Sunday, December 4, 2011

Tensione në ceremoninë e Leka Zogut, i biri vetëshpallet si mbret mbi varrin e të atit


Leka Zogu II duke bërë betimin si mbret mbi varrin e të atit. Foto: Vlasov Sulaj
Në vend të fjalimit, gjatë varrimit bën vetëm betimin.
Unë, princi Leka II, betohem që do të jem në shërbim të kombit dhe të atdheut. Zoti më ndihmoftë”
Leka Zogu II vetëshpallet mbret mbi varrin e babait në Sharrë. Teksa pritej që të mbante fjalimin e lamtumirës së fundit për Leka Zogun I, në vend të tij ai ka bërë një betim të shkurtër. “Unë, princi Leka II, betohem para trupit të babait tim që do të ndjek rrugën e Mbretit Zog, e mbretit Leka I dhe do të jem gjithmonë në shërbim të kombit dhe të atdheut. Zoti më ndihmoftë!”, tha Leka Zogu II. Duke bërë gjestin e përshëndetjes mbretërore me dorë, ai mori kapelën ushtarake të familjes Zogu nga arkivoli i të atit, ndërsa të pranishmit komentuan menjëherë se ky ishte betimi i mbretit. Me të drejtë, pasi ky betim vërtet nuk ishte fjalë për fjalë ashtu siç e parashikon neni 56 i Kushtetutës së Monarkisë, por fillimi dhe përmbajtja e tij ishin thuajse të njëjta.
Betimi
“Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”. Ky është betimi i plotë që parashikon Statuti Themeltar i Mbretërisë Shqiptare në vitin 1928, i cili duhet thënë para Parlamentit. Duket se për shkak të pamundësisë së përdorimit të Kuvendit, pasi tashmë Shqipëria është Republikë, Leka Zogu II zgjodhi varrin e të atit për t’u betuar, ku ishin të pranishëm qindra persona. Po ashtu, duket se betimi vjen i moderuar për shkak të ndryshimit të kushteve historike dhe politike. Megjithatë, burime konfidenciale nga Pallati Mbretëror na informuan se gjatë këtyre ditëve do të sqarohen dhe interpretohen sipas aktualitetit nenet e Kushtetutës Monarkiste, ndërsa Leka Zogun II nuk e mohojnë si mbret, por as e pohojnë dot zyrtarisht. Sipas tyre, në bazë të nenit 51, “Trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit”. Pra, menjëherë pas vdekjes së Leka Zogut I, Leka Zogu II është automatikisht mbreti i shqiptarëve. Toleranca kohore për betimin nis që nga momenti i vdekjes së mbretit deri në 10 ditë. Dje ishte dita e katërt…
Vetëm tri të shtëna
Homazhet në selinë e Kuvendit në nderim të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I. Fotot: Vlasov Sulaj
Lindja e tij është shoqëruar me 101 të shtëna topi, edhe pse u largua vetëm dy ditë më pas nga Shqipëria, ndërsa për në banesën e fundit u përcoll vetëm me 3 të shtëna armësh. Pavarësisht njoftimeve se Leka Zogu I do të varrosej me statusin “Mbret i shqiptarëve jo në detyrë”, ndërsa ceremoniali do të zhvillohej me atributet si kryetar shteti, lamtumira që iu dha në Sharrë nuk i afrohej nivelit të premtuar. Shumica e pikave të protokollit nuk u zbatuan, ndërsa nga 21 të shtëna që ishin parashikuar, pati vetëm 3 të tilla. Nuk pati as ndonjë fjalim të gjatë, të posaçëm me këtë rast, përveç disa përshëndetjeve të kushëririt Skënder Zogu për Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe sidomos për kreun e Bashkisë, Lulzim Basha, Trupin Diplomatik, ministrat etj. Me pak vonesë, por duke kërkuar ndjesë, ai falënderoi edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, që i ishte bashkuar dje gjatë gjithë ditës kortezhit qeveritar shqiptar. Gjithashtu, Skënder Zogu përmendi edhe dy emra jo shumë të njohur për publikun e gjerë, por legjendarë për historinë e monarkisë zogiste; komandant Ylli Spahiun që ka qenë 23 vjet në shërbim të mbretit dhe oficer Shehat Shehun.
Varrimi
Për shkak të frikës së dekompozimit të trupit, arkivoli nuk u hap në asnjë moment të ditës së djeshme, në mënyrë që të shihej veshja dhe sendet e futura në të. Megjithatë, familjarët na konfirmuan se Leka Zogu I është përcjellë me një uniformë ushtarake të Britanisë së Madhe dhe brenda janë futur disa nga sendet personale të tij. Arkivoli ishte i një tipi të thjeshtë dhe i mbuluar me flamurin kuqezi. Sipas amanetit, ai u varros në mes të nënës së tij, Geraldinës dhe bashkëshortes Susan Cullen. Pas ritualit të hedhjes së dheut, një korr i ardhur posaçërisht nga Kosova këndoi, ndër të tjera, vargjet: “Tani ke për t’u ndarë dhe kurrë s’ke më për t’u parë”. Me këto fjalë, profecia filloi… Të pranishmit u larguan për të mos e parë kurrë më “mbretin e shqiptarëve jo në detyrë”.
Afati kohor: Betimi që bëhet sipas Kushtetutës së Monarkisë
Sipas Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, që u miratua më 1 dhjetor 1928, në nenin 51 thuhet se: “Trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit”. Ndërsa në nenin 58 përcaktohet afati kohor brenda 10 ditësh. Betimi përmban këto fjalë: “Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.
Si babai
Edhe Leka Zogu I nuk ka pasur një betim në Parlament, ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Monarkisë. Teksa i biri i tij u betua dje publikisht para arkivolit se do të ndiqte rrugën mbretërore të të atit dhe gjyshit të tij, kjo deklaratë u cilësua si “vetëshpallje dhe betim solemn i Leka Zogut II si Mbret i Shqiptarëve, ashtu si dikur kishte bërë dhe i ati, vetëm se ky i fundit, në mërgim”. Leka Zogu I jetoi në mërgim duke shëtitur botën dhe në vitin 1993 erdhi për herë të parë në Shqipëri. Edhe pas kthimit, ai nuk arriti ta bënte betimin dot në Parlament për shkak të Shqipërisë si Republikë. Megjithatë, edhe pa këtë betim, ai u vetëshpall “Mbret i shqiptarëve”.
Jozefina Topalli
“Është detyrë e çdo kombi të njohë dhe të nderojë historinë e vet”, theksoi dje kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Kuvendi informoi se ceremonia e mbajtur për nderimet e Leka Zogut I në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, u bë në shenjë nderimi për historinë e Mbretërisë, si pjesë e historisë shqiptare.
Princi dhe Baroni
Në homazhet e ditës së djeshme ishin edhe Lartmadhëria e Tij, princi Paul i Rumanisë së bashku me princeshën, baroni Rafael Henri Estramant, si dhe përfaqësues nga Unioni Monarkist Italian, Sergio Boskiero. Ndërkaq, nga rezidenca mbretërore thonë se të gjitha mbretëritë e Europës kanë ngushëlluar tashmë me telegram.
Shila dhe Tarzani
Si nëpër filma, dy qentë e racës PitBull, që i përkasin familjes mbretërore, jo vetëm që ishin në homazhe për pak minuta në sallën e Kuvendit, por edhe qanin e nuk iknin andej. Siç na rrëfejnë familjarët, Shila dhe Tarzani nuk pranonin të hanin dhe të pinin më që nga dita kur Leka Zogu I ndërroi jetë, pasi kanë qenë shumë të lidhur me të.

Leka Zogu I, tensione në homazhe

Jepet lamtumira për pretendentin e fronit mbretëror shqiptar në selinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Kryebashkiaku Basha: Nuk u negociua kurrë kurora mbretërore
.
Mes harmonisë fetare dhe tensioneve politike është dhënë dje lamtumira për pretendendin e fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu I. Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvilluan homazhet në nder të tij, ku ende pa shkuar ora 10:00 u shfaq Leka Zogu II dhe e fejuara e tij, Elia Zaharia. Duke përfituar nga salla me pak njerëz dhe larg publicitetit, princ Leka puthi arkivolin e të atit që ishte mbuluar me flamurin shqiptar dhe i vuri sipër kapelën ushtarake. Të njëjtin gjest bëri dhe Elia, ndërsa më pas dyert u hapën zyrtarisht për homazhe. Të parët që janë shfaqur në derën e selisë së Kuvendit kanë qenë disa përfaqësues të klerit katolik dhe pas tyre, dhjetëra qytetarë, ku shpesh binin në sy kostumet popullore ose veshjet tipike të krahinës së Matit. Minutë pas minute nisën të shfaqen figurat publike, sidomos ministrat Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Fatmir Mediu, Genc Pollo, Majlinda Bregu, Arben Imami. Teksa këta po dilnin, duket se ishte radha e socialistëve, që ashtu si ditëve të ngushëllimeve në rezidencën mbretërore, edhe në homazhe ishin vetëm katër: Pandeli Majko, Arben Malaj, Kastriot Islami dhe Andis Harasani. Pas tyre, një varg artistësh u panë njëri pas tjetrit, si: Timo Flloko, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku etj. Ora 11:00 mund të cilësohet edhe si koha e homazheve të Trupit Diplomatik në Shqipëri, pasi u panë në homazhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ai i OSBE-së Eugen Volfarth, ajo e Polonisë Tatjana Tatarzynska. Në sy ra edhe prania e ambasadores së Britanisë së Madhe, Fiona Mclwham, si e deleguar e Mbretërisë nga vjen, e cila jo vetëm që qëndroi deri në fund të ceremonisë, por mori pjesë edhe në varrimin në Sharrë. Gjysmë ore pas këtyre vizitave, homazhet duket se arritën kulmin. Thuajse njëkohësisht mbërritën personalitetet shtetërore, që nga Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i Bashkisë Lulzim Basha, kreu i LSI-së Ilir Meta me bashkëshorten dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, si dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ardhja e tyre e njëkohshme krijoi konfuzion dhe tension, siç ishte në rastin e Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha. Duke dashur që të shmangë përballjen, Topi është vonuar disa sekonda në hyrje, për ta ndjekur vetëm 4-5 metra më pas. Pavarësisht përpjekjeve, ata u janë nënshtruar rregullave zyrtare në oborrin e Kuvendit, ku kanë shtrënguar duart formalisht, ndërsa në mes tyre qëndroi Presidentja e Kosovës. Ndërkaq, acarimi i dytë politik është vërejtur në hollin e Parlamentit, teksa trupi i pajetë i Leka Zogut I po nxirrej jashtë, ku e prisnin katër përfaqësuesit e besimeve fetare në vend për lutjen e shpirtit. Kamerat ishin larguar dhe brenda ndodhej një grup i ngushtë qeveritarësh, ndër të cilët Jozefina Topalli, Edmond Haxhinasto, Arben Imami, Aldo Bumçi, kryebashkiaku Lulzim Basha etj. Nga disa metra më tutje dëgjoheshin zëra me ton pak të ngritur dhe gjeste të tensionuara mes Topallit e Bashës dhe njëkohësisht mes Topallit dhe Haxhinastos. Persona që ndoqën nga afër debatin thanë se “Topalli u nervozua për shkak të lutjeve fetare brenda ambienteve të Kuvendit”. Ndërsa një variant tjetër dëshmie, ishte se ajo ka dashur të mësojë nga Haxhinasto se pse Protokolli i Shtetit kishte caktuar Bashën të mbante fjalën e rastit në institucionin që drejtohet prej saj, pa u lajmëruar. Nuk dihet se çfarë ka thënë Basha, pasi ai u largua dhe e la Topallin me Haxhinaston për sqarim. Vetë ai shkoi të këshillohet me ministrat e caktuar nga protokolli për organizimin e ceremonisë shtetërore, ku pas disa minutash doli me një letër dhe mbajti fjalimin e rastit. Kryebashkiaku e cilësoi Leka Zogun I si një figurë themelore për aktet shtet-formuese të Shqipërisë. Ai vlerësoi lart figurën e tij dhe kontributet e familjes mbretërore për Shqipërinë dhe Kosovën. “Jemi sot për t’u ndarë përgjithmonë nga princi shqiptar Leka Zogu I. Dëshiroj të theksoj se kurorën e Shqipërisë mbretëria nuk ia dha askujt, as Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu nuk negociuan kurrë kurorën mbretërore, duke e cilësuar kurorën si pronë të kombit shqiptar. I paharruar qoftë kujtimi i tij! U prehtë i qetë në tokën arbërore!”, tha ai dhe fjala e tij shënoi përfundimin e homazheve.
Kronologjia
Ora 09:55
– Princ Leka dhe e fejuara, Elia Zaharia, hyjnë në sallën e Kuvendit dhe në intimitet i japin lamtumirën Leka Zogut II.
Ora 10:00 – Hapet zyrtarisht ceremonia e homazheve. Vjen kleri katolik, dhjetëra qytetarë nga krahina të ndryshme, por sidomos nga Mati dhe Presheva, të cilët mbanin parulla.
10:30 – Koha e vizitës së demokratëve, kryesisht ministrat Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Fatmir Mediu, Genc Pollo, Majlinda Bregu, Arben Imami.
10:45 – Koha e vizitës së socialistëve Pandeli Majko, Arben Malaj, Kastriot Islami dhe Andis Harasani.
10:50 – Koha e vizitës së artistëve: Timo Flloko, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Frederik Ndoci etj.
Ora 11:00 – Kohë ambasadorësh. U vu re prania e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së Eugen Volfarth, ambasadorja e Britanisë së Madhe, ambasadorja e Polonisë etj.
Ora 11:30 – Koha e shtetarëve dhe qeveritarëve. Mbërrijnë thuajse njëkohësisht: Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten Liri, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i Bashkisë Lulzim Basha, kreu i LSI-së Ilir Meta me bashkëshorten dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, si dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ora 12:10 – Pas homazheve në Kuvend, që vazhduan për rreth dy orë, katër përfaqësuesit e besimeve fetare në vend u lutën për shpirtin e Leka Zogut I.
Ora 12:20 – Pas lutjeve të përfaqësuesve të besimeve fetare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mbajti një fjalim lamtumire përpara qindra të pranishmeve në oborrin e Kuvendit, ku u zhvilluan ritet e fundit para trupit të Leka Zogut.
Ora 12:50 – Trupi i Leka Zogut I u përcoll në bulevardin “Zhan D’Ark”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Skënderbej”, për t’u drejtuar më pas në Varrezat e Sharrës.
Ora: 13:30 – Kortezhi i makinave për varrimin e Leka Zogut të Parë mbërriti në Varrezat e Sharrës. Pas 20 minutash ceremoni, ai u varros pranë nënës dhe gruas së tij.
PS me dy qëndrime për homazhet ndaj Leka Zogut
Majko-Braçe, pro dhe kundër në Facebook për princin

Partia Socialiste nuk mori pjesë zyrtarisht në homazhet dhe ceremoninë e varrimit të Leka Zogut I, por qëndrime pro dhe kundër ndaj këtij pozicionimi nuk kanë munguar. Pandeli Majko dhe Erjon Braçe, të dy anëtarë të Kryesisë së PS, ndajnë qëndrime të kundërta. Majko, i cili ishte privatisht në homazhet për Leka Zogun, e cilëson atë patriot. “Për mua ishte një burrë i veçantë dhe patriot. E konsideroja mik”, shprehet Majko në faqen e tij në Facebook. Ndërsa Erjon Braçe ironizon maxhorancën dhe qeverinë për respekt të monarkut nga një Republikë Parlamentare. “’Republika’ po mban ‘zi’ për ‘mbretin’! Kjo që po shoh është dhunim i Kushtetutës: Kuvendi i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin; Presidenti i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin; Kryeministri i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin! Janë në garë se kush është më i djathtë; pra janë në garë për ca vota! Mbulohen duke thënë se po zbatojnë një ligj të thjeshtë për ceremonialin shtetëror!”, shprehet Erjon Braçe në Facebook. Por, anëtari tjetër i Kryesisë socialiste ndan tjetër mendim. “Pse jemi kështu!? Partia Socialiste në 1997 më dërgoi të prisja Leka Zogun (PD nuk erdhi). Më 2002 ishim po ne socialistët që u bëmë garant për rikthimin përfundimtar të kësaj familjeje në vendin e të parëve të tyre. Në 2003 maxhoranca e majtë votoi një ligj për statusin e kësaj familje… Kaq i rëndë qenka një ngushëllim?! Po nuk falëm njëri-tjetrin, nga kush do na vijë ‘pajtimi’ i shumëfolur…?”, shprehet Majko në Facebook, duke sqaruar dhe vajtjen e tij në këto homazhe.
ELISABETA ILNICA

No comments: