Misteri dhe e panjohura, qoftë kjo filozofike apo tokësore, duket se ka qenë ajo që i ka tërhequr vizitorët e librarisë tonë fizike gjatë këtij viti. Në pesë librat më të shitur për këtë vit, tre prej tyre janë romane thriller, dy hedhin dritë mbi të shkuarën e Shqipërisë. Ky vit duket se ka qenë plot surpriza në botën e librit. Disa shtëpi botuese hynë në garë për t’i ofruar publikut shqiptar prirjet më të fundit të lexuesve ndërkombëtarë: misterin joshës të vampirëve dhe gjurmimet e sekreteve masone. Disa të tjera, u tunduan nga historia po aq e panjohur dhe e pakuptueshme e Shqipërisë. Më poshtë po ju paraqesim një listë me librat më të shitur. Kjo nuk është një listë e vlefshme për të gjithë tregun e librit në Shqipëri, por përfaqëson tendencën e lexuesve vetëm të librarisë sonë. Kjo është lista e librave më të shitur për vitin 2010. Në ditët në vijim do t’ju ofrojmë listën e më të shiturve sipas kategorive. Lexim të këndshëm.
- Mjaftuan më pak se katër muaj që “Viti 97-prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin”, një libër nga Mero Baze, të bëhet best-seller absolut te Shtëpia e Librit. Libri përmbledh ngjarjet nga 26 maji i vitit 1996 deri më 29 qershor 2007, një periudhë e errët e historisë shqiptare që përfundoi me vdekjen e disa mijëra shqiptarëve dhe që la pas politikë të dhunshme dhe grupe kriminale nga të cilat vendi nuk e ka marrë ende veten. Autori, Mero Baze, thotë se në ato ngjarje qe “dëshmitar, protagonist dhe herë-herë, gazetar.” Shitja e shpejtë e këtij libri sugjeron interesimin e madh të shqiptarëve për të mësuar se çfarë ndodhi në vitin 1997.
- Romani Aksidenti nga Ismail Kadare zuri vendin e dytë për nga shitjet këtë vit. Blerjet më të mëdha të këtij libri u realizuan menjëherë pas publikimit të tij në shqip në maj të këtij viti. Romani është një tregim sureal dhe plot mjegullnaja i jetës së një çifti dashnorësh që fillon të zbardhet nga hetimet mbi një aksident të çuditshëm që i mori jetën personazheve kryesore.
- Burra që urrejnë gratë, pjesa e parë e trilogjisë Millenium nga shkrimtari suedez Stieg Larsson, zuri vendin e tretë.Prej shumë vitesh, mbesa e parapëlqyer e industrialistit të fuqishëm Henrik Vanger është zhdukur pa lënë gjurmë. Kufoma s’ishte gjendur kurrë. E kur Vangeri, tashmë tepër plak, merr një dhuratë që e hap çështjen sërish, ai vendos të ngarkojë Mikael Blomkvistin, gazetar i njohur hulumtues, që të rindërtojë ngjarjet dhe të zbulojë të vërtetën. Me ndihmën e Lisbethit, një grua e re, shumë e zonja dhe gjeni kompjuterësh, Blomkvisti heton me rrënjë historinë e familjes Vanger, por sa më shumë rrëmon, aq më tepër zbulimet bëhen të llahtarshme.
- Sekreti, nga Rhonda Byrne synon të shpjegojë se si ta përdorësh Sekretin në çdo aspekt të jetës – me paratë, pasurinë, lidhjet, lumtrinë dhe në çdo ndërveprim që ke në botë. I publikuar më 22 shtator, libri duket se tërhoqi shumë lexues në një periudhë shumë të shkurtër kohore.
- Në vend të pestë gjendet gjithashtu një libër që u publikua vetëm më 17 nëntor. Mjaftoi vetëm një muaj që sprova “Mosmarreveshja” nga Ismail Kadare, të ngjitet në klasifikimin e librave më të shitur. Përmes një “sprove letrare” siç e quan vetë autori këtë libër, analizohet marrëdhënia e Shqipërisë me vetveten.
- Viti 97-prapaskenat e krizes qe rrenuan shtetin, Mero Baze. Data e botimit: 8 tetor
- Aksidenti, Ismail Kadare. Data e botimit: 10 Maj
- Burra qe urrejne grate, Stieg larsson. Data e botimit: 13 Maj
- Sekreti, Rhonda Byrne. Data e botimit: 22 shtator
- Mosmarreveshja, Ismail Kadare. Data e botimit: 17 nëntor
No comments:
Post a Comment