Pati një vakuum pushteti kur shteti sovjetik u shpërbë dhe Partia Komuniste u shkri. KGB-ja qe institucioni i vetëm i epokës sovjetike që mbijetoi
Shlomo Avineri
Kur ra pluhuri mbi gërmadhën sovjetike, qe e qartë se zhvillimet postkomuniste qenë tejet laramane. Edhe pse pikënisja qe e ngjashme (një diktaturë parti - shtet me ekonomi të planifikuar), vendet shpejt zhvilluan karakteristika të ndryshme. Analistët donin nuanca. Dy tipologji bazë u shfaqën (me variacione të ndërmjetme). Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke zhvilluan sisteme multipartiake robuste dhe i transformuan me sukses ekonomitë e tyre. Në kontrast me to, Rusia pati probleme serioze me ndryshimin politik, ashtu si dhe me atë ekonomik. Boris Yeltsin e çmontoi sistemin sovjetik, por prodhoi diçka të afërt me anarkinë. Pushteti shtetëror u duk sikur u shpërbë në feude rajonale kuazirajonale, të kryesuar nga një qeveri qendrore jokompetente.
Privatizimi qe i egër dhe i korruptuar, duke krijuar oligarkë plaçkitës të cilët, me bekimin e Kremlinit, i dhanë vetes dhe bashkëpunëtorëve të tyre nivelet e larta komanduese të ekonomisë ruse. Edhe Ukraina u zhyt në një moçal korrupsioni. Rusia dhe Bullgaria u lëkundën diku në mes. Shtetet balltike proceduan me ngadalë drejt modelit të Vishegradit. Asnjë prej ish republikave sovjetike të Azisë Qëndrore nuk treguan shenja të transformimit real demokratik dhe panorama qe e përzier në tri republikat transkaukaziane. Jugosllavia u zhyt në luftëra nacionaliste, duke ringjallur armiqësitë etnikë parakomuniste.
Natyrshëm, një model nuk u përshtatet të gjitha vendeve dhe përgjegjësia për pabarazitë u bë subjekti i argumentit politik dhe teorik. Gjithashtu, u bë e qartë se kritere thjesht sasiorë (shkallë industrializimi, nivele krahasuese urbanizimi apo GDP-je për frymë), nuk mund t'i shpjegojnë të vetme diferencat. Në këtë etapë, trashëgimitë historike u duk t'u huazonin koherencë ndryshimeve postkomuniste. Vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore u detyruan me forcë në modelet sovjetike pas Luftës së Dytë Botërore, por ato kishin histori dhe tradita të ndryshme të tyre që nuk u zhdukën. Në vitet '90-të u bë e qartë se drejtimet në ndryshimin postkomunist varej në mënyrë të konsiderueshme në elementët e shoqërisë civile, pluralizmit, institucioneve të pavarura, ekonomisë së tregut dhe tolerancës që rridhnin nga kohërat parakomuniste. A ekziston një e "kaluar e përdorshme" institucionalisht dhe simbolikisht? Në këtë etapë u bë e qartë se historitë para 1939 të Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke siguronin instrumenta të rëndësishëm për zhvillimet e tyre pas 1989. Për shembull, Çekosllovakia ishte një republikë demokratike shekullare përpara Luftës së Dytë Botërore dhe për një periudhë të shkurtër më pas. Ajo kishte një sistem multipartiak aktiv, jetë parlamentare, shtyp të lirë, tolerancë fetare dhe një traditë disa shekullore institucionesh përfaqësuese, pavarësisht karakterit feudal, i lidhur me autonominë vendore dhe lirinë akademike, ashtu si dhe një ekonomi tregu të zhvilluar.
Historitë polake dhe hungareze qenë më të komplikuara, por të dyja vendet gëzonin forma sistemesh përfaqësuese dhe qeveri të kufizuar. Edhe pse politikat polake dhe hungareze qenë thelbësisht autoritare përpara Luftës së Dytë Botërore, një mbeturinë e jetës parlamentare mbijetoi. Edhe pse nuk qenë të industrializuara si Çekosllovakia, Polonia dhe Hungaria pësuan modernizim të konsiderueshëm ekonomik, posedonin një fshatarësi tejet të pavarur politikisht të organizuar dhe gëzonin tradita akademike sipas një modeli europiano-perëndimor. Pavarësisht diferencave të dukshme midis të tri vendeve, ato pas komunizmit mund të pretendonin se po "ringjallnin" institucione dhe tradita të hershme. Pati bile disa veteranë politikë që arritën t'i mbijetojnë nazizmit dhe komunizmit.
Me pak fjalë, ekzistonin modele historike mbi të cilat një ngrehinë postkomuniste mund të ngrihej dhe legjitimizohej, nganjëherë me krenari të ekzagjeruar. Në rastin polak, autonomia relative e Kishës nën komunizmin ndihmoi të krijohej infrastruktura e një shoqërie civile. Një faktor tjetër qe trashëgia e revoltave në vitet 1956 dhe 1968. Pasi rebelimet u shtypën në mënyrë tejet të dhunshme, regjimet më pas u zbutën dhe lejuan një sasi minimale hapësire të lirë, ekonomikisht dhe intelektualisht. Këto elementë në pjesën më të madhe mungonin në Rusi. Përpara marrjesh së pushtetit nga bolshevikët më 1917 ekzistonin shumë pak elementë të shoqërisë civile. Kjo qe një arsye për dështimin në vendosjen e një regjimi liberal kushtetues midis shkurtit (kur Cari u përmbys) dhe tetorit 1917.
Vendi sundohej nga lart - burokratikishtm autokratikisht, hierarkish; kisha ortodokse qe e nënshtruar ndaj shtetit, minoritetet fetare dhe kombëtare përballonin shtypje konstante; sistemi universitar ishte i nënshtruar ndaj shtetit. Komunizmi sovjetik, aq i ndryshëm nga shpirti emancipues i marksizmit (i ngulitur në traditat e Iluminizmit) qe një tjetër shtresë shtypjeje e vendosur mbi një shoqëri të skllavëruar. Kështu, pavarësisht disa kundërshtimeve kurajoze, reforma sovjetike filloi nga lart siç e vërejtëm. Ndërsa polakët, hungarezët dhe çekët mund të shihnin prapa dhe të përpiqeshin të imitonin një trashëgimi parakomuniste reale (ose imagjinare), rusët nuk mund të vepronin kështu. Deri modeli historik i modernizimit i lidhur me Pjetrin e Madhe qe autoritar. Ai u konceptua si një ndërtim shteti nga lart, jo demokratizim apo liberalizim. Kur sistemi ra, Rusia e gjeti veten në një vakuum. Ndërmjetësimi i institucioneve të shoqërisë civile mungonte. Por individë në Moskë dhe Shën Petërsburg mund të flisnin për modelim të Rusisë së Re sipas Xhon Lokut, Dokumentave Federaliste apo rikuperonin shkrimet e Herzen dhe Belinsky, por nuk kishte institucione apo kujtime institucionale popullore për të shërbyer si mjete legjitimizuese. Asnjë parti politike reale nuk doli për zgjedhje presidenciale apo të Dumës - vetëm lista të përqendruara tek personalitetet. Përjashtimi i vetëm është Partia Komuniste e pareformuar, e cila arriti të ruajë një pjesë nga anëtarësia e saj.
Futet Putini
Ky është momenti ku Vladimir Putin futet në skenë, duke kërkuar të shpëtojë Rusinë nga kaosi dhe varfërimi masiv i epokës Yeltsin. Putin rivendosi autoritetin qëndror, kufizoi liderët rajonalë, u vuri një ndal hajdutërisë së oligarkëve ekonomikë, transformoi Dumën nga një klub debatues i korruptuar në një krah të ekzekutivit dhe përdori taktika të ndryshme represive, disa prej të cilave remineshente të kohërave cariste dhe sovjetike (për shembull, kufizim të lirisë së shtypit). Rritja e çmimeve të naftës e ndihmuan atë të rivendoste rolin e Rusisë në arenën ndërkombëtare. "Autoritarizmi me Fytyrë Njeriu" i tij ka gëzuar popullaritet të madh, sidomos qysh kur "demokracia" barazohet me rrëmujën e sundimit të Yeltsin. Origjina nga KGB-ja e Putinit nuk duhet keqkuptuar. Pati një vakuum pushteti kur shteti sovjetik u shpërbë dhe Partia Komuniste u shkri. KGB-ja qe institucioni i vetëm i epokës sovjetike që mbijetoi. Ekzistonte një logjikë e brendshme në përdorimin e ish njerëzve të KGB-së për pozicione kyç të stafit nga ana e Putinit. Në epokën sovjetike, burokracia shetërore qe e dobët krahasuar me burokracinë partiake. Tani, vetëm KGB-ja mbeti (pak a shumë) e paprekur, sëbashku me kujtimin simbolik të Pjetrit të Madh.
Farsa e fundit kuaziinstitucionale në të cilën Putin në dukje respekton ndalimin dy mandatësh të pushtetit presidencial, megjithatë virtualisht emëron pasuesin e tij dhe më pas vazhdon si kryeministër - dhe e gjitha kjo pa kundërshtim apo mospranin të brendshëm efektiv - të lë të kuptosh sesa thellë të ingranuara vazhdojnë të ekzistojnë traditat e sundimit autokratik, nganjëherë të shoqëruara nga një formalizëm falls remineshent i ligjshmërisë socialiste. Në kontrast, Ukrainës i mungon një traditë koherente shtetërore, por kultura politike e saj përmban elementë voluntaristë, në mos anarkikë, në trashëgiminë kozake të saj. Kjo është një arsye se pse një sistem neoautoritar i centralizuar, si ai i Putinit, nuk ka gjasa të evoluojë atje. Disa komentatorë mund ta kundërshtojnë këtë vëzhgim si shumë historicistë, por anashkalimi i kësaj trashëgimie do të na linte pa një shpjegim për rrugët shumë të ndryshme të ndërmarra nga Rusia dhe Ukraina, pavarësisht një të kaluare në dukje të përbashkët, megjithëse duket se asnjëra prej tyre nuk do të konsolidohet në demokraci.
No comments:
Post a Comment