Wednesday, February 14, 2024

Sa të verteta duhet të jenë në lidhje me Arben Ahmetaj ???

 



Arben Ahmetaj i dorëzon shërbimit grek një kasetë me rrëfime shantazhuese, punoi për Fredi Belerin para arratisjes, disa fakte dhe fijet me lobin antishqiptar, lidhjet me Irfanin, Metën, Boden dhe disa afera të panjohura

Në intervistën që dha për Çim Pekën, Arben Ahmetaj tha se kishte raportuar te shumë shërbime kërcënimet e pretenduara ndaj tij dhe familjes, pasi Edi Rama e kishte akuzuar për tradhti, duke e zhveshur nga funksionet partiake dhe postet e larta qeverisëse. Me ‘shumë shërbime’ nënkuptohen disa shërbime të huaja.

Ilir Kulla, një personazh me lidhjet dhe akses të theksuar në qarqet ndërkombëtare, u shpreh disa ditë më parë se shërbimet partnere nuk kanë interes ndaj Arben Ahmetajt dhe akuzave të tij pas arratisjes, me përjashtim të shërbimit grek.

Ilir Kulla la të kuptohej se Ahmetaj mund të përdoret nga shërbimi grek kundër Edi Ramës, i cili po tregon vendoshmëri për të mbajtur larg grekët nga kontrolli i Himarës, angazhim që mbështetet nga SHBA dhe Turqia.

Deklarata e z. Kulla, ish këshilltar i Fatos Nanos dhe Ilir Metës, nuk është thjeshtë një hamendësim.

Arben Ahmetaj zgjodhi pikërisht Greqinë për t’u arrarisur nga Shqipëria, disa orë pasi kishte mësuar se SPAK kishte firmosur një kërkesë për Kuvendin, duke kërkuar autorizimin për arrestimin e tij për korrupsion dhe pastrim parash.

Për shkak të lidhjeve që do t’i referojmë më poshtë, Greqia ishte një bazë e sigurt për Arben Ahmetajn, për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare dhe për t’u zhvendosur më pas në Lugano të Zvicrës, një vend i vështirë për ekstradimet.

Një javë pas arratisjes, në 14 korrik 2023, Kuvendi votoi pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.

Jo rastësisht, kreu i PDBDNJ-së Vangjel Dule abstenoi, duke u shprehur kështu kundër arrestimit të Ahmetajt.

Dule dhe Ahmetaj kanë qenë shokë klase. Por, kjo lidhje besohet nuk ka qenë vendimtare për qëndrimin e Dules kundër arrestimit të Ahmetajt. Lidhjet dhe interesat janë më të thella dhe të errëta.

Në korrik të vitit 1991, Arben Ahmetaj u zhvendos në Greqi bashkë me Vangjel Dulen. Ky i fundit deklarohet si grek i pastër, ndonëse e vërteta është se Dule është me rrënjë vlleh nga Gumenica dhe se të parët e tij erdhën në Goranxi si shërbëtor të bejlerëve shqiptarë nga Çamëria në vitet 1820.


Arben Ahmetaj u fut në disa qarqe greke nga Genc Ruli dhe Anastas Angjeli.

Genc Ruli ka qenë spiun i hetuesisë së regjimit komunist dhe Sigurimit të Shtetit.  Në vitin 1979, Genc Ruli ka spiunuar shokun e tij të ngushtë, Gjergjin. Ruli në atë kohë ishte student i Ekonomikut. Për veprimtarinë e Rulit si spiun ka dosje.

Në vitin 1990, Ruli u lidh me qarqet greke. Kjo besohet se është edhe arsyeja se pse Sali Berisha i hapi një dosje në vitin 1995.
Berisha e kërcënoi Rulin me burg në 16 mars të vitit 1995, teksa futi në axhendën e Kuvendit të kontrolluar prej tij, një kërkesë të kryeprokurorit Alush Dragoshi, i kontrolluar prej tij, për t’i hequr imunitetin e deputetit Genc Rulit për skandalin e drurit të arrës.

Ruli akuzohej nga kryeprokurori Dragoshoi si i implikuar në zhdukjen e 400 metra kub dru arre. Por qëllimi ishte vetëm për ta trembur Rulin.

Berisha besonte se shërbimi grek punonte për rrëzimin e tij nga pushteti, ndonëse 30 vite më vonë Berisha është bashkuar me ata që qëndrojnë pas Fredi Belerit kundër Ramës. (Më vonë Berisha do të bllokonte rezolutën për Çështjen Çame, firmosi marrëveshjen e detit që u rrëzua nga Kushtetuesja si dhe shumë pazare të tjera).


Ndërkaq, Anastas Angjeli është nga fshati Jermë i rrethit të Sarandës, fshat me popullsi greke. Babai i Cacit ka qenë spiun i Sigurimit të Shtetit dhe me qasje të forta në shërbimet greke. Gjyshi i Angjelit ka qenë shefi i truprojeve të kryetarit të qeverisë së Vorio-Epirit, Nikolla Zografos. 

Angjeli ka lidhje me lobisti progrek në SHBA, antishqiptari Nikolas Gejxh, disa pasuri të fshehura në Greqi dhe një shtëpi në boston të SHBA, deklaruar 330 000 dollarë, shtëpi e cila njihet si bazë takimesh të shërbimeve greke.

Nuk harrohet lehtë një episod në vitin 2013, kur Arben Ahmetaj i thotë Anastas Angjelit në një takim elektoral në Gjirokastër se po tallte bythën me popullin.


Ahmetaj kthehet nga Greqia dhe ngjit shkallët e karrierës

Në vitin 1992 Arben Ahmetaj rikthehet nga Greqia. Ahmetaj, jo rastësisht, katapultohet këshilltar i Genc Rulit, i cili ishte ministër i Financave. Këtë fakt Ahmetaj e ka fshehur gjithmonë, duke e zhdukur nga çdo biografi, ndoshta edhe për faktin se më vonë u konvertua socialist.

Ndërkaq, shoku i tij Vangjel Dule u bë Dhjak, titulli më i ulët fetar në kishën ortodokse, ndihmës prift. Dule rrinte pas  kryepshkopit Anastas Janullatos, i cili e përgatiti duke e futur në politikë


(Në prehrin e një prifti grek e kaloi adoleshencën edhe njëfarë Vesho mallisti, i cili para se të merrte azil në Gjermani me inskenimin e një rrahje, mori pasaportë greke. Duket se jo rastësisht, Vesho, sot i maskuar si gazetar, mbron Arben Ahmetajn dhe sulmon këdo që denoncon aferat e tij. Rastësi ose jo, por edhe babai i Veshos rezulton spiun i Sigurimit të Shtetit, me dosje konkrete, me pseudonimin Voltmetri si dhe me lidhje me agjenturat greke).

Trafik nafte dhe qensh

Aksesi në qarqet greke me prirje anti-shqiptare, i hapi Arben Ahmetajt rrugën e karrierës politike dhe trafiqeve.

Ahmetaj qëndronte gjatë në Janinë si përfaqësues i një politikani të lartë në Gjirokastër, ku merrte në dorëzim dhe shoqëronte auto-bote me karburant, çimento, lëngje e pije alkolike.

Shumë shpejt u lidh me Konsullin Grek, Xristo Jakovu, i cili i dha akses për kontrabandë mallrash në kufi. Ahmetaj dhe Jakovu nisën bashkë biznesin e trafikut të qenve.

Nga viti 1993 deri në vitin 1995, Ahmetaj dhe Jakovu trafikuan qindra qen të rracave Border Collie, Poodle, Pastor Gjerman, Doberman Pinscher, Labrador Retriever, Papillon etj.

Gjatë kësaj periudhe Ahmetaj ka deklaruar në biografinë zyrtare sikur ka qenë “Ekspert i Fondit Monetar Ndërkombëtar”. Një mësues anglishtje, ekspert i FMN!

Forcimi i lidhjeve greke dhe Beleri

Nga janari 1996 deri në fund të shkurtit 1997, Ahmetaj qëndroi kryesisht në Greqi, por deklaron se gjoja ka qenë me studime në SHBA.

Ahmetaj në fakt ka shkuar disa herë në SHBA me Anastas Angjelin dhe Dhimitraq Raftin tek baza e ultra-nacionalistit grek Nikolas Gejxh, i njohur për drejtimin e lobit grek në Amerikë.

(Dhimitraq Rafti ka qenë drejtor i Albtelekom, ku bashkë me Ahmetajn si pronar i kompanisë Hermes, realizuar vjedhjen më të madhe në atë kohë me impulset telefonike).

Nikolas Gejxh u shpallur person “non grata” nga ish-presidenti i asaj kohe, Sali Berisha si i implikuar në masakrën e “Masakra e Peshkopisë”, ku mbeti i vrarë roja dhe komandanti i repartit si dhe u plagosën katër ushtarakë të tjerë shqiptarë nga sulmi me armë i Organizatës terroriste greke “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit).

Posta Kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u sulmua rreth orës 02:30 të mëngjesit të datës 10 prill 1994.

Agresorët grekë, pasi vranë rojën, ushtarin Arsen Gjinin dhe komandantin e repartit, kapiten i Parë, Fatmir Shehu, plagosën efektivë të tjerë dhe grabitën gjithë armatimet në tërheqje e sipër. 



Pjesë e grupit grek ishte edhe Fredi Beleri, i cili përdorte disa emra si Dionisios dhe Foti.

Tre dekada më vonë, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Vangjel Dule në skenë, qarqet greke dhe Arben Ahmetaj në prapaskenë, nxorën pikërish terroristin Fredi Belerin, për të marrë Himarën.

Ahmetaj konvertohet në socialist dhe ngjit shkallët e karrierës me dorën e lobit grek

Pas një bashkëpunimi intensiv me qarqet e errëta greke, trafiqeve dhe kontrabandës, vizitave në SHBA dhe përpunimit nga Nikolas Gejxh, Arben Ahmetaj, nga këshilltar i Genc Rulit, befas u shfaq si demokrat në mars të vitit 1997, kur pushteti i Berishës po shkërmoqej.

Në 15 mars 1997, 4 ditë pas dekretimit si kryeministër të Bashkim Finos, Ahmetaj u emërua ekspert i Letrave me Vlerë në Ministrinë e Financave.

Edhe pse thjeshtë një mësues anglishtje me disa kurse të pretenduara, karriera e Arben Ahmetajt do të njihte vetëm ngjitje, falë dorës së padukshme të linjës greke.

Shumë shpejt Ahmetaj u katapultua drejtor kabineti në Ministrinë e Financave. Në vitet 1998-1999 u emërua drejtor Tatimesh, ku finalizoi afera epike korruptive.

Në 22 shkurt të vitit 2000, dosja e korrupsionit të Arben Ahmetajt si drejtor i Tateve, i është përcjellë Prokurorisë Tiranë përmes shkresës me numër protokolli 339/3 datë 22 Shkurt 2000. Dosja u mbajt sekret për 23 vite.

Pas viteve 2000, Ahmetaj finalizoi aferën me Albtelekom, në bashkëpunim me Dhimitraq Raftin.

(Në vitin 2016, sapo u emërua ministër i Financave, Ahmetaj mbylli aferën me Albtelekom, në të cilin ministria e Finacave kishte 14 % të aksioneve. Albtelekom u tërhoq nga padia në gjykatë ku i kërkonte kompanisë Hermes 23 milionë euro vjedhje. Ahmetaj ia kishte kaluar kompaninë Hermes Vilma Nushit të koncensionit korruptiv të check-up, ndërsa dhëndrin e saj Endrit Duçkën, e bëri drejtor të vlerësimit dhe shitjes së pasurive shtetërore, duke finalizuar disa afera me zhvatjen e pronave publike dhe kalimit të tyre në duart e shokëve biznesmenë të Ahmetajt. Ahmetaj ishte edhe bashkëpronar i Albtelekom si ministër Financash, edhe ish pronar i Hermes. Kjo aferë korruptive nuk është hetuar ende nga SPAK-u).

Në vitet 2003-2004, Ahmetaj u emërua zëvëndësministër i Energjisë, ndërsa në vitet 2004-2005 ishte zëvëndësministër i Integrimit, ku vodhi deri edhe me dieta dhe bileta avioni.

Në vitin 2005, pasi humbi si kandidat për deputet përballë Lulzim Bashës, Ahmetaj u arratis në Rumani pasi kishte konsideruar seriozisht një kërcënim të Berishës se do ta fuste në burg për aferën me Hermes.

U rikthye në vitin 2006 pasi Berisha kishte bërë shaka dhe e kishte mendjen për të pasuruar fëmijët e tij.

Ahmetaj hyn në rrethin e Edi Ramës

Me lobimin grek, me servilizmin e tij të pashembullt, me lidhjet e forta me Ilir Metën dhe fijet e lobit grek në SHBA, Ahmetaj arriti të depërtonte në rrethin e Edi Ramës, duke i hyrë më pas gradualisht në zemër.

Rama e bëri Ahmetajn deputet në 2009. Duhet theksuar se Ahmetaj nuk ka fituar asnjë betejë elektorale. PS-ja ka pësuar disfata kudo që Edi Rama i ka besuar zonat elektorale. Ky fakt mund të verifikojet lehtësisht në tabelat e rezulatit të çdo palë zgjedhjeve në KQZ.

Edi Rama e bëri sërish deputet Arben Ahmetajn në vitin 2013, në vitin 2017 dhe vitin 2021, duke e vendosur në zonë sigurie, pasi Tigri ishte i provuar se nuk fitonte në zonë rreziku apo në përballje direkte.

Ahmetaj 9 vite në krye të ekonomisë, finacave, privatizimeve, koncensioneve, parave të pandemisë dhe rindërtimit

Gjatë 9 viteve të pushtetit të PS, askush tjetër përveç Edi Ramës, nuk ka pasur pushtet sa Arben Ahmetaj. Edi Rama i besoi Arben Ahmetajt ministrinë e Ekonomisë, ministrinë e Financave, doganat, tatimet, koncensionet, privatizimet, dhe si mos të mjaftonin këto i besoi menaxhimin e parave të pandemisë dhe rindërtimit, duke e emëruar edhe zëvëndëskryeministër.

Nuk është sekret që Edi Rama i besoi Arben Ahmetajt edhe inceneratorët, çëdhtje e cila sot, si për ironi, denoncohet nga arratia nga vetë Arben Ahmetajt, pjesërisht si aferë.

Kur Shkëlqim Cani kundërshtoi koncensionin e TVSH-së, idenë e dhënies me koncensionin të thesarit dhe shumë marrëzi të tjera që deri më sot nuk janë bërë publike në media, Arben Ahmetaj e shfrytëzoi këtë fakt, duke i fryrë në vesh Edi Ramës që të largonte Canin dhe të emëronte atë në vend të tij si ministër Financash, me premtimin se do të finalizonte çdo projekt me kosto për xhepat e shqiptarëve dhe në favor të oligarkëve.

Ahmetaj ka përdorur ekstremisht lidhjet e tij me lobin grek në SHBA për të ndikuar tek Rama dhe bindur këtë të fundit se përballë kishte një personazh që jo vetëm nuk kundështonte si Shkëlqim Cani, por që kishte lidhje ndërkombëtare, që gjente para, që manovonte dhe që çdo ide tavoline e kthente në realitet fakt me letra, edhe pse me kosto të madhe për buxhetin.

Sinjalet që injoroi Rama

Besimi i Ramës tek Ahmetaj nuk u lëkund as pas një letre sekrete të Bankës Botërore, në vitin 2015, në të cilën përshkruhej në detaje veprimtaria korruptive e Arben Ahmetaj gjatë qeverisë Nano, 1997-2005, duke u fokusuar tek një aferë konkrete me një kompani spanjolle.

Sipas letrës, Arben Ahmetaj, gjatë ushrimit të funksionit të zv/ministrit të Energjitikës 2003-2004, është përfshirë në një aferë korruptive me një kompani spanjolle, me kosto miliona euro, duke shpërdoruar dhe përvetësuar pasuri dhe para publike, pastruar para etj.

Por, letra u injorua. Madje një vit pas letrës, Edi Rama shkarkoi Shkëlqim Canin dhe emëroi në vend të tij, Arben Ahmetajn si ministër Financash. FMN, BB, BE dhe amerikanët kanë mbështetur dhe mbështesin Shkëlqim Canin si një ndër të paktët zyrtarë i pakorruptuar, pa asnjë abuzim në jetën e tij dhe si aleat i besueshëm.

Një nga punët e para të Ahmetaj si ministër Financash ishte zhdukja e dosjes së korrupsionit të Ridvan Bodes që kishte përgatitur Shkëlqim Cani, për shkelje të barazisë në përzgjedhjen e një ofertuesi për marrjen e një kredie 250 milionë euro. Bode ndryshoi kriteret rrugës dhe përzgjodhi ofertën më të shtrenjtë, duke duke i shkaktuar shretit 60 milionë euro kosto financiare. Jo rastësisht Ahmetaj e vlerësoi Boden në intervistën që dha për televizionin e Familjes Berisha.

Ndërkaq, në 18 prill 2017, në ceremoninë e inagurimit të inceneratorit të Elbasanit, Rama u shpreh se “falënderoj ministrin i Financave që megjithëse është gjirokastrit e zgjidhi deri në fund qesen, gjë që ju siguroj nuk është e lehtë“.

Që Arben Ahmetaj ishte pronar i inceneratorëve këtë e konfirmon dosja e SPAK për korrupsionin e tij 20-vjeçar.

Në vitin 2019, Klodian Zoto ndërpret pagesat për Arben Ahmetajn. Ky i fundit kishte finalizuar inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Tashmë kërkonte Tiranën.

Në momentin që Arben Ahmetaj e pa veten jashtë loje tek Tirana, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nisën të denonconin aferën e inceneratorëve.

Ahmetaj jo vetëm ia ka dhënë dosjen e inceneratorëve Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, por edhe ia ka instruktuar dhe iluminuar rreth dosjes. Duke qenë ministër Ekonomie dhe më pas Financash, Ahmetaj kishte çdo dokument sekret dhe jo sekret.

Plani për rrëzimin e qeverisë

Me mediatizimin e çështjes së inceneratorëve, besohet se Arben Ahmetaj, Ilir Meta dhe Sali Berisha punuan për një plan për të rrëzuar Ramën.

Disa ditë para zgjedhjeve të 2021, Ilir Meta, Ahmetaj dhe Irfan Hysenbelliu, i cili kishte marrë mbi 70 milionë euro nga qeveria Rama, festuan rrëzimin e Ramës nga pushteti.

Lulzim Basha, maskë e Berishës në atë kohë, e arriti objektivin. Mori maksimumin e votave dhe mandateve, numër të cilin PD-ja nuk do ta marrë kurrë më gjatë ekzistencës së saj.

Edi Rama shpëtoi falë dështimit të Ilir Metës, i cili nga 19 deputetë, mori vetëm 3 deputetë, pasi gjatë gjithë fushatës pinte raki dhe luftonte me amerikanët në studio televizive.

Pas zgjedhjeve, Arben Ahmetaj, Irfani dhe Berisha u fikën. Ilir Metës i doli rakia. Ndëshkimi Irfanit dhe Ahmetajt nga Rama ka ardhur pothuajse në të njëjtën kohë.

Në intervistën për Çim Pekën, Arben Ahmetaj tha se “Ajo që doja të thosha ishte, se unë atë ditë kur jam shkarkuar në 24 korrik 2022, u fol se përpara se të dilnim në inaugurim, 7-8 anëtarë të anëtarë të kabinetit u ndaluam për kafe te Rogner, dhe aty rastësisht unë kam takuar Irfanin dhe e kam takuar, përqafuar. Gjysëm thashetheme, gjysëm e vërteta thotë se një nga ministret, aspirante e madhe, ka bërë foto dhe ja ka nisur kryeministrit“.

Në fakt ndëshkimi i tij nga Rama nuk konsiston në detaje kaq banale, por në prova të pakontestueshme të një veprimtarie të gjatë kundër PS-së, Ramës dhe disa ministrave.

Sulmet ndaj Ballukut dhe Veliajt

Është e provuar se Arben Ahmetaj qëndron pas sulmeve të Irfan Hysenbelliut ndaj ministres Belinda Balluku, për arsye që do t’i shtjellojmë në një shkrim tjetër.

Nuk ka asnjë dyshim se Arben Ahmetaj financon sulmet mediatike ndaj Erion Veliajt, përmes disa zagarëve mediatikë, por edhe përmes një gazetareje të BINR, të cilën Ahmetaj e ka marrë në një udhëtim në charter, ndërsa burri i saj ka përfituar para nga rindërtimi si nënkontraktor.

Arben Ahmetaj dyshohet se furnizon me dokumente dhe para ‘grupin e investigimit’ në SHQUP, me në krye Belon dhe Bletën e Tatimeve.

Arben Ahmetaj ka financuar dhe përdorur ‘vibratorin e tij mediatik’, Vesho mallistin allias Fundërrina, ish këshilltar i Ridvan Bodes, themelues i gjobëvënies në Shqipëri me portale, për të sulmuar shokët e tij në biznesin e inceneratorëve, botues dhe çdo gazetar që dekonspiroi dhe shembi strategjinë e tij me çështjen e inceneratorëve, duke ekspozuar të vërteta që i fshiheshin publikut.

Mbështetja e Belerit dhe rrëfimi për shërbimet greke

Lidhjet e Arben Ahmetajt me qarqet greke janë të shumfishta, nisin që prej 34 vitesh, janë të thella dhe të provueshme.

Në verën e vitit 2020, Edi Rama ishte bindur plotësisht dhe përfundimisht se kush ishte Arben Ahmetaj.

Rama e akuzoi në sy gjatë një mbledhje Kryesie, për prishje uniteti (për tradhti), ndërsa e zhveshi nga çdo post partiak dhe qeveritar.

Megjithatë, në tetor të vitit 2022, Arben Ahmetaj tha se “Unë dhe Partia Socialiste dhe të gjithë kolegët jemi një. Këto janë vetëm telenovela, por si duket nuk ka lajme“.

Nuk dihet nëse mendonte të vinte në gjumë Edi Ramën, shpresonte për rikthim apo për të krijuar perceptimin se Rama nuk e kishte lëshuar, për ta përdorur si mburojë nga veprimi i drejtësisë.

Në të njëjtën kohë, Arben Ahmetaj në prapaskenë, me Ilir Metën, Sali Berishën dhe Vangjel Dulen në skenë, piketuan Fredi Belerin, terroristin e masakrës së ’95, si kandidat për të marrë Himarën.

I vetmi problem për Edi Ramën për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 ishte Himara.

Zgjidhjen e këtij problemi e mori përsipër një ministre, histori të cilën e di një rreth i ngushtë në Tiranë dhe shërbimet partnere.

Plani për të marrë Himarën dështoi. Pas goditjes së Belerit, sigurisht i kapur me presh në dorë, do të vinte edhe goditja e parë penale e Arben Ahmetajt, emblemës së korrupsionit në Shqipëri.

Ndonëse një hetim alla FBI, dosja e SPAK trajton vetëm disa episode korrupsioni dhe pastrimi parash të Arben Ahmetajt.

Nuk është hetuar se ku kanë përfunduar paratë e rindërtimit, pandemisë, nuk është hetuar roli i tij në dhjetëra privatizime, koncensione dhe episode korruptive si marrëveshja me Albtelekom për të fshirë 23 milionë euro.

Ndërkaq, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka nënshkruar një kontratë me vlerë 150 mijë dollarë për të informuar qeverinë amerikane për pretendimin se akuzat e shumëfishta për korrupsion kundër tij në Shqipëri janë “të pavërteta”. 

Ahmetaj ka kontraktuar gjithashtu një nga studiot më të njohura ligjore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një opinion të gjoja të pavarur mbi akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK. Raporti, të cilën Ahmetaj e ka publikuar në profilin e tij në facebook, ka dalë në përfundimin se procesi ndaj ish zv/kryemistrit ka qenë i motivuar politikisht. Ky raport i ‘pavarur’ ka kushtuar rreth 400 mijë euro.

Amerikanët, pavarësisht lidhje të fuqishme të Nikolas Gejxh, nuk kanë shfaqur interes për pretendimet e Ahmetajt. Goditja penale e Ahmetajt mban vulën e SPAK-ut. Dhe SPAK-u është investimi më i madh amerikan në Shqipëri.

Disa burime konfirmojnë se Ahmetaj ka gjetur ngushëllim tek shërbimet greke. Para intervistës me natyrë shantazhuese dhe vetëmbrojtëse për Çim Pekën, Ahmetaj ka regjistruar disa rrëfime të tij kundër Edi Ramës, Erion Veliajt, disa biznesmenëve, ministrave dhe ish ministrave. Regjistrimet ia ka dorëzuar mentorëve të tij në shërbimin grek.

Prapaskena mëson se edhe intervista e Arben Ahmetajt për Çim Pekën është cencuruar. Intervista brutë është parë fillimisht nga Sali Berisha dhe një rreth i ngushtë në Tiranë. Janë hequr disa emra, lidhje dhe histori, për të cilat Berisha dhe Shkëlzeni kanë marrë disa milionë euro. Janë lënë vetëm pjesët e rrëfimit kundër Ramës dhe Veliajt.

No comments: