Wednesday, January 3, 2024

Berisha refuzon heshtjen me vendim gjykate, “Dumani vrasës, do ia nxjerr fytyrën”

 


Për ta ndëshkuar sa më fort Sali Berishën që refuzoi të paraqitur dy herë në javë para oficerëve të policisë gjyqësore, prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai i kërkuan gjykatës jo vetëm arrestimin dhe izolimin e tij në shtëpi, por edhe mbikqyrjen policore edhe ndërprerjen e komunikimit me personat jashtë familjes.

Nga kjo kërkesë e fundit lindi debati nëse SPAK kishte synim ta dënojë Berishën si lider të opozitës dhe jo si një person nën hetim për një aferë korrupsioni. Sepse nëse Berisha privohej nga komunikimi me bashkëpuntorët politikë atëherë aktiviteti i tij opozitar cënohej rëndë. Me gjithë kundërshtimet, gjykata speciale u tregua zemërgjerë me prokurorët e SPAK dhe e ashpër me Berishën.

Arrestimi u shoqërua edhe me ruajtjen nga policia dhe ndalimin e komunikimit me personat jashtë familjes, një masë që avokatët e vlerësonin të paprecedentë në 33 vjet.

Në protestën e parë u duk se Berisha pranoi të heshtë. Vërtet do të tërhiqej nga mosbindja e vendimit të gjykatës, të cilën e konsideronte antikushtetues, për të paktën do të shmangte një ndëshkim akoma më të ashpër, siç është arresti me burg.

Ndaj mbështetësve që u tubuan në rrugicën poshtë shtëpisë së Berishës, dje u foli vazja e tij Argita.

Por sot kreu i opozitës ka mbajtur një fjalim sfidues. Në orët e pasdites simpatizantët u mblodhën sërish poshtë shtëpisë së tij me thirrjet “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”.

Pasi i përshëndeti me dy gishta, Berisha nuk i rezistoi fjalimit nga dritarja, ndërsa zëri i ndihmohej nga pajisjet e instaluara në rrugë.

“Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj. Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë. Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do e bëj ndonjëherë” u shpreh Berisha.

Në fjalim, nuk i kurseu akuzat e forta ndaj prokurorëve të SPAK. Ai sulmoi direkt Altin Dumanin, të cilin e quajti një laro të Edi Ramës dhe një vrasës, që ka mbyllur dosjet e vjedhjes së votës dhe të atentatit ndaj kandidatit të PD në Has.

“Në çdo gjë që kemi në vlerat tona politike, supervlerë ne kemi votën e lirë. Por në qoftë se Edi Rama, ministrat e tij, Dumani, Doshi e me radhë, Gjiknuri, Manja, e të tjerë, janë vrasës të saj në terren, Dumani, Kraja dhe horat e tjerë janë vrasës të saj në dosjet që nuk i hapin kurrë. Miqtë e mi, këta janë laro. Këta janë armiq të lirive tuaja, të lirive të shqiptarëve. Këta, për ata që ndajnë me kriminelët në qeveri, janë gati të shkelmojnë mbi lirinë tuaj më themelore, votën. Vetëm pak muaj më parë, në zyrat e ekstremistit Altin Dumani mbërrin dosja zyrtare, e firmosur nga zyrtarë, në të cilën dëshmohet se falangat e partisë së krimit, meqenëse nuk fitonin Hasin, kërkonin të eliminonin kandidatin e PD. Dumani është një vrasës si ata. Fsheh krimin e tyre dhe del përgjërohet në publik. Unë ju ia jap fjalën ju se atë fytyrë siç e ka do ua nxjerr para shqiptarëve” u shpreh Berisha.

Rrugës ku banon kreu i opozitës i ka mbetur emri “Mustafa Matohiti”, sepse është njohur përherë si “rruga e Berishës”. Tubimet e militatëve po bëhen më se të zakonshme dhe mbështetës të PD-së nga e gjithë Shqipëria do të zhvillojnë një lloj pelegrinazhi për të dëgjuar liderin e tyre të arrestuar, teksa flet nga dritarja e shtëpisë.

Një izolim si ky

Mbetet për t’u parë se si do të reagojnë prokurorët e SPAK pas këtij komunikimi në publik të liderit të opozitës, Sali Berisha, i cili i ka qëndruar të njëjtës linjë që nga fillimi i masave ndaj tij./Lapsi.al

No comments: