Armand Shkullaku
Një kryeministër me lapsa në xhep dhe katër klerikë që japin shfaqje në
Paris, kanë mjaftuar për të shprazur “krenarinë” shqiptare e për të
rindezur fanarin ndriçues nga duhet të kthejë sytë bota. Njëlloj si në
rastet kur zbulojmë ndonjë personazh të famshëm me origjinë shqiptare,
kur rrugëve, shesheve, spitalit e aeroportit i vëmë emrin Nënë Tereza,
apo kur përsërisim titujt e gazetave që tregojnë “mrekullitë” e tokës
shqiptare.
Kjo dëshirë për t’u dukur ashtu siç nuk jemi në të vëretetë ndoshta
vjen si kompensim i pafuqisë për të ndryshuar gjërat këtu ku jetojmë. Ky
vlerësim iluziv që mundohemi të zhvasim nga të tjerët dhe që e valvisim
si flamur kombëtar, ndoshta ndërton fasadën e jashtme për të mbuluar
dështimin tonë brenda. Të frustruar nga paaftësia jonë për të zhvilluar
një shoqëri normale demokratike, shpërthejmë në entuziasëm irracional
dhe hipokrit sa herë na jepet mundësia që bota të na shohi ndryshe.
Nisim të mitizojmë gjëra që realisht nuk na takojnë, duke u kthyer
kështu në robër të iluzionit që krijojmë vetë. Flasim pafund dhe me
eufori për këtë iluzion, duke mos e prekur plagën e përditshme që na
dhemb. E në këtë mënyrë kurthohemi brenda një paradoksi të rrallë, ku
ndryshe jetojmë e ndryshe duam të hiqemi në sytë të botës. Një gjendje e
tillë bën që gjërat të mos ndryshojnë ose të ndryshojnë tepër ngadalë.
Rasti i shfaqjes së delegacionit shqiptar në Paris pak ditë më parë
është një ilustrim i mirë për këtë fenomen tonin. Të dy paraqitjet, si
ajo e klerikëve ashtu edhe ajo e kryeminstrit me lapsat në xhep si
simbol i lirisë së shtypit , përbëjnë në vetëvete një rast për
reflektim. Ngjarjet u përcollën nga të gjitha mediat me tone euforike,
shprehje bombastike e ngjyra të ndezura, të cilat kishin si motiv
kryesor refrenin e njohur të shqiptarëve që çudisin botën, të
kryeministrit që befason, të tolerancës fetare që i jep leksion Europës,
të Francës që na nderon, etj etj. Me pak fjalë dëshirën tonë të
përvëluar për të treguar se vlejmë edhe ne.
Në këtë përndezje, që vazhdon ende, të paktë ishin ata që kthyen kokën
nga e vërteta që kemi brenda vetes. Që e panë atë shfaqje herë si
karnavale, herë si atraksion ekzotiko- artistik e herë si një hipokrizi
që edhe kësaj radhe e manifestuam në mënyrë popullore. Por në të gjitha
rastet, shqetësimi që ngrihet ka të bëjë me faktin se si mundet që për
hir të një efekti që krijojmë tek të huajt, të mos ngremë zërin dhe të
flasim për të vërtetat tona.
Marshimi i katër klerikëve në bulevardin Volter nuk ka asgjë të keqe,
përkundrazi. Por pyetja themelore ka të bëjë me faktin se ku janë këta
klerikë kur në Shqipëri ka nevojë për mesazhe tolerance e bashkëpunimi?
Shqipëria nuk ka patur probleme të bashkëjetesës fetare prej shekujsh,
por ama ka patur probleme të rënda të bashkëjetesës njerëzore. Europa,
aty ku marshuan klerikët, nuk e ka penalizuar Shqipërinë si vend me
konflikt fetar, por si vend me një konflikt permanent politik, që madje
në momente të caktuar, si ai vitit ’97, ka prodhuar kriza të frikshme
dhe qindra të vrarë. Eshtë qesharake që Europës t’i kërkosh emisarë për
t’u pajtuar mes vedi dhe pastaj t’i japësh leksione të paqtimit fetar.
Përfaqësuesit e fesë në Shqipëri kanë mbetur larg të qenit një autoritet
moral në vendin e tyre dhe një mesditë në Paris, ku qeveria i mblodhi
me avionin e Behgjet Pacollit, nuk i bën të tillë. Autoritetet fetare
këtu e kanë ngritur zërin kryesisht kur kanë dashur ndonjë tokë a godinë
për kishë a xhami dhe jo për fenomenet nga të cilat vuan shoqëria. Të
rralla ose thuajse të munguara mesazhet e klerit si autoritet moral për
të ndikuar në zbutjen e tensioneve politike në vend. Dhe këto tensione
jemi dëshmitarë që jo pak herë u kanë marrë jetën qytetarëve shqiptarë.
Kanë munguar mesazhet për krizën e besimit të shoqërisë, për devijimet e
saj, për ndikimin fatal të etjes për pasurim, për degradimin e
edukimit, krimin në familje, ngujimet, varfërinë. Flasim për mitin e
tolerancës fetare, transemtojmë foto e bëjmë like marshimin në Paris,
duke e ditur se shembulli që duam t’i japim botës na mungon çdo ditë në
vendin tonë. Hipokrizi kombëtare dhe kapitullim përballë mundësisë për
t’i ndryshuar gjërat. Le të jemi si të jemi këtu, me rëndësi të kemi
vëmendjen e botës.
Pak a shumë i njëjti mentalitet përcolli edhe lapsat në xhepin e
kryeministrit. Jo vetëm gazetarët, por nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e
di raportin e Edi Ramës me lirinë e shtypit. Edhe gazetarët që e
shoqëronin, edhe ata që përcollën këtu mahnitjen e shtypit të huaj me
klasin e kryeministrit tonë, i kanë provuar çdo ditë telefonatat e tij
dhe janë bomarduar me mesazhe, për një kronikë apo tekst të vetëm. Të
gjithë janë dëshmitarë se kur ishte kryetar bashkie nuk la pronë publike
pa shpërndarë e tendera pa dhënë për të kënaqur pronarët e mediave. Nuk
ka gazetar që nuk e di se si lulëzuan e lulëzojnë mediat e ngritura nga
biznesmenë për të bërë biznes apo se si ndahen sot paratë publike dhe
favoret për ata që i bëjnë fresk kryeministrit. Shqipëria është një vend
me liri të pjesshme të shtypit në çdo raport ndërkombëtar dhe për këtë
meritë të madhe ka edhe Edi Rama. Ai është shembulli i joshjes që
pushteti i bën medias, politikani që bën autointervista në shtyp dhe që
përzgjedh pyetjet dhe analistët në ballafaqimet televizive. Njeriu që
shpiku lajmet e montuara me kasetë që iu serviren televizioneve si qofte
të gatshme dhe që eleminoi kamerat nga çdo aktivitet ku merr pjesë
vetë. Ka dhe shumë e shumë të tjera... Mirëpo për këto, ashtu si dhe për
mitin e tolerancës nuk duam të flasim. Na mjaftojnë ca tituj gazetash
ndërkombëtare dhe fakti që tërheqim vëmendjen e botës, paçka se kemi një
kryeministër që bën sikur respekton para kamerave atë që nuk e pranon
dot me veten e tij: lirinë e shtypit.
Të dyja anët e shfaqjes së Parisit janë tipike për të treguar dhe
kuptuar si kompleksin tonë ndaj botës, ashtu edhe hipokrizinë apo më
mirë marrëzinë për të gënjyer veten si kompensim i pafuqisë për të
pranuar të vertetat tona. Ndaj pak ose aspak vend ka për krenari e
entusiazëm kombëtar, mjafton të kthejmë kokën e të shohim ku jetojmë.
No comments:
Post a Comment