Mirënjohje dhe respekt
Shyqyri SELHANI
Populli shqiptar ka një kontribut të veçantë në luftën e madhe të koalicionit antifashist. Por, nëse bota perëndimore e në veçanti SHBA-ja, me ritme të shpejta e të suksesshme, përparonin në zhvillimin ekonomik, mirëqenien popullore drejt horizonteve të reja të demokracisë, në vendet e Evropës Lindore u vendos diktatura komuniste, që pengoi zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies, eliminoi pothuajse çdo element të demokracisë, duke i zhytur këto vende në varfëri, në mohim të lirive elementare demokratike. E natyrisht, në tërë këtë diktaturë Shqipëria zinte vendin e parë, ku varfëria, dhuna, mohimi i të drejtave më elementare të njeriut, ishin në shkallën më të lartë. E megjithatë, Shqipëria, e në veçanti Shkodra, nuk iu nënshtruan, nuk ulën kokën, nuk u pajtuan kurrë me pushtimin diktatorial komunist, e luftuan atë që nga format dhe rrugët demokratike, deri në ato të armatosura, duke shkruar nga faqet më të lavdishme të qëndresës popullore shkodrane ndaj komunizmit në Shqipëri e më gjerë. Janë deputetët, kryesisht shkodranë, të viteve 1946-1947, si Riza Dani me shokë, që me burrëri, mençuri e vendosmëri iu kundërvunë në Parlamentin shqiptar diktaturës komuniste, e diskretituan atë, duke treguar para shqiptarëve e botës, se në Shqipëri po varrosej demokracia e po vendosej një sistem tërësisht diktatorial. Parlamentarët demokratë, kryesisht shkodranë, e kishin të qartë se ç'do t'i priste ato dhe familjet e tyre, por vendosën të kryejnë detyrën, aktin madhor të deputetit popullor demokrat, duke pranuar vetëflijimin, sepse ato ishin përfaqësues të vërtetë të një populli demokrat. Dhe Riza Dani e të tjerë u pushkatuan, të tjerë u burgosën e u internuan, familjet e tyre u burgosën, i nxorën nga shtëpitë pronat e trashëguara, i internuan, i larguan nga puna, etj., etj. Kjo kundërvënie, sidomos e shkodranëve, ishte një sinjal i fuqishëm për komunistët, por edhe për popullin shqiptar, se Shkodra nuk do të mposhtej, do të vazhdonte luftën kundër komunizmit për liri e demokraci, gjë që u provua në 50 vitet në vazhdim. Komunistët bënë çmos t'i mposhtnin, siç filluan t'i quanin familjet e persekutuara apo të prekura, t'i bënin veglat e tyre, t'i gjunjëzonin komunitetet fetare, t'i deformonin ato, por dështuan. Ndaj tyre u ndoqën metoda e forma të ndryshme, si gënjeshtra, mashtrimi, manipulimi, internimi, burgosja, vrasja, të shoqëruara me tortura çjerëzore, por pjesa dërruese e kësaj shtrese, që sot quhen të përndjekur politikë qëndruan të bardhë, të ndershëm, me besim në njeriun e mbi të gjitha në Zotin, të hekurt e krenar. Asnjë propagandë e shfrenuar komuniste, dhunë çjerëzore, nuk mundi të ndotëte emrin e tyre, besimin e respektin në popull, në liri e demokraci. Studentët e gjimnazit të Shkodrës, qendër e luftës kundër fashizmit, por edhe për liri e demokraci, që në ditët e para, nuk u pajtuan me regjimin komunist, iu kundërvunë atij dhe shumë shpejt me dhjetra prej tyre u arrestuan, ashtu siç u arrestua edhe mësuesi demokrat Mirash Ivanai. Shkodra nuk mposhtej, por ziente. Këtë e ndjenin mirë komunistët, prandaj për të terrorizuar popullin, arrestuan me dhjetra e qindra shkodranë, figura të njohura intelektuale, tregtarë, biznesmenë të vegjël, pronarë tokash, familje me emër e me autoritet në Shkodër. Ngritën gjyqe falco, me dhjetra e qindra u pushkatuan, qindra e mijëra u burgosën. Shkodra qendroi. Viti 1945-1946 është një kulm tjetër i qëndresës së popullit shkodran kundër komunizmit, e në ballë të kësaj qëndrese ishin familjet me zë, të njohura për luftën për pavarësi, liri e demokraci e me mentalitet perëndimor. Në Shkodër e në Malësinë e Madhe u zhvilluan 2 kryengritje të armatosura antikomuniste, ndoshta të parat në Evropën Lindore. Ato udhëhiqeshin nga familjet me zë, si Adem Haxhia, Prek Cali, Kazazët e Shkodrës, Rrojët, etj. Shkodra u gjakos, por qëndroi. Për të mposhtur përfundimisht këtë shtresë kryengritëse qytetare shkodrane, shteti diktatorial hodhi në sulm skaljonet më të errëta, më xhahile, tërë Sigurimin famëkeq të Shtetit, duke thelluar më tej artificialisht luftën e klasave. Çdo ditë tellallët e tyre, shtypi, radioja, më vonë televizorët, organizatat bazë, Sigurimi i Shtetit, shefat e kuadrit, operativët, agjentët, degët e Punëve të Brendshme etj., u vërsulën në front të gjerë kundër tyre, duke i quajtur antishqiptar, agjentë të imperializmit amerikan, tradhëtarë, imoralë, pa ideale, kriminelë, hajdutë, etj., etj. Asnjë fëmijë i tyre nuk duhet të shkollohet në Universitetet e Shqipërisë. Krahas varfërimit ekonomik të tejskajshëm, një varfëri totale deri në shterpësi, duhet të mbizotëronte në klasën e quajtur e prekur, apo e deklasuar, siç i quanin komunistët. Por, Shkodra i njihte mirë ato, ishin figura që përfaqësonin traditat më të mira të shkodranit patriot, të aftë, me kulturë, punëtor, të ndershëm, por edhe trim, prandaj kurrë nuk u gënjye nga propaganda komuniste, nuk i përbuzi, por me sa mundi i mbrojti dhe u përpoq t'u lehtësonte sadopak dhimbjet. Ato qëndruan dhe Shkodra qëndroi. Afruan ngjarjet e mëdha të vitit 1990-1991 e në vazhdimësi. Klasa e ashtuquajtur "të prekur" apo "të deklasuar", ishin të parët, m'u në qendër të Shkodrës i hodhën litarin në qafë bustit të Stalinit, me qindra e mijëra shkodranë shoqëruan për në varrezat e qytetit trupin e të riut 18-vjeçar Pllumb Pllumbi, të vrarë në kufi, duke e shoqëruar me parrulla "Poshtë Komunizmi", "Liri-Demokraci". Po më 13 Dhjetor 1990, ishin pikërisht ata, sëbashku me studentë të Universitetit "Luigj Gurakuqi", që udhëhoqën demonstratën e madhe, hynë në katin e parë të Komitetit të Partisë, duke shqyer stendat komuniste, hodhën në erë bustin e diktatorit Enver Hoxha. Më 2 Prill 1991, ishin përsëri ata, që sot me respekt i quajnë shtresa e ish-të përndjekurve politikë, që sëbashku me të rinj të tjerë, u prinë masave të disa mijërave shkodranë, dogjën Komitetin famëkeq të Partisë. Vriten 4 djem të rinj, plagosen me qindra, por Shkodra qëndroi. Tani ata kanë arritur të ngrenë në këmbë tërë Shqipërinë. Demokracia është në sulm. Në ballë janë përsëri ata, ish-të përndjekurit politikë, bijtë e bijave të tyre. Në Shqipëri është themeluar PD dhe pas saj Degët në rrethe. Me qindra e mijëra ish-të përndjekur politikë vërshojnë drejt kësaj partie, bëhen anëtarë të saj. E tërë Shkodra shkon pas tyre. Një qytet i tërë, një rreth i tërë, pothuajse i gjithi anëtarë të PD-së. E masën e gjerë të shkodranëve e udhëhiqnin figura të tilla të nderuara nga kjo shtresë, si Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Ernest Perdodaj, etj., etj. Në zgjedhjet parlamentare të 1991-1992, pjesa dërrmuese e deputetëve shkodranë demokratë janë nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë. Populli u beson, i respekton dhe i jep votën. Në krye të Parlamentit shqiptar deputetët demokratë, PD-ja, vendos një ndër figurat më të nderuara të kësaj shtrese, të burgosurin politik 28 vjet, zotin Pjetër Arbnori. Kryetar i Grupit të deputetëve Demokratë vendoset një ish-i përndjekur tjetër, Doktori i njohur Ali Spahia. Në shtetin e ri demokratik, në Qeverinë e re, emërohen ish-të përndjekur politikë me zë, si Alfred Sarreqi me shokë. Po kështu në rrethe, në Pushtetet Vendore, në pozicione kyçe e të rëndësishme, kryetar rrethi, bashkie apo komune, vendosen bijtë e bijat e ish-të përndjekurve politikë, si Ali Kazazi, nga dera e madhe e Kazazëve të famshëm, Filip Guraziu nga familja qytetare e vjetër Gurazezve, apo në Malësi të Madhe në një moshë mjaft të re 25-26-vjeçare, zgjidhet Kryetar i Rrethit, Gjovalin Bzheta, djalë i fisit me emër të Bzhetës, të njohur për luftrat për liri, demokraci e bujari. E pas tyre, në shkallë republike, qindra e mijëra vërshojnë në strukturat e ndryshme shtetërore, shoqata, në fushën e biznesit, etj., etj. Shumë shpejt koha vërtetoi se, komunistët nuk kishin arritur për 50 vjet jo më të eliminonin, por as të zvogëlonin aftësitë intelektuale, kulturore, arsimore, profesionale, drejtuese të shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Shumë shpejt, ata treguan dhe shfaqën para shqiptarëve e kujdo tjetër, tërë fuqinë e tyre pozitive krijuese intelektuale. Ato u ballafaquan dhe ia dolën me sukses t'i bëjnë ballë problemeve të mëdha që nxirrte koha, pra, një Shqipërie demokratike që po lindte, si luftës për bukën, liberalizimit të çmimeve, privatizimit, ndarjes së tokës, krijimit të biznesit të ri, forcimit të rendit e qetësisë, të ligjit, të demokracisë. Janë këto vlera dhe aftësi të shtresës së të përndjekurve politikë, besimi e respekti shkodran ndaj tyre, ku edhe sot në pozicione kryesore drejtuese në qeveri, në pushtet vendor, prefekt, kryetar bashkie, kryetar i Këshillit Bashkiak e shumë kryetarë komunash, janë pikërisht nga kjo shtresë. Vitet e vështira të 1997, kur me kryengritje të armatosur komunistët erdhën në pushtet, ishin vite kur një pjesë e popullit, por edhe brenda PD-së jo pak njerëz u lëkundën, u tronditën, u hotuan, humbën ekuilibrin e ndoshta edhe shpresën, u thyhen. Një pjesë e vogël, që ia kishte parë edhe hajrin në drejtim qeverisë demokratike e PD-së, e braktisën atë, u fshehën, me muaj e vite nuk u bënë të gjallë, por pritën kur koha të ngrohet, të vijnë dallëndyshet që ato të dalin përsëri, të reklamojnë "meritat e tyre", të gjejnë për çudi mbështetje nga individë të veçantë me pushtet të fuqishëm në PD dhe të vihen përsëri në krye të strukturave të Pushtetit Vendor apo më gjerë. Por shtresat e të përndjekurve politikë përsëri qëndrojnë, ashtu siç qëndrojnë pjesa më e madhe e shkodranëve. Ato e mbështetën fuqishëm PD-në, kryetarin e saj Prof. Dr. Sali Berishën dhe me shembullin e militantëve të vërtetë të PD-së ringjallën shpresat dhe mijëra e mijëra shkodranë u rreshtuan përkrah PD-së e aleatëve të saj, Prof. Dr. Sali Berishës dhe me votën e lirë në Korrik të 2005 risollën në pushtet forcat demokratike. Ata, të cilët për 50 vjet nuk i kishte mposhtur komunizmi, u bënë pishtarë të përjetshëm në luftën për liri e demokraci, për shtet ligjor e demokratik.
Sot, shtresa e ish-të përndjekurve politikë, bijtë e bijat e tyre, janë një forcë aktive e gjallë e dobishme, që gëzojnë besim, mirënjohje e respekt nga një popull i tërë, burim frymëzimi për brezin e ri, për një të ardhme më të mirë.
No comments:
Post a Comment