Sunday, October 3, 2010

Tkurret grupi parlamentar socialist, Vangjel Tavo shpall divorcin me PS-në

Tkurret grupi parlamentar socialist, Vangjel Tavo shpall divorcin me PS-në

UPDATE- Deklarata e deputetit të Gjirokastrës: Verbëria e Edi Ramës, pranë tij vegjëlojnë njerëz pa kontribute, të lidhur përmes interesave personale


Dhimbjet e kokës për Edi Ramën duket se janë të pashmangshme, tashmë kur grupi parlamentar socialist në harkun kohor të pak muajve ka humbur dy deputetë, krahas 5 të tjerëcve të njohur si kritikë dhe që nga momenti në moment mund të konsiderohen si të padëshiruarit e kryetarit. Fillimisht ishte Shpëtim Idrizi ai që vendosi të largohet përfundimisht nga PS, duke zgjedhur të kontribuojë për komunitetin Çam (PDU), por nuk munguan kritikat në drejtim të kryetarit të PS-së, për favorizim klanesh pranë tij në PS dhe mbrojtjen e njerëzve me të cilët kishte lidhje interesi të shtyra nga bizneset e përbashkëta, kryesisht në fushën e ndërtimit.


Të njëjtin qëndrim shprehu sot deputeti Vangjel Tavo, i cili përmes një konference për shtyp njoftoi publikisht largimin e tij nga grupi parlamentar socialist në shenjë proteste ndaj mënyrës së drejtimit të PS-së dhe kataplimin e saj nga përfaqësues interesaxhinjsh, intrigantë dhe servilë të kryetarit, Edi Rama. “Verbëria e lidershipit cenon Partinë Socialiste dhe interesat e elektoratit. Ndaj, vendos të bëj publike pavarësinë time nga grupi parlamentar socialist”. Kështu u shpreh deputeti Tavo, duke shpallur largimin e tij nga grupi parlamentar i PS-së. Ai e konsideroi si të detyruar vendimin për t’u larguar, pasi sipas tij në PS vigjëlojnë njerëz pa kontribute dhe një palë maskarenjsh të shtyrë nga interesat personale, të cilat i përfitojnë duke qenë pranë kryetarit dhe duke i dërguar atij SMS intriguese për socialistët e vërtetë dhe me kontribute historike për gjatë 2 dekadave. “Distancohem plotësisht nga lidershipi aktual i PS-së. Më duhet të theksoj se largimi im është i detyruar nga rrethanat e Partisë Socialiste. Pranë lidershipit të PS-së janë njerëz intrigantë, të cilët mbrojnë interesat e tyre personale pasi s’kanë asnjë lidhje me këtë forcë politike. Edi Rama nuk mbron interesat e Partisë Socialistëve dhe socialistëve të ndershëm. Mesa duket sot është koha e disa maskarenjve që nuk kanë asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë, të cilët i kanë zënë frymën Partisë Socialiste dhe që përpiqen ta mbajnë peng këtë parti, vetëm për interesat e tyre të ngushta. Duke mos dashur të mos bëhem pjesë e kësaj maskarade, nga pamundësia që të bashkëjetoj në të njëjtën familje me këta, detyrohem të marr këtë vendim duke qëndruar në Kuvendin e Shqipërisë, i vendosur për të mbrojtur deri në fund interesat e elektoratit tim. Respekt dhe mirënjohje të thellë për të gjithë socialistët e Gjirokastrës!”- u shpreh Tavo.


Kësisoj, nëse mendojmë se edhe 5 deputetët e LMN-së janë thuajse të përjashtuar apo, apo pranë një vendimi për t’u larguar përfundimisht dhe për të shpallur pavarësinë nga Rama, Partia Socialiste humbet 7 deputetë brenda një viti nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme.

No comments: