe dashuri, edhe dhimbje, edhe shpresë.
Pikërisht kjo shpresë e bën këtë jetë të bukur. Dhe në dhimbjen më të
madhe, në trishtimin më të madh ka gjithmonë një fije optimizmi”, –
shprehet Luiza. Ndërkohë ajo flet edhe për marrëdhënien e saj me
politikën dhe sesi arti shpeshherë mund t’iu paraprijë ndryshimeve në
shoqëri.
Jonida Hitoveizi
Luiza, jeni rikthyer pranë publikut si aktore. Përse zgjodhët të ishit pjesë e serialit “Në kërkim të kujt”?
Në fakt është hera e parë që marr pjesë në një serial. Le ta quajmë premierë dhe jo rikthim. Mendoj se aktori duhet të provojë të gjitha zhanret. Mbi të gjitha më tundon sheshi i xhirimit, që është pjesë e jetës sime. Po ashtu nuk zgjodha, por pranova të marr pjesë në një serial për disa arsye profesionale dhe njerëzore. E para, sepse është një film bazuar në një skenar, i cili shpërfaq realitetin e vendit tonë në një periudhë të vështirë, ashtu siç është me të mirat dhe të këqijat e tij. E dyta, personazhi që unë interpretoj përfaqëson atë kategori shoqërore, që krahas potencialit të tyre profesional mbartin edhe vlera të mëdha humane e që në të shumtën e rasteve janë të padukshëm, janë heronjtë e heshtur. Njerëz që kontributin e tyre e fshehin me modestinë si një virtyt i pavlerësuar. Të gjithë e dimë se sa përgjërohemi tek mjeku në ditën e hallit dhe sa shpejt e harrojmë kontributin e tij, ku mbi të gjitha ai është edhe human. E treta, sepse isha pjesë e një ekipi aktorësh, më të mirët e tregut shqiptar.
Si jeni ndjerë brenda gjithë asaj drame që zhvillohet në këtë film serial?
Dramën e këtij filmi, në një formë apo në një tjetër e kanë përjetuar të gjithë shqiptarët. Në rastin konkret, sa i bashkëngjitem si qytetare aq edhe distancohem në aspektin profesional. Ka dy momente të rëndësishme në krijimtarinë e një aktori. Impakti i parë me skenarin ose dramaturgjinë është të jetë social. Merresh me idetë, mesazhet, qëndrimet e më pas kur vjen momenti i realizimit merresh me atë që thuhet thjesht profesion. Unë pranova profesionalisht një doktoreshë, në pamje të parë e ftohtë dhe e rezervuar, herë-herë edhe skeptike në marrëdhëniet shpirtërore. Pra doja të fshihja këtë mesazh nën petkun e një korrektësie profesionale, për ta bërë disi të veçantë jo një mjeke me një dashuri evidente tejet emocionale, me sy të përlotur e me dhimbje (elemente të cilat i kam ezauruar në rolet e mëparshme).
U menduat përpara se të pranonit rolin në një serial së pari dhe pastaj atë të doktoreshës?
Padyshim. Përpara çdo pune aktori bën një analizë të të gjithë faktorëve, të cilët e bëjnë të pranojë apo refuzojë një rol. Por gjithçka nuk kishte të bënte me faktin se është një film serial televiziv. Është film artistik. Ajo që më intrigoi më shumë ishte se personazhi i doktoreshës ka një karakter të thellë human. Duke ditur një veçori specifike të filmit televiziv, që ngjan si një dialog i drejtpërdrejtë me spektatorin e thjeshtë, madje me atë më të thjeshtin, që në të shumtën e rasteve i mungon privilegji ta shohë filmin në sallat kinematografike.
Si e shihni kinemanë shqiptare sot? Çfarë e ka ndalur disi tempin e saj duke e krahasuar edhe me vitet e para ‘90-ës, ku dukej se prodhohej më shumë?
Kjo është një analizë që ia vlen për t’u diskutuar, por në thelb është tejet e thjeshtë. Si kudo, por në veçanti ka një tkurrje ekonomike karshi kulturës dhe artit. Ka tendenca për vepra artistike propagandistike, gjë që ul ndjeshëm stimulimin krijues. Kjo tkurrje fondesh ka dy kahe. Atë të krizës së përgjithshme ekonomike dhe atë të një mentaliteti politik që kurrë në këto vite të fundit s’e ka parë artin dhe kulturën të paktën si një gjysmë-prioritet. Njerëzit duhet të shikojnë dramat e tyre, të shohin emocionet e tyre, të gjejnë pika referimi, të justifikojnë dështimet e tyre, të motivojnë vlerat e tyre e për më tepër të rikonfirmohen mes tyre dhe brenda vetes. Këtë e bën vetëm arti. Fatkeqësisht, kjo është tepër e vakët në kohën që po flasim.
Cilat skena në këtë film ju kanë prekur në shpirt përtej rolit?
Për momentin që po flasim nuk e kam parë filmin. Ndjej në mënyrë instiktive se seria e katërt dhe e pestë do të jetë amplituda më e madhe emocionale, por nuk mund të gjykoj sepse jam pjesëtare e jo shikuese e tij. Ju duhet ta dini se filmi xhirohet i fragmentarizuar. Nuk mund të jap një gjykim të saktë.
Filmi flet për dramat e tranzicionit shqiptar….Po ju vetë a ju ka përfshirë në ndonjë moment kjo gjë?
Edhe unë jam pjesëtare e kësaj shoqërie. Bëj një jetë sociale si gjithë të tjerët, sigurisht me specifikat e mia. Vetëkuptohet që jam brenda totalisht kësaj shoqërie. Jam totalisht brenda kaotizmit, absurdit, zhgënjimit, shantazhit, padrejtësisë nga kjo shoqëri. Ndërkohë mbart edhe dashuri, edhe dhimbje, edhe shpresë. Pikërisht kjo shpresë e bën këtë jetë të bukur. Dhe në dhimbjen më të madhe, në trishtimin më të madh ka gjithmonë një fije optimizmi. Pikërisht këtu e kam lidhur personazhin tim, e kam shtrënguar fort. Ne artistëve të të gjitha zhanreve na takon misioni që t’u dhurojmë njerëzve edhe përmes trishtimit – gëzimin, edhe përmes dështimit-fitoren. Në ditët më të zeza të kujtojmë ato më të bukurat. Kjo që po them unë ka të paktën 3000 vjet që ekziston që në legjendën e Iasonit.
Dukeni përherë e më në formë. A ka ndonjë sekret për hijeshinë e saj Luiza Xhuvani?
Do ta them shkurt. Ne nga jugu kemi një shprehje (me humor) ‘Qofsha siç më dinë, mos qofsha siç jam’. Qofsha siç më shohin e mos qofsha siç shoh veten!!!
Luiza, a është e vërtetë që ju jeni aktorja e preferuar e Gjergj Xhuvanit?
Duhet t’ia bëni Gjergjit këtë pyetje. Nuk është përgjigje që mund ta jap unë. Por me sa di unë, ka edhe aktore të tjera të preferuara që janë evidente edhe në këtë serial.
Në gjithë filmat që keni luajtur a ka ndonjë personazh, i cili ju është bërë pjesë e jetës më shumë se të tjerët?
Çdo rol që kam interpretuar ka qenë pjesë e jetës sime. Për sa kohë ti jeton me të, me shqetësimet e gëzimet e tij, me koshiencë apo subkoshiencë, ai dashur padashur të ka rrëmbyer pjesën e tij të jetës. Kjo është e bukura e profesionit tonë. Jetojmë jetë të ndryshme, marrim dhe japim me ta e natyrisht rritemi profesionalisht por edhe në aspektin intelektual e njerëzor.
Luiza, aktrimi është jo vetëm pasioni por edhe profesioni juaj. Politika ç’vend zë tek ju?
Një vend shumë të rëndësishëm. Jam përkushtuar me të njëjtin pasion dhe çuditërisht nuk më ka penguar në krijimtarinë time artistike, përkundrazi më ka ndihmuar shumë. Kjo, pasi më ka bërë të shikoj fenomenet, individët, pra thithjen e burimit njerëzor në këndvështrime të reja. Kam përfituar një këndvështrim të ri në evoluimin e karaktereve, në botëkuptimin mes moralit dhe prakticizmit, mes së vërtetës dhe hipokrizisë. Jam mësuar që gjërat që bëj t’i dua. Sot mund të them që të dyja, politika dhe aktrimi, pse jo edhe obligime të tjera sociale, flenë të qeta me njëra-tjetrën brenda një konflikti në zhvillim për t’i pasuruar reciprokisht.
Kinemaja dhe politika duken si të ndryshme, por në njëfarë pike të dyja kanë fuqinë e ndikimit dhe të ndryshimit tek shijet apo mendimet e njerëzve. Cila ka më tepër fuqi apo imitohet më kollaj sipas jush?
Kinemaja fikson politikën. Shpesh histori të caktuara politike, për të mos thënë gjithmonë koha i sjell nëpërmjet kinemasë. Do të jetë e bezdisshme të jap shembuj për politika të paktën 2000-vjeçare, që nga Greqia e lashtë e deri në ditët e sotme. Deri tek drejtues shtetesh, që ende janë gjallë, vijnë nëpërmjet kinemasë. Siç ka thënë Çaplini: “Vlera kryesore e kinemasë është të fiksosh kohën”. Kjo për artistët e aftë tashmë është një aksiomë. Ka dhe raste disi të rralla kur arti i paraprin politikës, por kjo vlen për shoqëri tej mase të emancipuara. Le të shpresojmë që arti shqiptar nesër t’i vendosë vulën e kohës së sotmes.
Luiza, së fundi a ishte e vështirë të gjeje kohën për në sheshxhirim duke parë edhe angazhimet e tjera që ju keni?
Një nga gënjeshtrat më të mëdha është kur njeriu thotë s’kam kohë. Në një ditë 24-orëshe, le të përjashtojmë 6 orët e gjumit, ka kohë gjithmonë për të bërë një mori gjërash që do. Pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë kanë një të dytë që merr prioritet sipas momentit. Dikush jep mësim, dikush shkruan, dikush pikturon, dikush vrapon, dikush intrigon, dikush shtrohet në dreka e darka e dikush përfiton. E tillë është jeta. Jo vetëm unë, por edhe kolegë të tjerë kemi kaluar edhe 48 orë pa gjumë duke iu përkushtuar politikës. Personalisht, dua të përmend një shprehje hungareze që thotë: ”Zemra është e vogël, por ka shumë qoshe. E rëndësishme është që ajo të furnizohet me gjak”.
No comments:
Post a Comment