Sunday, November 20, 2011

Unë gazetarja e “Zërit të Rinisë”, që bëra burg për poezitë

Dukej si një histori filmi. Nga ato të vjetrit që, sot, të shumtën e herëve, preferojmë të mos i shohim. Jo pse kurioziteti mund të jetë në shëtitje, por sepse shija që të mbetet nuk është e përtypshme. Sado bujare ta kesh të ardhmen, nuk vlen për të harruar. Zhaneta Ogranaj, poetja disidente, jeton sot në një dhomë të sajuar prej asaj vetë, në një nga godinat e ish-Shkollës së Partisë. Dera, e shenjosur me dëmtime të vjetra e të ripërsëritura, qëndronte thuajse e hapur. Hynin e dilnin fëmijët e ‘dhomave’ të tjera për t’i sjellë ujë, a ç’t'i nevojitej, për shkak të mungesës së tualetit dhe çezmës në dhomë (nuk qenka aq për të qeshur pyetësori i censusit). Krevati-divan ishte i rrethuar me bidonë të mbushur me ujë, ndërsa në një tjetër kënd, furnela, pak kripë, vaj, dhe një qese përgjysmë me makarona. Te koka e krevatit, kishte gjënë më të shtrenjtë, çantën me dokumentet e së shkuarës, akuzat, dënimet e arratisjet. Fletoret e poezive të saj, poezitë e miqve dhe ato pak fotografi që kishte mundur të bënte këto 20 vitet e fundit. Këto ishin bashkëjetueset e Zhanetës, bashkë me torbat me kujtime që hapësira e dhomës sigurisht që nuk mund t’i mjaftonte për t’i futur. Historia e saj nis që në vitet e fakultetit që nuk mundi ta mbarojë. Është një nga më të çuditshmet e të pabesueshmet që të qëllon të dëgjosh. Orët e gjata të bisedës me të nuk shërbejnë për ta perceptuar, duhet t’i rikthehesh sërish për të tentuar një përgjigje. Jo se mund ta marrësh, por të paktën të vlen për të renditur ngjarjet pa gjykuar palët. Ashtu bëni edhe ju! Sado absurde t’ju duket, lexojeni historinë dhe interpretimin bëjani vetë. Këto janë ngjarjet dhe përjetimet e saj.
Na e tregoni historinë nga fillimi, do të jetë më e thjeshtë për t’u kuptuar…
Për shkak se im atë ka qenë njeri me pozitë, ka ndihmuar luftën ekonomikisht, me ardhjen time në Tiranë, munda të punësohem në punë të mira, më ndihmuan në këtë drejtim. Kam punuar si nëpunëse në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës e më pas, në moshën 24 vjeç, nisa të punoja në Bibliotekën Kombëtare në sektorin e klasifikimit.
Deri këtu gjithçka mirë. Ku kanë nisur peripecitë?
Paralelisht, isha edhe korrespondente e gazetës “Zëri i Rinisë”, kisha lidhje me shtypin e shkruar edhe poezinë. Këto kanë qenë shkaku i problemeve. Temat dhe mënyra si i trajtoja ato shkrime si dhe poezitë.
Pse, ç’trajtonit në to?
Konkretisht, pata bërë një shkrim ku trajtoja problemin e strehimit, si dhe të vlerës reale të klasës punëtore që merrnin para vetëm për ekzistencë. Strehimi më përkiste edhe personalisht, por ma zgjidhën shumë shpejt. Kjo ishte hera e parë kur më thirri Abdyl Këllezi për të më kërkuar shpjegime. Unë vijova edhe më tej, duke i treguar se ç’kuptoja me ekzistencë sipas pyetjes që më bëri, duke i thënë se për shembull mund të kishin njerëzit makina, të kishin më shumë të ardhura, të ishin të lirë. Se kur ndërtoheshin pallatet e reja, duhet t’i merrnin të pastrehët e jo të zhvendoseshin për më mirë disa të strehuar. Më ka thirrur disa herë edhe Fadil Paçrami për këtë gjë e, me humanizmin e tij, më ka ofruar edhe shtëpi. Me dhënien e shtëpisë, pas kësaj bisede më ngritën edhe rrogën me 2 mijë lekë. Pas kësaj situate që ishte çudi të mbyllej kaq mirë, u dha urdhër që të më bëhej gjyq. E nëse bëhej gjyqi, të shkundin mirë. U hap dosja ime dhe u pa që im atë kishte qenë në burg, kjo është armë në dorën e tyre. Morën vendim që të mos ikja nga biblioteka, ama të rikthehesha në kushtet e mëparshme.
Deri këtu ngjarja vazhdon të jetë në favorin tuaj.
Nuk shpëtoje lehtë asokohe, qoftë edhe vetëm për atë shkrim. Historia ende nuk ka filluar. Pas gjyqit nisën presionet që bënte shoqëria brenda dhe jashtë. Poezitë që kisha krijuar për Enver Hoxhën, kishin bërë punën e tyre. Ndjekja ishte një gjë që nuk mund ta duroja, kështu që kërkova largimin nga biblioteka. Më thirrën sërish për punën e poezive. Këtë herë Tefik Çaushi më tha “Shoku yt është Enveri, që i shkruan poezi ti, duke iu drejtuar ashtu?”.
Po në fakt ju ku e gjenit guximin të shkruanit kundër tij, kush ishit ju për të ndryshuar botën?
Tani i gjykoj gjërat ndryshe, edhe më vonë i kam gjykuar ndryshe. Atëherë mendoja vërtet se do ndryshoja vendin apo së paku do isha ndikim për përmirësimin e kushteve të jetesës. Ishte e gjitha mungesë njohurish, mungesë përvoje me jetën. Kam pasur mbibesim në vete. Kur shkruaja, nuk mendoja t’i bija njërit apo tjetrit, ishin shkrime që shkruheshin me dëshirën se do të më mirëkuptonin dhe disa dukuri mund të zhdukeshin.
U larguat nga biblioteka?
Po u largova dhe shkova në Korçë, te të afërmit. Një dajë e kisha në Amerikë, xhaxhai gjithashtu kishte qenë atje si emigrant ekonomik. Mendova të shkoja në Korçë për të biseduar me të e për të parë mundësinë se si mund të ikja vetë. Bisedova me xhaxhain dhe ia shpreha këtë dëshirë. Të vetmet fjalë që më tha, ishin “Bëre gabim që ma the mua këtë”. Tani i vlerësoj fjalët e tij, madje nuk duhet t’ia thosha as atij e as vetes këtë gjë. Në Korçë vura re që isha gjithnjë nën vëzhgim, për çfarëdo lëvizjeje që bëja. Dëshirën për t’u larguar ia thashë edhe një mikeshe, e cila nuk e mbajti vetëm për vete. Të gjitha këto bënë që të shihesha ndryshe e që të më shtohej ndërkaq urrejtja. Mendoja vetëm si mund të ikja. U riktheva në Tiranë. Sinjalizimet kishin mbërritur si nga xhaxhai, si nga shoqja, kështu që sapo u ktheva, më vijnë e më marrin në shtëpi. U arrestova. Më priste jashtë një veturë e prokurorisë bashkë me hetuesit, të cilët më çuan në burgun e vjetër.
Kjo ishte e drejta e kohës, po shkonit kundër rrymës. Ç’ndodhi pas arrestimit?
Më kërkuan shpjegime për gjithçka kish ndodhur deri atëkohë. Kishte ardhur një lord anglez asokohe, të cilit i kishin rënë në dorë poezitë e mia dhe kërkonte të më gjente. Kërkesën e tij ata e interpretuan sikur isha e infiltruar.
Ju jeni akuzuar vazhdimisht, edhe më vonë për këtë gjë…
Po, por prova nuk kishin, kështu që akuza u rrëzua. Mora vetëm dënimin për “agjitacion e propagandë” dhe “tentativë arratisjeje”. Më dënuan me 10 vjet, prej nga bëra 4 vite e një muaj.
Keni qenë vetëm 28 vjeç pas daljes, kishit të gjithë kohën për të rikuperuar gjërat…
E thënë duket e thjeshtë. Pas daljes si e rehabilituar, tentova të punësohesha, por mos harroni që lufta e klasave vazhdonte. Punë s’më jepnin, ndërkohë që unë vazhdoja me letrat e telegramet e mia drejtuar ministrive, derisa më sistemuan si punëtore magazine. Një vit më vonë u martova.
Pra, po dilte dielli?
Jo, po ikte njëherë e mirë. Martesa ka qenë burgu im më i rrezikshëm, sepse ndërsa unë e ndihmoja njeriun me të cilin rrija, vetë fundosesha. E në këtë pikë nuk gjykoj sistemin, por marrëdhënien që krijova. Im shoq ishte nga kosovarët e Fierit të internuar në Shtyllas. Isha futur në një familje që s’duhet të përkrahja. Në këtë kohë, situata e brendshme e rënduar po pasqyrohej edhe te poezitë. Por problemet ishin humane, jopolitike, pavarësisht se si u interpretuan. Megjithatë, gjendja në to ishte e errët. I pata dorëzuar ato poezi që nuk u botuan e as u gjendën më kurrë. Pale në ç’arkiv përfunduan.
Sërish rrezik në horizont?
Bëra një fletërrufe po atë kohë për pakënaqësitë në punë. Na merrnin dhe na largonin, sepse s’kishte bazë materiale pa na paguar pa dyshim. Pas fletërrufesë më arrestojnë për herë të dytë. Ka qenë viti ’80-të dhe kisha dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Kur kanë ardhur më kanë marrë djalin. Ka qenë 6 vjeç e më rrinte nga pas, kërkonte të vinte me mua. Burgu i dytë më ka dëmtuar shumë në drejtim të fëmijëve, sepse im shoq më pas i brumosi me urrejtje ndaj meje.
Por jo vetëm për këtë arsye burgu i dytë ka qenë më i rëndë… probleme të tjera u shfaqën apo jo?
E keni fjalën për ekspertizën mjekësore. Po, më çuan në spitalin e burgut pa shfaqur asnjë ankesë. E kisha nga im shoq këtë nder. Pasi kërkova që fëmijët t’i merrte shteti, të mos rrinin me të, ishte ankuar në Komitetin Qendror se isha e sëmurë mendore. Më çuan më pas te 7-ta. Doktorët më pyesnin se nga e kisha frymëzimin e poezive e të tjera si këto. Më dërguan më pas në Elbasan, më vunë në kurë, edhe pse vazhdimisht doktorit i thosha se nuk kisha gjë. Kam ndenjur 2 vjet në spital, duke kaluar peripeci që po jua kursej t’i dëgjoni. Në ’81-shin dola prej andej.
Në të gjitha këto, ju keni kontribuar edhe vetë, e keni dëmtuar padashur veten…
Po kush të ma thoshte këtë atëherë? Sepse tani them ç’më duhej mua me ato probleme, pse unë do t’i zgjidhja?! Por tani s’ka më vlerë. Ku shkuat pas daljes nga spitali, sepse marrëdhëniet me burrin i kishit prishur apo jo? Marrëdhëniet ishin më shumë se të këqija, por në shtëpi do shkoja gjithsesi. Fëmijët më ishin larguar. Për të më mbajtur larg tyre, im shoq vazhdonte të ankohej derisa ia arriti që të më shtronin sërish në spital në Vlorë e në Tiranë.
Si dolët nga kjo situatë?
Kush tha që dola? Historia nuk ka mbaruar. Nga sjelljet e djalit, të këqija sa s’ka, për ta ndihmuar bëra kërkesë të shkonte në shkollën e rehabilitimit. Me gjithë urrejtjen që tregoi, arriti ta mbarojë shkollën e të përmirësohet. U regjistrua më pas në shkollën “Skënderbej”, ku nuk trajtohej mirë, e dënonin pa arsye. Ndërkaq, as unë jashtë nuk isha më mirë. Shkoj e takoj një ditë dhe i paraqes sërish variantin për t’u arratisur. I thashë se do merresha vetë me vëzhgimin e situatës dhe, kur t’i çoj telegramin “mami është sëmurë”, të vijë të më takojë e të ikim. Ashtu bëra, shkova në fushën e Demostenit, pashë që mundësitë ishin dhe i bëj telegram djalit. Vajza nuk pranoi të vijë dhe vazhdoi të qëndrojë në shkollë, në konvikt. E lashë me mendimin që kur të mbërrija në Amerikë, ta merrja.
Ia dolët të arratiseni?
E nisëm udhëtimin duke ndenjur tri net e tri ditë në Qafë-Thanë, për të pritur momentin e përshtatshëm që të hynim. Pas tri netëve u bë një mjegull që na ndihmoi për të ecur më tej. Kufiri ishte me tela me gjemba, kështu që gërmuam nga poshtë me thika e gërshërë që kishim marrë. Hapëm gropën, aq sa të mund të hynim njëri pas tjetrit. Qëndruam në një gëmushë me mendimin për të ndenjur, por dëgjojmë rojet që thonë se kanë shkelur kufirin dhe u larguam menjëherë. Hymë në pyll, pa ditur se ku shkonim, derisa dolëm në rrugë. Atë kohë kam marrë djalin për dore dhe i kam thënë të mos e kthejë më kokën pas. Kaluam kufirin maqedonas dhe ecëm derisa mbërritëm në Strugë. Nuk zgjati shumë gëzimi, sepse aty na kapi policia për shkelje kufiri.
Ky është burgu i tretë?
Jo, atë as e quaj burg. Ku kisha parë unë burg me dyshek e çarçafë, shtriheshim përtokë mbi ndonjë rrobë. Për më tepër që nuk na mbajtën gjatë. Çështja u shqyrtua menjëherë dhe, pasi morën vesh situatën, na kërkuan që të rrinim aty, duke na ofruar edhe shtëpi e gjithçka. Vetëm se duhet të dilnim në televizion për ta bërë publike këtë gjë. Kërkonin të bënin propagandë për ikjen time. Nuk e pranova, sepse kisha frikë për vajzën që kisha lënë këtu. Për më tepër që isha nisur për Amerikë. Tingëllon pak e çuditshme gjithë kjo mirëpritje, ndërkohë që ju jeni akuzuar si bashkëpunëtore me Jugosllavinë. Kaq ka qenë marrëdhënia ime me ta. Nëse unë do kisha pranuar, do ishte ndryshe.
Ju lanë të iknit?
Po, të nesërmen na dërguan në Beograd dhe më kujtohet që ka qenë shumë e bukur përcjellja e shqiptarëve të Maqedonisë. Na përshëndesnin të gjithë. Kur jam kthyer, kam marrë vesh nga miq të mi në ATSH se këtej merrej vesh çdo lëvizje jona. Në Beograd na çuan në një pikë grumbullimi, ku kishte refugjatë nga e gjithë bota. Ishte e çuditshme që nga njëra anë shihnim tanke që do sulmonin Kosovën, ndërsa ne na prisnim me humanizëm. Po në fakt, ky ishte favor i OKB-së. Kemi ndenjur aty për dy stinë, ndërkohë që na vunë në kontakt me Ambasadën Amerikane dhe nisëm procedurat e dokumenteve për të ikur.
Ia dolët më në fund?
Jo. Asnjëherë nuk ia dola. Së pari sepse pata përjetime të ndryshme në kohën e intervistës. Në televizion po shihnim që situata në Shqipëri po ndryshonte, kishte rënë busti, drita kishte filluar të dukej, kështu që pata ndjesinë të përmbys të gjitha e të kthehem. Ndërkohë që po këtë kohë mësova se im bir, gjithnjë që pas shkollës së edukimit, kishte qenë nën vëzhgim dhe në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit. Prandaj edhe të gjitha lëvizjet tona ishin marrë vesh. Megjithatë, më paralajmëroi se po të kthehesha në Shqipëri, do më trajtonin edhe më keq se më parë. Megjithatë u ktheva. Djalit nuk i thashë, ika vetëm, në këmbë deri në Kosovë. Aty më ndihmon një shofer mauneje që më solli deri në Dibër të Madhe.
Ju kapën pa dyshim?
Sigurisht, sapo mbërrita në kufirin shqiptar më ndaluan e më thanë se kishin kohë që po më ndiqnin. Më akuzuan sërish si agjente dhe më futën në burg. Prej aty sërish në spitalin e burgut e në atë të Elbasanit. Kjo histori vazhdoi deri në vitin ’91.
Prej asokohe keni jetuar kështu, në këto kushte?
Po, kur dola, vajta për pak kohë te vajza, po pastaj më dhanë këtë dhomë këtu dhe ndenja vetëm, isha më mirë sesa të pengoja të tjerët.
Po me djalin ç’u bë?
Që prej Beogradit nuk e takova më. Vite më vonë e kam takuar me raste, por nuk kemi pasur marrëdhënie të mira. Me vajzën shihemi, atë isha duke pritur përpara se të vinit ju.
ANI JAUPAJ

No comments: