Thursday, May 19, 2011

Partia Egjiptiane “El Gad” njeh zyrtarisht Shtetin e Kosovës


Lideri i partisë “El Gad” (Partia e së nesërmes), Dr. Ejmen Nur, priti në një takim kortezie, Prof. Dr. Beqir Ismailin, i cili i shprehu Dr. Nur-it, urimet më të mira për Revolucionin e 25 janarit 2011, për lirinë, pas një periudhe të gjatë diktature.

Prof. Ismaili e njohu gjerësisht Dr. Nur-in me çështjen e Kosovës si dhe i paraqiti një mori dokumentash dhe faktesh, mbi të vërtetën e Kosovës dhe popullit të saj. Ai kërkoi që qeveria e Revolucionit të shqyrtojë sa më shpejt çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe citoi se populli martir i Kosovës e meriton lirinë e arritur me gjakun dhe sakrificat e bijve më të mirë të saj. “Lidhjet mes dy popujve tanë janë shumë të vjetra- vazhdoi Prof. Ismaili - ato kthehen pas në historinë e Egjiptit. Ne nuk mund ta harrojmë shqiptarin Muhamed Ali Pasha që formoi Egjiptin e ri. Tashmë ka ardhur koha e Egjiptit të njohë Kosovën”.

Dr. Ejmen Nur, dëgjoi me vëmendje të gjitha faktet dhe pa me interes të gjitha dokumentat historike që Prof. Ismaili shpalosi para tij. Ai e falenderoi Prof. Ismailin për vizitën dhe shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim. “Është kënaqësi-tha ai- të takohesh me një intelektual dhe politikan si Prof.Ismaili”. Më pas ai theksoi se e kishte përcjellë kontributin e Prof. Dr.Ismailit dhe kishte lexuar disa nga librat dhe shkrimet e tij që nga fillimi i viteve 90-të e në vazhdim. “Veçanërisht përshtypje më kanë bërë libra të tillë si "Çlirimi i Kosovës është çështje e domosdoshme", "Në masakrën e re njerëzore", "Deri kur do të qëndrojë Kosova?", " Kosova, popull i martirizuar", etj. –vazhdoi Nur në komentin e tij- dhe ndihem shumë i kënaqur që u takuam Prof. Ismaili”.

Në shenjë mirënjohje për kontributin politik dhe intelektual të Prof. Dr. Beqir Ismailit, për paqen dhe vëllazërimin e popujve, Dr. Ejmen Nur-i i dorëzoi Prof. Ismailit një dekoratë të Partisë Egjiptiane të së Nesërmes (El Gad).

Duke iu kthyer çështjes së Kosovës, Lideri i Partisë “El Gad” Dr. Ejmen Nur, tha se do të japë kontributin e tij personal, si Lider i Partisë, në këtë çështje. Ai premtoi që në takimin e radhës së Kryesisë së Partisë do t'ia paraqesë propozimin e tij Kryetarit të Këshillit të Forcave të Armatosura dhe Kryeministrit, me kërkesën për njohjen sa më shpejt të Kosovës nga Egjipti. Ai deklaroi se nëse kërkesa e Partisë së tij nuk do të merrej në konsideratë deri në zgjedhjet Parlamentare, nga organet aktuale Egjiptiane, nëse ai fiton postin e Presidentit të Republikës, do të deklarojë menjëherë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast ai paraqiti një deklaratë me shkrim.

05.2011

Deklaratë


Me rastin e takimit me Shkëlqesinë e Tij Prof. Dr. Beqir Ismailin dhe në bazë të parimeve të partisë “El Ghad” për lirinë dhe vetëvendosjen e kombeve, Partia “El Gad” njeh zyrtarisht shtetin e Kosovës, duke shpresuar në lehtësimin e përbashkët të rrugës së bashkëpunimit mes dy popujve, atij të Kosovës dhe Egjiptit.

Me këtë njohje, “El Gad” i kërkon Kryeministrit Prof. Dr. Asam Sheref, si dhe Zv.Kryeministrit Prof. Dr. Jahja El Xhemel, që sa më shpejt t’a njohin shtetin e sapoformuar të Kosovës, duke ndjekur rrugën e 75 shteteve të tjera, nga bashkësia ndërkombëtare.


“El Gad” shpreh përkrahjen e saj të plotë për Kosovën dhe Qeverinë e saj të sapo zgjedhur, Kryeministrin Hashim Thaçi, Presidenten Atifete Jahjaga dhe kreun e Parlamentit Dr. Jakup Krasniqin, në përpjekjet e tyre drejt arritjes së paqes, drejtësisë dhe lirisë për popullin e Kosovës.

Lideri i partisë “El Gad” (e Nesërmja)

Dr. Ejmen Nur


Dr. Ejmen Nur-i është kandidat për zgjedhjet presidenciale 2011. Ai është një politikan liberal me profesionin avokat, i cili kandidoi për presidencë në vitin 2005 përballë Mubarakut, por që ky kandidim dhe deklaratat e ashpra kundër ish Presidentit Mubarak, i kushtuan dëminim me 5 vite burg, nga të cilat vuajti 3 prej tyre.

Alba Press - Kairo

No comments: