Wednesday, January 8, 2025

Anulohet tenderi 164 mijë euro për promovimin e bashkive me “dreka dhe darka”!

 


Disa javë më parë, VoxNews publikoi një investigim sesi qeveria planifikonte promovimin e bashkive duke organizuar dreka dhe darka. Madje, takimet do të kryheshin para zgjedhjeve të përgjithshme të muajit maj 2025.

Redaksia hulumtoi

dhjetëra dokumente, të cilat tregonin se gjithçka ishte propagandë, nga disa agjenci të krijuara vetëm e vetëm për t’i shërbyer votës.

Por, disa javë pas këtij denoncimi, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka nxjerrë një tjetër njoftim, ku kësaj herë shkruan se “procedura do të anulohet”. Zyrtarisht shkruhet se s’ka pasur firma të interesuara, por tenderi në fakt ishte abuziv dhe paratë do të shpenzoheshin për fushatë.


Dokumenti i mësipërm është njoftimi që ka nxjerrë Operatori i Blerjeve të Përqendruara, e cila disa javë më parë hapi tenderin me objekt “shërbime, materiale promocioni për Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore”.

Fondi limit i kësaj procedure ishte 16.145.866 lekë pa tvsh ose 164 mijë euro. “Arsyet e anulimit për shkak se në procedurat me faza nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e përshtatshme” thuhet në këto dokumente.

Në prill të vitit të kaluar, 2024, u krijua Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, e cila kishte si synim informimin e institucioneve publike, grupeve të interesit dhe qytetarëve për çështjet e vetëqeverisjes vendore. Në letra shkruhen fjalitë klishe për koordinimin e institucioneve publike qendrore dhe vendore për problemet.

Në muajin tetor 2024, VoxNews publikoi dokumentet e këtij tenderi. Agjencia kërkonte kryerjen e videove rreth 2-3 minuta, me cilësi shumë të mirë, pra kronika të gatshme për televizionet.

“Teksti i shkruar duhet të jetë i pranishëm si subtitle dhe të përfshijë informacionin kyç në shqip dhe në anglisht, kur është e nevojshme, madje duhet edhe një ekip profesionist me përvojë në regjistrimin e videos. Kërkohen 5 video prezantuese, për promovimin e aktiviteteve të realizuara nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, ku të evidentohen asistenca dhe mbështetja e institucionit kundrejt bashkive” thuhej në dokumente.

Kërkohej një kompani që t’u bënte edhe mbledhjet. “Kërkohet një organizator për 10 mbledhje të Këshillit Konsultativ, ku 6 takime në Tiranë dhe 4 takime në qytete të tjera me distancë 20-80 km dhe 2 takime në qytete të tjera me distancë 81-280 km nga Tirana. Kërkohet rezervim salle për 1/2 ditë, me kapacitet 60 - 80 persona. Foni për sallën, projektor ose ekran të madh qendror. Kafe, çaj, ujë, biskota, kek për pjesëmarrësit. Kërkohen të zhvillohen edhe 10 evente në Tiranë” shkruhej në dokumente.

Lista vijonte edhe me kërkesën për transportin e 30 personave jashtë Tirane në distancë 150-200 km larg. “Akomodim në hotel për 40 persona, 2 ditë qëndrim dhe 1 natë fjetje. Ushqim për pjesëmarrësit për 4 vakte (drekë, darkë, mëngjes, drekë). Rezervim salle 2 ditë”, thuhet në një nga kërkesat.

SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

No comments: