Sunday, August 24, 2008



Interviste me Prof. Dr. ESMERALDA URUÇIN




Prof. Dr. ESMERALDA URUÇI

Pedagoge e Ekonomikut në Shkodër dhe Tiranë

Kryetare e LSI, Dega Shkodër



“Të jesh jashtë politikës do të thotë të jesh jashtë fushë- betejës ku përcaktohet fati dhe ardhmëria e një vendi dhe vecanërisht fati dhe ardhmëria e gruas”





- Pozicioni më i ri i Esmeraldës, është ai i zv/kryetares së Këshillit Bashkiak Shkodër. Ndërkaq është pedagoge e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, si dhe në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Është kryetare e LSI për Shkodrën dhe Kryetare e Bordit të Guvernatorëve SOS të Shqipërisë. Ka lindur më 27 mars 1961. Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Është diplomuar për Ekonomik dhe për Juridik në Universitetin e Shkodrës. Dihet se përkatësia e saj politike është LSI, si dhe që e ka hobi politikën, ashtu si edhe udhëtimet, muzikën, filmat dhe notin.



Znj. Esmeralda, si ka qenë fëmijëria juaj? Ku jeni shkolluar?


Si shumë të tjerë edhe unë ruaj kujtime pa fund nga fëmijëria ime. Kam luajtur si të gjithë fëmijët, kam dëgjuar përralla nga gjyshja ime dhe kam recituar. Jam rritur mirë, pa mungesa dhe nën kujdesin e vazhdueshëm të prindërve. Gjënë më të shtrenjtë kam patur gjyshen, Meleqen. Ajo grua e mënçur dhe gojëmbël ka lënë shumë gjurmë tek unë. Këshillat e saj të vyera nuk i kam harruar kurrë e jam përpjekur t’i zbatoj gjatë jetës. Ajo dhe vetëm ajo dinte ta prekte zemrën time dhe unë gjithmonë kam qenë kureshtare për bisedat e saj. Ajo e nderonte dhe e çmonte shume bashkëshortin e vet, dhe i shërbeu atij me shumë përkushtim. Dhe ai, gjysh Hasani, i meritonte të gjitha. Rreth 80 vjet më parë ai kishte futur në familje elementët më të reja të kohës. Shtëpia e tij kishte energji elektrike, radio “Morelli”, telefon, veturë “Lancia”, një lulishte të bukur, e cila e zbukuronte shtëpinë karakteristike me dy kate. Të gjithë fëmijëve u bleu dhe u mësoi përdorimin e shumë veglave muzikore. Shtëpia e asaj kohe kishte ngrohjen qendrore me kalorifer dhe banjot moderne. Sot këto paisje janë të zakonshme, por përpara 80 vjetësh ishin elementë shumë progresivë. Të gjitha këto që unë i pashë kohë më parë, në vogëlinë time, rritën tek unë ndjesitë për një jetë më të mirë. Babai dhe nëna më kanë dashur shumë dhe më kanë qëndruar gjithnjë pranë. Nga babai kam trashëguar ambicien për të ecur përpara dhe vullnetin e jashtëzakonshëm në punë. Ai ka qenë model në jetën time.

Babai im, Fehmi Gokaj ka shkruar edhe kujtime nga fëmijëria ime. Kur i kam lexuar për herë të parë jam prekur shumë dhe kam qarë. Dëshiroj që në të ardhmen këto kujtime t’i botoj.

Nga fëmijëria nuk harroj edhe udhëtimet e shumta që kam bërë në fshatrat e rrethit të Shkodrës si dhe në shumë rrethe të vendit, ku babai shkonte për arsye pune. Kështu, pata mundësinë që në moshë të re të njihja thuajse pëllëmbë për pëllëmbë Shkodrën, të vizitoja Tiranën, Durrësin, Lezhën, Elbasanin.

Me ndikim të veçantë në formimin tim shpirtëror janë tiparet e nënës, Xhevahire. Kujdesi i saj për fëmijët e familjen, ndjeshmëria e lartë dhe ndershmëria janë tipare që kanë lënë gjurmë tek unë si nënë dhe si bashkëshorte.

Edhe tezja, Havaja, ka qenë gjatë gjithë periudhës së fëmijërisë, edukatorja ime. Me profesionin e mësueses, ajo më ka mësuar shumë gjëra, më ka mbajtur pranë dhe gjithashtu më ka kritikuar pa pushim.

Vërejtjet që më bënte, megjithëse i kam pritur me bezdi kanë zënë vend tek unë dhe më kanë ndihmuar që të përmirësohem e të bëhem gjithnjë e më kërkuese ndaj vetes.
Librin e kam dashur shumë. Kujtoj si sot punën që kam bërë si fëmijë në Bibliotekën e qytetit. U ndaja librat fëmijëve që vinin në sallën e leximit si dhe sistemoja skedat. Edhe sot kujtoj me shumë emocion konkurset e “Mikut të Vogël të Librit“. Ata distinktivë të vegjël që na jepnin në atë kohë ne i mbanim me shumë krenari. Ato kanë ndikuar që ne të lexojmë sa më shumë libra, disa prej të cilëve i mbaj mend edhe sot. „Piciruku“, „Përrallat e La Fontenit“, “ Pinoku“, „Një mijë e një netë“… e kanë zbukuruar fëmijërinë time.

Një ndikim të madh tek unë ka patur edhe biblioteka e dajës, Jup Kastrati. Në pragun e rinisë unë nisa ta frekuentoj e të lexoj shumë libra, të cilat biblioteka e qytetit asokohe nuk i kishte. Kujtime të bukura nga fëmijëria më kanë lënë edhe netët e gjata të dimrit si dhe festat që ne bënim tek shtëpia e vjetër. Gjyshi Hamdija dhe nana Sanije më kanë dashur shumë. Edhe sot pas kaq vitesh që nuk janë më, unë i kujtoj me mall e nuk i kam harruar.




-SI filluan mësimet tuaja të para?

Në klasën e parë fillore jam ulur në bangot e shkollës “Xheladin Fishta”. Atë ditë të bukur nuk e kam harruar. Me një përparëse të zezë me jakë të bardhë e me një tufë me trëndafila në dorë u rreshtova ashtu si dhjetëra fëmijë të tjerë. Isha e gëzuar dhe prisja me padurim të hyja në klasë. Mësuesen e parë, Antigoni Deda e kujtoj me respekt. Më pas kam vazhduar 8 vjecaren në shkollën “7 Nëntori” si dhe gjimnazin “29 Nëntori”, me rezultate të shkëlqyera, për të cilin ndjehem krenare edhe sot. Ajo shkollë ku kanë studiuar e dhënë mësim personalitete të arsimit e të kulturës tonë kombëtare ka ndikuar në formimin tim të gjithanshëm. Më pas vazhdova studimet e larta në Universitetin e Tiranës. Jam diplomuar në fushën e

Ekonomisë dhe të Jurisprudencës me rezultate të larta. Puna në universitet më pas më krijoi mundësi që të specializohem në shumë universitete brenda dhe jashtë vendit. Kam patur fatin të kryej studime pasuniversitare në disa universitete të Evropës dhe të SHBA-së.

Rrjedhojë e punës time të vazhdueshme janë edhe titujt dhe gradat shkencore që mbaj sot.




- Po në jetën politike si jeni përfshirë? A ka qenë kjo e rastësishme apo e programuar? Çfarë ju ka motivuar të bëheni pjesë e saj dhe a keni gjetur atë që prisnit?

Pas mbarimit të Universitetit, fillova punën në disa shkolla të mesme dhe më pas në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, si pedagoge pranë këtij institucioni të rëndësishëm e më pas si dekane e Fakultetit të Ekonomisë. Pas punës 10 vjeçare në Universitet, kam hyrë në jetën politike të vendit në vitin 2000. Në atë kohë i jam përgjigjur me kurajo propozimit të PS për të kandiduar për Kryetare Bashkie në qytetin e Shkodrës. Objektivi i vetëm ka qenë të jap kontributin tim në përmirësimin e gjendjes së rëndë ekonomike e sociale të qytetit.

Kam qenë e mendimit sic jam edhe sot se hyrja e gruas në politikë i shërbën asaj dhe shoqërisë shqiptare. Politikën, shtetin dhe institucionet kryesore të vendit e kanë zënë për fyti burrat, të cilët ja kanë vështirësuar së tepërmi udhën grave për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes në Shqipëri. Jam e bindur se rritja e pjesëmarrjes së gruas në jetën politike do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes si dhe do të ulë situatën konfliktuale, e cila shpesh herë ka penguar zhvillimin e vendit.

Përsa i përket motivit për tu përfshirë në jetën politike mund të them se politika, kultura dhe ekonomia janë fusha shumë të rëndësishme ku gratë mund të japin kontributin e tyre si dhe mund të prezantojnë vlera dhe cilësi në shërbim të zhvillimit të shoqërisë.

Ndër këto fusha, ajo politike mbetet shumë specifike për gamën e gjërë të problemeve me të cilat është e lidhur si dhe për barrierat e mëdha që gruas i ka vënë përpara shoqëria maskiliste jo vetëm në Shqipëri.

Gratë sigurisht që kanë shumë motive për t’u përfshirë në politikë. Në radhë të parë është i njohur roli i rëndësishëm që politika luan në zhvillimin e një vendi. Gjithashtu, politika është një fushë e rëndësishme ku gratë mund të operojnë në mbrojtje të të drejtave të tyre. Nepërmjet politikave, programeve politike që qeveritë ndjekin varen shumë edhe rezultatet që shoqëria arrin në përpjekjet e saj për zhvillim. Të jesh jashtë politikës do të thotë të jesh jashtë fushë betejës ku përcaktohet fati dhe ardhmëria e një vendi dhe vecanërisht fati dhe ardhmëria e gruas. Edhe vetëm për këtë fakt është e domosdoshme pjesëmarrja e gruas në politikë. Të luftosh për fatin tënd është më shumë se një motiv për t’u angazhuar në jetën politike të vendit.





- A mund të bëni një përshkrim të shkurtër të aktivitetit tuaj?

Në vitin 1990 kam filluar punën në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Në periudhën 1998-2000 kam qenë

Dekane e Fakultetit të Ekonomisë të këtij universiteti. Gjatë gjithë jetës kudo ku kam punuar, jam përpjekur të kryej me korrektesë detyrat që kam patur. Asnjëherë nuk jam ndarë nga studimi e puna shkencore. Kam guxuar të marr pjesë që në moshë të re në disa veprimtari ku kam prezantuar punimet e mia modeste në fushën e ekonomisë. Në prezantimet e para, natyrisht kam patur shumë impresione. Fati ka dashur që në tribunat ku kam folur të kenë qenë prezent edhe personalitete të fushës së ekonomisë me të cilët kam biseduar për problemet e zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe asaj evropiane. Edhe në konferencën shkencore “Ndryshimet bashkëkohore teorike dhe praktike në Ekonomiks” të zhvilluar në Beograd në muajin shtator 2007 pata fatin të diskutoj edhe me ekonomistin dhe profesorin shumë të njohur Domeniko Mario Nuti. Ndër të tjera ne biseduam edhe për taksën e sheshtë, e cila së fundi po aplikohet në Shqipëri.

Ky ekonomist i famshëm u shpreh kundër dhe tekstualisht më tha: “taksa e sheshtë është për një ekonomi të sheshtë”.


Në planin shkencor jam autore dhe bashkëautore e disa teksteve universitare në ndihmë të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, ashtu dhe në ndihmë të komunitetit me interesa në fushën e ekonomisë si dhe e shumë artikujve e kumtesave shkencore në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.


Më pas, gjatë viteve 2000 - 2001 kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar në detyrën e Ministres së Kulturës, Rinisë e Sporteve. Ndjehem e kënaqur që gjatë kësaj periudhe pata mundësinë të jap kontributin tim në zhvillimin e kulturës e të sporteve edhe në qytetin e Shkodrës. Disa nga objektet më përfaqësuese të këtyre fushave në qytetin tim të lindjes janë realizuar në periudhën kur unë isha në këtë funksion.

Duhet thënë se hyrja në politikë e një gruaje intelektuale nga shoqëria civile dhe veçanërisht nga veriu i Shqipërisë mbetet një ngjarje e rrallë në jetën politike shqiptare.

Duhet të theksoj se ardhja në politikë nga shoqëria civile has në një sërë vështirësish. Si më kryesoren do të përmendja prezencën e lobingjeve pranë PS, të cilëve ardhja e individëve të rinj u prishte qetësinë dhe u rrezikonte postet dhe privilegjet.


Në vitet 2002-2005 kam punuar në Bankën e Shqipërisë si Drejtore e Marrëdhënieve Publike. Më pas kalova në profesionin e pedagoges në Fakultetet e Ekonomisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, si dhe në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tiranë.





- Cilat janë gjërat pozitive dhe negative në angazhimin tuaj? A keni hasur ndonjë vështirësi?

Kam marrë pjesë në disa gara elektorale ku kam qenë një nga përfaqësueset e spektrit të majtë politik në Shqipëri. Në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007 jam zgjedhur anëtare si dhe nënkryetare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ku përfaqësoj Lëvizjen Socialiste për Integrim. E reja në këto votime qëndron në faktin se të zgjidhesh në këtë funksion drejtues ka qenë i domosdoshëm edhe votimi nga forca të tjera politike jashtë spektrit të majtë, të cilat me këtë rast i falenderoj për besimin.

Gjithashtu, prezenca ime në politikë ka sjellë për herë të parë një model të ri. Në garën elektorale për bashkinë e Shkodrës në vitin 2000, unë nuk vija si militante partie, por si përfaqësuese e shoqërisë civile, duke sjellur para komunitetit interesa shumë më të gjëra se sa të forcës politike që përfaqësoja. Në atë kohë kjo ishte një risi, ndërsa sot është një gjë shumë normale.

Pjesëmarrja ime në garën elektorale të qytetit u karakterizua nga një formë e re e komunikimit me konkurentët si dhe me qytetarët e Shkodrës. Fushata ime ishte mjaft e kulturuar dhe vecanërisht e ekuilibruar. Në asnjë rast unë nuk kam shfaqur fyerje apo agresivitet ndaj kandidatëve të tjerë, të cilat më parë kishin qenë tipar dallues të fushatave të tjera politike. Gjithashtu, për herë të parë, unë paraqitja përpara popullit të Shkodrës një program perëndimor të zhvillimit ekonomik e kulturor të rajonit.

Personalitete politike, përfaqësuese në vendin tonë që ndoqën nga afër fushatën time si dhe lexuan programin tim elektoral dhanë vlerësime positive, të cilat u pasqyruan në emisionet mediatike të kohës.

Gjithashtu, kontributi im qe i rëndësishëm edhe për një fakt tjetër. Për herë të parë forcat e majta në Shkodër organizuan metingje politike në fushë të hapur me pjesëmarrje masive të anëtarëve, simpatizantëve e qytetarëve të Shkodrës.

Ajo që më ka impresionuar më shumë gjatë kësaj periudhe ka qenë rezultati shumë i lartë që arrita në këto votime. Megjithëse votat janë manipuluar kam arritur të marr
11600 vota, çka tregon për një vlerësim e konsideratë të lartë të familjeve shkodrane ndaj kandidaturës sime.

Edhe gjatë kohës që kam drejtuar dikasterin e kulturës, mendoj që kam sjellë risi në drejtimin e punëve dhe vecanërisht në realizimin e lidhjeve të drejtpërdrejta me komunitetin e artistëve dhe institucionet në varësi të kësaj ministrie. Si ekonomiste dhe juriste në të njëjtën kohë unë punova për përmirësimin e bilancit ekonomik të dikasterit si dhe të kuadrit ligjor në fushën e kulturës e të artit.




Pjesëmarrja në qeverinë shqiptare për mua mbetet një eksperiencë e rëndësishme me vlera pozitive, njëkohësisht e shoqëruar me pengesa e vështirësi, si dhe plot zhgënjime. Isha mësuar të punoja drejt tërë jetën time. Shumë vështirë e kam patur kur ngrija probleme delikate, duke e ditur se prekja edhe interesa të njerëzve me rëndësi në jetën politike të vendit.

Në kontaktet e mia me politikanë të kohës, shpeshherë edhe jam zhgënjyer. Ndryshe nga sa i kisha vlerësuar më parë, një pjesë e tyre janë hipokritë e kameleonë të shquar.
Shije të hidhur më ka lënë përfaqësimi në kabinetet qeveritare i krahinave të vendit, ku ka raporte diskriminuese midis jugut dhe veriut të Shqipërisë. Meritokracia, për të cilën flitej aq shumë në atë kohë ishte vetëm një slogan.






- A mendoni se është i nevojshëm përfaqësimi grave në vendimmarrje?

Shkalla e pjesëmarrjes së gruas në politikë në një mënyrë të plotë e të padiskutueshme tregon shkallën e vërtetë të emancipimit të forcave politike në Shqipëri, tregon shkallën e pjesëmarrjes së vërtetë e të ndikimit të organizatave qeveritare apo të shoqërisë civile në terësi në jetën shqiptare dhe në fund të fundit shkallën e emancipimit të vetë shoqërisë në këtë stad të zhvillimit të vendit.

Me gjithë progresin që ka arritur shoqëria shqiptare dhe veçanërisht arritjet në vitet e demokracisë, pjesëmarrja e gruas në jetën politike e shkencore lë akoma për të dëshëruar. Ato pak gra që kanë arritur të bëjnë karrierë, të jenë në poste të rëndësishme politike e shtetërore, më shumë janë vendosur në këmbim të nevojës për emancipim të shoqërisë shqiptare, sesa të vlerave të vërteta që ato kanë patur.

Këto qëndrime ndaj gruas intelektuale janë të lidhura me pozitat e fuqishme që gëzon maskilizmi në Shqipëri. Shembuj kuptimplotë është sot pjesëmarrja shumë e ulët e gruas në Parlament, në qeveri si dhe në drejtimin e institucioneve të rëndësishme shtetërore. Në raport me shtetet e tjera të Europës, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit

Është e natyrshme se, një grua në karrierë sot përballet me shumë probleme të lidhura këto me profesionin, shoqërinë dhe familjen. Në punën e përditshme një grua në karrierë has shpesh pse jo edhe në brutalitetin e burrave dhe përçmimin që ata kanë ndaj grave me rezultate të dukshme në shoqëri. Gjithsesi jam e mendimit se vështirësitë përballohen me një kualifikim të lartë dhe angazhim të përditshëm (sistematik) në punë.



-Si mendosi ju, pse ka kaq pak gra në pozicione vendimmarrjeje dhe çfarë i bën ato të ngurojnë për t’u përfshirë në këto role?

Nuk mendoj se gratë kanë mungesë informacioni apo motivimi për tu bërë pjesë aktive e vendimmarrjes.

Asnjëra prej tyre nuk është argument me të cilin është penguar ardhja e gruas në vendimmarrje. Argument i vetëm është botëkuptimi ende arkaik i shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe qëndrimi patriarkal ndaj gruas.

Kjo shoqëri maskiliste duhet shkundur, pse vetëm kështu mund t’i hapet me të vërtetë rruga përfshirjes së gruas në politikë dhe rritjes së rolit të saj në jetën shqiptare.
Për të ndryshuar jetën e gruas në Shqipëri duhet bërë shumë. Kjo mund të realizohet me rritjen e kontributit të vetë gruas, por vecanërisht me vendosjen e grave në pozita drejtuese duke i dhënë mundësinë të hartojnë politika, të cilat do t’i vinë në ndihmë gruas në përgjithësi për të rritur standartet e jetesës dhe për të mbrojtur gjithnjë e më mirë liritë dhe të drejtat themelore të nepërkëmbura.



- A duhet të kenë gratë disa aftësi të caktuara dhe cilat do të ishin ato dhe çfarë mendoni se duhet bërë për të mbështetur ato gra që tashmë janë të vendosura në role vendim-marrjeje apo ato që aspirojnë të arrijnë këto role?

Të marrësh përsipër misionin e zgjidhjes së problemeve sic është misioni shumë fisnik në ndihmë të gruas është e vështirë edhe për faktin se rezultatet në këtë fushë nuk mund të jenë individuale. Rezultative mund të jetë puna e vetë grave në kuadrin e organizatave jofitimprurëse si dhe institucioneve vendimmarrëse, ku bëjnë pjesë, për të rritur ndjesitë tek opinioni publik dhe qeveria për nevojën e respektimit të të drejtave të gruas si dhe të rritjes së rolit e të pjesëmarrjes së saj në jetën e qytetit, të rajonit e më gjërë. Nuk duhet harruar se gratë japin një kontribut të pazëvendësueshëm në sektorin e arsimit e të shëndetësisë.

Megjithëse, pjesëmarrja e tyre në këto sektorë është në maxhorancë absolute drejtimin e dikastereve në këto fusha e kanë përsëri burrat.

Përsa i përket sistemit të zgjedhjeve, e përkrah sistemin proporcional duke shprehur bindjen se kështu u krijohen më shumë mundësi grave për tu përfshirë në jetën politike të vendit dhe si rrjedhojë edhe në vendimmarrje.



- Cili është mesazhi juaj për to?

- Unë kam një mesazh që dua ta përcjell tek gratë e Shkodrës e të Shqipërisë: “Guxoni të hyni në jetën politike të vendit. Shqipëria ka nevojë për ndihmën, profesionalizmin dhe dashurinë tuaj të pakufishme”.


No comments: