Wednesday, January 8, 2025

Adriana Kalaja denoncon në SPAK Alibeajn: Bashkëjeton fshehurazi me një gjyqtare. I pashë të dielën në Vlorë bashkë

 


Kryetarja e komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, ka kallëzuar në SPAK deputetin demokrat, Enkelejd Alibeajn, me pretendimin se bashkëjeton fshehurazi me anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllarin.

Zonja Kalaja akuzon Alibeajn

dhe Xhaferllarin për kryerjen e disa veprave të rënda penale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve, fshehjen e të ardhurave, shpërdorimin e detyrës, përfitimin e interesave të paligjshme dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm. Kalaja theksoi se Xhaferllari ka marrë pjesë në aktivitete politike, pavarësisht ndalimeve ligjore, gjatë kohës kur vula dhe logoja e PD mbaheshin nga Lulzim Basha.

Deklarata e Adriana Kalasë:

“Doja të sqaroja publikun që në janar të vitit 2024, pra një vit më parë, ndaj zonjës Xhaferrllari, sipas provave që ne paraqitëm në SPAK, rezultonte se në kundërshtim me detyrën, zonja Xhaferrllari kishte marrë pjesë në një aktivitet politik në kohën kur vula dhe logoja mbahej nga Lulzim Basha.

SPAK vendosi mosfillimin e kësaj çështjeje, duke argumentuar se edhe nëse ka marrë pjesë në këtë aktivitet, kjo nuk përbën një shkelje të rëndë. Gjithashtu, u pranua bashkëjetesa mes këtyre dy subjekteve. Sot ne kemi paraqitur faktin që të dy këto subjekte nuk e kanë deklaruar këtë bashkëjetesë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit, duke treguar se jemi përballë një vepre të rëndë penale, si falsifikimi, fshehja e të ardhurave dhe përfitimi i interesave të paligjshme.

Ndërkohë, çështja e zotit Berisha dhe zotit Malltezi po shqyrtohej në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana e kërkuesve, është kërkuar përjashtimi i zonjës Xhaferrllari nga këto çështje për shkak të bashkëjetesës së saj me zotin Alibeaj. Kjo për shkak se vetë zoti Alibeaj, duke qenë pjesë e Komisionit të Mandateve, jo vetëm që krijoi kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimit në lidhje me autorizimin e kërkuar nga SPAK për zëvendësimin e masës ndaj zotit Berisha, por gjithashtu shprehu hapur një gjuhë urrejtjeje.

Ai manipuloi situatën, duke tejkaluar edhe vetë anëtarët e Partisë Socialiste në këtë komision, kur deklaroi se “Sali Berishës duhet t’i hiqet imuniteti dhe të shkojë përpara ligjit”.

Ndërkohë, zonja Xhaferrllari, përveç se nuk e ka deklaruar bashkëjetesën në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, ka bërë një deklaratë mashtruese përpara Kolegjit të Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka mohuar kategorikisht bashkëjetesën me zotin Enkelejd Alibeaj dhe, gjithashtu, ka mohuar pjesëmarrjen e saj në aktivitete politike.

Për publikun, unë do të doja të vendosja në dispozicion fotot e zonjës Xhaferrllari. Për këtë arsye, i kemi kërkuar SPAK-ut të hetojë edhe në lidhje me të dhënat e celularëve të dy subjekteve që kallëzojmë sot. Sipas të dhënave tona, jo më larg se të dielën, këta dy persona janë parë së bashku në qytetin e Vlorës. Kjo është një shkelje e rëndë e detyrës, ndërkohë që zonja Xhaferrllari ka deklaruar përpara trupës gjykuese të Gjykatës Kushtetuese se nuk ka marrë pjesë në aktivitete politike. Në fakt, ky aktivitet politik ishte ai ku Lulzim Basha bënte edhe DJ, një aktivitet ku ata festonin jo për Vitin e Ri, por për arrestimin e Sali Berishës.

Ne po tregojmë se asgjë nuk është rastësore, as vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese dhe as ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, për të cilin kemi sjellë prova konkrete”.

ZJARR TELEVIZION

No comments: