Sunday, July 27, 2008

Ceca: Vizita me Arkanin në Pogradec


Ceca: Vizita me Arkanin në Pogradec
Me pasaporta të rreme, këngëtarja me bashkëshortin ka hyrë nga Maqedonia dhe ka kaluar një pasdite në lokalet e Tushemishtit। Tava speciale e koranit dhe vizita e tyre e maskuar në qytezën e vogël të Pogradecit

Bardhyl Berberi
POGRADEC- Një nga “kasapët” e Ballkanit, Arkani ka vizituar vendin tonë 12 vite më parë teksa ka hyrë fshehurazi në Pogradec së bashku me gruan e tij, këngëtaren e njohur Ceca. Vizita sekrete është mbajtur e fshehtë për shumë vite dhe asnjë herë nuk janë publikuar detajet e plota të saj. Por vetë Ceca ka pranuar më në fund të rrëfejë për “Shekullin” se si kanë kaluar kufirin në vitin 1996 të magjepsur nga bukuritë shqiptare. Ata kanë hyrë nga Maqedonia dhe kanë drekuar në një restorant peshku.
***
E takojmë Cecën gjatë një koncerti në Maqedoni dhe shfrytëzojmë rastin për të mësuar rreth vizitës së saj sekrete në Pogradec. Por sapo e pyesim për këtë gjë ajo stepet për një çast dhe më pas, tepër e qetë e me një buzëqeshje, na e kthen se nuk mund të quhet vizitë ardhja në atë fshatin turistik të Tushemishtit. Ajo tregon se atë ditë kanë bërë edhe një xhiro anembanë nëpër qytetin e Pogradecit, por pa zbritur në asnjë çast nga makina. “Do të më falësh për datën e saktë- thotë ajo- por ka qenë qershor i vitit 1996 dhe unë isha në Ohër me Arkanin nën shoqërinë e një tregtari të fuqishëm nga Dibra e Maqedonisë. As emri i tij nuk më kujtohet tani, por mbaj mend se fatkeqësisht pas pak kohësh ai u vra. Për këtë mua më erdhi shumë keq. Pra ishim të tre, unë Arkani dhe ai biznesmeni nga Dibra. Unë nuk e njihja vetë, por Arkani e kishte shumë mik. Ishte ideja atij biznesmenit që të shkonim në Shën Naum dhe më pas të kalonim kufirin dhe të hanim një drekë tek fshati i parë sapo kalon kufirin. Arkani nuk deshi në fillim, megjithatë pas këmbënguljes së biznesmenit se ishte një fshat i bukur dhe gatuhej tava e atij peshkut të rrallë të koranit, ai ndërroi mendje. Ushqimin e kishte pikë të dobët”,- tregon Ceca. Këngëtarja mban mend se Arkani ishte shumë i kujdesshëm në lëvizje, por më pas u bind që të përdorte një pasaportë tjetër jo me emrin e tij të vërtetë, por me një emër të rremë. “Edhe unë kisha pasaportë rezervë me identitet tjetër. Në atë kohë i mbanim gjithmonë me vete. Ne lamë makinën tonë luksoze në Ohër dhe kaluam kufirin me një xhip me targa të Ohrit. I gjithë ky inskenim ishin idetë e Arkanit. E kaluam kufirin normalisht pa problem me pasaportat me identitet tjetër dhe u futëm në Tushemisht. Këtu duhet të them se ishte një fshat shumë i bukur, i futur në breg të liqenit. Dukej një fshat i pastër oriental dhe shumë i virgjër. U futëm në një lokal fare pranë kufirit, i cili kishte një hauz të madh uji me peshq. Ishte shumë bukur, dikush që shërbente na tha që uluni këtu tek kjo tavolina ku qëndronte Enver Hoxha për relaks”, tregon këngëtarja serbe.
***
Atyre u pëlqeu ideja që të uleshin në vendin ku më parë kishte qëndruar Enver Hoxha dhe pa hezituar aspak kërkuan menynë e lokalit. “Atje u ulëm nën një tendë të hijezuar midis pemëve rrotull duke pasur në këmbët tona ujin e peshqit. Kemi ngrënë një tavë me Koran që unë do ta mbaj mend gjatë, pasi peshkun e kapën në syrin tonë aty në hauz, si tip pishine, dhe na i gatuan. U kënaqëm tej mase dhe ishte një qetësi e paparë. Më pas bëmë një shëtitje nëpër qytet me makinë pa dalë prej saj. Gjatë shëtitjes më treguan se ky është Pogradeci, një qytet i bukur, por mua m’u duk i varfër me rrugë me gropa dhe ca ndërtesa uniformë”, tregoi këngëtarja serbe. Më pas ata janë larguar sërish në drejtim të Maqedonisë. Ajo që i ka mbetur më shumë në mendje këngëtares, janë fotografitë e shumta që ka bërë me Arkanin në lokalin mes vaskave të peshkut. Fotografitë i bënte biznesmeni nga Dibra.
Si e hetoi komisari Besnik Sana vizitën e Arkanit
Ish-shefi i komisariatit të policisë së Pogradecit në vitin 2002, Besnik Sana, sapo emërohet në Pogradec nis hetimet për këtë ngjarje, që qarkullonte në Tushemisht në formën e një thashethemi. Disa djem të rinj në Tushemisht kishin njohur Cecën pasi ishin adhurues të muzikës serbe dhe veçanërisht të Cecës pasi kanalet serbe ndiqen që nga vitet 1970 shumë pastër në këtë zonë, pa pasur nevojë as për antenë. Ky thashethem e bëri komisarin Sana që ta hetojë këtë ngjarje duke kontrolluar dokumentacionin në doganën e Tushemishtit. Një buzë mbrëmje, duke pirë kafe në Tushemisht, e pyes miqësisht komisarin Besnin Sana deri ku ke vajtur më Arkanin dhe Cecën. Ai pohoi se është në pritje të disa fotove që do të vinin nga Dibra e Maqedonisë e më pas do të plotësohej mozaiku i dosjes hetimore. Por ende pa mbushur gjashtë muaj në detyrë, komisari Besnik Sana transferohet nga Pogradeci.
Jeta ime me Arkanin
Ceca ka qenë e martuar me Arkanin, emri i vërtetë i tij ka qenë Zeljeko Raznatoviç. Arkani ka qenë lideri i grupit famëkeq paramilitar ushtarak “Tigrat” të krijuar në vitin 1995. Tani këngëtarja serbe Ceca, është 35 vjeç, por karrierën e ka nisur që kur ishte 14 vjeç. Në atë kohë ajo ka nxjerrë diskun e parë duke u ngjitur shumë shpejt në majën e suksesit. Fillon të këndojë që në moshën 10 vjeç duke ngjitur shkallët e suksesit me muzikën e saj Turbo –Folk, një version modern i muzikës folklorike serbe. “Muzika është ëndrra ime”, thotë ajo. Ceca ka dy fëmijë me Arkanin, Velikon dhe Anastasian. Pas vrasjes së Arkanit, Ceca arrestohet së bashku me 318 persona të tjerë pjesë e bandës. Ajo akuzohet se ka strehuar Milorad Lukoviç, ish-shefi special i “Beretave të kuqe” dhe mikun e tij Dushan Spasojeviç. Ata mendohet se kanë qëndruar në shtëpinë e këngëtares pak kohë para vrasjes së kryeministrit serb të asaj kohe, Xhinxhiç. Ceca akuzohet gjithashtu se kishte ndihmuar me para familjen e një të dyshuari tjetër që ka qenë në grupin kriminal. Në këto kushte 50 komando me maska dhe automatikë rrethuan shtëpinë e saj në Beograd. Policia sekuestroi një sasi të madhe pajisjesh ushtarake në shtëpinë e këngëtares. Por ndonëse hetimet treguan se Ceca ka qenë në kontakt me dy të dyshuarit para vrasjes së Xhinxhiçit, ajo është lënë e lirë.
***
Këngëtarja vazhdon karrierën e këngës edhe pas vrasjes së të shoqit luan pjesë folklorike. “Është diçka midis Folkut dhe Popit që më tërheq shumë dhe jam krenare për stilin e muzikës sime. Më ngjan shumë me muzikën evropiane”,- thotë këngëtarja. Muzika për Cecën është dashuria e saj e madhe, ajo e çlodh jashtë mase. “Unë jam dëgjuese e madhe dhe të gjitha shqisat e mia janë të lidhura me muzikën”, thotë ajo. Më pas Ceca shpjegon se vdekja e Arkanit ka ndikuar shumë në jetën e saj. “Me Arkanin jetoja si një princeshë dhe isha një lule e bukur për të, por dhe ai bënte gjithçka për mua, për karrierën... por atë natë janari të vitit 2000 që më vranë burrin brenda natës u bëra e fortë tamam si një mashkull. Nuk ishte e lehtë për mua pasi kam pasur një jetë që iu ngjante përrallave dhe realisht me Arkanin kam jetuar si në përrallë, por kuptohet, tani jam e zgjuar nga ky realitet i egër”, tregon këngëtarja. Në bashkëbisedim me gazetarët e shumtë që i drejtonin pyetje pas koncertit Ceca e përshkoi Arkanin si një baba të kujdesshëm të dy fëmijëve të saj.
***
“Ai është një burrë që nuk do ta harroj kurrë. Dashuria ime për Arkanin nuk do të shterojë kurrë dhe deri në fund të jetës sime nuk do të dua ndonjë burrë sa kam dashur Arkanin. Për këtë jam 100 për qind e sigurt”,- tregon këngëtarja. Por ndërkohë që shumë gazetarë i thanë që shumë njerëz mendojnë ndryshe për burrin e saj dhe e quajnë kriminel Ceca përgjigjet qetësisht, por me sy te ndezur, duke thënë: “E di që në Europë e kanë keqkuptuar burrin tim dhe i kanë vënë epitete që atij nuk i shkojnë, megjithatë unë dua të t’ju them juve që burri im ka qenë një patriot i madh i Serbisë. Unë kam qenë një grua e re atëherë, e brishtë e delikate dhe nuk mund të shikoja burrin tim si kriminel dhe si vrasës të lidhur me botën e dhunës dhe të krimit”.

No comments: