Monday, September 1, 2008

Epoka e ideve genocide


Rrethi pervers midis modernizmit dhe dhunës nga shekulli i XX-të në shekullin e XXI-të

Një pjesë nga libri i ri i historianit Ian Kershaw "Hitler, the Germans and the final solution"

Për sa duhet të konsiderohet me pesimizëm historia botërore më e vonshme, është e qartë se ultra-dhuna, nga e cila është karakterizuar gjysma e parë e shekullit të kaluar, nuk gjen krahasim tek e dyta: dhe kjo pavarësisht se dhjetëvjeçarët e fundit megjithatë kanë asistuar në situata dhune të pashoqe si Revolucioni Kulturor në Kinë, Kamboxhia e khmerëve të kuq apo masakrat genocidale në Ruanda... Nga këto lindin pyetje të shumta. E para është e natyrshme: çfarë e ka shkaktuar shpërthimin shkatërrimtar të kësaj dhune të pafundme të institucionalizuar në gjysmën e parë të shekullit të XX-të? Asgjë në dhjetëvjeçarët e mëparshëm nuk e kishte përgatitur botën për atë çka do të ndodhte. Sigurisht, Lufta e Parë Botërore përfaqëson një pjesë të madhe të përgjigjes, por nuk mund të jetë shkaku ivetëm. Tronditjet epokale në histori zakonisht nuk kanë vetëm shkaqe afatshkurtra dhe kjo sigurisht që nuk përbën përjashtim.

Një tjetër pikëpyetje ka të bëjë me prirjen ndaj dhunës nga ana e shteteve dhe e shoqërive të caktuara që ata pretendojnë të përfaqësojnë. Domethënë, për ta vendosur pyetjen në binarët e saj, pse shtetet janë gjetur më shumë - ose më pak - të gatshëm ndaj përdorimit të një dhune kaq ekstreme? Përgjigjja ndaj kësaj pyetje të çon tek një e tretë. Duke parë që çdo shekull (apo edhe gjysëm shekulli) gjatë gjithë historisë ka qenë megjithatë i dhunshëm në masë pak a shumë të madhe, ka qenë vetëm shkalla e dhunës, e bërë e mundur nga teknologji të reja shkatërrimi, që e kanë bërë unik shekullin e XX-të?

Duke gjetur se gjysma e dytë e shekullit të XX-të - të paktën në Evropë - ka qenë pakrahasueshmërisht më pak e dhunshme se e para, atëhere ndodhemi përballë një pyetjeje të natyrshme: pse ka ndodhur? Eric Hobsbawm, pikëpamja e të cilit në librin "Shekulli i shkurtër" nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse globale, ka folur për një "Epokë katastrofash" që ka përshkuar të dyja luftërat botërore, pasuar nga një "Epokë e Artë" e arritur deri në krizën e naftës të viteve Shtatëdhjetë... Ka një statistikë të denjë për vëmendje. Sipas vlerësimeve më të larta, civilët e vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore kanë qenë pak më shumë se një e treta e totalit të përgjithshëm të viktimave: por në Luftën e Dytë Botërore - dhe kjo është një llogari me rezervë - qenë rreth dy të tretat. Nga 5 milion civilë të vdekur në diçka si 27 milion të tillë... Dhe akoma. Një vend si Polonia, ku lufta e "luftuar" nuk zgjati më shumë se 1 muaj, pa t'i vdiste një e pesta e popullsisë së saj - përqindja më e lartë e civilëve të vdekur respektivisht çdo vendi tjetër në luftë - në 6 vitet e mëpasme të gjata qysh nga pushtimi gjerman i vitit 1939... Ekzaltimi i dhunës si formë proteste shoqërore dhe politike kundër shoqërisë borgjeze të kalbur, edhe pse e institucionalizuar në lëvizjet fashiste vetëm pas vitit 1919, kish filluar qysh përpara Luftës së Madhe. Më vonë, intelektuali fashist francez Pierre Drieu La Rochelle, duke marrë në konsideratë vitet përpara luftës, rievokonte ata "të rinj të të gjitha klasave shoqërore, të djegur nga një koncentrat heroizmi dhe dhune, që ëndërronin të luftonin...kapitalizmin dhe socializmin parlamentar".

Në vitin 1910, nacionalisti italian Enrico Corradini përdorte terminologji dhe analogji marksiste për të folur për Italinë si për një "komb proletar", duke argumentuar se "duhet t'i mësojmë Italisë vlerën e luftës ndërkombëtare. Por luftë ndërkombëtare nënkupton luftë. Atëhere, luftë qoftë! Dhe nacionalizmi të rizgjojë tek Italia vullnetin për të fituar luftën". Futuristët italianë, themeluesi i të cilëve Filippo Tommaso Marinetti i mbeti besnik Mussolini deri në fund, e divulguan pikëpamjen e tyre, si të thuash, ekscentrike tek Manifesti i vitit 1909: "Ne duam të ekzaltojmë lëvizjen agresive...shpullën dhe grushtin... Ne duam ta glorifikojmë luftën - higjiena e vetme e botës - dhe militarizmin, patriotizmin, gjestin shkatërrimtar të anarkistëve, idetë e bukura për të cilat vdiste dhe përbuzjen e gruas".

Përpara vitit 1914 Gjermania ishte një shoqëri relativisht jo e dhunshme. Pas vitit 1918 dhuna u bë një prej tipareve dalluese të saj - akoma larg nga nivelet e Rusisë, por me ngadalësi gjithnjë e më të ngjashme. Tashmë terreni ishte i gatshëm ta mirëpriste me një konsensus shumë të gjerë sulmin nazist ndaj të majtës në vitin 1933, ndërtimin e kampeve të përqendrimit, sulmet kundër pakicave (kundër hebrenjve në mënyrë të veçantë) dhe dobësimin e limiteve ligjore në ushtrimin e pushtetit shtetëror. Kur në vitin 1934 Hitleri u deklarua hapur përgjegjës i vrasjes së disa liderëve të vetë lëvizjes së tij, duke i akuzuar për tradhti, korrupsion dhe praktika homoseksuale, inkasoi një miratim total, pse jo dhe shpërthimin e popullaritetit të tij personal. Ndërkohë një numër i madh gjermanësh shumë të rinj që kishin bërë luftën, shpesh me arsimim universitar dhe që besonin në mënyrë të çfrenuar në përdorimin e ftohtë dhe racional të dhunës për ta pastruar Gjermaninë nga diversitetet raciale të saj, të perceptuara si "të këqija", filluan që të ndërtonin karrierat e tyre brenda policisë të sigurimit dhe të SS-ëve.

Më vonë do të bëheshin jo vetëm planifikuesit e "rendit të ri" nazist në Evropën Lindore, me objektivin që të eliminonin 31 milion sllavë në 25 vitet e ardhshme, por nivelet drejtuese të skuadrave shfarosëse që lëshuan "Zgjidhjen finale". Qe kulmi i një procesi të gjatë në eskalimin e dhunës politike, pikënisja e së cilës zbriste në Luftën e Parë Botërore... Por, lejomëni të kthehem në pyetjen e tretë që kisha ngritur. Në shekullin e XX-të thjesht ka pasur më shumë dhunë? Apo ka pasur edhe një dhunë cilësisht të ndryshme, më moderne?

Pjesa më e madhe e ekspertëve janë dakord në nënvizimin e modernizmit të këtij genocidi. Sidomos Michael Mann - sipas mendimit tim në mënyrë bindëse - ka theksuar se vrasja masive në drejtim të civilëve (apo forma të tjera, ndoshta jo vrastare, por gjithsesi brutale, persekutimesh dhe "spastrimesh") mbi baza ideologjike "në emër të popullit", si për arsye etnike (shiko armenë, hebrenj, boshnjakë muslimanë, shqiptarë, kosovarë, tutsi e kështu me radhë), ashtu dhe për arsye klasore (shiko terrorin stalininan antikulak apo "shfarosjen klasore" të Pol Pot) përfaqëson një komponente kryesore të asaj që bën "moderne", pikërisht dhunën politike moderne. Natyrisht që në vrasjen masive të civilëve nuk ka asgjë të re dhe ideologjia - edhe pse fetare, jo laike - është përdorur për të justifikuar qysh nga lashtësia.

Dhjetra mijëra të vdekur të vrarë në kryqëzatën kundër albigjezëve në fillim të shekullit të XIII-të, luftërat fetare franceze në mesin e dytë të shekullit të XVI-të dhe Lufta Tridhjetëvjeçare në shekullin e XVII-të: të gjitha në emër të fesë. Edhe thesi i Mangdeburgut nga ana e katolikëve në vitin 1631, me shfarosjen e besueshme të 30 mijë burrave, grave e fëmijëve dhe sulmi i pamëshirshëm i Cromwell në Drogheda e Wexford në Irlandë, dhjetë vjet më vonë, kur 4500 ushtarë të garnizonit u kaluan në tehun e shpatës në emër të Zotit, qenë masakra veçanërisht të tmerrshme dhe në shkallë të gjerë. Por dhuna fetare - ose më mirë dhuna e kryer në emër të fesë - zakonisht me arritjen tek të konvertuarit ndalej...Duke pasur parasysh atë që të paktën në kontekstin evropian duket evidente përtej çdo gabimi të mundshëm, diferenca e madhe midis dhunës në dy gjysmat e shekullit konsiston në impaktin e ndryshëm të prodhuar nga dy luftërat botërore. E dyta e këtyre luftërave ka çuar në parandalimin dhe deri në çrrënjosjen e burimeve kryesore të dhunës shtetërore në shkallë të gjerë, të paktën në Evropë... Kjo, përveçse në të kaluarën, çon drejt së tashmes dhe së ardhmes.

Tani, në fillim të shekullit të XXI-të, si pasojë e sulmit ndaj Kullave Binjake të 11 shtatorit 2001, kemi hyrë në një fazë të re të dhunës politike. Ajo mizori nuk ka qenë një akt konvencional lufte, por gjithsesi një akt lufte ka qenë - një tip modern gueriljeje dhe jo pjesë e një shteti apo e një grupi terrorist të lidhur me një shtet, por e një organizate misterioze ndërkombëtare dhe mbikombëtare, al Qaeda, e cila me tentakulat e saj i kap si një hidër shtete të ndryshme, megjithëse duke mos e lidhur veten me asnjë... Është e vështirë të imagjinohet se e ashtuquajtura "luftë kundër terrorizmit" të mund të fitohet nga Shtetet e Bashkuara apo nga kushdo tjetër, ose të paktën është e vështirë ta imagjinosh në kuptimin ushtarak. Ai që për dikë është terrorist, për dikë tjetër është një luftëtar që lufton në emër të lirisë... Pasoja e këtij lloji të ri terrorizmi do të jetë erozioni progresiv i pashmangshëm i lirive civile: të paktën deri kur popujt e frikësuar do të jenë të gatshëm ta luftojnë në shkëmbim të një shpëtimi krejtësisht të dukshëm të sigurisë së tyre..

Përgatiti

ARMIN TIRANA

No comments: