Saturday, April 27, 2024

Veliaj, fletëthirrje për në SPAK: Do shkoj vetë. Kryetari zbardh strategjinë e mbrojtjes

 


Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është thirrur për hetime në SPAK ndërsa vetë ai deklaroi sot se ka ndërmend të shkojë vet duke zhvlerësuar mundësinë që ai ka marrë një thirrje zyrtare prej dy javësh. Veliaj ka shmangur vajtjen në Prokurori për inceneratorët dhe ndoshta edhe për kompaninë 5D fillimisht përmes një raporti mjekësor pesëditor dhe më pas me tri udhëtime të panderprera në Greqi, Gjermani dhe Hollandë.

Në një intervistë për report zv, Veliaj tregoi edhe strategjinë e mbrojtjes ndaj prokurorëve, e para është dhurata e ish UKT për SPAK nga ana e bashkisë dhe e dyta, vendosjen në një plan furnizimin me para të inceneratorit nga bashkia e Tiranës dhe 5 bashki të tjera.

Ai ka shmangur bisedën për 5D dhe për vendimin e tij për të miratuar financimin e inceneratorit pa aprovimin e këshillit bashkiak.

Çfarë tha Veliaj:

“Ne jemi treguar bashkëpunues me SPAK-un jo vetëm për çështje të dokumentacionit dhe mbarëvajtjes së hetimeve, por e kemi dëshmuar edhe me VKB, duke dhënë edhe prona të bashkisë për mbarëvajtjen e punës së SPAK-ut. Ju kujtoj se ish-ndërtesa e Ujësjellësit iu dhurua SPAK-ut nga Bashkia e Tiranës, që kolegët e BKH-së të punojnë në kushte njerëzore sepse s’mund të kesh një institucion, i cili duhet të përfaqësojë drejtësinë, që të ulen si në shkollat e Tiranës që gjeta unë para disa vitesh, me 5 veta në një zyrë dhe dosjet kapicë.

Ju kujtoj se në Bashkinë e Tiranës ka qindra procedura, për mbi 11.700 vetë staf, ndaj në këtë sens, gjithmonë mund të ketë nevojë për bashkëpunim dhe gjithmonë do të ketë bashkëpunim.

Unë besoj se marrëdhënia me SPAK-un nuk duhet të jetë vetëm reaktive, kur ata kërkojnë diçka, por mund të jetë edhe pro aktive. Zoti Dumani kishte të drejtë kur tha se institucionet duhet të jenë më pro aktive. Unë e kam marrë seriozisht këtë propozim dhe dua jo vetëm të vazhdojmë bashkëpunimin, por dua të jap më shumë informacione, edhe për të sqaruar çështjen e inceneratorëve, edhe për të shpjeguar pse disa media dhe disa gazetarë të influencuar nga politika ngatërrojnë letrën e Bankës Botërore me propozimin e pakërkuar. Kështu që, sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave dhe mendoj se qasja proaktive na ndihmon të dyja palëve. Palën e bashkisë për aq sa ka, si një nga 5-6 klientët e inceneratorëve dhe për gjithë dijeninë që ka, edhe palës së SPAK-ut për të mos u vonuar me “erdhi posta, u vonua posta”, por për të pasur të gjithë informacionin e nevojshëm.

Ndaj, besoj, në ditët e ardhshme do të kemi një dakordësi për orarin, unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë, edhe të mënyrës sesi ne, si një nga 5 (fillimisht) dhe tani 6 bashkitë, jemi klientë të inceneratorit, por edhe ku është diferenca mes letrës së Bankës Botërore dhe asaj që është një ofertë e pa kërkuar, dhe sesi disa personazhe mundohen t’i ngatërrojnë të dyja, por është e pa ngatërrueshme, është shumë e qartë. Banka Botërore është aty, dëshmitarët janë aty, dhe them më mirë proaktiv dhe shkoj vetë, sesa të bëj atë që bëjnë disa skile në politikë, ku njëri fshihet pas konventës, tjetri fshihet pas ballkonit te shkolla “Kosova”, që janë sjellje të pahijshme për burrat. Por, unë besoj se kështu është ndarë kjo jetë: në ca njerëz që nuk kanë asnjë problem me integritetin e tyre, me dëshirën e tyre, me pasionin e tyre dhe me gjurmën që kanë lënë në këtë qytet dhe në vend, dhe në ca të tjerë që fshihen, njëri është me diarre, tjetri thotë është pa qejf për “Rrugën e Kombit”… po ata janë i njëjti stan, i njëjti bulmet. Them “stan me lepuj” se nuk kanë minimumin e dinjitetit… gëzohen kur shahet Shqipëria dhe Tirana, e ndërkohë s’kanë pikën e burrnisë dhe inskenojnë drama të tipit “Përputhen” në familjen e tyre, me demek për të hequr vëmendjen nga dramat reale, që i kanë shkaktuar këtij vendi. Kjo është diferenca e madhe mes nesh dhe tyre.

/DRONI.al/

No comments: