Sunday, August 24, 2008


Interviste me Paskualina Shllakun

Interviste me Paskualina Shllakun

-Paskualina Shllaku

Drejtoreshë e “Radio Shkodrës”, aktore e “Teatrit Migjeni”



“Një grua që di të rrisë një fëmijë të mirë është e aftë të drejtojë edhe një post”

“Gruaja është me iniciativë dhe është më tolerante”



Ajo ka krijuar tashmë imazhin e një gruaje të fortë, të aftë profesionalisht, që përballet pa frikë me publikun me me anë të roleve të saj. Por jo shumë njerëz e njohin se si është ajo jashtë skenës.

Znj. Paskualina të pret me një buzëqeshje që të inkurajon, me një dashamirësi që të habit. Një zonjë e ëmbël që të bën të ndihesh shumë komod përballë saj duke iu përgjigjur me çiltërsi çdo pyetjeje. Përtej suksesit në profesionin e saj, ajo rrëfen jetën e një familjeje normale. Ka lindur më 13 tetor të 1956 në qytetin e Shkodrës, është e martuar dhe ka dy djem me të cilët ka një raport të shkëlqyer. Aktualisht, ajo është drejtoreshë e Radio Shkodrës, pas një pune të gjatë në teatrin “Migjeni” si aktore, në profesionin e saj. Ka kryer Akademinë e Arteve, Dega Aktrim në Tiranë dhe njeh mirë greqishten. Dashuron në mënyrë të veçantë letërsinë dhe udhëtimet.



- Znj. Paskulina, si ka qenë fëmijëria suaj?

Fëmijëria jonë ka qenë e vështirë, sepse ka pasur veç të tjerash edhe probleme ekonomike, por ne gëzonim edhe per gjëra të vogla, ndryshe nga rinia e sotme e cila kërkon shumë dhe nuk kënaqet asnjëherë. Mbaj mend që dita jonë ka qenë e mbushur me aktivitete dhe unë veçanërisht merresha me sport, sidomos me volejboll madje edhe me not, por gjithashtu lexoja shumë. Në shkollë më pëlqente të bëja hartime të bukura duke qenë shumë e dhënë pas letërsisë. Kam mbaruar shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” në Shkodër dhe pas saj ishim të detyruar të bënim një vit stazh. Unë u caktova si mësuese muzike në një fshat të Mjedës. Më vonë konkurova në Akademinë e Arteve ku vazhdova studimet e larta për aktrim.



- Si jeni përfshirë në jetën sociale të Shkodrës dhe a keni gjetur atë që prisnit?

Pas mbarimit të shkollës ka qenë nje periudhë e vështirë, por fatmirësisht u emërova në Estradën e Shtetit, ku dhe fillova punë. Për mua dhe për të gjithë moshatarët e mi dëshira ishte të qendronim në Tiranë në “Teatrin Kombëtar”, ku dhe mund të ushtronim profesionin tonë. Por paragjykimet ishin nga më të ndryshmet. Këtu mund të përmend një situatë që më ka mbetur e ngulitur në kujtesë. Në kohën kur të gjithë prindërit luftonin që fëmijët e tyre të qendronin në Tiranë, nëna ime shkon dhe takon një zonjë në Komitet duke e lutur që unë të kthehesha në Shkodër, dhe realisht ashtu ndodhi. Por nuk jam penduar aspak për këtë, sepse në teatrin “Migjeni” kam patur role shumë të bukura dhe me profesionistë të mëdhenj duke filluar nga Tinka Kurti, një kolege e një mike shumë e mirë. Kam frikë mos harroj regjisorin Serafin Fanko, Fadil Krajën i cili ishte ushqimi letrar i teatrit “Migjeni”. Kam kujtime të mrekullueshme për pjesët e para të luajtura në këtë teatër, sepse aty është realizuar një ëndërr e imja. Mund të them që kam gjetur gjithçka që kam pritur sepse jam përkrahur pa rezerva nga populli shkodran. Edhe sot takoj shumë njerëz të cilët më urojnë dhe unë u jam gjithmonë shumë mirënjohëse.



- Ju lutem, a mund të na bëni një përshkrim të shkurtër të aktivitetit tuaj?

Roli im i parë në teatrin “Migjeni” ka qenë në pozicionin e figurantes në dramën “Baca e Gjetajve”, me regji të S.Fankos. Pas saj vijuan një varg rolesh të tjera, si tek “Vizita e Inspektorit”, “Gjaku i Arbërit”, “Çeshtja e Blertës” e mbi 30-40 role të para.
Përsa i perket kinematografisë, mund të them që jam shfaqur shumë pak e për këtë më vjen shumë keq, por këto ishin kushtet dhe mundësitë e asaj kohe.
Pas një aktiviteti të tillë edhe unë e ndjeja veten më të rritur profesionalisht dhe bashkë me koleget e mi vendosëm të punonim “Antigonen”.
Vjen një ditë e keqe dhe me dhimbje më duhet të pohoj se bashkë me familjen time emigruam në Greqi dhe qendruam aty për 15 vjet, duke lënë pas dore profesionin.
Jemi kthyer dhe kam menduar se nuk dija të luaja më rolet qe ishin aq të dashura për mua, por u ringjalla pas një prezantimi që më bëri Mirush Kabashi për kthimin tim në skenë si dhe u vlerësova me çmim të dytë në festivalin e teatrove në Fier.
Kam tre vjet që kam kaluar si drejtoreshë në Radio Shkodra, por mundohem të mos shkëputem nga skena. Jo më larg se para dy vitesh punuam një vepër të Gjergj Fishtës në Teatrin Kombëtar me regji të Bruno Shllakut. Shfaqja u prit me shumë sukses. Mund të them se edhe planet për të ardhmen nuk mungojnë.



- Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet në pozicionin tuaj? A keni hasur vështirësi dhe si i keni kaluar ju ato?

Të jesh artist dhe të punosh në teater, është një punë e vështirë. Gjithashtu lëvizja nga teatri në radio është tjetër gjë, por unë përsëri kalova në një ambjent artistësh, ku kameramanët, teknikët ,etj, janë komponentë të një arti të bukur që është radioja dhe televizioni. Nuk them se nuk ka vështirësi, por mendoj se kam arritur një mirëkuptim me këtë kolektiv tashmë dhe të gjithë mundohemi të bëjmë diçka të bukur. Ky vend i ri i punës më pëlqen.



- A mendoni se është i nevojshëm përfaqësimi i grave në vendimmarrje dhe pse mendoni se ka kaq pak gra në këto pozicione?

Mendoj se po, sepse gruaja është me iniciativë dhe është më tolerante. Historia tregon se nga Shkodra kanë dalë gra që sot drejtojnë shtetin, por në qytetin tonë nuk e di pse ndodh e kundërta. Do të doja që të kishim një pjesëmarrje më të madhe, sepse drejtimi i një gruaje më duket më perfekt se drejtimi i një burri. Kuptohet që ato duhet të jenë të zonjat, të afta profesionalisht dhe duhet të kenë shumë iniciativë. Këto gra duhet të mbeshteten fillimisht nga familja e tyre, sepse aty roli i tyre është vendimtar, por gjithashtu edhe nga vendi i tyre i punes, kolegët etj.



- Çfarë mesazhi keni për të gjitha gratë që aspirojnë të arrijnë role vendimmarrëse?
Të mos ndruhen, të jenë të vendosura në atë që kërkojnë dhe të mos kenë frikë sepse një grua që di të rrisë një fëmijë të mirë është e aftë të drejtojë edhe një post.



INTERVISTUAN

Leticja Lekaj dhe Yllka Ibraj


No comments: