Thursday, February 29, 2024

Kush po përfiton nga riarmatimi i Evropës?

 


Shkruar nga Tommaso Carboni

Nëse Amerika na braktis, a mjafton kjo për t’u mbrojtur nga Putin?

“Deri para disa muajsh donin që të na ndalonin. Thoshim se ishim të këqijtë, se industria jonë ishte e dëmshme”.

Kështu deklaroi drejtori i përgjithshëm i Rheinmetall, gjigantit gjerman të prodhimit të armëve, për britaniken Financial Times në lidhje me kthesën epokale të Gjermanisë në lidhje me çështjet e mbrojtjes.

Ishte qershori i vitit 2022 dhe qeveria e kancelarit Olaf Scholz, sapo kishte njoftuar fillimin e një investimi prej 100 miliardë eurosh në shpenzime ushtarake, në kundërpërgjigje ndaj luftës së nisur nga Vladimir Putin kundër Ukrainës. Sot kompania gjermane është ndër protagonistët e riarmatimit të shpejtë të Evropës.

Vlera e aksioneve të saj në bursa është 4-fishuar që nga viti 2022. Dhe fitimet në tregun e aksioneve pasqyrojnë atë që ndodh në fabrika: Rheinmetall është një nga furnizuesit më të mëdhenj të Evropës me predha artilerie të kalibrit 155 milimetrash, për të cilat Ukraina ka  dëshpërimisht nevojë pasi për momentin ka shumë pak prej tyre.

Deri në vitin 2026, kompania gjermane parashikon të jetë në gjendje të prodhojë 700 mijë predha të tilla në vit. Para pushtimit të Ukrainës prodhonte vetëm 70 mijë në vit. Prodhimin e tyre po e rritin edhe British BAE Systems, French Nexter dhe Nammo, përkatësisht në pronësi të qeverive franceze, finlandeze dhe norvegjeze.


Në vendin e dytë për fitimet në bursë është kompania suedeze Saab. Prodhimi i saj kryesor është avioni luftarak Gripen. Por kohët e fundit më të famshme e ka bërë një armë tjetër: raketa - hedhësja kundër tankeve NLAW, e lëvizshme, e lehtë, dhe e aftë të shkatërrojë edhe mjete shumë të blinduara.

Mijëra prej tyre janë dërguar në Ukrainë, duke masakruar tanket ruse. Por edhe produktet e tjera të kompanisë që janë parë të jenë shumë të dobishëm janë radarët e mbrojtjes ajrore. Këto të fundit ukrainasit i përdorin për të gjurmuar sulmet ruse.

Sipas MSCI World Aerospace and Defense (një indeks ndërkombëtar që mat performancën e tregut të hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes), që nga viti 2022, aksionet e Saab në bursë kanë pësuar një rritje prej 244 për qind.

Kompania e tretë në këtë klasifikim është italiania Leonardo, me një rritje të vlerës në bursa prej 198 për qind (të dhënat e raportuara nga Financial Times duke u bazuar tek Refinitiv). Por  Leonardo është në qendër të vëmendjes edhe për rritjen e ndjeshme të porosive të marra nga MBDA, prodhuesi më i madh i raketave në Evropë, një kompani të cilën konsorciumi italian e kontrollon së bashku me Airbus dhe BAESystems.

Në vitin 2022, MBDA porosi produkte me vlerë 9 miliardë euro. Ndërkohë vitin e kaluar, nënshkroi kontrata me vlerë 6 miliardë paund me Poloninë për pajisje të mbrojtjes ajrore, por edhe me Francën dhe Gjermaninë për të rritur prodhimin e saj. Raketat e saj formojnë mbrojtjen ajrore që e mbron Ukrainën nga Rusia.

Këta prodhues armësh po reagojnë ndaj impulseve që vijnë nga kryeqytetet evropiane. Qeveritë e kuptojnë nevojën për të rritur investimet ushtarake. Evropa gjendet befas mes 2 zjarreve, nga njëra anë është një Rusi gjithnjë e më luftarake, e cila shpenzon 7 për qind të PBB-së në buxhetin ushtarak.

Nga ana tjetër, është rikthimi i mundshëm i Donald Trump, që nuk po bllokon vetëm ndihmën e re për Ukrainën, po ka vënë në pikëpyetje edhe nenin 5 të ndihmës reciproke të NATO-s. Vendet evropiane të NATO-s do të shpenzojnë këtë vit rreth 380 miliardë dollarë për mbrojtjen. Është një rritje që në fakt ka vazhduar që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë.

Megjithatë, arsenali i armatimeve po rikthehet pas një dividenti shumë të gjatë paqeje. Në vitin 2022 - pra pas 8 vitesh rritje - shpenzimet e anëtarëve evropianë të NATO-s nuk e kaluan në terma realë atë të vitit 1990. Kjo vështirësi vërehet edhe në granatimet e artilerisë, një vështirësi e ndarë pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara, duke qenë se ata vetë po përballen me vështirësi për të rritur prodhimin.

Pranverën e vitit të kaluar, Evropa premtoi të dërgonte në Ukrainë 1 milionë predha të kalibrit 155 milimetra. Nëse gjërat shkojnë mirë, do të mbërrijë gjysma e tyre. Analistët thonë se Avdiivka, qyteti i pushtuar nga rusët në Donbas, ra për shkak të mungesës së municioneve nga ukrainasit.

Ata madje po racionojnë edhe plumbat. Për të kapërcyer këtë emergjencë, Republika Çeke thotë se ka “identifikuar” 800 mijë predha të disponueshme jashtë Bashkimit Evropian dhe ka propozuar blerjen e tyre me një skemë të përbashkët. Kryeministri çek tha se të paktën 15 vende evropiane janë të interesuara për këtë iniciativë.

Shuma e nevojshme për blerjen nuk është dhe aq e lartë: 1.5 miliardë euro. Nëse Evropa dështon në këtë aspekt, kjo do të ishte vërtet e turpshme. Sepse do të dështonte aty ku ia doli Koreja e Veriut, një diktaturë e mjerë, e cila i dha Rusisë 1.5 milionë predha.

Shumë ekspertë theksojnë se Evropa nuk ka nevojë për të gjitha këto predha topash dhe mortajash. Dhe është e vërtetë sepse ajo lufton ndryshe, duke u mbështetur në supremacinë teknologjike të forcave ajrore dhe marinës.

Këtë vit, vendet evropiane të NATO-s do të shpenzojnë rreth 380 miliardë dollarë për mbrojtjen. The Economist pretendon se bazuar në barazinë e fuqisë blerëse është pak a shumë buxheti i Rusisë. Pyetja është kjo: Nëse Amerika na braktis, a mjafton kjo për t’u mbrojtur nga Putin?/Përshtati Pamfleti nga “La Stampa”

No comments: